Njohja e fundit Kosovës i erdhi nga Izraeli më 2021. Me gjithë këtë stagnim pesëvjeçar, Kosova arriti ta zhbllokojë procesin e njohjeve, duke i siguruar dy njohje të rëndësishme nga dy shtete afrikane: Kenya and Sudan.
Në të njëjtën kohë, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 8 prill, përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara rikonfirmuan mbështetjen e tyre ndaj Kosovës, duke bërë thirrje që edhe shtetet e tjera ta njohin pavarësinë e saj.
Këto zhvillime politike sinjalizojnë një rikthim të mundshëm diplomatik të Kosovës drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar përmes rritjes së njohjeve dhe rikthimit të mbështetjes nga aleatët, mbështetje e cila është zbehur gjatë viteve të fundit.
Rëndësia e njohjeve dhe sfidat që ngelin
Njohjet nuk janë vetëm një çështje politike apo simbolike. Ato kanë efekte të drejtpërdrejta për zhvillimin ekonomik, integrimin ndërkombëtar dhe konsolidimin e vendit. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike, hapja e ambasadave dhe bashkëpunimi bilateral në fusha si tregtia, arsimi apo turizmi, mes të tjerash, janë përfitime konkrete që mund të burojnë nga njohjet e reja.
Përtej bashkëpunimit bilateral, njohjet nga Kenia dhe Sudani janë tejet domethënëse, sepse mund të shërbejnë si precedent pozitiv për vendet e tjera afrikane, shtete që shpesh hezitojnë ta njohin Kosovën, kryesisht për shkak të ndjeshmërive të brendshme politike dhe frikës se një vendim i tillë mund të nxisë aspirata separatiste brenda kufijve të tyre.
Arsye tjetër e mungesës së njohjeve është angazhimi i Serbisë dhe Rusisë për ta parandaluar një gjë të tillë. Megjithatë, fakti që njohjet e reja kanë ardhur pikërisht nga kontinenti afrikan – aty ku Serbia ka qenë shumë aktive diplomatikisht – tregon se kjo strategji nuk është e pathyeshme.
Gjithashtu, konteksti i ri gjeopolitik po rezulton në një botë thellësisht të polarizuar, ku konkurrenca për influencë dhe fuqi është e madhe. Kjo gjendje e marrëdhënieve ndërkombëtare ka krijuar një ambient të vështirë dhe të paparashikueshëm për shtetet e vogla si Kosova, duke ua zvogëluar hapësirat manovruese.
Por, njohjet nga Kenia e Sudani dhe përkrahja e fuqishme nga Londra dhe Uashingtoni tregojnë se, me gjithë sfidat, ka hapësirë për progres.
Nevoja për një strategji të re konform zhvillimeve gjeopolitike
Për Kosovën, gjendja aktuale e marrëdhënieve ndërkombëtare është një mundësi për ta rimenduar strategjinë në politikën e jashtme. Qasja reaktive duhet të zëvendësohet me një strategji proaktive, që synon thellimin e bashkëpunimit me vendet që kanë potencial për të ndryshuar qëndrim.
Kosova ka nevojë për një politikë të jashtme që i lexon me kujdes zhvillimet politike ndërkombëtare dhe ndërmerr hapat e nevojshëm në përputhje me interesat e saj kombëtarë.
Dy njohjet e fundit janë dëshmi e qartë se suksesi në politikën e jashtme kërkon më shumë se vetëm angazhimin institucional të Qeverisë. Është koha që Kosova të ndërtojë një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse, e cila tejkalon interesat politikë dhe mobilizon të gjitha institucionet kyçe të shtetit, duke përfshirë Presidencën dhe Kuvendin, përmes diplomacisë parlamentare.
Njëkohësisht, kjo strategji duhet të përfshijë edhe akterë joqeveritarë. Përfshirja e personave me ndikim domethënës në vende të ndryshme, siç është rasti me ish-presidentin Behgjet Pacolli, apo edhe e përfaqësuesve nga shoqëria civile, është thelbësore për të arritur rezultate.
Koordinimi i resurseve, forcimi i komunikimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimi me individë dhe organizata joqeveritare mund t’i ofrojnë vendit një përparim të qëndrueshëm dhe sinergjinë e nevojshme për konsolidimin e shtetësisë në arenën ndërkombëtare.






























































