Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Transformimi i angazhimit politik nga të rinjtë

Rinia në Kosovë gjithnjë e më pak është e angazhuar në format tradicionale politike, por kjo nuk do të thotë se rinia në Kosovë është neglizhente ndaj jetës politike. Thjesht për të rinjtë mungesa e hapësirës në parti politike është zëvendësuar me aktivitete në rrjetet sociale apo organizatat joqeveritare. Një numër i vogël i partive e kanë njohur potencialin e të rinjve në politikë, dhe janë pikërisht ata të cilët në zgjedhjet e fundit ia dolën t’i fitojnë zgjedhjet.

Në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian në 30 vitet e fundit në vazhdimësi është shënuar rënie e numrit të të rinjve që angazhohen politikisht. Sot të rinjtë gjithnjë e më pak në këto vende po e shohin votën si obligim qytetar, dhe për këtë për t’u fajësuar kryesisht janë partitë politike të cilat nuk kanë gjetur forma atraktive për t’i përfshirë të rinjtë në strukturat e tyre. Situatë e ngjashme, vetëm se me gjasë më e rënduar ekziston edhe në Kosovë, ku të rinjtë angazhimin në parti politike e shohin më shumë si mundësi për të gjetur një punë, sesa mision për të arritur ndryshime pozitive në komunitet. Kjo për dy arsye kryesore, partitë politike nuk gëzojnë një reputacion të mirë në shoqëri dhe së dyti hapësira për të rinjtë në parti politike në përgjithësi është margjinale, pasi që ata angazhohen kryesisht në punë teknike kryesisht në kohë fushatash, larg nga proceset vendimmarrëse. Mirëpo për fat të mirë, të rinjtë ende janë shumë aktiv në votime dhe paraqesin grup moshën më aktive për nga pjesëmarrja në votime gjatë zgjedhjeve qendrore dhe lokale.

Shikuar nga këndvështrimi ligjor në Kosovë në vitin 2009 është aprovuar Ligji për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë i cili ndër të tjera ka paraparë edhe përfshirjen e të rinjve në procesin e vendimmarrjes. Neni 13 i Ligjit i obligon të gjitha institucionet publike që të sigurojnë pjesëmarrjen dhe ndikimin e të rinjve në procesin e vendimmarrjes për politikat sektoriale në fushat e arsimit, punësimit, shëndetit publik, çështjet sociale, kulturë, rini, sport, edukim qytetar, demokraci, ambient, planifikim hapësinor dhe zhvillim rural. Një gamë kjo shumë e gjerë e politikave në të cilat është garantuar jo vetëm pjesëmarrja por edhe vendimmarrja e të rinjve. Kur ky Ligj ishte monitoruar nga Kuvendi i Kosovës se sa po zbatohej në vitin 2016, rezultatet kishin treguar nivel shumë të ulët të zbatimit, nga institucionet qendrore dhe lokale pa përjashtim.

Përkundër se të dhënat empirike mungojnë në masë të madhe në Kosovë në lidhje me pjesëmarrjen e të rinjve në jetën politike, megjithatë nga një hulumtim i realizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) në Kosovë në vitin 2016 ka zbuluar se 73% e të rinjve në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të ndonjë subjekti politik. Nga pjesa tjetër 17% kishin qenë të angazhuar por nuk vazhdojnë të jenë edhe më tutje, dhe vetëm 10% vazhdonin të ishin pjesë e ndonjë subjekti politik. Këto të dhëna qartë tregojnë se partitë politike nuk kanë qenë atraktive për të rinjtë për t’u përfshirë, mirëpo edhe në ato raste kur ka patur iniciativë, shumica e të rinjve kanë hequr dorë nga një angazhim i tillë. Sipas të anketuarve, arsyeja primare pse ata kanë synuar anëtarësimin në parti politike ishte fakti se ata besonin se kjo do t’i ndihmonte të gjejnë punë. Të njëjtit po ashtu ishin shprehur se partitë politike nuk ju sigurojnë ndonjë rol në vendimmarrje, por më tepër angazhohen në çështje administrative veçanërisht në kohë fushate.

Nga të dhënat e lartcekura është shumë e qartë se partitë politike nuk kanë bërë punë me të cilën mund të mburren për sa i përket përfshirjes së të rinjve në politikë, pasi që kjo nënkupton se të njëjtat do të duhej të investonin te ngritja e kapacitetit të të rinjve dhe angazhimi i tyre në të gjitha proceset dhe forumet e partive. Në këtë kuadër ato do të duhej të ndërtonin sa më tepër kuadro për partitë e tyre dhe të organizonin sa më tepër së pari programe të trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve, me të cilat do t’i aftësonin të rinjtë të jenë pjesë produktive e proceseve vendimmarrëse dhe politike. Kjo do të mund të bëhej me resurset e tyre të brendshme apo duke bashkëpunuar me organizatat joqeveritare të cilat tani më veç se kanë ndërtuar traditë në programet të cilat përgatisin të rinjtë për t’u përfshirë në proceset politike.

Mirëpo shumë kush mund të pyet pse duhet partitë politike të investojnë në përgatitjen e të rinjve për proceset politike, pse ato të mos vazhdojnë në formën tradicionale të të bërit politikë. Dhe përgjigja në këtë pyetje është e thjeshtë, për shkak se Kosova ka një numër shumë të madh të rinjsh dhe trupi kryesor elektoral përbëhet nga këta të fundit. Prandaj, përkrahja nga të rinjtë nënkupton edhe fitore në zgjedhje. Për dallim nga shumë vende të Bashkimit Evropian (nëse jo të gjitha) ku pjesëmarrja e të rinjve në zgjedhje është e ulët, në Kosovë sipas një hulumtimi të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) në vitin 2018, pjesëmarrja e të rinjve ishte mbi 70%, pakrahasimisht më e larta krahasuar me të gjitha grup moshat e tjera. Rrjedhimisht të qenurit atraktiv për të rinjtë është jo vetëm se i rekomandueshëm për partitë politike, por edhe i domosdoshëm nëse ato synojnë që t’i fitojnë zgjedhjet. Për të rinjtë është e qartë se viteve të fundit organizatat e shoqërisë civile kanë qenë më atraktive sesa partitë politike për shkak të mundësisë së tyre për t’u përfshirë dhe për të ndikuar në përmirësimin e jetës në komunitet. Andaj, krejt çka partitë politike duhet të bëjnë në këtë aspekt është që të nxjerrin mësimet e duhura nga këto praktika të mira dhe të njëjtat t’i zbatojnë për vete.

—–

 Ky editorial është realizuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrja politike: Drejt angazhimit efektiv të të rinjve”, që po implementohet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me përkrahje nga National Endowment for Democracy (NED).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.