Një arsye e tillë joserioze natyrisht që nuk ka mundur të shërbejë si shtyllë e qëndrueshme që ky spektër të jetë i kuptueshëm. Prandaj edhe kuptimet dhe konotacionet majtë-djathtë kanë ndryshuar vazhdimisht. Varësisht nga politika ditore, vendet se ku janë definuar kanë ndikuar po ashtu në definicionin e tyre.
Duke buruar nga Revolucioni Francez, të majtit janë konsideruar të jenë përkrahës të ndryshimeve në sistemin politik të Francës. Ata agjitonin për largimin e monarkisë absolute dhe vendosjen e një sistemi republikan, në të cilin çështja e qeverisjes i bartet publikut nga sfera private e mbretit. Të majtit i quanin idetë e tyre progresive, përparimtare, dhe argumentonin që me ndryshimet e tyre arrihen idealet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.
Të djathtit, në anën tjetër, luftonin për ta mbrojtur sistemin ekzistues dhe përfitimet e mëdha që i vilnin nga ai. Ata ishin kryesisht pronarë të mëdhenj të tokave dhe i përkisnin aristokracisë së privilegjuar, por në mesin e tyre kishte edhe filozofë pa tituj fisnor si Xhoze de Mesteri që e quante monarkinë një institucion me miratim hyjnor. Ide thelbësore e tyre ishte skepticizmi ndaj ndryshimeve, ndaj progresit, të cilin ata e shihnin si mohim të mijëra viteve përvojë të njeriut të mësuar me institucionet e tij. Të djathtit, pra, ishin konservatorë sepse luftonin për ta konservuar (ruajtur) gjendjen aktuale.
Me përfundimin e Revolucionit dhe arritjen e objektivave të së majtës, natyrisht u humb edhe funksioni i këtyre dy pikëpamjeve. Ato prandaj filluan të marrin kuptime tjera, sipas temave politike që u paraqiten.
Njëra ndër këto tema ishte socializmi, që filloi si rrymë e re politike përgjatë Revolucionit Industrial. Këtu të majtët nuk ishin më për largimin e një sistemi absolut si monarkia por për vendosjen e tij, veçse tani me një emër tjetër. Ata ishin për shtetëzimin e çdo gjëje, të gjitha mjeteve të prodhimit, përfshirë fuqinë punëtore (njeriun) dhe vendosjen e tyre nën kontrollin e shtetit ashtu siç kishte qenë gjithçka nën kontrollin e mbretit.
As të djathtit nuk mbanin më qëndrimet e njëjta dhe rolet thuajse ishin ndërruar. Tani të djathtit nuk kërkonin më ruajtjen e sistemit aktual, por rritjen e lirisë individuale, të cilin një projekt si socializmi do ta copëtonte krejtësisht. Në këtë rrymë vepruan konservatorët si Uilliam Glledstoun, të cilët çliruan tregtinë e lirë në vend se të ruanin veçoritë kufizuese të sistemit merkantilist.
Shekulli i 20-të dhe dy luftërat botërore lëvizën tutje kuptimet e këtyre dy termeve. Të djathtit tani nuk ishin më aq të preokupuar me lirinë, aq sa me instalimin e një sistemi totalitar dhe autoritar si fashizmin në Itali dhe nacizmin në Gjermani. Depresioni i Madh dhe reparacionet e Luftës së Parë kishin tërbuar gjermanët, të cilët tani fatin e tyre e shihnin të sigurt vetëm në duart e ekstremistëve më të mëdhenj.
Të majtit nuk ishin më në polin e kundërt me të djathtit edhe pse insistonin që socializmi ishte antagonist me fashizmin dhe nacizmin. Avokimi i tyre i socializmit ishte në thelb avokimi i një sistemi po aq totalitar dhe autoritar. Lufta e Gjermanisë me Bashkimin Sovjetik e krijoi këtë antagonizëm të rremë, i cili përtej dallimit në ngjyra, nuk i dallonte substancialisht dy sistemet.
Shkatërrimi apokaliptik i fashizmit, nacizmit, e më vonë edhe socializmit pas Luftës së Ftoftë, sikur i vetëdijesoi të dy palët që këto sistemet ekstreme duhet të zhduken një herë e përgjithmonë. Rrjedhimisht, të dy anët e spektrit u zbutën, moderuan, dhe morën qëndrime tjera përsëri. U krijua edhe “Rruga e Tretë” si tentim për të gjetur një mesatare të artë centriste. Për më tepër, dy polet tani u poqën, duke marrë dimensione shtesë varësisht a flitej për ekonominë apo për çështjet sociale.
Në çështjen e ekonomisë, të majtit filluan ta quanin vetën social-demokratë dhe të preokupohen me barazinë materiale, shtetin e mirëqenies, ndërhyrjen e shtetit në ekonomi dhe në sistemin financiar. Të djathtit, në anën tjetër, filluan të përqafojnë përsëri idetë e lirisë së tregut, të kapitalizmit, të drejtave individuale, e të ndërhyrjes minimale të shtetit në ekonomi.
Në çështjet sociale, si për shembull në ShBA, të majtit u deklaruan për barazinë e martesave të gjinisë së njëjtë apo në favor të abortit dhe u identifikuan më shumë me partinë Demokrate. Të djathtit i kundërshtuan ashpër këto qëndrime dhe kërkuan ruajtjen e lirisë fetare dhe të drejtës për të mbajtur armë, duke u identifikuar më shumë me partinë Republikane. Ndërsa në Evropë, qëndrimi i të dy anëve në çështjet sociale ishte dukshëm më i përafruar.
Përveç origjinës qesharake të këtij spektri dhe ndryshimit të vazhdueshëm të kuptimit të tij, qëndrimet kundërthënëse në mes të majtëve dhe të djathtëve janë sigurisht aspekti më problematik. Për shembull, një i djathtë që konsiderohet të jetë në favor të lirisë ekonomike, duke u bërë më i djathtë nuk bëhet më shumë në favor të saj, por befas e gjen veten të jetë neo-nacist! E në ekstremin e majtë, ku kundërshtohet më së shumti liria ekonomike, papritmas del të fshihet fashizmi i së djathtës ekstreme, vetëm se nën petkun e socializmit!
I vetmi funksion që i mbetet këtij spektri të pakuptimtë është ai retorik, i cili ndihmon sadopak në dallimin e nuancave dhe qëndrimeve të atyre që vetëidentifikohen me njërin apo tjetrin.
Në vend të kësaj mase të pakuptimtë, më mirë do të ishte të mateshin qëndrimet ekonomike dhe sociale duke bërë një dallim në mes individit në njërën anë dhe shtetit në tjetrën. Në anën e individit është liria e tij për të vepruar i papenguar nga shteti, kurse në anën e shtetit është supremacia e tij ndaj individit. Në favorin ekstrem të individit është anarkizmi (apo anarko-kapitalizmi), kurse në favorin ekstrem të shtetit janë sistemet totalitare si socializmi, fashizmi, nacizmi, monarkia absolute, teokracia islamiste, etj.
Në këtë mënyrë, secili mund ta gjejë vetën në spektrin politik dhe të vendosë se në çfarë mase e përkrahë lirinë (apo autonominë) e individit nga shteti, pa marrë parasysh për çfarë fushe bëhet fjalë. Një spektër i tillë do të mundësonte qartësimin e pozicioneve dhe diskutimin e hollësishëm të koncepteve, pa të cilat nuk mund të formohen bindjet e drejta politike.