Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Thirrje për veprim përmes zgjidhjeve digjitale të Kosovës

Përpjekjet e Kosovës për të kaluar tërësisht online varen nga nënshkrimi elektronik dhe nevoja për shërbime të centralizuara.

Duke pohuar pavarësinë e saj si shtet, shërbimet administrative të Kosovës janë përmirësuar gradualisht gjatë dy dekadave të fundit. Në vitet e fundit, ka pasur gjithashtu përmirësime në drejtim të digjitalizimit të administratës publike. Si kritere minimale të kërkuara nga Partneriteti për Qeverisje të Hapur (ang. OGP),, Kosova tashmë ka bërë përpjekje për të shënuar një numër në kuptimin e transparencës dhe qeverisjes së mirë.

Shumë nisma qeveritare dhe jo-qeveritare janë themeluar dhe dizajnuar për të ndihmuar Kosovën në digjitalizimin e shërbimeve të saja. Portali për të Dhënat e Hapura është katalog qeveritar i një pakoje të dhënave në format të hapur nga administratat publike të Kosovës, të etiketuara me kategori lidhur me temat specifike.

Platforma për konsultime publike është krijuar nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar ministritë dhe agjencitë e Kosovës për të lehtësuar procesin e konsultimit publikun duke përfshirë autoritetet publike dhe joqeveritare, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.

E-pjesëmarrja është krijuar nga Open Data Kosova, një OJQ jofitimprurëse, për Kuvendin e Kosovës dhe është një platformë e hapur ku çdo qytetar/e mund të regjistrohet dhe të ngrejë çështje që janë në shqetësim të tij ose të saj. Duke adresuar shqetësimet e tyre në platformë, qytetarët e interesuar janë në komunikim të drejtpërdrejtë me deputetët/et e Kuvendit të cilët mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre më tej në mbledhjet e Kuvendit.

Ky lloj ndërveprimi është shumë i rëndësishëm pasi që jo vetëm që inkurajon pjesëmarrjen aktive të qytetarëve, gjithashtu u mundëson atyre t’u dëgjohet zëri në proceset e vendimmarrjes. Platforma në fjalë nuk është ende live, por së shpejti do të transferohet në serverin e Kuvendit.

E-Kosova është portal shtetëror që ofron shërbime digjitale për shërbimet publike të vendosura në zyra dhe sportelet fizike të institucioneve. Portali është ende në zhvillim e sipër dhe bashkëpunimi i tij i parë ishte me Ministrinë e Shëndetësisë, ku qytetarët përveç tjerash mund të aplikojnë për vaksinat Covid-19.

Qëllimi i e-Kosova është të centralizojë shërbimet ekzistuese digjitale aktuale në një portal. Duke krijuar një llogari të verifikuar, një qytetar/e mund të jetë në gjendje të kryejë të gjitha shërbimet në internet. Mund të paguajë qiranë, energjinë elektrike dhe obligime të tjera bazike, si dhe të aplikojë për letërnjoftim ose certifikatë të lindjes.

Kosova ka investuar po ashtu në platforma që synojnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies dhe promovimin e qeverisjes së mirë dhe të hapur. Platforma për financimin publik të organizatave të shoqërisë civile, e iniciuar nga zyra e Kryeministrit, konkretisht nga Zyra e Qeverisjes së Mirë, ndan të dhëna për mbështetjen financiare të OSHC-ve sipas viteve, institucioneve, OJQ-ve që kanë përfituar, shumës së ofruar, e kështu me radhë.

Një platformë tjetër që ndihmon në rritjen e transparencës është e-prokurimi që administrohet nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), një agjenci e pavarur rregullative. E-prokurimi jo vetëm që është i rëndësishëm për qytetarët dhe bizneset për të marrë pjesë në mënyrë aktive në aspektin e shërbimeve që platforma ofron, por po ashtu është veçanërisht e rëndësishme për palët e treta siç janë gazetarët dhe OJQ-të për t’i analizuar kontratat publike. Si e tillë, platforma përbën një mundësi shumë të dobishme që mund të ndihmoj në transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.

Nuk mund të theksohet mjaftueshëm se të gjitha këto platforma përmbajnë shumë të meta dhe siç thuhet në Observatorin e Agjendës Digjitale për Kosovëkanë nevojë për përmirësime të mëtejshme . Së pari, ato duhet të plotësohen me më shumë të dhëna, duke mbuluar të gjithë sektorët.

Së dyti, institucionet duhet të sigurojnë më shumë mbështetje teknike për qytetarët/et se si të i përdorin platformat. Së treti, disa shërbime duhet të koordinohen më mirë me bankat. Për shembull, kur kryejnë pagesa në internet, ndonjëherë qytetarët duhet të shkojnë në institucione për të verifikuar ato, e kjo qëndron në kundërshtim me qëllimin e e-shërbimeve.

Aktualisht, sistemi i kërkimit dhe marrjes së shërbimeve funksionon në mënyrë hibride duke kombinuar qasjen online dhe offline. Të dhënat plotësohen online, por përsëri, dokumentet mund të merren vetëm duke u paraqitur fizikisht në institucionin përkatës. E-kiosku është një shembull i tillë. Ndonëse ishte një iniciativë shumë e mirë e krijuar gjatë administratës së kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, qytetari/ja ende duhet të paraqitet fizikisht në mënyrë që të marrë atë dokument.

Për më shumë, Kosova tashmë ka një infrastrukturë ligjore solide, një tjetër kriter themelor për anëtarësimin në OGP. Përderisa gradualisht po e ndërton infrastrukturën e saj digjitale, një aspekt qenësor mungon. Është fjala për nënshkrimin elektronik/digital, e-nënshkrimi. Deri më tani, nuk ka ligj të miratuar në Kuvendin e Kosovës që mundëson përdorimin e e-nënshkrimit. Kjo do të thotë që shumë portale shtetërore nuk mund të jenë 100% funksionale.

Mundësia për centralizimin e të gjitha shërbimeve online në e-Kosova do të mundësonte qasjen në të gjitha dokumentet duke përdorur e-nënshkrimin, një nënshkrim i pranuar nga institucionet, ambasadat, e kështu me radhë.

Duke krijuar një bazë të dhënave me të gjitha dokumentet në të, turmat e gjata dhe të zëshme në hapësirat fizike të institucioneve do të shmangeshin dhe njerëzit do të merrnin shërbimet e nevojshme të kryera me kohë dhe në mënyrë efikase. Centralizimi i shërbimeve madje nuk do të thotë domosdo zvogëlim të numrit të punonjësve, sepse edhe ashtu janë njerëzit ata që të merren me shqyrtimin e atyre dokumenteve. Vetëm do të thotë që puna do të transferohet online.

Nëse e-nënshkrimi kalon, mundësitë e shumta për angazhim qytetar do të lulëzojnë. Peticionet janë një nga shembujt e parë që të vijnë në mend. Individët, grupet, organizatat mund të avokojnë për çështje të ndryshme duke mbledhur zërat e qytetarëve/eve dhe jo të varen kryesisht nga mbledhja e nënshkrimeve fizike në sheshet e qyteteve. Nënshkrimi i një peticioni në internet kërkon përpjekje minimale dhe kështu siguron një mënyrë të shpejtë dhe efikase për t’u dëgjuar zëri qytetar.

Roli dhe përgjegjësitë e bartësve të detyrave dhe mbajtësve të të drejtave nuk duhet të shihen të ndara në mënyrë rigoroze në kuptimin e digjitalizimit dhe centralizimit të shërbimeve. Përgjegjësia e institucioneve për mundësimin e  qeverisjes së hapur është primare. Por roli i fuqishëm i grave dhe burrave si qytetarë në këtë drejtim është po ashtu tejet i rëndësishëm dhe duhet të theksohet.

Hulumtimet tregojnë se edhe pse gratë dhe burrat në Kosovë e ngisin zërin dhe kërkojnë përgjegjësi nga qeveria, ata nuk janë ndjekës shumë aktivë të punës së institucioneve. Në një sondazh të kryer nga Open Data Kosova dhe UBO Consulting, nga 1065 të anketuar 34.8% e përcjellin mesatarisht punën e Qeverisë së Kosovës, 20.8% nuk e përcjellin fare, ndërsa 5% u deklaruan si përcjellës të rregullt. Për më shumë, pothuajse gjysma e respondentëve të anketuar nuk mendojnë se ata mund të kontribuojnë në iniciativat qeveritare si qytetarë.

Rrjedhimisht, duke përdorur në mënyrë aktive burimet digjitale në dispozicion, duke i kritikuar platformat atëherë kur/nëse kërkesat ose ankesat e tyre injorohen, duke ftuar miqtë dhe të njohurit e tyre për veprim publik dhe të ngjashme, këto platforma mund të shërbejnë si një thirrje për veprim si për bashkëqytetarët ashtu edhe për institucionet përkatëse.

*Ky artikull është publikuar nga Open Data Kosovo në kuadër të projektit “Iniciativa për Qeverisje të Hapur dhe të Mirë” të financuar nga programi MATRA 2020 në Ambasadën e Holandës në Kosovë. Ky artikull është përgjegjësi e Open Data Kosovo dhe nuk reflekton pikëpamjet e Ambasadës së Holandës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.