Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

“Dy atllarë në një mullar s’lidhen” – tregim për një luftë biopolitike

“Dy atllarë në një mullar s’lidhen”. Kjo është shprehja popullore për mosdurimin e krenave kur iu duhet ta ndajnë të njëjtën hapësirë. ”Atllarët” janë shumësi i “atit”. Sigurisht, metafora merr shembull për kuajt e mirë, të shpejtë e të zotët. Hierarkia e tyre nuk lejon të lidhen në të njëjtin vend sepse nuk rrinë dot afër me njëri-tjetrin. Kjo është shprehje që përshkruan mirë raportin që Hashim Thaçi e Albin Kurti kanë mes vete. Kurti dhe Thaçi i kanë pushtetet e ndara mund të thoshte dikush, ndaj nuk kanë të njëjtin mullar. Sigurisht, në një situatë normale kompetencat vërtet janë të ndara. Por, problemi është tjetër. Lufta e Kurtit dhe Thaçit nuk është luftë për pushtetin që të jep institucioni. Ata e duan pushtetin e Njëshit, vendin e sovranit.

Sovrani i ditëve tona nuk është pushteti i zotit në tokë, por shpëtimtari nga katastrofa. Ai vendos në situata të rënda. Në fushën e studimeve të gjendjes së jashtëzakonshme, ndër komponentet kryesore është nevoja, vlerësimi mbi nevojën për ta shpallur atë. Shkurt, ky është momenti kur realiteti faktik bëhet emri dhe norma e vetme e veprimit. Sovrani është ura kaluese që autorizon pezullimin e normës. Si i tillë, ka dicka prej ligji tek vetë ai.

Pushteti i sovranit që shpallë gjendjen e jashtëzakonshme nuk është demokratik e përfaqësues. Është disi në personin e tij, në cilësitë, karakterin e intelektin e tij burimi i autoritetit. Sovrani është çfarë vjen pas shprehjes “fjala e fundit e ligjit”, fjala e tij si ligj. A nuk e shohim vazhdimisht një shfaqje të tillë midis Kurtit dhe Thaçit. Tamam siç e përshkruan sovranin përballë gjendjes së jashëzakonshmë Giorgio Agamben. Përplasja e tyre kryesore erdhi pikërisht tek kjo zonë e pushtetit. Tek gjendja e jashtëzakonshme, rreth momentit arbitrar të shpalljes, kur norma i lëshon rrugë forcës. Të dy shkelen normat, Kurti Kushtetutën, kurse Thaçi provokoi kaos kur kërkoi mosbindje.

Ati është baba. Kontrolli i tij më efikas vjen nga mbrojtja dhe lidhja afektive.

Nuk ka asnjë kuptim të pyesësh mbi prejardhjen e autoritetit të babës. Në momentin që baba duhet të shpjegohet, ai më nuk është. Baba sepse baba. Kurtin e Thaçin i bashkon ambicia për pushtet biopolitik, por identiteti i tyre këtu merr fund.

Prej vitit 1999 Thaçi ka qenë protagonist i vendimeve kryesore mbi Kosovën. Protagonizmi, tejprezenca e fodullëku i tij e kanë dëmtuar shpesh Kosovën. Nëse duhet përmbledhur profilin e tij, ai ka ndjekur dogmën neoliberale në ekonomi të cilës ia shohim pasojat edhe sot; ka qeverisur në mënyrë autoritare, kryesisht duke shtrirë ndikimin nëpër institucione.

Në momentin konkret, tema për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund t’i ikte nevojës së tij për spikatje. Bash këtu fillon shpërfaqja e problemeve ideologjike që e shpjegojnë figurën e Kurtit. Përpjekja e presidentit për gjendjen e jashtëzakonshme, na u trumbetua si puq ndaj kryeministrit, nga ana e këtij të fundit. Kryeministri na tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë kishim një puq nga presidenti. Fjala e nxjerrë i hipi fluturakes sapo pamë Kurtin gjysmë ore pas Thaçit tek fliste përmes Haki Abazit. Krahasa pandemisë, taksa ishte çështje e ditës. Kjo po bëhej për ta hequr taksën. Të tjerë thoshin se Thaçi me këtë rast po ia merr pushtetin Kurtit. Kurti ndërkaq ishte më i rëndë. Presidenti po planifikonte provokimin e situatës në veriun e vendit, duke aluduar në një sulm ushtarak ku mund të kishim gjakderdhje, në mënyrë që në fund të legjitimohej ndarja…

Le t’ia hedhim një sy rregullativës ligjore dhe zhvillimit të ngjarjeve. Gjendjen e jashtëzakonshme e shpallë Kuvendi dhe jo Presidenti apo Këshilli i Sigurisë. Por, as Kushtetuta as Ligji mbi Këshillin e Sigurisë nuk i jep fuqi ekzekutive presidentit me këtë rast. Ligji për Këshillin e Sigurisë i jep fuqi ekzekutive këtij Këshilli, kurse ky i fundit përbëhet nga ministrat e kryeministri ku kalon pushteti ekzekutiv. Gjithë çfarë ndryshon është kryesimi i mbledhjeve që në gjendjen e jashtëzakonshme kalon nga kryeministri tek presidenti. Por, ky i fundit është një votë. Neni 131 në Pikën 7 të Kushtetutës madje kufizon duke specifikuar fushëveprimin e Këshillit të Sigurisë vetëm lidhur me situatën e krijuar.

Zhvillimi i ngjarjeve në fakt është shumë më i thjeshtë dhe transparent. Kryeministrit rreziku i vinte nga partneri i koalicionit, në dritë të diellit, hapur. Madje për arsye që LDK nuk lodhet duke e përsëritur publikisht sepse e konsideron popullore: lidhjet historike me ShBA.

Sigurisht, të gjithë e dimë se Hashim Thaçi nuk është një djalë pa sherr, që rri, shikon e pret. Prirjet e tij për akumulim pushteti i njohim sepse i kemi parë. Mund të shkojmë edhe më larg. Po themi se gjithë këto pretendime janë reale dhe të vërteta. Prapëseprapë, kjo mendësi, ky diskurs, ka diçka të errët e patologjike në vetvete.

Por, nga vjen dhe si shpjegohet rrëfimi për komplotin e fshehur ndaj kryeministrit. Botëkuptimi i tij vjen nga tradita bolshevike. Nyja kyqe këtu është marrëdhënia me historinë. Një shpjegim shkencor mbi historinë na është dhënë. Ky shpjegim i jepte proletariatit rolin e përfundimit të historisë (marksizmi hegelian – Lukacs&Co). Për këtë rol mund të dimë të gjithë, porse çasje në fatet e historisë kanë vetëm kuadrot pararojë të Partisë. Kjo mpleksje, ku në njërën anë e kemi garancën shkencore, kurse në tjetrën rolin historik të pazëvëndësueshëm, i jep natyrë ontologjike subjektit. Sado paradoksal që tingëllon formulimi, subjekti bëhet kushti për realizimin e domosdoshmërisë historike. Kurse vetë natyra e subjektit është liria si ndërhyrje, përkundër domosdoshmërisë. Kur bëhesh kusht për historinë, pararoja sheh armiq gjithandej. Të gjithë, natën dhe ditën bëjnë plane kundër tij. Ajo funskionon me profeci vetpërmbushëse. Gjithçka që ndodh bëhet pjesë e tregimit teleologjik. Kjo frikë është burim i kontrollit. Ky procedim e bën pararojën paranojë.

Gjendja e jashtëzakonshme është masë për të cilën duhet të bëjmë shumë kujdes, edhe kur atë e shpallë Kuvendi me shumicë të kualifikuar. Tendencat de-demokratizuese nëpër botë flasin për anashkalim të kësaj procedure dhe zgjatjen e disa prej masave edhe pas kalimit të nevojës. Patriotic Act ishte shpallur pas sulmeve të 11 shtatorit, por të drejtat dhe liritë e njerëzve janë cënuar pakthyeshëm. Raporti i shtetit me njerëzit nuk është kthyer kurrë në gjendjen paraprake. Ne jetojmë në një botë të vëzhguar e të mbikëqyrur, me kontrolle e mure. Gjithë kjo për ne, për sigurinë tonë. Një gjë dihet me siguri, sa më shumë siguri kërkojmë, teksa i dorëzohemi shtetit, më pak liri do të kemi.

Një shoqëri demokratike duhet t’ia ruajë gjendjes së jashtëzakonshme statusin e përjashtimit të rrallë. Në diskutimin midis përgatitjes së një ligji që kufizon të drejtat dhe liritë, apo shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ne duhet të kemi kujdes. Cilado rrugë që të ndiqet, ajo duhet të jetë rigoroze në përcaktimin e qartë të këtyre elementeve: afatizim kohor që lidhet me kohëzgjatjen e pandemisë; fusha e veprimit duhet të jetë e kufizuar me mbrojtjen nga pandemia; kurse organi që e merr vendimin është vetëm Kuvendi.

Ndryshe, abuzimi me gjendjen e jashtëzakonshme e bën atë çështje të lirisë. Kur ky është rasti, ajo nuk mund të reduktohet në procedura. Të gjitha dokumentet juridike, deri tek kushtetuta janë veçse reflektim i pajtimit tonë shoqëror mbi lirinë si diçka të panegociueshme. Në fund, qytetarët e lirë janë garancë për lirinë që e kemi. Asnjë sovran mbi kokë. Kjo shoqëri nuk do ta durojë hyqmin e askujt.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.