Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Një tregim prej leshi për aleancën “Surroi-Kurti”

Duhet izoluar mirë ama, akustika veçanërisht. T’i kesh ata komshinj nuk është bezdi e vogël. Natën vonë, një tingull sharkie, një zë i egër, i ngjirur, pastaj vjen kori, me pas një goditje. Katundarët n’salltanet. Ky është mëkati i botës pa akord. Një kolektiv i të shkuarës që e kishte vende në odë na e trazon këtë qetësi malore që veç ndonjë tingull të lehtë pianoje e pranon… 

Dy cicërima të Surroit duken mjaft për analizën e një fenomeni shoqëror. Kemi të bëjmë me një aleancë politike, por edhe shoqërore që normalizohet duke mbetur prapëseprapë disi e përçudnuar. Çfarë japin dhe marrin nga njëri-tjetri Surroi dhe Kurti. Ku u takuan dhe si mund të analizohet kjo marrëdhënie?

Do të argumentoj si në vijim: Surroi nga VV përfiton thirrjen legjitimuese për ta goditur UÇK-në. Kurse Kurti prej Surroit oportunizmin që i duhet për zgjedhje.

Ditën kur u zgjodh Qeveria Hoti, Surroi u shpreh përmes Pablo Nerudës: “mund t’i presin të gjitha lulet, por s’mund ta ndalin kurrë pranverën”. Çfarë po ngjet? A po na tërheq Surroi paralele midis Kilit dhe Kosovës? Pastaj, kur një si Surroi citon Nerudën aty do të ketë një zhvillim. A po i shkruan Surroi revolucionit, apo është revolucioni në proces surroizimi?

Pablo Neruda e ka shku jetën me fatin e popullit t’vet. Jeta e tij mundet me qenë mënyrë për t’i rrëfyer disa dekada histori te Kilit. Prej kësaj zhytjeje, kësaj hedhjeje të vullnetshme në rrebeshet që t’i sjell koha, e kemi Neruden që dashuron, që e ndjen natyrën. Kështu autentike është e bukur e rrezatuese poezia e tij. Surroi në anën tjetër, krejt jetën i tëhuajtur, gjithmonë peng, kurrë i lirë. Letërsia e tij, përveçse e dobët është shërim kompleksi. Sigurisht, duhet të ketë diçka si kusht për letërsinë.

Surroi nuk e ka një demokrat socialist për t’u identifikuar me të siç e kishte Neruda Salvador Allenden. Për më tepër, këtij as nuk i interesojnë praktikat emancipuese. Surroi prandaj as nuk mërzitet se ngjarjet këtu po bëjnë t’i çalojë paralelja. “Qeveria historike” u ndryshua paqësisht, Kili nuk u përsërit. Si është e mundur që “çlirimi i dytë” u zëvendësua aq paqësisht nga reaksioni? Asnjë gur nuk u hodh. Aq lehtë i pranuan prangat çlirimtarët e rinj?! Oportunizëm në të dyja anët. Kurti merr nga Surroi sjelljen oportuniste dhe pozicionin centrist, kurse Surroi prej tij, një thirrje/pozicion demek radikal. Ja tek mbërritëm tek vend i takimit. Shënjuesi “antikorrupsion” është takimi i tyre.  Ky “master” shënjues, kur lidhet anash me ndonjë referencë historike mëton të shërbejë si narracion e metanarracion për gjithë çfarë na rrethon. VV diskursin barazitar ideologjik e ka zëvëndësuar me antikorrupsionin. Edhe prej nje takse progresive është tërhequr. Korrupsioni asociohet me emrat bandit e bari sepse shpjegohet prej veseve te këqija e mungesave kulturore. Korrupsioni, për të cilin flet e bën Kurti me të tijtë nuk është klasor, as nuk vjen prej një modeli të gabuar zhvillimi. Për shumëkënd, kjo zhvendosje po kalon pa u vërejtur. Për bindjen time, kjo zhvendosje ka një rëndësi të madhe. Jo aq shumë për të treguar kronologjikisht përpjesëtimin e drejtë midis rritjes dhe ecjes drejt pushtetit, me ndryshimin e diskursit. Dikur, ishte shpërndarja e pabarabartë e pronës, taksa e sheshte e procesi i privatizimit fraza mbizotëruese të kritikës. Rëndësia qëndron megjithatë diku tjetër. Secila kritikë e ka një marrëdhënie të caktuar me projektin alternativ që do ta zëvendësojë të vjetrin. Çfarë mund të jetë atëherë projekti afirmativ? Çfarë mund të themi për hapësirën boshe? Për çfarë e pastron terrenin ky lloj diskursi? Për një borgjezi të ndershme, të pastër; për qejf të Vetonit, edhe me kulturë. Epo na falni, bashkë me cicërimën e dytë të Surroit, e kemi edhe një tregim leshi.

“Sapo filloi çkapja dramatike e shtetit” na tha Surroi fill pas publikimit të aktakuzës ndaj Presidentit Hashim Thaçi. Deklarata qëllimisht përmban adresim të ngatërruar. Rasti ndaj të cilit reagohet është aktakuza për krime lufte, kurse adresimi ka të bëjë me qeverisjen e pasluftës. Surroi nga VV e huazon thirrjen legjitimuese për ta goditur UÇK-në.

Më tej, Surroi nuk e fal Thaçin, jo pse nuk e bëri president, as pse ia fundosi partinë. Surroin nuk e lë rehat “instinkti” klasor. Ai e ka një pikëvështrim prej aristokrati për kapitalin e krijimin e tij. Si na u bënë barinjtë injorantë një klasë pasunarësh?! Ky është hall i madh. Ne secilin “rebelim” të tij, ky është nënteksti.

Në mendjen e tij, kapitali është kulturë e përgatitje, edhe tradite pse jo? Gjithsesi, çudia e Surroit është kompleks i tij më parë sesa të jetë analizë. Gjithkund kapitali në fillet e tij grabitje është. I jashtëligjshëm po ashtu. Njerëzit kishin shkuar për lesh- kështu mund të përshkruhet procesi i gardhimit në Angli. Ky është filli i kapitalizmit. Po, është fjalëpërfjalshëm kështu. Procesi i gardhimit është zaptim i dhunshëm i tokave për të bërë kullosa, për të rritur kafshët që do bëhen lesh sepse leshit i kishte hipur çmimi. Kjo dyndje e njerëzve të shpronësuar, që s’kanë asgjë veç krahut të punës nëpër qytete kishte krijuar kushtin bazik për marrëdhënien punë-kapital. Ky është akumulimi primitiv, mëkati fillestar i procesit qe sot shndritë në City of London. Tjetërkah fillimi i kapitalizmit është veç më lesh.

Këtu s’rrisim dot lesh, por gurthyes, rrokaqiej e pompa benzine bëjmë. As ne City of London nuk mbërrijmë, por ndonjë vilë malore afër shumicës së pronarëve barinj e nxjerrim. Duhet izoluar mirë ama, akustika veçanërisht. T’i kesh ata komshinj nuk është bezdi e vogël. Natën vonë, një tingull sharkie, një zë i egër, i ngjirur, pastaj vjen kori, më pas një goditje. Katundaret n’salltanet. Ky është mëkati i botës pa akord. Një kolektiv i të shkuarës që e kishte vende në odë na e trazon qetësinë malore që veç ndonjë tingull të lehtë pianoje e pranon. Oda dhe banesa janë komshinj në vilat malore. Nuk e di, por edhe mund të ndodhë që vilat sot të kenë më shumë prejardhje odash sesa banesash. Për shumëkënd kjo është fatkeqësi e madhe dhe nevojë artikulimi politik. Për Vetonin, kjo është gjamë e madhe. Por, unë them, vetëm përkohësisht. Klasa do ta mbizotërojë kulturën, ndaj nipat e mbesat e tij, me nipat e mbesat pronarë të vilës-odë, miq do të jenë.

Ky është fati i merakut të Surroit për mua, por nuk e di si mund të jetë ndryshe meraku i Kurtit. Për më shumë 100 ditë qeverisje, lufta antikorrupsion nuk rezultoi në adresim të pabarazisë. Ta zëmë, më shumë u diskutua e u bë në shkarkim bordesh, ku përmendej Nijazi Thaçi, por asnjë fjalë, asnjë çap drejtuar oligarkëve, ku përmenden Devollët. Së paku tatimet t’ua rriste këtyre të fundit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.