Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Joe Biden, ka njoftuar zyrtarisht për përbërjen e ekipit të tij të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare. Lista është një kombinim i njerëzve që kanë punuar më parë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit Amerikan gjatë administratës Obama.
Pas katër viteve përçarëse në Washington DC, ekipi i ri i Biden sinjalizon një qëndrim të kundërt në krahasim me administratën e mëparshme. Përbërja e re e kabinetit pasqyron një rikthim në marrëdhëniet transatlantike dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Me zgjedhjen e kabinetit të tij, Biden po i dërgon botës një mesazh të rëndësishëm, synimin për rindërtim të aleancave dhe adresimin e sfidave kyçe globale.
Politika e jashtme dhe siguria: Nga një ekstrem në tjetrin
Politika idiosinkretike e Presidentit Trump ka dëmtuar marrëdhëniet e SHBA-ve me aleatët. Presidenca e tij u definua si tëheqje nga multilateralizmi, gjë që ndikoi negativisht në besueshmërinë e SHBA-ve si një partner kredibil.
Përgjatë katër viteve, Trump ka tërhequr SHBA-të nga 11 organizata dhe marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë këtu marrëveshjen bërthamore me Iranin, UNESCO dhe të tjera. Trump gjithashtu zhvlerësoi rolin e NATO-s duke e quajtur atë si të skaduar (obsolete).
Biden do të trashëgojë një mori sfidash dhe më seriozja padyshim që do të jetë rindërtimi i aleancave të dëmtuara të Amerikës dhe rifitimi i besimit në nivel global.
Për ta ndihmuar atë në këtë drejtim, Biden ka njoftuar se Antony Blinken do të jetë Sekretari i tij i Shtetit. Blinken ka një marrëdhënie të ngushtë me Biden dhe është një nga këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë politik.
Tutje, Biden ka nominuar Avril Haines, e cila shërbeu si zëvendës-drejtore e CIA-s në administratën e Obamës, për të shërbyer si Drejtore e Inteligjencës Kombëtare. Nominimet tjera të kabinetit përfshijnë Jake Sullivan si Këshilltar të Sigurisë Kombëtare dhe Linda Thomas-Greenfield si Ambasadore e Kombeve të Bashkuara.
Emërimet e tilla sinjalizojnë një rivendosje të rolit dhe reputacionit të SHBA-ve në skenën ndërkombëtare. Të nominuarit e Biden janë persona me përvojë dhe kualifikime profesionale. Të gjithë prej tyre ndajnë pozicionin e njëjtë rreth forcimit të Amerikës në nivel global dhe përmirësimit të marrëdhënieve me aleatët.
Ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e mjedist: Ndryshim i qasjes
Trump ishte një kundërshtar i zëshëm ndaj mbrojtjes së mjedisit, shpesh duke e quajtur fenomenin e ndryshimeve klimatike një “mashtrim”. Administrata e tij kishte kundërshtuar vazhdimisht rregulloret dhe politikat për mbrojtjen e mjedisit.
Në vitin 2015, marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike u miratua dhe ratifikua nga 189 shtete. Marrëveshja obligon vendet nënshkruese të ulin nivelin e prodhimit të karbonit dhe ta ulin ngrohjen globale nën dy gradë celsius deri në fund të shekullit 21.
SHBA-të janë vendi i parë dhe i vetëm që u tërhoqën nga marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike. Presidenti Trump në vazhdimësi i dha prioritet ekonomisë duke anashkaluar iniciativat për mbrojtjen e mjedisit. Megjithatë, presidenti i ri amerikan po planifikon ta ndryshojë këtë qasje.
Biden njoftoi se John Kerry, ish Sekretari i Shtetit Amerikan, do të jetë i Emisar Special Presidencial për Klimën. Kjo sugjeron që administrata e tij do të tregojë një interes të veçantë për t’iu ribashkuar luftës globale kundër ndryshimeve klimatike.
Imigracioni: Rivendosja e besimit dhe stabilitetit
Përgjatë presidencës së tij, retorika e Trump ka qenë anti-imigracion. Trump shtoi financimin e sigurisë kufitare, shtrëngoi kufizimet në imigracionin familjar dhe propozoi t’i jepte fund lotarisë së vizave të diversitetit, e njohur ndryshe si “green card”.
Trump shkoi edhe më tej duke lëshuar një urdhër ekzekutiv që ndalonte hyrjen e shtetasve nga gjashtë vende me shumicë myslimane dhe uli drastikisht numrin e pranimit të refugjatëve.
Qasja anti-imigracion e Trump është përshkruar si diskriminuese. Politikat e tij diskutabile kundër imigracionit kanë krijuar trazira dhe parregullsi.
Biden ka njoftuar se Sekretari i tij i Sigurisë Kombëtare do të jetë Alejandro Mayorkas. Ai do të jetë i ngarkuar me zbatimin dhe menaxhimin e politikave të imigracionit të SHBA. Njëherit, ai do të fokusohet që ta rikthej rendin dhe ligjin në këtë departament.
Mayorkas është një qytetar i natyralizuar i cili ka lindur në Kubë, familja e të cilit u arratis nga revolucioni i Kastros. Ai do të jetë hispaniku i parë në histori që do ta drejtojë Departamentin për Siguri Kombëtare.
Katër vite sfiduese përpara
Përkundër faktit se fitorja e Biden ka krijuar një atmosferë optimizmi midis demokracive në botë, katër vitet e trazuara që lëmë pas kanë dëmtuar besueshmërinë e SHBA-ve si një partner kredibil.
Biden ka fituar, por sfidat dhe problemet e shkaktuara nga administrata Trump nuk janë larguar. Aleatët e SHBA-ve do të jenë gjithnjë e më të kujdesshëm në raportet e tyre me Amerikën, sepse kthimi i një presidenti sikurse Trump është i mundshëm pas katër viteve.
Biden fitoi zgjedhjet, por pjesa e vështirë fillon tani. Biden do të ballafaqohet me një Amerikë të ndarë përbrenda dhe një gjendje të paqëndrueshme të politikave ndërkombëtare.
—-
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.