Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Distopia e harmonizimit të ekstremeve dhe trepikëshi në Basketball

 

E gjithë rezistenca ime njerëzore ndaj së keqes përmblidhet në mundësinë për ta mënjanuar realitetin e këtushëm politik. Dhe sado që lufta ime heroike për të qëndruar stoik është rraskapitëse dhe e dinjitetshme, ka çaste kur e hap dritaren dhe hedh një sy në arenën e gërditshme politike. Dhe pastaj më kaplon një turp i të qenit njerëzor. Përpiqem të mos e mendoj se ku po gjallëroj por është e pamundur që kohë pas kohe, të mos e heqësh pluhurin e një politike proviciniale nga fytyra. Kosova është një garë për çmendi. Është një arenë ku ca burra të ashpër garojnë se cili prej tyre i ka koqet deri tek gjunjët e që me ego të fryra ndër vite, me vyrtyte të liga përpiqen të kontrollojnë çdo hapësirë për të rëndomtit dhe mundohen që shpirtin të ja marrin qytetarëve të mjerë. Një provincë e mbushur dëng me të pafytyrë. Ku filozofia veç urtësi nuk është, ku estetika veç me të bukurën nuk merret, ku logjika veç me mënyrën e të menduarit nuk kapet. A mund të ju pyes diçka, cili prej figurave politike përfaqëson urtinë njerëzore? Nëse mund të ma jepni qoftë një emër të vetëm, do të heq dorë përgjithmonë nga vetja.

***

Kosova është një shembull i mirë i gërshetimeve dhe i puqjes së ekstremeve apo më mirë ta themi i harmonisë së ekstremiteteve. Së pari është një shkrirje e dy monarkive apo një përzierje e domosdoshme e tyre. Monarkisë fshatare dhe asaj urbane. Në mënyrë që ta krijojnë një rend të ri të sundimit mbi qytetarët e rëndomtë, popullin. Pushteti është pikë e përbashkët e tyre, e cila unifikon natyra të ndryshme idesh e mendimesh. Lirikët e bluzit të dashurisë gjallërojnë në një strehë me folkloristët dhe gjuhën e tyre shpesh herë nacionaliste. Libertinët hanë e pinë së bashku, me ata që e hyjnizojnë kanunin. Kjo është harmonia e të kundërtave. Rokeri i dikurshëm dhe njëri ndër pishtarët e refuzimit standard të vlerave, ikona e eksplorimit të lirë shpirtëror Migjen Kelmendi, është nën një strehë me Ramiz Lladrovcin, të merremi vesh nuk kam asgjë kundër Lladrovcit, përkundrazi ai ka nje sens të humorit në gjithë këtë atmosferë të një humori vrastar. Por nuk besoj që ka dije mbi psikodelikën dhe prekupime të njëjta sikurse lideri i një kult-bandi në Kosovë. Këto janë ca harmoni të të kundërtave që veç këtu i gjen. Dhe madje duhet t’i arsyetosh. Shkrirja e dy monarkive, kapitalizon rregullin e ri të sundimit.

Heronjtë e një Prishtine utopike shëndrrohen në figura politike udhëhequr nga shtresa fshatare. Natyrisht mbijetesa është e dhunshme dhe militantizmi për vëmendje është joshës. E gjithë shoqëria jonë është një hallkë zigjnirore e pakuptueshme për nga gjykimi dhe vështirë e përkufizuar. Secila parti politike sado që mund të jetë e kundërt me tjetrën, vjen një moment kur bashkimi mes tyre, është domosdoshmëri për atdheun. Sado të ndryshme qofshin filozofitë politike në mes partive, vjen një moment kur duhet të bashkohen për hir të qytetarëve. Sado të ndryshëm mund të jenë profilet politike, vjen një moment që për hir të së ardhmes, duhet ta kenë të njëjtën fytyrë. Këto janë gërshetimet e turpshme ngase të gjitha rrugët, çojnë tek bizneset e përbashkëta dhe ndarja fisnore e zonave. Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i mutacioneve gjenetike. E gjithë shoqëria jonë përbëhet nga një shumësi personalitetesh supreme. Secili është suprem për nga intelegjenca. Secili duhet të luftojë për ta shtyrë veten drejt supremes sepse kjo është modë. Dhe kjo është e pashmangshme. Lufta për të qenë superior përballë tjetrit është e gjithë ajo për çfarë jemi krijuar. Dhe ajo që tjetri përfaqëson është rrezik, si të tillë duhet ta eliminojmë moralisht. Kosova ky kopsht zoologjik, ku çdo gjë është gërshetuar. Natyrshëm. Dhunshëm. Si të doni ju. Edhe ashtu çdo teori e mundshme, këtu është e qëndrueshme.

***

Pajtohem pjesërisht më këtë këshilltarin e kryeministrit. Por para së gjithash të flasësh për krimet duhet të kesh elegancë dhe një dije që buron nga urtësia. Para ca kohësh u kapa keq më një poet të ri nacionalist serb i lindur në Prishtinë, kur mes të tjerash bëri një krahasim të pafalshëm mes R.Haradinaj dhe R.Mladiç, në mes H.Thaçit dhe S.Milosheviç duke thënë se ishin të njëjtë. Sado që me këta mizorët që më përfaqësojnë mua kam problem sa të duash, ishte i pakrasueshëm dhe jonormal një paralele e tillë. Srebrenica më rrinte në kokë dhe tërë kasaphanet në ish-Jugosllavi. Si rezultat më kapi një e dridhur dhe e hoqa nga lista e të ftuarve poetin e ri serb, i cili vazhdonte të më ftonte për një kafe në Mitrovicën e Veriut. Natyrisht e bënte me kastile. Provokimet nacionaliste janë ushqim ballkanik. Dua të them kur flasim për krimet shqiptare ndaj serbëve apriori duhet të hedhim sytë mbi krimet serbe në Kosovë. Duhet të jemi të kujdesshëm në trajtimin e dy sferave. Të jemi mjeshtër në prolog. E gjithë çfarë dëshironte poeti nacionalist, ishte një barazim mes krimesh. Por ne nga guximi ynë për ta ndëshkuar atë ligësi brenda nesh nuk mund të jemi indiferent, duke harruar qëllimet e shtetit serb për deportimin e më shumë se 800.000 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre apo 744 kufomave në Batajnicë, 61 kufomave në Petrovo Selo, 84 kufomave në në liqenin Peruçac apo 52 kufomave tjera shqiptare në Rudnicë.

Sipas Fondit për të Drejtat Humanitare më shumë se 13 mijë 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë viteve 98-99. Prej këtyre viktimave 76 për qind besohet se ishin civil. Për nga pëkatësia etnike 10 mijë e 794 ishin shqiptarë ndërsa 2 mijë e 97 ishin sërb. Të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike. 1 mijë e 133 fëmijë të vrarë gjatë luftës, do të vështrojnë nga qielli, turpin dhe masën e harbutërisë sonë. Një plagë tjetër poashtu është fati i 1 mijë 600 personave të pagjetur. Shqiptarët vetëmbroheshin nga thika e terrorit dhe luftonin për dinjitetin, para së gjithash për dinjitetin e një qenie njerëzore, në këtë mënyrë duke luftuar për të drejtën e secilit mbi faqe të dheut. Natyrisht që gjatë kësaj qëndrese kishte individë që kishin devijuar nga qëllimet e tyre mbrojtëse dhe le ta marrin atë ndëshkim që ju takon. Lufta është mut thoshte Hemingway. Gjithsesi ata që vuajnë jemi ne, që përskuqemi nga lufta për të ja dalur dhe përderisa të akuzuarit serb dhe shqiptar në Hagë, në mes pushimeve të Tribunalit, luajnë basketball në mes vete dhe mundohen të shënojnë trepikëshin e fitores së tyre personale, vështirë se do të qetësohen valëvitjet e dhunshme të flamujve në të dyja anët, në duart e qytetarëve të mjerë, me politikën si opium.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.