Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Trajektorja autokratike e Qeverisë Kurti

Qeveria Kurti ka hyrë përgjithmonë në histori të Kosovës së pavarur për dy gjëra. E para, është qeveria e vetme që ka fituar mandatin qeveritar me mbi 50% të votave në zgjedhje nacionale; dhe e dyta, është qeveria e parë që po e përmbyll mandatin e plotë katërvjeçar. 

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) erdhi në pushtet duke premtuar zhvillim ekonomik dhe përmirësim të kushteve socio-ekonomike, si dhe një qasje më transparente dhe demokratike në vendimmarrje. Prandaj, pritshmëritë e qytetarëve kanë qenë mjaft të larta. 

Megjithatë, Qeveria Kurti nuk ka arritur që t’i përmbushë këto pritshmëri. Përkundrazi, Qeveria Kurti ka pasur tendenca për kontroll ndaj institucioneve të pavarura, në veçanti duke ndërhyrë dhe sulmuar Gjyqësorin dhe median e lirë, duke e kthyer vendin në një trajektore autokratike. 

Tendencat për të ndikuar në sistemin gjyqësor

Një nga bazat qendrore të demokracisë është parimi i ndarjes së pushteteve, ku pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor operojnë në mënyrë të pavarur. Por, pavarësisht detyrimeve ligjore dhe kushtetuese, Qeveria Kurti gjatë këtij mandati ka ndërhyrë më shumë se çdo pushtet i mëparshëm në sistemin e drejtësisë dhe këtë e ka bërë me veprime direkte përmes vendimeve qeveritare dhe komentimeve mbi vendimet gjyqësore.

Një ndër ndërhyrjet më arbitrare në sistemin e drejtësisë ndodhi në nëntor 2022, me ç’rast Qeveria Kurti, përmes një vendimi, vendosi t’ua ulë pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendim ky i cili u suspendua nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Por, kryeministri Kurti nuk e la me kaq. Qeveria Kurti tentoi përsëri ta realizojë uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke e përdorur një ligji të ri të sponsorizuar nga vetë pushteti për pagat në sektorin publik. Ky Ligj, i aprovuar në shkurt 2023, cenoi seriozisht pavarësinë e organeve të drejtësisë, në aspektin financiar dhe organizativ, shkelje të cilën e konfirmoi Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin KO 97/23.

Kryeministri Kurti vazhdoi me sulmet e tij më 28 dhjetor 2022, duke komentuar vendimin për dërgimin e Dejan Pantiqit në arrest shtëpiak. Pantiqi ishte akuzuar për sulme terroriste në veri të vendit. “Jam kureshtar ta di se kush është prokurori që kërkoi, e gjyqtari që e aprovoi këtë masë?, deklaroi Kurti.

Në po të njëjtën ditë, aktivistët e LVV-së shpërndanë grafite në Prishtinë, me motive fyese dhe nxitje të urrejtjes ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, duke sulmuar integritetin personal dhe profesional të tyre. Ky linçim publik rezultoi me aktakuzë të ngritur ndaj dy zyrtarëve të LVV-së, Arlind Manxhukës dhe Egzon Azemit, për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, dhe dy të akuzuarve të tjerë, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, për veprën penale “Kanosje.”

Sulmet ndaj Gjyqësorit vazhduan në seancën parlamentare në Kuvend, më 20 prill 2023. Kryeministri Kurti sulmoi Prokurorinë, përkatësisht kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, pas arrestimit të ish-bashkëpartiakut të tij, Nagip Krasniqi, ish-kryeshef i KEK-ut. Krasniqi tashmë ka një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. 

Krahas intimidimit publik që iu bë kryeprokurorit Isufaj, i cili ishte kandidat për kryeprokuror të Shtetit, Kurti tregoi hapur ambiciet e tij për kapje të sistemit prokurorial, duke deklaruar se pa vullnetin e tij, presidentes dhe kryeparlamentarit, i njëjti nuk mund të bëhet asnjëherë kryeprokuror. Si rezultat, për më shumë se dy vjet, Kosova nuk ka kryeprokuror të Shtetit, për shkak të refuzimit të presidentes Vjosa Osmani për dekretimin e Isufajt.

Tutje, Kurti e vazhdoi luftën e tij me Gjyqësorin, duke u përplasur me GJK-në. Në një deklarim të çuditshëm dhe aspak profesional, Kurti ftoi GJK-në që të garojë në zgjedhjet e ardhshme, duke i parë gjyqtarët e GJK-së si kundërshtarë politikë. Në linjë të njëjtë vazhdoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e quajti GJK-në opozitë të Qeverisë, që, sipas saj, po i pengon reformat në drejtësi.

Këto sulme direkte dhe tendenca për ta kontrolluar sistemin e drejtësisë, përveçqë dëmtojnë funksionimin normal të këtyre institucioneve, ulin edhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe degradojnë sistemin dhe vlerat demokratike të vendit.

Lufta kundër mediave të pavarura

Përgjatë katër vjetëve të fundit, mediat kanë qenë cak tjetër i sulmeve nga Qeveria Kurti. Përveç retorikës së shpeshtë negative nga pushteti i Kurtit për gazetarët dhe mediat, duke i kritikuar në vazhdimësi për raportimet e tyre, e shpesh edhe duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të armikut, njollat më të zeza gjatë këtij mandati qeveritar janë padyshim tentimi për mbylljen e televizionit “Klan Kosova” dhe miratimi i Ligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM).

Vendimi i Qeverisë Kurti për ta mbyllur “Klan Kosovën”, një ndër televizionet më të mëdha në vend, duke iu referuar një gabimi teknik në regjistrim të biznesit që u referohet qyteteve të Kosovës si vendbanime serbe, përbën një praktikë të pastër autoritare. 

Qeveria Kurti, përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), fillimisht ia pezulloi certifikatën e biznesit, por ky vendim u hodh poshtë nga shkalla e parë e Gjykatës Komerciale dhe pastaj i njëjti aktgjykim u konfirmua edhe nga shkalla e dytë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të MINT-it për rastin e “Klan Kosovës”.

Përveç reagimeve dhe kritikave të brendshme, veprimet e pushtetit të Kurtit në raport me “Klan Kosovën” tërhoqën edhe vëmendjen e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes. Reagimet nga organizata ndërkombëtare, si Reporterët Pa Kufij dhe organizata të tjera ndërkombëtare që veprojnë në fushën e lirisë së medias, kanë theksuar se përpjekjet për të ndikuar në lirinë e medias përbëjnë shkelje të standardeve demokratike dhe lirisë së shprehjes.

Qeveria Kurti e vazhdoi avazin kundër mediave duke miratuar një ligj të ri që fokusohet në disiplinimin e mediave online, përkatësisht Ligji për KPM-në. Ky ligj, i cili tashmë është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, përmban dispozita të cilat mundësojnë ndikimin politik në këtë organ të pavarur, që cenon direkt lirinë e shtypit në Kosovë.

Ligji përmban dispozita skandaloze, siç janë: sanksionimi deri në 40.000 euro për portalet të cilat bëjnë lëshime tekniko-administrative, si: mosruajtja e arkivit të transmetimeve, si dhe mosdorëzimi i raportit vjetor te KPM-ja. Shqiptimi i kësaj gjobe enorme mund të ndikojë deri te mbyllja e mediumit. 

Po ashtu, tendencioze shihet edhe rritja e numrit të anëtarëve të KPM-së, prej shtatë sa janë aktualisht, në 11 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi. Kjo rritje e numrit të anëtarëve ia mundëson partisë në pushtet të emërojë persona politikë.

Një rregullim i tillë është kritikuar nga ndërkombëtarët, si dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara, të cilët kanë vlerësuar se ky ligj shkel standardet ndërkombëtare të lirisë së shtypit.

Këto sulme nga Qeveria Kurti u evidentuan edhe në Indeksin e lirisë së mediave, të publikuar nga Reporterët Pa Kufij, në të cilin Kosova përjetoi një rënie drastike, duke rënë 19 vende në krahasim me vitin paraprak.

Në përgjithësi, qasja e Qeverisë Kurti ndaj medias dhe Gjyqësorit gjatë katër vjetëve të fundit karakterizohet me zhvillime alarmante dhe rrezik për demokracinë e vendit. Sistemi i pavarur i drejtësisë dhe mediat e lira janë shtyllat kyçe në ndërtimin e një shteti demokratik.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.