Pas botimit të librit Kapitali në Shekullin Njëzet e Një në vitin 2014 (versioni në gjuhën angleze) nga ekonomisti i famshëm francez Thomas Piketty, diskutimi mbi pabarazitë ekonomike, në të ardhura dhe pasuri, është bërë pjesë e debateve dhe agjendave të ndryshme politike. Teza e tij kryesore ishte se norma e kthimit në kapital ka qenë më e madhe se norma e rritjes ekonomike (r>g). Rrjedhimisht ata që zotërojnë kapital janë pasuruar më shumë, duke e rritur kështu hendekun mes atyre që kanë të ardhura nga kapitali dhe atyre që kanë të ardhura vetëm nga puna e tyre.
Një diskutim i tillë, pra për shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë, në Kosovë e Shqipëri nuk është pjesë debateve kyçe publike. Ta zëmë, vetëm kohëve të fundit në Shqipëri diskutohet më shumë për fenomenet se si olikargët kanë ndikim në media e në politikë. Apo, se si në Kosovë ka familje që numërohen në gishtat e dorës e që zotërojnë dhjetëra biznese e pasuri marramendëse. Ndonëse pabarazia ndjehet e kuptohet në mënyra të ndryshme, paraqitja e saj në numra është e nevojshme për një perspektivë më të qartë krahasuese.
Një sfidë e madhe për analizimin e shpërndarjes së të ardhurave e (sidomos) pasurisë është mungesa e të dhënave. Megjithatë, falë Databazës së Pabarazisë në Botë (World Inequality Database), të krijuar nga Piketty dhe bashkëpunëtorët e tij, mund ta bëjmë një krahasim të serive kohore të shpërndarjes së të ardhurave në Kosovë dhe Shqipëri.
Të ardhurat për kokë banori janë rritur
Para se ta shohim se si ka qenë trendi i shpërndarjes së të ardhurave, duhet ta kuptojmë se të Ardhurat Kombëtare (AK) për kokë banori dhe Bruto Produkti Vendor (BPV) për kokë banori kanë shënuar rritje që nga kthesat kyçe në të dy vendet.
Në Shqipëri, kthesa e parë kyçe për rritjen e AK/BPV për kokë banori ishte viti 1993, kohë kjo që përkon me fillimet e tranzicionit nga regjimi socialist. Ndërsa e dyta ishte në vitin 1997 kur edhe ndodhin trazirat e njohura të atij viti. Nga ajo kohë e tutje, AK/BPV për kokë banori kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Ndërsa, në Kosovë shohim një rënie të dukshme të të ardhurave mes viteve 1990-1993. Përveç ngjarjeve të 1989 dhe fillimit të luftërave në Jugosllavi, një rënie kaq e shpejtë duhet të ketë të bëjë edhe me metodologjinë. Sepse në atë kohë Kosova llogaritej pjesë e Serbisë, e cila ishte pjesë e Jugosllavisë, prandaj ndarja e të dhënave është më sfiduese. Ta zëmë, nga këto të dhëna del se AK/BPV për kokë banori ishte më i lartë në 1990 se në 2019. Për këtë arsye, mund ta përdorim vitin 1991 si pikë më të përshtatshme krahasuese. Gjithashtu, mund ta shohim se në periudhën 1997-1999, kishte rënie të AK/BPV për kokë banori, meqë këto edhe ishin vitet e luftës. Por, pas 1999 trendi i AK/BPV për kokë banori ka qenë gjithnjë në rritje. Këto trende janë paraqitur në Figurën 1 dhe 2 më poshtë.
Figura 1. Të Ardhurat Kombëtare për kokë banori në Kosovë dhe Shqipëri 1990-2019
Figura 2. Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë dhe Shqipëri 1990-2019
Siç mund të vërehet, nga viti 1991 në 2019, AK për kokë banori në Shqipëri është rritur për rreth 210.5% ndërsa BPV për kokë banori është rritur për 200.5%. Ndërsa, në të njëjtën periudhë, edhe AK për kokë banori edhe BPV për kokë banori në Kosovë janë rritur për nga 29%.
Megjithatë, kjo rritje tregon mesataren e të ardhurave. E mesatarja nuk na tregon sesi është shpërndarë rritja. Për këtë duhet gjurmuar më shumë.
10%-shi më i pasur sot zotëron rreth 1/3-tën e të ardhurave
Për ta parë se si është shpërndarë rritja e të ardhurave, duhet parë trendet e ndarjes së të ardhurave të shtresave të ndryshme brenda secilit vend. Figura 3 tregon trendet e të ardhurave të 10%-shit më të pasur në Kosovë (2003-2019) dhe Shqipëri (1996-2019). Nga viti 1996 në 2019, të ardhurat e 10%-shit më të pasur në Shqipëri janë rritur për 12.3%. Ndërsa, nga viti 2003 në 2019, të ardhurat e 10%-shit më të pasur në Kosovë janë rritur për 6.2%. Në vitin 2019, 10%-shi më i pasur zotëronte 34% e të ardhurave në Shqipëri, ndërsa 31.3% në Kosovë. Pra, 10%-shi më i pasur kishte rreth 1/3 e të gjitha të ardhurave në Kosovë dhe Shqipëri.
Figura 3. Përqindja e të ardhurave që zotëron 10%-shi më i pasur në Kosovë dhe Shqipëri
Duhet theksuar se shpërndarja është llogaritur në bazë të të ardhurave para pagesës së tatimit. Kjo do të thotë se të dhënat nuk përfshijnë çfarëdo korrektimi të pabarazisë që mund ta bëjnë sistemet tatimore në të dy vendet.
Të ardhurat e shtresës së mesme në tkurrje
Përderisa 10% më i pasur kishte trend të rritjes së të ardhurave edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, të ardhurat e shtresës së mesme në këto dy vende kanë pësuar tkurrje të vazhdueshme – së paku, që nga koha e fillimit të Recesionit të Madh para 13 viteve. Figura 4 më poshtë paraqet trendet e të ardhurave të 40%-shit që gjendet në mes te shpërndarjes (shtresës së mesme). Mes vitit 1996 dhe 2019, të ardhurat e shtresës së mesme në Shqipëri janë tkurrur për 3.7%. Ndërsa mes 2003 dhe 2019, të ardhurat e shtresës së mesme në Kosovë janë tkurrur për 2.5% (e 2.8% në Shqipëri).
Figura 4. Përqindja e të ardhurat që zotëron 40%-shi në mes të shpërndarjes (shtresa e mesme) në Kosovë dhe Shqipëri
50%-shi më i varfër zotëron vetëm rreth 1/5-tën e të ardhurave
Përderisa edhe në Kosovë edhe në Shqipëri 10%-shi më i pasur është pasuruar dhe të ardhurat e shtresës së mesme janë tkurrur, të ardhurat e gjysmës më të varfër të popullsisë kanë pasur trende të ndryshme në të dy vendet. Figura 5 paraqet të ardhurat e 50%-shit më të varfër në Kosovë (2003-2019) dhe Shqipëri (1996-2019). Në vitin 2019, 50%-shi me i varfër në Shqipëri zotëronte 9.1% më pak të ardhura sesa në vitin 1996. Ndërsa, 50%-shi më i varfër në Kosovë zotëronte 3.4% më shumë të ardhura sesa në 2003. Në këtë periudhë (i. e., 2003-2019), të ardhurat e 50%-shit më të varfër në Shqipëri janë tkurrur për 3.1%.
Figura 5. Përqindja e të ardhurave që zotëron 50%-shi më i varfër në Kosovë dhe Shqipëri
Ndonëse më herët e pamë sesi të ardhurat e 10%-shit më të pasur kanë shënuar rritje, nga vendet tjera mund ta kuptojmë se edhe aty ka dallime. Për shembull, të ardhurat e 1%-shit më të pasur dallojnë shumë me 9%-shi që pason. Ose, të ardhurat e 0.1%-shit po ashtu dallojnë dukshëm nga 0.9%-shi që pason. Për këtë arsye, Databaza e Pabarazisë në Botë përfshin edhe trendin e përqindjes së të ardhurave që zotëron 1%-shi më i pasur.
1%-shi më i pasur ka pasur rritje të të ardhurave
Të ardhurat e 1%-shit më të pasur në Kosovë dhe Shqipëri po ashtu janë rritur ndër vite. Figura 6 paraqet përqindjen e të ardhurave që ata zotëronin në periudhën 1996-2019 në Shqipëri dhe 2003-2019 në Kosovë. Për dallim nga shumë vende tjera ku të ardhurat e më të pasurve kanë shënuar rënie gjatë Recesionit të Madh të 2007-09, në Kosovë dhe Shqipëri ka ndodhur e kundërta: të ardhurat e tyre janë rritur. Përveç faktit se burim i të ardhurave të tyre mund të mos jenë edhe aq asetet financiare, duhet hulumtuar tutje për arsyet e kësaj rritjeje.
Figura 6. Përqindja e të ardhurave që zotëron 1%-shi më i pasur në Kosovë dhe Shqipëri
Nëse kthehemi tek trendet sërish, e shohim se 1%-shi më i pasur në Shqipëri zotëronte 26.6% më shumë të ardhura në vitin 2019 sesa në 1996. Ndërsa, në vitin 2019, 1%-shi më i pasur në Kosovë zotëronte 11.3% më shumë të ardhura se në vitin 2003. Në vitin 2019 në Shqipëri, 9% e të ardhurave zotëroheshin nga 1%-shi më i pasur. Ndërsa, në Kosovë, 1%-shi më i pasur zotëronte 8.6% e të ardhurave.
Ndonëse kjo është vlerë e konsiderueshme, në krahasim me shumë vende tjera, është përqindje më e ulët. Arsye për këtë mund të jetë edhe sfida për marrjen e të dhënave meqë më të pasurit janë a) më pak numerikisht, b) mund të deklarojnë më pak të ardhura, dhe c) mund të mos përgjigjen fare. Për këto arsye, ka hapësirë të madhe të hulumtohet edhe në këtë drejtim.
Përkundër faktit se ky nuk është një diskutim kyç publik në Kosovë e Shqipëri, trendi i rritjes së pabarazisë në të ardhura është evident. Në tri dekadat e fundit, të Ardhurat Kombëtare dhe Bruto Produkti Vendor për kokë banori kanë shënuar rritje të konsiderueshme në të dy vendet, por shpërndarja ka qenë e pabarabartë. Në vitin 2019, në të dy vendet, 10%-shi më i pasur zotëronte gati 1/3-tën e të ardhurave. Ndërkohë, shohim se shtresa e mesme ka pasur një trend tkurrjeje që nga fillimi i Recesionit të Madh – rreth 13 vjet më parë. Ndërsa, në 2019, 50%-shi më i varfër zotëronte vetëm rreth 1/5-tën e të ardhurave. 50%-shi më i varfër në Shqipëri zotëronte 9.1% më pak të ardhura sesa që kishte para 23 viteve. Ndërsa, në Kosovë, 50%-shi më i varfër kishte vetëm 3.4% më shumë të ardhura se para 16 viteve. E kundërta ka ndodhur me 1%-shin më të pasur. Në vitin 2019, 1%-shi më i pasur në Shqipëri zotëronte 26.6% më shumë të ardhura se në vitin 1996. Ndërsa, 1%-shi më i pasur në Kosovë kishte rreth 11.3% më shumë të ardhura në vitin 2019 sesa në vitin 2003. Për ta zvogëluar këtë hendek, natyrisht se duhen reforma të thella e politika të qarta fiskale që mundësojnë rishpërndarjen në të dy vendet.