Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pse pjesëmarrja në PISA do të jetë e rëndësishme për Kosovën?

Programi nderkombëtar për vlerësimin e studentëve (PISA) ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore duke i testuar nxënësit në aftësitë dhe njohuritë e tyre. Ndonëse krahasimet ndërkombëtare nuk janë as të lehta dhe as  të përsosura, PISA konisderohet si njëra ndër burimet më të besueshme mbi cilësinë e sistemeve të edukimit. Vitin e kaluar Kosova ishte për herën e parë në mesin e 70 vendeve që morrën pjesë në PISA 2015 dhe rezultatet e këtij testimi do të publikohen ne dhjetor të këtij viti. Si pasojë deri atëherë nuk do të dijmë ku qëndron vendi ynë në raport me vendet tjera. Mirëpo, ajo që shpesh nuk ceket për programin PISA është fakti se ky program më së paku ka të bëjë me rënditjen e shteteve apo me konkurencën akademike. Në fakt programi PISA ka për qëllim të shërbej si një platformë dhe pikë referimi që do të inkurajoj përmirësimin e sistemeve të edukimit kudo në botë dhe jo vetëm në vendet që përfshihen në vlerësim. Prandaj, ne duhet ta shohim këtë program jo si një provim prej të cilit mund të ndëshkohemi, por si një mundësi për t’u përmirësuar. Si pasojë ne duhet të jemi shumë më pak të përqëndruar në pozitën që do të kemi në rezultatet e 2016-ës, dhe të fokusohemi në atë që do të mund të arrijm në vlerësimin e 2018-ës.

Në këtë aspekt, Kosova mund të mësoj tri gjëra të rëndësishme nga PISA. Së pari është të kuptuarit se rritja e normave të regjistrimit nuk rezulton në cilësi më të mirë të mësimit. Krahas progresit në rritjen e normave të regjistrimit në të gjithë botën, rezultatet e PISA-s tregojnë se qështja e kualitetit akademik është qështje në vete. Jordania -për shembull- ka një normë regjistrimit prej 91 për qind, por rezultatet e saj në PISA janë nën mesataren e OECD-së. Si pasojë, bërësit e politikave në Kosovë duhet ta kuptojnë se cilësia e arsimit është çështje e ndarë nga sigurimi i regjistrimit, sigurimi i stafit mësimdhënës dhe objekteve shkollore. Deri sot, buxhetet shkollore në Kosovë kanë qenë operacionale nga natyra, si për shembull pagimi i pagave, e jo zhvillimore (p.sh. sigurimi i cilësisë).

Së dyti, me pjesëmarrjen në PISA, Kosova mund të vetëdijësohet për gjendjen e saj të tanishme në raport me vendet e tjera dhe t’a përdor këtë pozitë si pikë referimi për përmirësime. PISA është shumë e rëndësishme për ne sepse është një vlerësim shume i sinqerte i cilësisë së mësimit. Jo vetëm Kosova, por edhe vendet tjera mendonin se çdo gjë ishte në rregull me sistemin e tyre të edukimit, por studimi i parë i PISA-s u bë në vitin 2000 dhe vendet si Norvegjia kuptuan se gjendja nuk ishte e tillë. Ndonëse, të gjithë –së paku në princip- janë dakord se arsimi është i rëndësishëm, ajo që kemi mësuar nga PISA është se udhëheqësit në shtetet me performancë të lartë i kanë bindur qytetarët e tyre për të vlerësuar arsimin dhe të ardhmen e tyre më shumë se konsumi sot. Ne duhet ndjekur këtë shembull.

Së fundi, PISA dëshmon se progresi është i mundshëm edhe në periudha të shkurtëra kohore. Pavarësisht nga rezultatet, Kosova ka një mundësi të jashtëzakonshme për të përmirësuar sistemin e saj arsimor duke mësuar nga më të mirët. Një nga shtetet që ka përdorur PISA-në për të përmirësuar sistemin arsimor është Brazili, i cili ishte në fund të rënditjes në testimin e vitit 2000 kur mori pjesë për herë të parë. Brazili ka përdorur PISA-në për të përmirësuar politikat edukative dhe është vendi që ka përmirësuar cilësinë më shumë se çdo shtet tjetër gjatë 10 viteve të fundit. Prandaj përmirësimet janë të mundshme dhe nuk kanë nevojë për fonde të pakufizuara. Vetëm 6% e dallimeve në performancë shpjegohen nga të ardhurat kombëtare, duke sugjeruar se 94% e dallimeve në performancë përcaktohet nga faktorë të tjerë për shembull mësues të mirë apo nxënës të motivuar.

Në fund shtrohet pyetja pse duhet të jemi kaq të vëmendshëm ndaj sistemin tonë arsimor kur kemi probleme të tjera shumë të mëdha dhe urgjente si shtet? Arsyeja është shumë e thjeshtë: edukimi ndikon jashtëzakonisht shumë në zhvillimin ekonomik që për ne është vital. Të dhënat tregojnë që nëse shtetet në zhvillim e sipër angazhohen për përmirësimin e sistemeve të arsimit për të arritur nivelin e Finlandës, ato do të arrijnë të dyfishojnë GDP-në e tyre gjatë një periudhe të shkurtër kohore. Sipas një studimi, në qoftë se të gjithë 15 vjeçarët në zonën e OECD-së arrijnë të paktën nivelin 2 në matematikë, ata do të kontribuonin 200 trillion dollarë në prodhim ekonomik gjatë jetës së tyre. Kosova është një vend relativisht i vogël, dhe kapitalin e vetëm e ka atë human. Nëse duam të kemi të ardhme duhet shpejt të përqëndrohemi në edukimin e popullatës dhe të shëndrrohemi në një shtet që ofron shërbime, ne nuk kemi pasuri natyrore për t’i ofruar tregut ndërkombëtar. Kur flasim për përmirësimin e sistemit arsimor sigurisht që nuk ka kombinime magjike të politikave dhe praktikave që do të ishin të përshtatshme për të gjitha shtetet mirëpo PISA është një fillim i mbarë dhe ne duhet të dijmë t’a shfrytëzojmë siç duhet.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.