Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kolapsi moral i akademikëve të pakorrigjueshëm majtistë

Socialist Worker: ISSUE 4, 29 mars 1999

Momentet më bezdisëse si student në Angli ishin kur më qëllonte të kaloja pranë pikave të shitjes së revistës ”Socialist Worker” në kampusin e brendshëm të Universitetit të Leeds-it. Kjo ishte një revistë me tipare të majta ekstreme dhe revolucionare, dhe për nga tendenca që kishte për të rekrutuar masat, ngjasonte me një kult fetar.

Shitësit e këtyre pikave bënin çmos që të yshtnin dishepuj të rinj, për t’i konvertuar në ideologjinë e së majtës revolucionare, për të blerë numrin e fundit të revistës, për të nënshkruar peticionin e radhës, për t’u kyçur në debat mbi tema të mëdha siç janë imperializmi, lufta e klasave, ”Kapitali”, Marksi, Lenini, etj.

Këto pika shitëse mirëmbaheshin nga disa të rinj e të reja që zakonisht i përkisnin të njëjtit kallëp social: ishin anglezë, gjysmë hippy – gjysmë punk, dhe vinin nga familje të klasës së mesme e të edukuar të shoqërisë. Duke qenë se i njihja një pjesë të tyre, e dija se ata ishin në pozitë që të ushtronin zanatin e rekrutuesit majtist revolucionar pikërisht sepse kishin pasur një jetë mjaft komode, në një sistem kapitalist, kundër të cilit ata tani punonin.

Për dikë që vinte nga ish-Jugosllavia, nga Kosova e cila veç sa kishte dalë nga tmerri i luftës – në atë që njihej si ana lindore e Perdes së Hekurt – ishte e pamundur që të mos shihja, në rastin më të mirë naivitetin, e në rastin më të keq hipokrizinë, e këtyre pikave të shitjes.

Kur rritesh në një sistem aparteidi dhe në një vend ku drita e diellit socialist ishte qafëthyer në luftëra e gjenocid, është vështirë të ngashnjehesh nga hippy-misionarë marksist-leninistë. Për atë arsye, edhe joshjet e tyre për të shpjeguar parajsën që na priste pas ardhjes së komunizmit global tingëllonin sa paternalizuese aq edhe si budallallëqe naivësh.

Ishte fundi i viteve ’90-ta, tekembrama, dhe tashmë kishte kaluar një dekadë qëkur komunizmi ishte shpërbërë si kullë letrash. Ne që ishim rritur në një sistem të tillë, nuk kishim ndonjë iluzion për marksizëm-leninizmin, gjë që vërehej te disa bashkëmoshatarë të mi anglezë. Pse është kjo? Mbase sepse në teori ideologjia është gjithmonë më atraktive. Dhe përderisa je duke punuar e jetuar në Perëndim – si këta shitësit e ”Socialist Worker”, ke komoditetin që të propagandosh këso ideologjish, pa pasur nëvojë të jetosh në një sistem të tillë.

Majtizmi si reaksion ndaj kapitalizmit

Në rrugëtimin e tyre ideologjik, studentët anglezë inspiroheshin nga profesorë që flirtonin me ide të tilla majtiste dhe anti-establishment. Komuniteti akademik në Perëndim gjithmonë ka pasur promovues dhe ithtarë të ideve marksiste-leniniste, revolucionaro-majtiste, anti-kapitaliste e anti-imperialiste. Dhe ky është një zhvillim shumë i shëndetshëm i akademisë, roli i së cilës në mes tjerash është që vashdimisht të sfidojë statuskuonë, ta vërë në dyshim sistemin aktual e ta provokojë atë.

Idetë majtiste kanë frymëzuar social-demokracinë në Europë, dhe deri diku janë meritore për vendosjen e bazamentit të sistemit të mirëqenies sociale në rajone si Skandinavia, apo për krijimin e shërbimit kombëtar të shëndetësisë në vende si Britania pas Luftës së Dytë Botërore.

Për më tepër, majtizmi perëndimor shpesh ka demaskuar babëzinë e pashterrshme të shtetit kapitalist, ka luftuar për barazi më të madhe sociale, për egalitarizëm e qeverisje më të moralshme.

Mirëpo, duhet potencuar se në ngarendjen e saj që të kritikojë Perëndimin kapitalist, komuniteti akademik shpesh harron të ushtrojë të menduarin kritik ndaj asaj që vetë e promovon.

Ka akademikë e autorë që janë të verbër ndaj çdo gjëje që konsiderohet kapitaliste, dhe a priori janë të orientuar që të mbështesin atë që identifikohet si majtizëm apo komunizëm. Madje thuhet se Lenini kishte një term për këtë ushtri të pikëllueshme simpatizantësh marksist-leninistë: ai i quante ata ”idiotë të përdorshëm”, pasi shpesh pa e ditur as vetë ata i shërbenin shpërndarjes së propagandës sovjetike në Perëndim.

Kosova në kontekstin e majtizmit akademik perëndimor       

Një numër i konsiderueshëm akademikësh e intelektualësh majtistë të botës perëndimore kanë qenë kundër intervenimit ushtarak të NATO-s në Kosovë. Në fakt, ata kanë qenë kundër gjithë rolit të Perëndimit në Kosovë.

Sipas premisës së tyre, Serbia ishte pjesërisht viktimë e Perëndimit imperialist. Njëri nga akademikët më të shquar që mbronte këtë premisë ishte Noam Chomsky.

Chomsky—një kritik i parreshtur i politikës së jashtme amerikane—atëbotë kishte qenë i zëshëm kundër intervenimit ushtarak amerikan në Kosovë. Sipas tij, arsyet e intervenimit të SHBA-së nuk kishin të bënin aspak me shpëtimin e një populli nga asgjësimi, por pasqyronin pretendime për shtrirje të mëtejme imperialiste. Në të njëjtën kohë, duke neglizhuar diskriminimin sistemik dhe spastrimin etnik qe po ndodhte në Kosovë.

Rishtazi, Chomsky e dha një intervistë për një medium shqiptar, ku pati rastin të sqarojë për opinionin publik qëndrimet e tij karshi kësaj çështjeje. Por qëndrimet e tij nuk kishin ndryshuar aspak. Madje, në një orvatje për të relativizuar krimin e për të barazuar palët në konflikt (sipas tij, ushtarët e UÇK-së kishin sulmuar, pastaj kishte sulmuar edhe ushtria serbe, pra të gjithë kishin sulmuar ngapak), pikëpamjet e tij dalin qesharake dhe jokredibile.

Pikërisht kjo është ajo verbëria e shkaktuar nga një jetë e tërë e dedikuar kundër ideve amerikano-imperialiste dhe ringjalljes së rendit majtist.

Gjykimi turbullohet dhe mendja assesi nuk do të pranojë që një intervenim humanitar mund të ndërmirret nga një shtet kapitalist, josocialist. Ironia e trishtë është se ka shumë mundësi se po të ishte UÇK-ja një ushtri rebele anti-amerikane, anti-imeprialiste, Chomsky me shokë do të ishin të parët që do të përkrahnin luftën e saj.

Majtizmi sot është në rrezik të diskreditimit të mëtejmë pikërisht nga profesorë e intelektualë që iu është topitur mendimi kritik ndaj të metave të praktikimit të kësaj ideologjie. Në përpjekjet e tyre të pareshtura për të kritikuar çdo gjë amerikane, kapitaliste e imperialiste, ata thuajse kanë pësuar njëlloj trushpëlarjeje që ua pamundëson të diferencojnë në mes të agresorit dhe viktimës.

Duke qenë kaq të pakompromis, dhe në ngulmimin e tyre të verbër që me çdo kusht të jenë anti-amerikanë, ata me apo pa dashje rreshtohen në anën e gabuar të historisë. Kështu, të pakompromis e donkishotesk në misionin e tyre për kthimin e lavdishëm të komunizmit, ata qëndrojnë para historisë me kredibilitet të kolapsuar moral. E kur kompasi moral e dështon intelektualin, ai apo ajo është çkadoqoftë tjetër përveçse intelektual.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.