Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Qeverinë në ardhje të Kosovës e pret një fushë e minuar e marrëdhënieve ndërkombëtare

Rendi ndërkombëtar po fillon t’i ngjasojë një fushe të minuar dhe të rrezikshme, në të cilën shtetet e fuqishme si SHBA-ja, Kina dhe Rusia, po përdorin metoda më agresive për t’i forcuar interesat e tyre nacionalë dhe për t’i zgjeruar sferat e tyre të influencës përmes shantazhit, kërcënimit e forcës. Këto metoda nuk përjashtojnë më as aleatët, siç është parë rishtazi nga qasja e re e politikës së jashtme amerikane ndaj Panamasë, Kanadasë, Danimarkës dhe Ukrainës.

Përballë këtij ndryshimi rrënjësor, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë filluar ta ndryshojnë drastikisht qasjen e tyre, duke filluar përgatitjet urgjente për rritjen e buxhetit të mbrojtjes dhe ballafaqimin me tarifat doganore të SHBA-së. Raporti dhe bashkëpunimi BE-SHBA ka përjetuar degradim serioz, në një kohë kur e drejta ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare po e humbin relevancën e tyre. 

Këto zhvillime tektonike janë lajme shqetësuese, sidomos për shtetet e vogla të cilat veçse kanë filluar të ballafaqohen me sfidat dhe pasojat e këtyre ndryshimeve. Gjendja është edhe më alarmante për shtetet si Kosova, Tajvani dhe Ukraina, të cilat ballafaqohen me fqinjë agresivë dhe territor e legjitimitet të kontestuar ndërkombëtar. Përderisa Kosova nuk ka fuqi të ndikojë masivisht në marrëdhënie ndërkombëtare, qeveria e ardhshme duhet të ndërmarrë një sërë hapash, të cilët mund ta parapërgatisin vendin që të ballafaqohet me skenarë të mundshëm që mund t’i cenojnë interesat nacionalë dhe funksionimin e institucioneve. 

Këto duhet të jenë prioritetet kyçe të Kosovës gjatë muajve në vijim:

Kuptimi i situatës së re gjeopolitike

Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta ketë të qartë se bota po kalon një eskalim të tensioneve gjeopolitike të paparë për dekada me radhë dhe se hapësira për aventura dhe gabime mund të sjellë pasoja katastrofale dhe të pariparueshme. 

Gafat si kjo e fundit me humoristët rusë, njëri prej të cilëve u paraqit si presidenti letonez, shpërfaqin një dështim të kabinetit të kryeministrit dhe mungesën e kompetencave bazike. Gjatë bisedës së publikuar, kryeministri Kurti shpërfaq akuza ndaj emisarit amerikan Richard Grenell, të cilat mund të kenë pasoja serioze në marrëdhëniet Kosovë-SHBA. Në kontekstin e tanishëm gjeopolitik, gabime të tilla mund të jenë fatale.

Prioritizimi i konstituimit të kuvendit dhe krijimit të qeverisë

Është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sa më parë dhe të votohet qeveria e ardhshme. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar dukshëm zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit dhe e ka përgjegjësinë kryesore për formimin e qeverisë. Kryeministri Kurti e ka mundësinë që të formojë një shumicë parlamentare pa ndonjë problem të madh, marrë parasysh se ka fituar rreth 42% të ulëseve në Kuvend.

Megjithatë, deri më tani, kjo gjë nuk është bërë as në tentimin e tetë. Për ta bërë të mundur një gjë të tillë, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta ndryshojë qasjen dhe të ofrojë hapësirë për konsultime e kompromis. Është e rëndësishme që mos të humbet kohë në interesa parokialë dhe të merret më seriozisht përgjegjësia që buron nga vota e qytetarëve. Vonesat e tilla rrezikojnë ta lënë vendin pa udhëheqje, në një kohë kur bota po përballet me një rrëmujë politike dhe ekonomike.

Emërimi i personave adekuatë në pozita kyçe

Përveç kryeministrit dhe presidentit, janë edhe dy pozita të tjera kyçe që janë të ngarkuara me përfaqësimin e vendit në rrafshin ndërkombëtar: Zëvendëskryeministri i parë edhe ministri i Jashtëm. Është e domosdoshme që në këto poste të zgjidhen profesionistë të fushës dhe që mes këtyre katër individëve të ketë koordinim më të ngushtë në përpilimin dhe zbatimin e punës.

Gjatë mandatit të kaluar, drejtimi i Ministrisë së Jashtme, në veçanti, ka qenë skandaloz. Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz ka treguar në shumë raste se nuk ka përgatitje bazike për të udhëhequr me këtë ministri. Në rrethanat e tanishme gjeopolitike, Kosova nuk mund ta përbijë dhe një mandat të ri të Gërvalla-Schwarz-it.

Bashkëpunimi me akterë joqeveritarë në shërbim të diplomacisë

Kosova ka resurse dhe kapacitete të limituara në fushën e politikës së jashtme. Në mandatin e fundit katër-vjeçar, Kosova nuk arriti asnjë njohje të re apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, konteksti global e ka bërë edhe më të vështirë forcimin e legjitimitetit ndërkombëtar për vendin. Qeveria e ardhshme duhet të jetë më e hapur për bashkëpunim me akterë e profesionistë të fushës, të cilët i shohin gjërat më ndryshe dhe mund të kontribuojnë për vendin.

Për të krijuar një strategji të mirëfilltë dhe efektive, është e domosdoshme të identifikohen akterë joqeveritarë për bashkëpunim, siç janë: shoqëria civile, universiteti, media dhe ish-diplomatë. Kjo mund të bëhet duke organizuar takime konsultative, krijimin e grupeve punuese dhe bashkëpunimin në projekte të përbashkëta. Njohja e fundit nga Kenya ilustron në formën më të mirë se si një ish-diplomat si Behgjet Pacolli arriti të sigurojë një njohje të rëndësishme ndërkombëtare dhe të jetë më efikas sesa qeveria aktuale. 

Ndryshimi i qasjes në Dialogun Kosovë-Serbi

Kosova duhet ta ndryshojë qasjen në dialog dhe ta tregojë veten si palë serioze, e cila është e gatshme t’i zbatojë obligimet politike. Në këtë kontekst, Kosova nuk mund t’i ikë më tej obligimit për themelimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe, zotim ky i bërë më 2013, 2015 dhe së fundmi më 2023 me Marrëveshjen e Ohrit. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet t’i shmanget drejtimit të akuzave dhe kritikave publike ndaj BE-së dhe emisarit për dialogun, siç ka ndodhur rëndom në të kaluarën me Miroslav Lajçakun dhe Josep Borrellin. 

Tashmë ka një emisar të ri në dialog (Peter Sorensen) dhe Kosova duhet ta krijojë një bashkëpunim të shëndoshë me të, të punojë drejt largimit të sanksioneve dhe t’i marrë përsipër obligimet e saj, në mënyrë që të zhbllokojë procesin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ekzistojnë edhe shumë çështje të tjera të rëndësishme të cilat duhet të merren parasysh në fillim të mandatit të ri qeveritar. Megjithatë, këto janë esenciale në kontekstin afatshkurtër, marrë për bazë situatën e përgjithshme të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nevojat e vendit.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.