Secili vend pune, pavarësisht misionit apo profilit, duhet të dëshmojë respektin për të drejtat e njeriut, të ketë ambient liberal të punës dhe drejtësi gjinore në veçanti. Kjo për shkak se burrat dhe gratë të punësuar në Kosovë vijnë kryesisht nga familje patriarkale dhe po ato qëndrime konvencionale i marrin me vete edhe në punë. Kjo ndikon në performancë, në ambiciet për promovim, në mënyrat se si komunikojnë dhe i qasen njëri tjetrit si kolegë dhe kolege.
Vendet e punës në Kosovë njihen për praktika diskriminuese gjinore. Këtë e kam kuptuar edhe më mirë përmes punës time si trajnere e integrimit gjinor dhe bashkëpunimit me gra e burra të punësuar në sektorë të ndryshëm. Praktikat diskriminuese vërehen me rekrutimin më të shpeshtë të burrave, me burrat kryesisht në pozita menaxheriale, me mundësi për ngritje kapacitetesh që kryesisht i shfrytëzojnë burrat, me problemet e shpeshta të pushimit të lehonisë që rezultojnë edhe me përjashtim nga puna, me mungesë të zbatimit të pushimit të atësisë, dhe me ngacmim seksual.
Ngacmimi seksual dhe humori tiran
Fustani mbi gjunjë, flokët e fryra, takat e larta dhe cilido element që mund ta irritojnë dikë e bëjnë një të punësuar të “pahijshme’ në një vend pune dhe paralajmërohet për shkelje të kodit të veshjes. Por ja që sjelljet e burrave, ngacmimet, komentet e pahijshme e të panevojshme ndaj kolegeve të tyre, asnjëherë nuk bien ndesh me kodin e sjelljes.
Ilustrimi: Driton Selmani
Humori shpesh përdoret si mjet tiranie. Kurdo që ndonjë grua (apo edhe burrë) ankohet apo reagon se i është thënë, propozuar apo bërë diçka që asaj nuk i ka pëlqyer, e ka vënë në pozitë të palakmueshme, apo e ka ofenduar, arsyetimi i shpeshtë është se personi përgjegjës ka bërë hajgare. Përmes humorit maskohen të thënat por demaskohet në të njëjtën kohë natyra patriarkale e sjelljeve të përvetësuara të burrave që mendojnë se gëzojnë të drejtën të shprehin epsh, dhe pritet nga gratë që ta pranojnë këtë të drejtë dhe të mos ekzagjerojnë me reagime.
Për të mbrojtur të drejtat themelore të punëtorëve si profesionistë/e dhe si individë, politikat strikte të ngacmimit seksual janë qenësore. Krijimi i një dokument i të mirëfilltë që përkufizon ngacmimin seksual, mënyrat si manifestohet, sanksionet, dhe opsionet rreth raportimit dhe konfidencialitetit (nëse vlerësohet si i tillë), do ta rregullonte problematikën e ngacmimit seksual dhe do t’i bënte të dukshme masat për ata që e shkaktojnë atë.
Politikat e ngacmimit seksual jo vetëm që do të impononin trajtim profesional dhe njerëzor të punëtorëve, por po ashtu do të hapnin një debat të shëndoshë për etikën dhe respektin, për qetësinë psikologjike në vend pune; për konceptin e konsentit entuziast; si dhe për pengesat që gratë hasin kur dalin në terren apo në trajnime jashtë vendit për shkak të qasjes ngacmuese dhe seksiste nga kolegët burra, qoftë nga punonjësit apo ata në pozita vendimmarrëse.
Pushimi prindëror për barazi gjinore dhe mirëqenie të fëmijëve
Me disa përjashtime krejt të vogla, burrat nuk kërkojnë pushim të atësisë. Gratë e kanë barrën e legjitimuar për t’u përkujdesur për fëmijët, dhe me gjithë sfidat fizike e emocionale të asaj periudhe, ato e rrezikojnë vendin e punës, apo veç e kanë të humbur në momentin kur kanë njoftuar se janë shtatzënë. Kjo e fundit është tipike për gratë e punësuara në biznese private. Shumë prej këtyre bizneseve, të pushtuara me ambicien e pangopur për profit, i përjashtojnë gratë nga puna, apo me kushte të tmerrshme të punës i nxitin ato që ta lënë punën vet.
Kur mungon vetëdijesimi tek gratë e burrat për përgjegjësi të përbashkët prindërore, zbatimi strikt i ligjeve të forta është i vetmi mjet që do t’i bëjë ata të përgjegjshëm. Ligji i Punës duhet jo vetëm që pushimin e atësisë të bëjë së paku 3 muaj, por të obligojë zbatimin në çdo vend pune e në çdo sektor. Po ashtu, Ligji për Barazi Gjinore duhet të përfshijë pushimin e lehonisë dhe të atësisë si pushim të përbashkët dhe të detyruar prindëror, dhe jo vetëm t’i referohet atyre tërthorazi.
Shfrytëzimi i pushimit së atësisë rezulton në demokratizim të roleve gjinore; kur babai qëndron në shtëpi afër fëmijës dhe kyçet në obligimet shtëpiake, ia mundëson nënës të kthehet në punë, të mos shkëputet nga puna për një kohë të gjatë dhe të mund të kontribuojë financiarisht. Dhe jo vetëm kaq, studimet çdo herë e më shumë po dëshmojnë që një baba i përkushtuar në jetën familjare ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e fëmijëve. Kjo për shkak se fëmija lidhet emocionalisht me babain dhe kanë mundësi të ndërtojnë raport të afërt e të shëndoshë.
‘Tavan i qelqtë’ apo ‘dysheme ngjitëse’?!
“Tavan i qelqtë” është nocioni për pengesat dhe sfidat që gratë i hasin drejt avansimit në karrierë. Ato e shohin dhe i afrohen mundësisë për një pozitë ekzekutive apo vendimmarrëse, por pengesat e pamohueshme, edhe pse krejtësisht transparente, ua mohojnë atë mundësi. Një gjë të tillë kemi mundur ta vërejmë me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryetare të LDK-së. Shkathtësitë, vetëbesimi dhe vullneti për atë pozitë nuk ishin problemi, problemi ishte mobilizimi i burrave dhe grave nga vet kryetari i asaj partie, sot Kryeministër, Isa Mustafa, për ta pamundësuar një gjë të tillë.
Por metafora e “tavanit të qelqtë” është sfiduar sepse sfidat e grave nuk qëndrojnë vetëm në krye të hierarkisë. Ato i përcjellin gratë përgjatë gjithë hapave të tyre në karrierë. Psikologia Alice Eagly pohon se arsyeja pse ka pak gra në pozita udhëheqëse është që ka po ashtu pak gra në pozita tjera nën ato udhëheqëse. Pra, sipas Eagly, gratë në mënyrë të vazhdueshme bien nga hierarkia. Kjo ka shumë kuptim kur e kujtojmë faktin që në Kosovë, hulumtimet pohojnë që vetëm një në dhjetë gra në Kosovë është e punësuar dhe vetëm një në dhjetë do të dëshironte të gjente punë.
“Nuk ka tavan të qelqtë, por dysheme ngjitëse”, thotë libri i autores dhe ekspertes së lidershipit Rebeca Shambaug. Sipas saj, dysheme ngjitëse janë vlerat, besimet dhe supozimet që gratë (dhe burrat) i kanë për vete dhe për rrethin. Ato supozime sipas Shambaug evoluojnë në qëndrime dhe sjellje të caktuara që mund të na pengojnë në arritjen e qëllimeve dhe avansimit në karrierë. Nga gratë pritet përsosmëri në punë; çka do që një burrë e bën në nivel mesatar, gruaja duhet ta bëjë dyfish apo trefish më mirë për tu trajtuar e barabartë. Gratë e punësuara duhet të menaxhojnë punën profesionale dhe jetën familjare, diçka që nuk pritet nga burrat; ato duhet të kenë vetëbesim që të marrin fjalën flasin dhe të përpiqen shumë që ajo fjalë të merret seriozisht.
Pra, nuk është vetëm hierarkia seksiste e “tavanit të qelqtë”, (hierarki kjo e painteresuar të balancoj pozitat vendimmarrëse të grave dhe burrave) që mban gratë në pozita modeste pune dhe e pamundëson avansimin e tyre në pozita vendimmarrëse. Janë pengesat që i hasim poshtë në ‘dysheme’, pengesa këto që na ngjitin këmbët dhe na pengojnë të lëvizim lirshëm drejt synimeve tona.
Masat afirmative për afirimim të drejtësisë
Si rrjedhojë e “dyshemeve ngjitëse”, politikat afirmative si masa të përkohshme me perspektivë afatgjatë janë të domosdoshme. Perspektiva gjinore e këtyre politikave mund të vërehet në dokumente të brendshme të organizatës, qysh prej mënyrës se si prezantohet profili dhe misioni i një institucioni, kompanie, apo organizate; prej mënyrës se si prezantohen objektivat dhe nëse ato reflektojnë nevojat e grave dhe burrave si bashkëqytetarë.
Masat afirmative vërehen në mundësi të barabarta për ngritje të kapacitete. Dhe jo vetëm kaq, ato vërehen në krijimin e kushteve të përshtatshme që gratë e burrat të mos kenë pengesa për t’i shfrytëzuar ato mundësi apo resurse. Ngacmimi seksual dhe normat diskriminuese gjuhësore ndikojnë shumë që gratë të heqin dorë nga trajnime apo çka do që ka të bëjë me faktin e të qenit në një veturë me një koleg mashkull apo e akomoduar në një hotel me të. Kjo pengesë, edhe atëherë kur nuk ka të bëjë me ngacmim seksual per se, ka të bëjë me përgjegjësinë patriarkale që gratë kanë për bashkëshortët apo partnerët e tyre, në mënyrë që ata të mos irritohen me prezencën e burrave të tjerë rreth gruas që ata konsiderojnë pronë të tyre.
Duke qenë se Kosova është shoqëri me pabarazi shoqërore, vendet e punës duhet të përmbajnë masa afirmative për t’iu dhënë mundësi avansimi qytetarëve të saj pa dallim gjinie, feje e race. Masat afirmative për gjithëpërfshirje dhe kushte për shfrytëzim të mundësive për avansim do të ndërtojnë ambient demokratik dhe liberal të punës. Kjo dinamikë dhe variacion në vende të punës do të ndikojë në pikëpamjet tona patriarkale dhe çfarëdo pikëpamje apo qëndrim tjetër që sheh më shumë ndasi sesa afërsi, dhe fokusohet më shumë në dallimet sesa në ngjashmëritë.
***
Fakti se figura e një burri të rrezikon apo kërcënon në çfarëdo forme në punë, tregon se sa e vrazhdë është shoqëria kosovare që objektivizon gratë edhe në ambiente të punës. Ky objektivizim që shpeshherë kthehet në ndëshkim edhe nga vet gratë për koleget e tyre gra, është tregues se shoqëria jonë i legjitimon sjelljet e dëmshme të burrave, ndërkaq kërkon nga gratë përsosmëri në sjellje. Nga një e punëruar pritet të mos flasë, të mos kundërshtojë, dhe nëse e “bën veten” e meriton. Pra, rolet tona patriarkale në familje dhe raportet tona në çift, reflektohen qartë në vendet e punës, dhe i legjitimojnë aspektet që na kufizojnë si individë dhe profesionistë.
Ndryshimi nuk fillon vetëm në familje. Ai fillon kudo ku ka hapësirë për t’i njohur, respektuar dhe trajtuar të tjerët të barabartë. Për të parë ndryshime të vërteta në shoqëri, dhe për t’i merituar fjalët dhe shprehjet e mëdha që vendet e punës i përdorin për tu promovuar, individët e punësuar duhet të jenë në gjendje të përjetojnë një revolucion të brendshëm dhe të pranojnë perspektivën e të drejtave të njeriut si mjetin më të rëndësishëm ligjor dhe të legjitimuar në raportin e tyre me kolegë dhe kolege.
Pikëpamjet tona personale ndikojnë shumë në ato profesionale. Vetëm një vend pune që kërkon pjekuri emocionale nga të punësuarit dhe të punësuarat, dhe këmbëngul në respekt të ndërsjellë, mund të sjellë ndryshime të vërteta në shoqëri.