Shëmtia që si infeksion ka kapluar këngët në gjuhën shqipe të dhjetëvjeçarit të fundit është gati e pakuptueshme. “Me qef e bojmë, e ti mos um thuj jo. S’po dokesh shqiptare kur ti po bon NO” — kulturë përdhunimi. “Për mu u bone e padurushme, ta kisha dhez njo t’fortë hundëve” — abuzime fizike. “Allo allo my bro, ça je tu bo? Unë hiç sen, tu chill me my hoe. Masi ta kryj unë ty ta lo” — gruaja si pronë që ndahet në mes shokëve. “Kur e din qe t’du ah, pse po bahesh lavire?” — e vetëkuptueshme. Këto vargje reflektojnë se si trajtohet dhe perceptohet gruaja në shoqërinë tonë.
Madje trajtimi i tillë i grave është krejt normal për burrat e gratë e estradës tonë, të cilët ose qeshin e fare s’reagojnë për tentim-përdhunimet që Butrint Imeri i tregon si anektoda ose dalin haptas në intervista dhe fajësojnë gratë për tradhtinë e burrave, siç bën Robert Berisha.
Edhe nëse i analizon vargjet e tjera të duket se autorët nuk po flasin ndonjë gjuhë që kuptohet. Vargje pa rrjedhshmëri. Strofa pa lidhje logjike. Kotësi e zbrazët. Vjellë fjalësh. E ndonjëherë kur tentojnë t’i thurrin së bashku shtëllungat e vjella, del ndonjë fjali deklarative superqesharake se si qenkan ‘më të fortit prej krejt shokëve’.
Në anën tjetër, gjersa shumëkush priste ndonjë strofë feministe nga rap-artistet si Tayna e Rina në muzikën tonë komerciale – gra që thyen paragjykimet se ‘gratë s’dinë me bo rap’ – ato me tekstet si “Koka ngi me bitchez and I know that he no play” (Tayna) dhe “so ka ma nin mu per at bitch, So ka ma nin cause’ you ain’t shit” (Rina) vetëm sa ia “mbajtën zhagun” mentalitetit patriarkal. Ndoshta në të ardhmen na gëzojnë me ndonjë tekst më emancipues dhe feminist.
Por s’është vetëm muzika shqiptare që përjetëson kulturën e përdhunimit. Kujtojmë, kënga “Blurred Lines” e Robin Thicke që bëri bujë në vitin 2013 si himn që zbukuronte abuzimin dhe që përdorte vargje që shumë shpesh abuzuesit i përdorin kur flasin me viktimat e tyre.
Megjithatë, ky shkrim s’ka të bëjë me këtë fenomen. Ky fenomen është i gjithandejshëm dhe duhet analizë më e thellë për të kuptuar trendin që shndërron gruan në gjësend për hir të ‘artit’, nëse mund t’i themi art. Ky shkrim do të trajtojë disa nga këngët e ‘90-ave që kishin për temë të kundërtën – shpalosjen e përvojave të grave si të mbijetuara të dhunës seksuale e fizike dhe si akterë që marrin në dorë të tyre fatin e tyre. Ky shkrim trajton artin e mirëfilltë. Artin që lartëson pozitën e gruas në një botë ku figura e saj më së shpeshti portretizohet si asfarëgjë. Artin që vë në shprehje emocionet e gjalla të grave që përjetuan abuzim dhe të burrave që avokonin që abuzimet të ndaleshin.
’90-at në kulturën amerikane hapën shumë dyer për gratë. Bijat e valës së dytë të feminizmit u rritën dhe përcollën shtigje të reja që nënat e tyre nuk kishin mundësi t’i krijonin: vonimin e martesës dhe të lindjes së fëmijëve, ndjekjen e arsimit të lartë, bashkimin në fuqi punëtore dhe përqafimin e pavarësisë dhe identiteteve të tjera jashtë shtëpisë. Edhe feminizmi kulturor i ’90-ave shënoi përparim. Lëvizja ‘Grrrl Power’ inkurajoi dhe festoi fuqizimin e grave të reja, pavarësinë, vetëbesimin dhe fuqinë. Vetë shpikja e sloganit ‘Grrl Power’ i atribuohet bendit Bikini Kill – me shumicën e anëtareve gra – që publikonte vepra të vogla të vetëbotuara që trajtonin tema të ndryshme të feminizmit që quheshin ‘zines’. Subkulturat e tjera që definoheshin nga zines, muzika, arti dhe uebfaqet lulëzuan, duke u siguruar grave të reja platforma të reja për vetëshprehje.
Dhe kështu, edhe muzika e viteve’90-a përshkruhet nga fuqia e vetëshprehjes. Është dekada që përmes muzikës i bënte jehonë traumave personale që gërshetoheshin me rezistencë e zemërim të grave. Shumë kohë para lëvizjes #metoo dhe para se të lehtësohej roku alternativ – si figurativisht, njëlloj edhe literalisht – artistet gra, por edhe artistët burra, iu qasën temës së dhunës fizike dhe asaj seksuale me finesë.
Këto këngë e këta artistë u morën me sulmet seksuale kur reagimet antifeministe kërcënuan ta zhbënin përparimin e valës së dytë feministe në Amerikë. Dhjetëra këngë të tilla si “Star Bellied Boy” dhe “Suck My Left One” të Bikini Kill (ose e tërë diskografia nga ky bend, për ta thënë më mirë), “Dicknail” nga Hole, “Sullen Girl” nga Fiona Apple, “Polly” nga Nirvana, “Date Rape” nga Sublime dhe “Dead Men Don’t Rape” nga Seven Year Bitch duhet të jenë në playlist-ën e çdokujt që do ta përjetojë se çfarë kuptimi kanë himnet feministe.
Në mesin e dhjetëra këngëve nga muzikantet gra ishte edhe kënga a capella nga Tori Amos e titulluar “Me and a Gun”. Kënga “Me and a Gun”, një këngë për mbamendje, fton dëgjuesit në mendjen e një gruaje të përdhunuar. Zëri i Amos, i lodhur dhe i vetëm, pa shoqërim të ndonjë instrumenti muzikor, e bën dëgjuesin të ndërgjegjësohet rreth ashpërsisë së kësaj kënge. Gjersa kënga vazhdon, tregimi shpaloset dhe dëgjuesi përjeton natyrën grafike të krimit ndaj gruas, historinë e së cilës e dëgjon.
Amos shkroi këngën për të shpërfaqur incidentin kur ajo u dhunua kur ishte në të njëzetat e saj. Pasi performoi në një bar, një burrë nga audienca i kërkoi asaj nëse mund ta voziste në shtëpi. Pasi pranoi, ai e përdhunoi duke e kërcënuar me thikë gjatë aktit. Gjersa kënga vazhdon, Amos ironikisht vë në pikëpyetje se a ishin rrobat e saj arsyetim për ta bindur sulmuesin se sulmi ishte i mirëpritur – duke kritikuar bindjet e shoqërisë se viktima ka faj kur ndodhin incidentet e përdhunimit.
Kënga nga bendi Hole, “Asking for It” është një tjetër shembull që shtjellon temën e përdhunimit. Veçse, kjo s’ka të bëjë me një sulmues, por me një audiencë të tërë. Vokalistja Courtney Love kujton përvojën në një intervistë dhe shpjegon sesi pasi u zhyt në audiencë, (stage-diving), audienca filloi ta përdhunonte. Ata ia shqyen teshat, të brendshmet, dhe e kapën nëpër pjesë intime, duke i futur edhe gishtat. Titulli “Asking for it” i referohet justifikimeve të përdhunuesve të cilët pretendojnë se viktimat e tyre ‘e lypin’. Love, njëlloj si Amos, vë në pikëpyetje këtë mentalitet përgjatë këngës dhe duket se po tallet me mënyrat sesi i justifikojnë këta individë sjelljen e tyre.
Shembull tjetër që jehon përdhunimin dhe relacionet e pushtetit mes gjinive, por në një formë tjetër, është kënga “Sex Type Thing” nga Stone Temple Pilots – një nga grunge-grupet më të mëdha të ’90-ave. Kjo këngë, në të kundërtën nga ato të lartpërmendurat, nuk ka të bëjë me traumën personale nga perspektiva e gruas. “Sex Type Thing” është këngë që përshkruan fuqinë grabitqare maskuline ku vokalisti Weiland mishërohet me një rol të frikshëm e agresiv.
Përgjatë këngës, Weiland endet përmes riff-ave të rëndë dhe baterive thumbuese me linja si “Unë të thash’ që nuk duhej ta vishje atë fustan”(I said ya shouldn’t have that dress) dhe “Unë nuk blej apatinë tënde” (I ain’t buying into your apathy) – me sa duket fjali që i drejtohen një subjekti që është grua. Është këngë që kronikon ndjekjen pa pëlqim dhe vokalisti vesh maskën e një burri që nuk ndalet gjersa ta arrijë prenë. Herën e parë që e dëgjova këtë këngë, teksa ushqeja apetitin për muzikë në Youtube si 15-vjeçare, u gërdita dhe u fyeva. Pasi hulumtova për bendin, kuptova se Weiland shkroi këtë këngë pasi që e dashura e tij u përdhunua nga një grup burrash. Vokalisti kishte shkruar këngën për të avokuar kundër përdhunimit dhe për të shpërfaqur sesa lehtë burrat abuzojnë me gra dhe e bindin veten se sulmet janë të justifikueshme.
Krejt këto shembuj dëshmojnë se muzika është si arma. Varet se kush e ka në dorë. Mund ta ketë shtypësi për të shtypur; mund ta ketë e shtypura për t’u çliruar. Pra, njëjtë si arma, muzika në vetvete nuk është as emancipuese e as seksiste. Varet se a e ka një mikrofon përpara një pseudoartist seksist dhe mizogjen apo një artist i vërtetë emancipues dhe feminist.