Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Tentimdisiplinimi i Mediave Online nga Shteti

Më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i cili parasheh ndryshim rrënjësor të mënyrës së rregullimit të mediave online në Kosovë. Propozimi është në kundërshtim me praktikat më të mira europiane dhe injoron makanizmat rregullues ekzistues. Për më tepër, procesi i draftimit është zhvilluar pa përfshirje të mirëfilltë të akterëve të interesuar dhe pa konsultim publik. 

Ky blog ofron informacione rreth ndryshimeve ligjore të propozuara dhe argumenton se iniciativa ligjore është manovër e pushtetit për të nënshtruar, kontrolluar dhe disiplinuar mediat në Kosovë.

Si rregullohen mediat dhe çfarë është vetërregullimi?

Për qëllime të rregullimit, mediat grupohen në media audiovizuele (televizionet dhe radiot) dhe media të shkruara (shtypi dhe mediat online). Televizionet dhe radiot i rregullon shteti, duke i licensuar fillimisht ato dhe pastaj duke u përkujdesur që përmbajtja që transmetojnë është e ligjshme. Shtypi dhe mediat online vetërregullohen përmes një trupi të krijuar nga vetë industria e medias. Në disa shtete ekziston edhe modeli i bashkë-rregullimit (pjesërisht nga shteti dhe pjesërisht nga industria e medias), por për qëllime të këtij blogu fokusi do të mbetet te vetërregullimi.

Vetërregullimi ushtrohet përmes këshillave të mediave. Ai mbështetet në idenë se liria e medias është e ndërlidhur ngushtë me përgjegjësinë e medias dhe të gazetarëve. Këshillat e mediave e bazojnë punën e tyre në një kod etik, udhëzojnë gazetarët për të respektuar etikën e gazetarisë dhe vendosin për ankesat me pretendime për shkelje etike nga mediat në raste si: mosraportimi i të vërtetës, shkelja e privacisë, apo marrja e paautorizuar e shkrimeve mediale. 

Këshillat për media nuk shqiptojnë sanksione; vetëm marrin vendime dhe u kërkojnë anëtarëve që t’i publikojnë vendimet. Vendimet e këshillave në shumë vende merren parasysh nga gjykatat vendore, përfshirë edhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe kanë ndikim në industrinë e medias. Këshillat financohen në forma të ndryshme – nga donatorë të huaj, anëtarët, dhe, në disa vende, edhe nga qeveria – ndërsa  punojnë në mënyrë të pavarur nga financuesit. Këshillat e mediave janë të rëndësishëm sepse janë mekanizma që ndërlidhin publikun me gazetarinë. 

Në Kosovë vetërregullimi i mediave të shkruara bëhet përmes Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Këshilli është formuar nga vetë sektori i mediave në vitin 2005, me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, dhe punën e bazon në Kodin e Etikës që anëtarët e Këshillit e kanë aprovuar, e përditësojnë rregullisht dhe zotohen ta respektojnë. Aktualisht, Këshilli ka më shumë se 50 anëtarë – media online dhe agjenci të lajmeve – përfaqësuesit e të cilëve janë pjesë e Kuvendit të KMShK-së. Të gjithë personat që pretendojnë që një media e shkruar ka shkelur Kodin mund t’i drejtohen me ankesë KMShK-së, i cili vendos nëse ka shkelje dhe vendimin e publikon në uefaqen e vet (rreth 1,600 ankesa deri më tash). Këshilli është anëtar në Alliance of Independent Press Councils of Europe (AIPCE). Këshilli ka edhe mbështetje ligjore, meqë Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes e njeh atë si trup vetërregullues. 

Sqarimi i mënyrës së rregullimit është relevant në kontekstin aktual për shkak se projektligji i KPM-së parasheh ndryshim rrënjësor duke ia transferuar kompetencën e rregullimit të mediave online që publikojnë video dhe audio rregullatorit shtetëror. Shumica dërmuese e mediave online publikojnë video dhe rrjedhimisht të gjitha do t’i kalonin për rregullim KPM-së.

Rregullimi i mediave online përmes sistemit të lejeve dhe licencave

Projekligji për KPM-në ka zgjeruar definicionin e mediave audiovizuele duke përfshirë edhe mediat online që publikojnë video dhe audio. Neni 3 i projektligjit parasheh se shërbim medial audovizuel duhet të konsiderohen edhe “shërbimet mediale audiovizuele online qëllimi kryesor i të cilave është ofrimi i programeve me qëllim të informimit, argëtimit dhe edukimit”. 

Projektligji parasheh – në mënyrë konfuze – licencim dhe regjistrim të tyre. Neni 4 (paragrafi 2 dhe nënparagrafi 2.2) thotë se KPM-ja lëshon leje për ofruesit e shërbimeve audio, audiovizuele, platformat për shpërndarjen e videove, operatorët e shpërndarjes, operatorët e rrjetit dhe operatorët e multipleksit. Sipas definicionit të përmendur më lartë, mediat online konsiderohen si shërbim audiovizuel dhe kjo do të thotë që mediat online duhet të aplikojnë për leje pranë KPM-së. 

Neni 58 i dispozitave kalimtare parasheh se “ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizuale online dorëzojnë aplikimin për regjistrim pranë KPM brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji”. Kjo do të thotë që regjistrimi do të jetë procedurë e obligueshme për mediat online. Rrjedhimisht, deklaratat e disa deputetëve nga radhët e pushtetit, se regjistrimi i mediave online sipas projektligjit është vullnetar, janë të pavërteta.

Sidoqoftë, pavarësisht a parasheh ligji leje apo regjistrim të mediave online, ky ndryshim i propozuar ligjor nënkupton që mediat online do të trajtohen sipas sistemit të lejeve dhe licencave që rregullohet me Ligjin për Sistemin e Lejeve dhe Licencave. Ky ligj njeh katër lloje të lejeve, me të cilat në këtë rast do rregullohej veprimtaria mediale: njoftimi, regjistrimi, leja dhe licencimi. Lejimi mund të bëhet vetëm nëse përmbushen katër kritere: a) veprimtaria që rregullohet duhet të paraqesë rrezik për shëndetin publik, sigurinë publike, mjedisin ose të ketë ndikim në përdorimin e resurseve natyrore, b) rreziku nuk mund të adresohet përmes mekanizmave të tregut të lirë, c) forma e lejimit është proporcionale me rrezikun dhe d) lejimi i tillë shfrytëzon mjetet më pak kufizuese për të adresuar.

Propozimi për të rregulluar mediat online përmes KPM-së është bërë pa dhënë arsyetim mbi rreziqet me të cilat kanoset shteti nga mediat online, që do binin në ndonjërin nga kriteret e rreziqeve më lart të parapara me Ligjin për Sistemin për Leje dhe Licenca. Arsyetimi se mediat online përbëjnë rreziqe të këtilla është i vështirë në një sistem demokratik ku promovohet liria e shprehjes. Rrjedhimisht ndryshimi i modelit nga sistemi i vetërregullimit në sistemin e lejeve dhe licencave do të përbënte shkelje të Ligjit për Sistemin e Lejeve dhe Licencave. Për të funksionuar ky model i propozuar, qeveria do të duhej të fillonte ndryshimin e Ligjit për Sistemin e Lejeve dhe Licencave për të bërë përjashtim për rregullimin e mediave online. 

Zgjerimi i fushëveprimit të KPM-së edhe mbi videot dhe audiot e plasuara në mediat online është edhe politikisht i rrezikshëm. Ndonëse në kohët e fundit ka lëvizje pozitive rreth depolitizimit të KPM-së përmes së përzgjedhjes së disa prej anëtarëve të saj, ky institucion vazhdimisht është pre e ndikimeve ose tentimndikimeve politike. 

Për shembull, përgjatë muajit shkurt 2024, komisioni parlamentar për media dhe disa deputetë të pushtetit organizuan dëgjime mbikqyrëse, që në fakt ishin takime denigruese dhe të rrezikshme për sigurinë fizike të anëtarëve të pavarur të komisionit të cilëve u kërkohej llogari për vendimet e tyre. Në ato takime, katër anëtarët e pavarur u akuzuan me fjalët më të rënda si “tradhëtarë”, “bashkëpuntorë të Serbisë” apo “të korruptuar”. Dëgjimi mbikqyrës përbën ndërhyrje në pavarësinë e tyre dhe tentim për shkarkimin e katër anëtarëve të pavarur të KPM-së (nga pesë sa ka gjithsej). Asnjë argument ligjor nuk u ofrua për shkarkimin e tyre. U bënë vetëm komente nacionaliste e populiste. Deputetët duket se u detyruan të tërhiqen pas reagimeve të komunitetit ndërkombëtar dhe të dhjetra organizatave vendore – përfshirë Forumin për Integritetin e Informacionit – që treguan mbështetje të madhe për KPM-në.

KPM është gjithashtu e paaftë që të mbikëqyrë mediat online edhe për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe mungesës së pavarësisë financiare. Ajo ende operon nën hijen e një procesi gjyqësor penal, që në fazën e parë të procesit ka rezultuar me dënime për korrupsion. Në rast të shtrirjes së fushëveprimit të KPM-së edhe mbi videot e mediave online, jo vetëm se nuk do të ketë aftësi të monitorojë mediat online, por rrezikon që të paralizohet tërësisht.

Kufizimi i regjistrimit të mediave: vetëm si kompani

Me rregullat e tanishme, të drejtë që të pajisen me licensë për televizion ose radio kanë bizneset dhe organizatat joqeveritare (OJQ). Licensimi i OJQ-ve ua mundëson mediave – sidomos mediave nga minoritetet – që të gjejnë mbështetje financiare ndërkombëtare për të ofruar përmbajtje mediatike. Pas aprovimit të projektligjit, organizatat joqeveritare nuk do ta gëzojnë më këtë të drejtë. 

Projektligji në pjesën e definicioneve parasheh që subjekt transmetues privat mund të jetë çdo shërbim medial audiovizuel, operator i rrjetit apo shpërndarjes i licencuar qoftë si OJQ apo subjekt i regjistruar biznesor. Mirëpo, sipas nenit 4, KPM-ja do të japë leje vetëm nëse pala aplikuese dorëzon certifikatën e biznesit dhe vërtetimin tatimor. OJQ-të nuk mund të ofrojnë certifikatë të biznesit për të kënaqur këtë kërkesë ligjore prandaj do të detyrohen të fillojnë së operuari si biznese.

Fillimisht u ngrit një pohim shfajsues për qeverinë, se gjoja ky mund të ishte një gabim teknik. Mirëpo, zëvendëskryeministri Besnik Beslimi, në komisionin parlamentar për media, derisa e prezantonte projektligjin, konfirmoi që projektligji synon ta pamundësojë operimin e organizatave joqeveritare si media. “Mediat online plasojnë kontent dhe qëllimi i kontentit është me gjeneru të hyra, bizneset gjenerojnë të hyra”, ka deklaruar Bislimi.

Gjobat

Një ndër aspektet shqetësuese të këtij projektligji është edhe mënyra e rregullimit të gjobave. Fillimisht, projektligji parasheh dënime deri në 40,000 euro, shumë më të ulëta se ligji aktual që parasheh dënime deri në 100,000 euro. Gjoba maksimale do të vlente si për një media që ka 5-10 punëtorë ashtu edhe për kompanitë kabllovike si IPKO, Art Motion apo Kujtesa, që gjenerojnë miliona gjatë vitit. 

Projektligji duhet të parasheh gjoba të përshkallëzuara, sidomos për operatorët kabllorë të cilët duhet të pagujnë për shkeljet ligjore që i bëjnë varësisht nga të hyrat e tyre vjetore dhe asesi nuk duhet të barazohen me fuqinë financiare të mediumeve.

Problemi tjetër me gjobat është efekti i tyre në mediat online që publikojnë video dhe audio. Nëse Projektligji jetësohet, një gjobë prej 40,000 eurosh mund të mbyllë secilin medium online dhe kjo përbën argument shtesë përse mediat online nuk duhet të rregullohen nga rregullatori shtetëror. 

Mandati i anëtarëve të KPM-së

Vendimet në KPM merren nga anëtarët e saj që zgjedhen nga Parlamenti. Nga 7 sa i ka tash, qeveria ka propozuar që KPM të ketë 11 anëtarë. Mandati i tyre nuk do të jetë më i përshkallëzuar prej dy, tre dhe katër vitesh, por secili prej tyre do t’i ketë katër vite mandat. Pastaj anëtarët që shërbejnë njëherë, kanë mundësi rizgjedhjeje dhe nëse parlamenti dështon t’i rizgjedhë, ata do të mbeteshin në pushtet deri në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj. 

Praktikisht i bie që një individ të qëndrojë si anëtar i KPM-së deri në një dekadë, përveç nëse Kuvendi nuk e voton raportin e tyre vjetor, gjë që do të përbëntë bazë për të filluar procedurën e shkarkimit të tyre. Përdorimi i mosaprovimit të raportit vjetor si bazë për inicimimin  e shkarkimit është mekanizëm që do të përdorej si kërcënim kundër anëtarëve gjatë tërë vitit dhe do të aktivizohej sipas dëshirës dhe preferencave politike të deputetëve.

Konsultimi publik

Pasi projektligji u kritikua nga shoqëria civile, zyrtarë politikë të zënë ngushtë me reagimin e AGK-së dhe KMShK-së, që gjeti mbulueshmëri dhe interesim ndërkombëtar, deklaruan publikisht se qeveria ka organizuar takime konsultative. Konsultimi publik duhet të jetë i mirëfilltë dhe me hapësirë të mjaftueshme për dialog në mes të palëve. Zyra e Kryeministrit ka dështuar në tërësi të përfshijë aketerët joqeveritarë, përkundër shprehjes së interesimit nga ana e tyre. 

Fillimisht, projekligji kishte dalë në platformën qeveritare për konsultim publik më 15 nëntor 2021. Atëkohë nuk pati ndonjë reagim publik meqë drafti i vënë në dispozicion për publikun nuk parashihte rregullimin e mediave online nga KPM-ja. I vetmi nen që përmendtte mediat online ishte ai për sponsorizimet. Pra nuk mund të konsiderohet që projektligji aktual ka dalë në platformën për konsultime publike ashtu siç kërkojnë rregullat e qeverisë. 

Së dyti, punëtoria e organizuar nga projekti i Bashkimit Europian TIAEX dhe Zyra e Kryeministrit ishte më shumë prezantim i projektligjit sesa takim konsultim. Asnjë nga pjesëmarrësit ne punëtori nuk mban mend t’i jetë pranuar ndonjë sugjerim konkret nga ana e zyrtarëve të qeverisë. Takimi ishte organizuar aq keq dhe joseriozisht sa pjesëmarrësit kanë pasur vetëm tri ditë kohë për të lexuar, analizuar dhe përgatitur komentet për një projektligj 100 e ca faqesh. Poashtu, në këtë takim është konfirmuar që KPM-ja tenton të rregullojë çështjen e licencimit përmes Ligjit për Sistemin e Lejeve dhe Licencave.

Së treti, pas punëtorisë, përfaqësues të shoqërisë civile kishin kërkuar me urgjencë një takim me shefin e kabinetit të Kryeministrit dhe këshilltaren e tij ligjore. Takimi ishte mbajtur më 11 tetor 2023 dhe në atë takim atyre u ishte kërkuar të mos e procedonin Projektligjin në atë formë siç ishte prezantuar në punëtori. Zyrtarëve politikë u ishte dorëzuar një analizë e shkurtër ligjore dhe një listë argumentesh përse Projektligji ishte i dëmshëm. Përkunder premtimeve që një gjë e tillë nuk do të ndodhte, kërkesa e shoqërisë civile ishte injoruar në tërësi. Rrjedhimisht, Projektligji është bërë pa konsultim publik, pa përfshirje të industrisë së medias dhe akterëve të interesuar dhe duke injoruar tërësisht sugjerimet e shoqërisë civile.

Projektligji për KPM-në është aprovuar në lexim të parë në Kuvend më 7 mars 2024 dhe Komisioni parlamentar për media ka ende mundësi që të organizojë dëgjim publik dhe të përfshijë akterët e interesuar gjatë trajtimit të projektligjit deri në leximin e dytë.

Harmonizimi i projekligjit me rregullat e Bashkimit Europian

Inicimi i ndryshimit të projektligjit për KPM-në është bërë me shtytje të Bashkimit Europian, i cili i kërkon Kosovës që ta harmonizojë atë me Direktiven e rishikuar të Shërbimeve të Medias Audiovizuale (AVMS). Për këtë arsye, BE-ja kishte ofruar ekspertizë nga përspektiva e rregullimit shtetëror për të ndihmuar qeverinë dhe kjo ekspertizë avokonte për rregullim shtetëror të mediave online që përmbajnë video dhe audio. Njëkohësisht, Komisioni i Pavarur për Media kishte kërkuar ekspertizë nga Këshilli i Europës, e cila ekspertizë në fakt vë theksin tek modelet e vetërregullimit. Në linjë me Këshillin e Europës është edhe organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) e cila ka bërë të qartë disa herë që më e shumta që një rregullator mund të propozojë është regjistrimi vullnetar i mediave online. Falë presionit të madh publik vendor dhe ndërkombëtar dhe ekspertizës së Këshillit të Europës, qeveria e Shqipërisë ishte detyruar të tërhiqte projektligjet e ngjashme nga parlamenti.

Për t’u zbatuar direktiva AVMS, janë dy parakushte që duhet të plotësohen përpara se shteti të fusë nën regjimin e tij mediat online që publikojnë video dhe audio. Parakushti i parë është fuqizimi i Këshillit të Mediave. Neni 4a i Direktivës thotë që shtetet anëtare duhet të inkurajojnë përdorimin e bashkë-rregullimit dhe duhet të nxisin vetërregullimin e mediave. Për ilustrim, ishte pikërisht parakushti për mbështetjen e vetërregullimit që kishte çuar, gjatë transpozimit të AVMS-së në Finlandë, qeverinë dhe parlamentin finalandez të pajtoheshin që këtë kompetencë t’ia linin Këshillit të Mediave dhe të mos bënin ndryshime

Me ndryshimet ligjore në Kosovë, vetërregullimit do t’i ndodhë e kundërta e asaj që parasheh direktiva. KMShK-ja – ndonëse storie suksesi – do të dobësohet dukshëm dhe nuk do të mund ta luajë rolin e saj në rritjen e llogaridhënies së mediave. Parakushti i dytë është pavarësia e rregullatorit, në këtë rast e KPM-së. Qeveria dhe Parlamenti nuk janë përpjekjur fare që të plotësojnë këto dy parakushte.

Mbase Qeveria dhe disa deputetë të pushtetit për një kohë shpresuan që Zyra e BE-së do t’u dilte në përkrahje, por reagimi i kësaj zyreje ishte që projektligji duhet të bëhet me përfshirje të akëtëreve joqeveritarë dhe në mënyrë transparente. “Mbetet thelbësore që Kosova ta miratojë Ligjin në një proces të shpejtë, të hapur dhe transparent, me konsultime të duhura duke përfshirë shoqërinë civile dhe organizatat mediatike” thuhet në reagimin e BE-së.

Përfundim

Propozimi për të rregulluar mediat online që përmbajnë video dhe audio përmes rregullatorit shtetëror është i nxituar dhe rezultat i mungesës së njohurisë rreth rregullimit të medias, mungesës së vullnetit politik për të përfshirë aketëret e shoqërisë civile në procesin e nxjerrjes së ligjit, dhe sidomos dëshirës për t’i disiplinuar e kontrolluar mediat. Partia në pushtet do të dështojë në kontrollimin e mediave, por në rrugë e sipër do  t’i shkaktojë dëm të pamatshëm lirisë së mediave – një e arritur e Kosovës për të cilën gjithsecili duhet të ndjehet krenar, një e arritur që e dallon atë nga vendet në rajon. Ajo ka kohë të ndryshojë kurs. Nëse nuk tërhiqet, kjo politikë do të jetë një njollë e zezë në qeverisjen e LVV-së.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.