Artikulli origjinal ne Brain Pickings
Vëmendja e vërtetë është një gjendje aq e vështirë, aq e dhunshme për çdo krijesë njerëzore, saqë çdo trazim emocional mund ta nxjerrë nga shinat. Prandaj, njeriu gjithnjë duhet që të përpiqet fort të mbrojë aftësinë e brendshme të të gjykuarit kundrejt rrëmujës së shpresave dhe frikërave personale.”
Në moshën 19 vjeçare, Simone Weil (1909-1943) doli e para në provimin pranues për certifikim në “Filozofi të Përgjithshme dhe Logjikë”; Simone de Beauvoir doli e dyta. Gjatë jetës së saj të shkurtër, Weil do të bëhej një prej mendjeve më depërtuese dhe largpamëse të kohës së saj. Albert Camus e lavdëronte si “të vetmen frymë madhështore të kohëve tona.” Poeti polak dhe laureati i çmimit nobel Czeslaw Milosz e konsideronte si “dhuratë të paçmuar për botën bashkëkohore.” Ajo ishte idealiste që jetoi idealet e saj. E lindur në një familje prej intelektualësh hebrenj, 24 vjeçarja Weil mori një vit pushim nga mësuesia për të punuar në një fabrikë autoveturash – përkundër një neuropatie të rrallë që i shkaktonte shpesh kokëdhëmbje paralizuese – në mënyrë që të kuptonte më mirë telashet e punëtorëve të varfër. Si 27 vjeçare, ajo iu bashkua një brigade anarkiste gjatë Luftës Civile në Spanjë. Si 34 vjeçare, vdiq urie në një sanatorium anglez, ku ishte shtrirë për tuberkuloz, ngase nuk kishte pranuar të pranonte më shumë ushqim sa që merrnin bashkëluftëtarët e saj në Francën e pushtuar nga nazistët. Gjatë kësaj kohe, ajo shkroi me mprehtësi të pashoqe dhe rigorozitet retorik rreth çështjeve bazike siç janë thelbi i vëmendjes, kuptimi i të drejtave, çfarë të bëhet me vuajtjet tona, dhe ç’do të thotë të jesh qënie e plotë njerëzore.
Që Weil duhet të dergjet në errësirë dhe aq e pavlerësuar sot është funksion tragjik i forcave të dyfishta të harresës kolektive dhe shlyerjes sistemike të ideve të grave nga arkivat historike. E prapëseprapë idetë e saj, që ndikuan mbi mendimtarë të tillë si Hannah Arendt, Susan Sontag, Iris Murdoch, Michel Foucault e Flannery O’Connor, sot ndriçojnë me plot kuptimësi.
Në muajt e fundit të jetës, derisa shihte si nazistët po shkatërronin njerëzimin dhe po fragmentonin madje edhe të arsyeshmit e të drejtit në fraksione opinionesh gjithnjë e më përçarëse, Weil përmblodhi një traktat të shkurtër e përcëllues të titulluar Mbi Zhdukjen e Partive Politike. Nuk u botua asnjëherë sa ishte e gjallë. Gati pas një shekulli, traktati flet me precizitet të jashtëzakonshëm e të frikshëm rreth forcave që po na e ndajnë botën më dysh.
Weil fillon duke shtruar një pyetje themeltare se a mund të kompensohen të ligat e dukshme të përçarjes politike me të mirat e supozuara nga të përqafuarit e pikëpamjeve të një partie të caktuar. Ajo shkruan:
Së pari, duhet të bëjmë të qartë se cili është kriteri i mirësisë. Mund të jetë vetëm e vërteta dhe drejtësia; e, pastaj, edhe interesi publik.
Demokracia, sundimi i shumicës, nuk janë të mira në vetvete. Ato janë thjesht mjete për të arritur mirësinë, dhe efektshmëria e tyre nuk është gjë e sigurt. Për shembull, nëse, në vend të Hitlerit, do të kishte qenë Republika e Vajmarit ajo që do të kishte vendosur, përmes një procesi tejet rigoroz demokratik e ligjor, që të çonte hebrenjtë në kampet e përqendrimit, dhe t’i torturonte mizorisht për vdekje, masat e tilla nuk do të kishin qenë as edhe një grimcë më legjitime se politikat e tashme naziste (dhe një mundësi e tillë nuk është aspak larg mendsh). Vetëm çfarë është e drejtë mund të jetë legjitime. Në asnjë rrethanë krimi dhe gënjeshtra nuk mund të jenë legjitime.
Duke pasur në mendje këto tri kritere elementare të së vërtetës, drejtësisë dhe interest publik, Weil i përkufizon karakteristikat thelbësore të të gjitha partive politike:
1. Një parti politike është makinë për gjenerimin e pasioneve kolektive.
2. Një parti politike është organizatë e krijuar që të ushtrojë presion kolektiv mbi mendjet e të gjithë anëtarëve të saj veç e veç.
3. Qëllimi i parë dhe poashtu qëllimi i përfundimtar i çdo partie politike është rritja e vetvetes, pa kufi.
Gati një dhjetëvjeçar para se Hannah Arendt të shkruante kryeveprën e saj mbi origjinën e totalitarizmit, Weil nxjerr përfundimin e pashmangshëm dhe shkatërrimtar:
Për shkak të këtyre tri karakteristikave, çdo parti është totalitare – potencialisht dhe me aspiratë. Nëse një parti nuk është në fakt totalitare, është ashtu ngaqë ato parti që e rrethojnë nuk janë ashtu më pak se ajo. Këto tri karakteristika janë të vërteta faktike – të qarta për secilin që ka pasur të bëjë diçka me aktivitetet e përditshme të partive politike.
Sa për të tretën: është shembull i veçantë i fenomenit që ndodh gjithmonë, kurdo që individët që mendojnë dominohen nga një strukturë kolektive – përmbysje e marrëdhënies mes qëllimeve dhe mjeteve.
Çdoku, pa përjashtim, të gjitha gjërat që kryesisht konsiderohen si qëllime janë në fakt, për nga natyra, në thelb, dhe në mënyrën më të dukshme, thjesht mjete. Mund të citohen shembuj pa fund të kësaj, prej çdo fushe të jetës: paraja, pushteti, shteti, krenaria kombëtare, prodhimi ekonimik, universitetet, etj., etj.
Vetëm mirësia është qëllim.
Gati një shekull pasi Emersoni kishte thënë se “masat janë të pagdhendura, të çala, të pabëra, të rrezikshme me kërkesat dhe ndikimet e tyre,” Weil shton:
Të menduarit kolektiv… është një formë kafshërore e të menduarit. Perceptimi i tij i errësuar i mirësisë sall e mundëson që ta ngatërrojë këtë ose atë mjet me të mirën absolute.
E njëjta vlen për partitë politike. Në parim, një parti është instrument për t’i shërbyer një koncepti të caktuar të interesit publik. Kjo është e vërtetë edhe për partitë që përfaqësojnë interesat e një grupi të posaçëm shoqëror, se gjithnjë ka një koncept të caktuar të interesit publik sipas të cilit interesi publik dhe këto interesa të posaçme do të duhej të koincidonin. Prapëseprapë ky konceptim është jashtëzakonisht i paqartë. Kjo është e vërtetë pa përjashtim dhe gati pandryshueshmërisht.”
Ajo shqyrton imtësisht se si tipari i dytë dhe i tretë që përkufizon partitë politike – vëndosmëria për të ndikuar mbi mendjet e njerëzve dhe qëllimi përfundimtar i rritjes pakufi – komplotojnë me rezultat manipulimin total të së vërtetës dhe korruptimin e drejtësisë:
Me t’u bërë rritja e partisë kriter i mirësisë, partia pashmangshëm do të ushtrojë presion kolektiv mbi mendjet e njerëzve. Ky presion është shumë i pranishëm; shpërfaqet haptas; shpallet e ngrihet në qiell. Kjo duhet të na tmerrojë, por tashmë jemi tepër të mësuar me të.
Partitë politike janë organizata që janë krijuar publikisht e zyrtarisht me qëllim që të mbysin në të gjithë shpirtrat sensin e të vërtetës dhe drejtësisë. Presioni kolektiv ushtrohet mbi publikun e gjërë përmes propagandës. Qëllimi i betuar i propagandës nuk është që të përhapë dritë, por që të mbushë mendje… Të gjitha partitë politike bëjnë propagandë.
Ajo shkruan për efektin e zymtë mbi individin:
Njeriu i cili nuk ka marrë vendimin që të mbesë posaçërisht besnik ndaj dritës së brendshme, vë gënjeshtrën mu në qendër të shpirtit. Për këtë, ndëshkimi për të është errësira e brendshme.
Me vëmëndjen te tri tipet e rrenave përmes të cilëve ngjan ky manipulim – “rrej partinë, rrej publikun, rrej vetveten” – Weil shqyrton natyrën dhe paradoksin e të vërtetës:
E vërteta përbën të gjitha mendimet që rriten në mendjen e një krijese që mendon, dëshira unike, totale dhe e veçantë e së cilit është për të vërtetën.
Gënjeshtra, gabimi (të dyja janë sinonime), janë mendime të atyre që nuk e dëshirojnë të vërtetën, ose atyre që dëshirojnë të vërtetën plus diçka tjetër. Për shembull, dëshirojnë të vërtetën, por gjithashtu dëshirojnë konformitet me këso apo aso idesh.
Megjithatë, si mund ta dëshirojmë të vërtetën nëse nuk kemi njohuri paraprake për të? Ky është misteri i të gjithë mistereve. Fjalët që shprehin përsosmërinë që asnjë mendje s’mund ta kapë – Zoti, e vërteta, drejtësia – që dëshira ndjell heshtazi, por pa asnjë presupozim, kanë fuqinë që ta ngrenë shpirtin lart dhe ta vërshojnë me dritë.
Vetëm atëherë kur dëshirojmë të vërtetën me shpirt të zbrazët e pa u përpjekur të supozojmë përmbajtjen e saj, mund të pranojmë dritën. Aty qëndron i tërë mekanizmi i vëmendjes.
Mbase për shkak të besimit të frazuar bukur se “vëmendja është forma më rrallë dhe më e pastër e zemërgjërësisë,” Weil propozon që të mbrojturit e vëmendjes tonë nga manipulimi është kontributi më i madh dhe më zemërgjerë për jetën publike dhe të mirën publike – diçka të cilën natyra njerëzore, e sunduar në mënyrë aq të pashpresë nga shpresa dhe frika, e bën tej mase sfiduese për ta arritur dhe prandaj edhe më ngadhënjyese kur arrihet:
Vëmendja e vërtetë është një gjendje aq e vështirë, aq e dhunshme për çdo krijesë njerëzore, saqë çdo trazim emocional mund ta nxjerrë nga shinat. Prandaj, njeriu gjithnjë duhet që të përpiqet fort të mbrojë aftësinë e brendshme të të gjykuarit kundrejt rrëmujës së shpresave dhe frikërave personale.”
Ajo merr parasysh rrezikun e posaçëm dhe suprem të atyre që filozofja Martha Nussbaum do t’i quajë, gati një shekull më vonë, emocionet tona politike– impulsin e pamenduar e të shtyrë nga afekti drejt besimit dhe të vepruarit, të cilin e manipulojnë me aq shkathtësi politikanët duke luajtur me shpresat e frikërat tona. Weil i vë emrin “pasion kolektiv” dhe shkruan:
Kur një vend është buzë pasionit kolektiv, bëhet njësh me krimin. Po ra pre e dy, a katër, a pesë, a dhjetë pasioneve kolektive, ndahet mes disa bandave kriminale. Pasionet e ndryshme nuk neutralizojnë njëra tjetrën… ato përplasen me zhurmë të skëterrshme, dhe në një potere të tillë mbyten zërat e brishtë të drejtësisë dhe së vërtetës.
Pasioni kolektiv është i vetmi burim i energjisë në dispozicion të partive me të cilën të bëjnë propogandë dhe të ushtrojnë presion mbi shpirtin e secilit anëtar.
Njeriu vëren se shpirti partiak i verbon njerëzit, i bën të shurdhër ndaj drejtësisë, shtyn edhe njerëzit e mirë që të përndjekin mizorisht caqe të pafajshme. Njeriu vëren, dhe prapëseprapë askush nuk propozon që të heqë qafe organizata të tilla që prodhojnë ligësi të tilla.
Efekti më helmues i pasionit kolektiv, argumenton Weil-i, është se ngushton horizontin e vëmendjes drejt pikave të posaçme me afekt të zmadhuar – ide të izoluara për të cilat ndjejmë fuqishëm, ose na bëjnë të ndjejmë, pro ose kundër – duke përjashtuar të gjitha idetë shoqëruese që vijnë deng në një ideologji të veçantë partiake. Njerëzit nxiten që t’i bashkohen një partie a kauze ngaqë iu përgjigjet disa gjërave të cilat i kanë për zemër, porse rrallë i shqyrtojnë me imtësi idetë e tjera që përqafon partia – përfshirë shumë prej tyre me të cilat, në rast reflektimi e shqyrtimi, nuk do të pajtoheshin fare.
Weil qorton se përderisa ky fragmentim manipulativ i të menduarit në kurriz të së vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik që ka zanafillë në politikën tonë, e ka përshkuar gati çdo fushë të jetës njerëzore:
Njerëzit kanë zhvilluar në vazhdimësi shprehinë e të menduarit, në të gjitha fushat, vetëm në terma të të qenit “pro” ose “kundër” çdo opinioni, dhe pastaj kërkojnë argumente për të mbështetur një prej dy opsioneve… Ka njerëz mendjegjërë të gatshëm për të pranuar vlerën e opinioneve me të cilat nuk pajtohen. Ata kanë humbur tërësisht konceptin e të vërtetës dhe të rremes.
Të tjerët, me të marrë pozicionin pro një opinioni të caktuar, nuk pranojnë të shqyrtojnë asnjë pikëpamje kundërshtuese. Ky është ndërkëmbim i shpirti totalitar.
Kur Einstein-i vizitoi Francën, të gjithë njerëzit që pak a shumë i përkisnin qarqeve intelektuale, pëfshirë shkencëtarë të tjerë, u ndanë në dy kampe: për Einstein-in ose kundër tij. Çdo ide e re shkencore gjen në botën e shkencës përkrahës dhe armiq – të dy anët të përndezura në masë të vajtueshme me shpirtin partiak. Bota intelektuale është gjatë gjithë kohës plot me trende dhe fraksione, në stade të ndryshme të kristalizimit.
Në art dhe letërsi, ky fenomen është edhe më i përhapur. Kubizmi dhe surrealizmi qenë të secila një lloj partie. Disa njerëz qenë Gidian e të tjerë Morizian. Të arrish famën, është e dobishme të rrethohesh me një bandë fansash, të gjithë të xhindosur prej shpirtit partiak.
Sado i zbatueshëm insistimi qendror i Weil-it rreth zhdukjes së të gjitha partive politike do të mund të ishte në realitet, argumenti më i thellë i saj – rëndësia e mospranimit të adoptimit të opinioneve përçarëse bardh e zi mes dhe përbrenda nesh – mund të jetë më i rëndësishmi: akti më kundërkulturor i guximit dhe i rezistencës që mund të performojë sot secili prej nesh. Ajo konkludon:
Gati kudo – shpesh kur merremi me probleme të pastra teknike – në vend se të mendojmë, thjesht mbajmë anë: pro ose kundër. Zgjedhja e tillë e zëvendëson aktivitetin e mendjes. Kjo është gërbulë intelektuale; u nis në botën politike dhe pastaj u shtri gjatëpërgjatë vendit, duke kontaminuar të gjitha format e të menduarit. Kjo gërbulë po na vret.
—-
Përktheu: Bardhi Bakija