Para disa viteve në Prishtinë kishte vdekur një grua. Në pllakatën lajmëruese poshtë emrit të saj ishte shkruar se gruaja e cilit burrë ishte ajo. Burri i saj doli të jetë moderator i kahmotshëm i televizionit publik emrin e të cilit më vjen ndot ta përmend. Kjo grua edhe pas vdekjes nuk ishte më shumë sesa gruaja e burrit të saj. Ajo nuk u njoh si subjekt meqenëse njohja e saj duhet të bëhej nëpërmjet burrit. Ky rast thellësisht patriarkal, që dymijë e gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë ravijëzon shovinizmin maskulinist që bashkëjeton me shoqërinë tonë. Gratë dhe burrat e Partisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës sot janë të zënë duke e vazhduar këtë shovenizëm, ndërsa disa iniciatorë të barazisë gjinore janë të lirë duke e vazhduar manipulimin politikë me feminitetin.
Feministja Nina Power në hyrje të librit të saj “Gruaja Njëdimensionale”, pyet se ku kanë mbetur gjithë ato gra interesante? Më tutje ajo shton se nëse do të besohej portretizimi bashkëkohor që i bëhët grave, atëherë edhe arritjet e tyre nuk do të dilnin përtej zotërimit të çantave të shtrenjta, një pune, një banese dhe të një burri. Ajo kritikon iluzionin e emancipimit i cili sipas saj prodhon veç konsumerizëm. Bazuar në titullin e ngjashëm të filozofit gjerman Herbert Marcuse “Njeriu Njëdimensional”, i cili përgjithësisht teorizon se si gjoja individët e lirë dhe të lumtur ishin në fakt individë të cilët punonin nën iluzionet e lirive të kapitalizmit, edhe “Gruaja Njëdimensionale” përgjithësisht trajton atë që prezantohet dhe ofrohet si emancipim gjinor, por që brenda koordinatave të ideologjisë dominuese, del të jetë iluzion i emancipimit; përshtypje e assesi përmbajtje.
Ashtu siç a priori gruaja nuk është përherë e “mirë”, po ashtu edhe burri a priori nuk është përherë i “keq”. Pozicionimi i tyre në luftën klasore e përcakton edhe rolin e tyre në shoqëri. Siç mund ta dimë, shtypja gllabëron të dyja gjinitë: gruaja e pasur e shfrytëzon atë të varfrën; gruaja e pasur shfrytëzon mashkullin e varfër. E njëjta vlen edhe për mashkullin e pasur. Duke e vendosur në terma ekonomik, historikisht ata që i kanë pasur në zotërim mjetet e prodhimit – kapitalin, kanë dominuar që nga familja e deri në shoqëri. Nuk do shumë mund që të konstatojmë se gruaja në Kosovë është dyfish e shtypur, njëherë për shkak të klasës së përjashtuar, tjetrën herë për shkak të së traditave kulturore shtypëse që u mirëmban prej elitave kulturore e politike në vend.
Për shembull, ne vendin tonë, para disa viteve doli si problem parësor e madje u organizuan marshe në përkrahje të kthimit të natës (#takebackthenight) për shkak të ngacmimeve seksuale. Në anën tjetër, dy ish deputete sa ishin pjesë e “Grupit të Grave Deputete”, me njërën dorë e shisnin feminitetin, me tjetrën dorë kapnin pushtetin ani pse gjendeshin në mesin e hipokrizisë. Për hir të kujtesës, ato “banin be e rrfe” se nuk do ta votonin Hashim Thaçin për President. Muaj më vonë, ato e votuan, e disa muaj pas kësaj u shpërblyen me poste diplomatike. Ama, askush prej këtyre nuk është dëgjuar të flasë për kompaninë e pastrimit “Mobile Sanitary Services” (MSS) e cila dominohet nga gratë, e që këto të fundit nuk kanë pushime vjetore e as mjekësore, kanë paga të ulëta e orar të gjatë, ndërsa ngacmimin seksual e kanë pjesë integrale të jetesës.
“Ajo çka duket si emancipim nuk është gjë tjetër pos një ngushtim i prangave” shkruan Power për përmbajtjen e librit. A nuk i kontribuuan ngushtimit të prangave disa iniciativa kinse emancipuese që u aplikuan në vend sikurse ishin e janë trajnimet menaxheriale për gruan e pavarur ndërmarrëse? A nuk është kjo thirrje për ta konstituar gruan në rolin e burrit të pasur, shtypës? Në emër të kësaj perspektive, shumë korifej të liberalizmit me plot gojë e propagandojnë emancipimin gjinor (madje e mbështesin me lloj-lloj statistika) duke thënë se si gjoja korporatat janë më performuese me menaxhment të përbërë – gra dhe burra. Një pikëpamje të tillë në përgjigjen se “si përfiton shoqëria nga barazia gjinore” e lexova së fundmi në këtë bllog nga Alan Wall i cili arsyetonte përmes raportit “Gender 3000“ të vitit 2014 nga Credit Suissee.
Nëse lulëzimi i korporatave me menaxhment të përbërë gjinor shitet si sukses për gruan, atëherë na sipërfaqësohen dy lloje të grave: të pasura që shtypin, të varfra që shtypën. Emancipimi gjinor është çlirim prej konjukturave të rendit shoqëror e jo etablim brenda rendit të tillë. Këta korifej liberal mendjen e kanë tek shfrytëzimi e jo barazia dhe sa herë që paraqitet ndonjë raport siç është ai i “Employment Law Advisory Services” (ELAS) i vitit 2008, që thotë se 86% të biznesmenëve të anketuar në Londër nuk do të punësonin gra nëse ato brenda gjashtë muajve do të mbeteshin shtatzënë, sikurse struci ata fusin kokën nën dhe për të kërkuar ndonjë kundër-raport.
Grupi i feministeve “Haveit” në vitin 2013 kishte realizuar një aksion simbolik gjersa mbahej edicioni i gjashtë i festivalit të filmit “PriFilmFest”. Të gjindura në Kosovën e 60% të papunëve dhe pa vizion ekonomik, me borde të institucioneve publike të kontrolluara prej individëve të partive në pushtet, me strukturë shoqërore patriarkale dhe të pabarabartë, ato kishin vendosur të kundërshtonin idenë përjashtuese të elitarizmit. “PriFilmFesti” atëbotë ishte etabluar si festival i tepihut të kuq dhe shoqërisë së lartë “glamuroze”, ani pse sponsorohej me qëllim të promovimit të filmit. Këto aktiviste kishin vendosur të ndërhyjnë në këtë festival me qëllim të shpërfaqin mungesën e asaj që mendohej si karakteristikë e festivalit: gjithpërfshirjen. Ky aksion i kishte vendosur pjesëmarrësit e organizatorët përballë ndërtimit të një marrëdhënie kritike me veten, saqë domosdoshmërisht nuk mund të kryqëzosh duart por je i detyruar të përgjigjesh në njëfarë mënyre. Në vitet pasuese ky festival ka filluar të hapet. Kjo formë e aktivitetit që detyron tjetrin të mos i shmanget është mjet që detyrimisht emancipon.
Barazia gjinore duhet të synohet përmes barazisë shoqërore. Kuota gjinore për përfaqësimin e grave në institucione vendimmarrëse është pozitive dhe e domosdoshme, por që e lënë në vetvete dhe vetëm si e tillë, ajo rezulton e pamjaftueshme. Ajo duhet të rritet nga 1/3 në 1/1. Shtypja e dyfishtë ka nevojë për trajtim të dyfishtë. Përtej gruas dhe burrit që bëjnë jetë mondane, është gruaja dhe burri që bëjnë jetë të vështirë. Paradoksalisht rritja e kuotës do ta rriste hendekun në mes grave e burrave që besojnë në shoqëri të barabartë, prej atyre që nuk e besojnë një gjë të tillë, prej atyre që udhëzojnë të tjerët të shtypin dhe të tjerëve që besojnë se njeriu nuk duhet të shtypet nga njeriu. Ky hendek do ta bënte më të qartë iluzionin e emancipimit prej emancipimit të vërtetë. Detyrë e jona është që mizogjenët t’i detyrojmë të mos i shmangën luftës tonë për barazi. E spontaniteti është armik i emancipimit.
_______________________
Ky tekst është mbështetur nga United Nation Democracy Fund (UNDF) – Am I equal in Kosovo society