Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Shpia e Agës: filmi i gruas fiton Aswan International Women Film Festival

Nuk ka asgjë lidhur me të bërin e një filmi që një grua nuk e bën dot aq lehtë sa një burrë, dhe nuk ka asnjë arsye pse ajo nuk mund të zotërojë plotësisht çdo teknikë të këtij  arti’

(Alice Guy Blache, 1.7.1873 – 24.3.1968)

‘E fituam Aswanin’ postoi në faqja e saj personale në Facebook regjizorja e mirënjohur nga Kosova Lendita Zeqiraj, një artiste e cila ka marrë pjesë në qindra festivale filmash, e cila është çmuar si Kineastja kombëtare e vitit 2014, dhe vazhdon krijimtarinë e saj deri sot me filmin e saj të fundit Shpia e Agës (2019). Filmi sapo u dekorua me 4 çmime nga festivali Aswan International Women Film Festival: Filmi më i mirë, Regjizorja më e mirë (Lendita Zeqiraj), Aktorja më e mirë (Rozafa Çelaj) dhe Çmimin nga Asociacioni Egjiptian i kritikëve të filmit. Kjo fitore vjen në një ditë të veçantë për Kosovën – ditën e pavarësisë – dhe kshu i dha ditës një akoma arsye për të festuar.

Disa dekada më parë teoricienja e filmit Molly Haskell me keqardhje lamentoi faktin se ekziston nja kategori e veçantë e filmit e quajtur ‘filmi i gruas’, megjithëse teoriciene të tjera e gjykojnë të dobishme të ekzistojë një kategori e tillë filmash e cila lejon një hapësirë për portretizimin e grave dhe të shqetësimeve dhe çështjeve të tyre meqë industria e filmit ka qënë aq shumë e drejtuar nga burrat dhe e orientuar rreth tyre sa madje harroi regjizoren e parë në botë që përdori filmin për të treguar një histori (filmi si tregim), Alice Guy Blache[1]. Ajo është shembulli i parë dhe më i përsosur që demonstron se, në kundërshtim me atë që librat e historise të filmit na kanë mësuar deri tani, gratë kanë ekzistuar në industrinë e filmit për shumë kohë dhe e kanë formuar atë që në momentin e parë, dhe megjithatë në rastet e shumta ato janë përjashtuar nga kjo histori për shkak të gjinisë së tyre. Pra, nëse ka një mësim për tu mësuar nga shembulli i saj është se, nëse tani më jemi në dijeni për faktin se kontributi i gjatë i grave në artin e kinemasë është lënë pas dore dhe është konsideruar i parëndësishëm, është e nevojshme jo vetëm ta korrigjojmë këtë gënjeshtër historike por të bëjmë ç’është e mundur që historia mos përsëritet më dhe të drejtojmë sytë tonë në ekranet ku gratë ndodhen dhe portretizohen me sinqeritet.

Dhe ja ku vjen Shpia e Agës për të na përmendur pse filmi i gruas është një zhanër absolutisht i nevojitshëm. Filmat që i përkasin zhanrit të filmit të gruas janë zakonisht sfidues dhe të guximshëm në çështjet që qëndrojnë në thelb të tregimit, gjithashtu janë të ndryshëm në aspektin e këndvështrimit ndaj këtyre çështjeve. Kanë tendencën të jenë të pamëshirshëm dhe tronditës në mënyrën se si i trajtojnë dhe tregojnë këto çeshtje, herë të tjera janë të mprehtë dhe unikë sepse shumicën e kohës trajtojnë tematika të vështira që janë objekt diskutimi dhe debati, pra janë përfundimisht polemikë dhe i rezistojnë sentimentalizmit. Shpia e Agës është të gjitha këto, tregon imazhe nga momente  intime midis grash, gjë e rrallë në artin e filmit. Është një tregim bashkëkohor që vendos gratë në qendër të historisë, personazhe që jetojnë në skaj dhe nuk kanë askënd përveç njera tjetrën për mbështetje. Filmi shpreh një skepticizëm serioz në lidhje me përshkrimin besnik e traumës, me dhembshuri mjaft të ndjeshme por jo aq sa të arrijë të mbingarkojë ekranin me klishe të mërzitshme rreth imazhit e një viktime. Gjë që tregon se zonja Zeqiraj është një regjizore me një perceptim të mprehtë dhe të saktë, ka një stil vizual të dizajnuar me kujdes dhe të cilin e mbron, ndërton, dhe kalon nga një projekt në tjetri po me të njëjtën cilësi dhe thjeshtësi. Me një lëvizje nervoze të kameras, disa të qeshura me zë të lartë,  dhe një sekuencë mbërthyese në përfundim të filmit ajo na detyron të  rikonsiderojmë perceptimin tonë reth viktimizimit femëror. Personazhet e filmit qeshin me të madhe, flasin një gjuhë vulgare, pëlqejnë seksin dhe nuk kërkojnë falje për këtë gjë, se cila mbart historinë e saj, herë përqafohen dhe herë grinden, por gjithmonë kanë njëra tjetrën në krah dhe bëhen triumfuese se cila në mënyrën e vetë. Ky është një vështrim zhbirues që shpëton nga portretizimi banal i viktimizimit dhe na jep një qëndrim të freskët: ja tek është Emira, një viktimë e trafikimit njerëzor, e re, plot energji dhe ëndërra dhe dëshira, dhe shpresë. Ja tek është dhe Kumria, një viktimë përdhunimi, një grua e fortë që po rit fëmijën e përdhunuesit ashtu siç ka mundësi me suportin e grave të tjera në shpi. Ja ku është Lumja, një viktimë e traditave të modës së vjetër. Dhe ja ku është Cera, i cili ka historinë e tij të dhimbshme dhe bëhet pjesë e këtij rrethi njerëzish të prekur nga keqbërja. Pa kohë ose një vend specifik, kjo mund të jetë historia e kujtdo, një histori e parezistueshme me një joshje bindëse që rezulton nga fakti se nuk përpiqet ta tepërojë në mënyrën e tregimit, është e thjeshtë – madje shumë e thjeshtë dhe herë pas herë e ngadaltë. Me momente, gjeste dhe personazhe të zakonshme Shpia e Agës është një tregim po aq i guximshëm dhe i ashpër sa projektet e mëparshme të regjizores.


[1] *[Edhe pse ka qënë pa dyshim njeriu i parë që përdori filmin për të treguar një histori – filmi si tregim – (në vitin 1896, para se D.W. Griffith të prodhonte filmin e tij të parë) Alice Guy Blache ka mbetur një figurë  e fshehur si për historianët ashtu edhe për publikun për dekada plot. Vetëm mendoni kaq, në librin e tij Historia e Kinematografisë Botërore (1895-1945) i botuar në 2005 Abaz T. Hozha përmënd Alice si ‘ndoshta e para grua regjizore’ (18), e cila krijoi shoqërinë e saj të prodhimit, duke vënë në dyshim faktin se ishte e para vërtet, pa përmëndur as emrin e shoqërisë së saj, pa diskutuar faktin se ishte i pari njeri që përdori filmin si mjet për tregimin e një historie. Madje ai gabon dhe me emrin e saj duke e quajtur Alice Gay në vend të Guy!]

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.