Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Hyrja në NATO – perspektivë nordike

Lufta në Ukrainë duket se i dha fund mosvendosmërisë europiane. Shtetet si Zvicra, Austria, Suedia dhe Finlanda imponuan sanksione ndaj Rusisë. Mirëpo Zvicra dhe Austria gjenden qindra kilometra larg kufirit rus. Në anën tjetër, Suedia dhe Finlanda janë buzë saj. Rrjedhimisht, këto shtete nordike i shohin me shumë shqetësim ngjarjet në Ukrainë dhe druajnë se kriza mund të përhapet përtej Ukrainës.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia duket se do të arrijë ta bëjë të realizueshme, atë që deri më tani ishte gati e papërfytyrueshme, anëtarësimin e shpejtë të dy vendeve nordike – Suedisë e Finlandës – në NATO. Sipas analizave e parashikimeve, debati tanimë nuk ka të bëjë me atë se “a të anëtarësohet apo jo Suedia dhe Finalanda”, por se ”kur dhe sa shpejt do të anëtarësohen ato”.

Është një moment historik dhe kohë e vendimeve të mëdha në gjeopolitikën e këtyre dy shteteve nordike, vendime të cilat do ta determinojnë konfiguracionin e sigurisë në këtë rajon të Europës e më gjerë për shumë dekada që vijnë. Vendimi nuk është aspak i lehtë.

Në Kosovë, për shembull, anëtarësimi në Aleancë mund të gëzojë përkrahje të parezervë, por për vendet nordike hyrja në NATO nuk është se përcillet me shumë entuziazëm. Para së gjithash, është një kalkulim i ftohtë që tregon për vetëdijësim se anëtarësimi nuk do të sjellë vetëm siguri, por ka gjasa të përcillet edhe me tensione në rajonin nordiko-rus.

Më poshtë paraqitet një përmbledhje e shkurtër e pikëpamjes suedezo-finlandeze mbi anëtarësimin në NATO dhe evoluimit të politikës së tyre të jashtme si rezultat i pushtimit rus në Ukrainë.

Nga neutraliteti në mosinkuadrim, pastaj në anëtarësim

Për të kuptuar arsyet se pse Suedia dhe Finlanda nuk janë anëtare të NATO-s duhet bërë së pari një përkujtim të shkurtër të historisë së tyre. Suedia ka më se dyqind vjet që nuk ka është përfshirë në luftë. Gjatë Luftës së Ftohtë, ajo mori pozicion neutral karshi garës në mes të NATO-s dhe Paktit të Varshavës, aleancë kjo e shteteve komuniste të mbledhura rreth ish-Unionit Sovjetik, që u shpërbë me mbarimin e Luftës së Ftohtë.

Mirëpo, që nga fillimi i viteve ’90 e tutje, pozicioni i Suedisë ka evoluar nga një neutralitet i mirëfilltë në status të një shteti të painkuadruar sa i përket sigurisë. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se gjersa Suedia vazhdon të mos jetë anëtare e NATO-s, forcat e saj të armatosura bashkëpunojnë për së afërmi me ato të Aleancës, si dhe kontribuojnë në forca paqeruajtëse të përbashkëta (duke përfshirë Kosovën). Procedurat standarde të operimit të ushtrisë suedeze janë në përputhmëri të plotë me ato të NATO-s; kontrolli demokratik mbi forcat e armatosura është i plotë dhe në pajtueshmëri me parimet bazë të shteteve të konsoliduara demokratike.

Megjithëkëtë, zëri i atyre që në të kaluarën kanë bërë thirrje për anëtarësim në NATO, si nga ana e qeverisë, ashtu nga opinioni publik, ka qenë gjithmonë i ulët. Në fakt, politika suedeze – thuaja i tërë spektri i saj – ka qenë gjithmonë e qartë rreth politikës ruse. Ajo nuk ka kultivuar iluzione mbi Moskën, sentiment ky që është hasur jo rrallë në politikën gjermane, për shembull. Në thelb, arsyeja e qëndrimit jashtë NATO-s për Suedinë shpjegohet përmes vetë historisë së saj. Pse të ndryshohet arkitektura e sigurisë nëse kjo e tanishmja ka kontribuar që vendi të mos hyjë në luftë për më shumë se dy shekuj? Pra, nuk ka pasur arsye të modifikohet konfiguracioni i sigurisë. Të paktën jo deri më tani.

Finlanda, në anën tjetër, ka dalë nga Lufta e Dytë Botërore e përgjakur, me territor të humbur, por kokëlartë dhe krenare me betejat heroike të qytetarëve të saj kundër Bashkimit Sovjetik. Ajo ndan kufirin prej 1300 km me Rusinë dhe, ndoshta më shumë se çdo komb tjetër, e kupton shumë mirë psikën e qytetarit rus, ambiciet, paragjykimet e frikërat e tij.

Ngjashëm si Suedia, edhe Finlanda gjatë Luftës së Ftohtë përvetësoi një pozicion neutraliteti karshi Lindjes e Perëndimit, por me tendenca çdo herë e më të mëdha përafrimi me NATO-n, duke marrë pjesë në forcat e saj paqeruajtëse, si në Kosovë. Edhe në këtë vend, procedurat standarde të operimit janë në përputhmëri të plotë me ato të NATO-s, ndërsa shteti ka kontroll të plotë demokratik mbi forcat e armatosura. Ndryshe nga Suedia, Finanda ka qenë në luftë me Rusinë dhe mu për arsye të kultivimit të marrëdhënieve stabile i është dashur të përjashtojë opsionin e anëtarësimit në NATO. Deri më tash.

Finlandës i është dashur të punojë shumë në kultivimin e një raporti relativisht të afërt me Moskën, raport të bazuar në respekt dhe besim të ndërsjellë. Është ky një raport i afërt jo si ai që mund të haset në mes dy miqsh, por i tillë që mund të shihet në mes armiqve që, për hir të bashkëjetesës, duhet të gjejnë ura të përbashkëta bashkëpunimi. Kështu edhe Finlanda është dashur të mësojë si të punojë e madje edhe të bashkëpunojë me Rusinë. Janë fqinj, në fund të fundit.

Nuk është e rastësishme, që finlandezë si ish-presidenti Marti Ahtisaari kanë ndërmjetësuar në konflikte si ai në mes Kosovës e Serbisë. Kjo sepse njerëz si ai kanë gëzuar besimin e Perëndimit por edhe të Rusisë. Në Finlandë, përkrahja për anëtarësim në NATO ka qenë gjithherë më e lartë se në Suedi, por një hap i tillë nuk është ndërmarrë për shkak të mbajtjes së balancit të paqes me Rusinë. Sido që të jetë, një hap i tillë mund të merret shumë shpejt.

Mes sigurisë dhe tensionit permanent

Agresioni çdo herë e më i krisur i Kremlinit ka bërë që opinioni publik si në Suedi ashtu edhe në Finlandë të dalë me shumicë pro anëtarësimit në NATO. Gjasat janë që aplikacioni për anëtarësim të bëhet shumë shpejt, mbase në samitin e radhës të NATO-s që pritet të mbahet në Madrid në fund të qershorit. Finlanda do t’i hyjë valles së anëtarësimit me më shumë gusto e entuziazëm; Suedia do të ndërmarrë këtë hap me pak naze e si me përtesë.

Qeveritë e të dy shteteve e marrin këtë hap pa eufori e me përgjegjësi, të ndërgjegjshme se anëtarësimi forcon arkitekturën e sigurisë por edhe mbart më vete një sërë dilemash dhe tensionesh në sferën e sigurisë që mund të vazhdojnë për dekada me radhë.

Me anëtarësim në NATO, rajoni nordik dhe tërë Europa veri-perëndimore futet nën ombrellën e sigurisë së Aleancës. Çfarëdo sulmi mbi këto shtete do të ishte sulm mbi NATO-n, siç konstatohet nga Neni 5 i NATO-s për mbrojtje kolektive.

Por, në anën tjetër, tërë arkitektura e sigurisë e rajonit nordiko-rus do të shkojë drejt militarizimit të mëtejmë. Do të ketë rritje në armatim, ngritje të shpenzimeve në ushtri, që do të thotë më pak të holla për shëndetësi, arsim, mjedis, etj. Do të betonizohet ndarja Perëndim-Lindje edhe përgjatë Detit Baltik, gjë që do të shpjerë në izolimin e mëtejmë të Rusisë. Një armik i izoluar tërësisht mund të jetë edhe më i rrezikshëm se ai me të cilin mbajmë kontakte komunikimi, sado të rralla qofshin ato.

Në këtë drejtim sidomos Helsinkit do t’i duhet të rindërtojë raportet politike me Moskën, raporte të kultivuara me ndjeshmëri për dekada me radhë. Për më tepër, do të rritet rrezikshmëria e incidenteve dhe sulmeve jokonvencionale, siç janë sulmet kibernetike. Dhe, përfundimisht, ka gjasa që hyjmë në një epokë akullnaje, të një militarizimi neobrutal të shoqërive për dekada me radhë. Kjo garë e çmendur e armatimit nuk është ogur i mirë për askënd, e sidomos kur ke punë me regjime kriminale e krejtësisht joracionale si ai i Kremlinit.

Militarizimi i vazhdueshëm i shteteve dhe i shoqërive shpien drejt rritjes së konflikteve të reja dhe zvogëlon hapësirën për paqe. Krejt kjo është duke ndodhur në rrethana kur Mordori i sotëm – për të huazuar një analogji nga veprat e J. R. R. Tolkien sipas të cilit Mordori është epiqendër e së Keqes në botë – pra Kremlini, nuk tregon shenja të zbutjes në egërsinë e tij.

A ka rrugë tjetër, përpos armatimit e anëtarësimit në NATO? Siç vihet re me rastin e Suedisë e Finlandës, lehtë është që të thirremi në paqe, por në kushtet e një agresioni brutal që vjen nga Kremlini, duket se nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në NATO.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.