Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kujtesa në margjina të rrëfimit zyrtar – Pjesa I

Cilat ngjarje meritojnë të përkujtohen? Kujt i ngrihet një shtatore dhe pse?

Foto nga: amkmk.rks-gov.net. Ky kompleks memorial përmban shtatorët e heronjve: Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës dhe Ilir Konushevcit.

Për momentin, në Kosovë, këtyre pyetjeve u jepen përgjigje spontane dhe rastësore, duke qenë se mungon një muze i kujtesës dhe një ligj rregullator i posaçëm për memorializimin në nivel qendror, ku do të përcaktoheshin standardet e udhëzimet në lidhje me memorialet. I vetmi institucion përgjegjës për mirëmbajtjen dhe financimin e komplekseve dhe memorialeve është Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, AMMKM, e cila, sipas ligjit Nr. 04/L-146, vepron si një ent i pavarur. Ndonëse disponon një listë me pothuajse të gjitha memorialet e ndërtuara pas luftës në Kosovë, kjo listë nuk është gjithëpërfshirëse dhe ka mangësi në dhënien e informacionit. Për më tepër, pjesa dërrmuese e këtyre memorialeve u dedikohen dëshmorëve të luftës.

Në maj të këtij viti u publikua Draft-strategjia për drejtësi tranzicionale, një nismë e çmuar në hapjen e diskursit mbi tema të rëndësishme të kësaj fushe dhe gjithashtu një përmbledhje e planeve afatgjata të qeverisë në këtë drejtim. Pikë e rëndësishme e kësaj Draft-strategjie është vendimi për krijimin e Muzeut të Luftës. Emërtimi i muzeut lë të kuptohet se narrativa dhe theksi i interpretimit do të jetë pikërisht lufta. Megjithatë, përtej emërtimeve (për të cilat shpresoj se do të ketë vend për debat në kohën e duhur), çfarë parashihet është krijimi, ideimi dhe funksionalizimi i këtij muzeu brenda vitit 2025, nga një institucion tjetër, Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, që sipas Draft-strategjisë pritet të funksionalizohet më 2024. Duke qenë se gjatë gjithë procesit të krijimit të Draft-strategjisë janë bërë konsultimet publike, me vëmendje të veçantë drejtuar të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, mbetet të shihet nëse versioni përfundimtar do t’i plotësojë pritshmëritë. Duke qenë se për memorializimin e luftës dhe masakrave në vend nuk është bërë mjaftueshëm, Muzeu paraqet një rëndësi madhore. Ai duhet të jetë një institucion i pavarur dhe ideimi i tij duhet të bëhet krahas nismave dhe institucioneve të tjera.

Sipas raportit të vitit 2020 të Raportuesit Special Fabian Salvioli për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje, memorializimi në kontekstin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare konsiderohet shtylla e pestë e drejtësisë tranzicionale:

“Qasja që duhet pasur ndaj krimeve të tilla bazohet në shtyllat e drejtësisë tranzicionale: pa kujtesën e së kaluarës nuk mund të ketë të drejtë për të vërtetën, drejtësinë, dëmshpërblimin ose garancitë e mospërsëritjes. Për këtë arsye, proceset e kujtesës në lidhje me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare përbëjnë shtyllën e pestë të drejtësisë tranzicionale. Ajo është njëkohësisht një shtyllë e pavarur dhe ndërsektoriale, pasi kontribuon në zbatimin e katër shtyllave të tjera dhe është një mjet jetik për t’u mundësuar shoqërive të dalin nga cikli i urrejtjes dhe konfliktit, që të fillojnë të ndërmarrin hapa të caktuar drejt ndërtimit të kulturës së paqes.”

Duhet vënë re se në dekadën e fundit jemi dëshmitarë të asaj që mund të quhet “ethe e arkivave”, e memorializimit dhe muzealizimit të gjithçkaje. Është një trend i përhapur në të gjithë botën. Me përparimin e fotografisë dhe teknologjisë, është bërë më i lehtë digjitalizimi i koleksioneve dhe arkivave, apo ofrimi i ekspozitave virtuale. Të gjitha këto nuk ishin të mundura 20 vjet më parë. Nëse në dekadat e kaluara shtetet kanë pasur interes të zhvillojnë një rrëfim historik zyrtar të identitetit të tyre, përgjithësisht patriotik, tani me hapjen, digjitalizimin dhe demokratizimin e një pjese të madhe të arkivave – dhe si rrjedhojë të kujtesës – rrëfimi zyrtar e ka humbur shkëlqimin vezullues të heroikes.

Veçanërisht gjatë pandemisë e pamë dhe u përfshimë në një moment historik të papërfytyruar më herët, me rrëzime masive e të njëpasnjëshme të shtatoreve kudo në botë, për të qenë më të saktë të statujave apo memorialeve kushtuar individëve të fuqishëm ndër shekuj, kontributi i të cilëve shpesh lidhej me shfrytëzimin përmes kolonializmit, tregtinë e skllevërve dhe të tjera shkelje të të drejtave të njeriut, deri diku të maskuar me bëma bamirëse dhe filantropike. Fenomeni u theksua më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një temë e tillë nuk është e re dhe kulmoi si pasojë e valës së protestave masive mbas vrasjes së George Floyd-it nga policia.

Në vendet tona të ish-Bllokut Lindor, këto lloj rrëzimesh kanë ndodhur vetëm si rezultat i rënies së qeverive në fjalë dhe çlirimit nga zgjedha e këtyre “heronjve” tiranë dhe uzurpatorë të hapësirave manifestuese të popujve.

A e përcaktojnë shtatoret rrëfimin zyrtar të një shteti?

Me hapjen dhe demokratizimin e të dhënave kemi mundësinë t’i largohemi këtij përcaktimi, këtij rrëfimi të njëanshëm, dhe të hapemi ndaj rrëfimeve të tjera, ku shumësia e varianteve mund të bashkëjetojë ashtu si shumësia e mendimeve, orientimeve, përjetimeve… të pamundura për t’u përgjithësuar. E vërteta, ose të paktën kërkimi i saj, i ngjan më shumë një procesi dhe nuk mund kurrsesi të kapet dhe të ofrohet e paketuar nën formën e një statuje, qoftë ajo vërtet heroike. Dhe pikërisht kësaj shumësie rrëfimesh dhe interpretimesh i referohet edhe z.Fabian Salvioli në raportin e lartpërmendur: “Qëllimi është t’i mundësohet popullatës së viktimizuar të shpjegojë një të kaluar brutale pa e justifikuar atë, duke lehtësuar tensionet ekzistuese dhe duke lejuar shoqërinë të jetojë më paqësisht me trashëgiminë e ndarjeve të së kaluarës. Pa rënë pre e një relativizmi të rrezikshëm, ose pa krijuar një mënyrë homogjene të të menduarit, rrëfimet dhe interpretimet e ndryshme të dhunës së kaluar mund të bashkëjetojnë në një shoqëri demokratike dhe kjo ushqen dinamikën e rindërtimit shoqëror”.

Ky është pra momenti të largohemi nga zgjedha e rrëfimit zyrtar, ta shpërfillim atë dhe si kundërpërgjigje të ofrojmë rrëfime të tjera, rrëfime jozyrtare, rrëfime të njerëzve të thjeshtë, rrëfime të civilëve, të grave, të fëmijëve, rrëfime modeste të margjinave. Së fundmi, rrëfime që nuk janë monumentale, por që i përkasin përditshmërisë.

Këta artikuj janë prodhuar në bashkëpunim ndërmjet “Forum Civil Peace Service – Kosovo” dhe Sbunkerit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.