Më 16 prill 2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) vendosi që të rrisë tarifat e energjisë elektrike për 16.1%. Kjo rritje e konsiderueshme do ta rëndojë edhe më tepër jetën e qytetarëve.
Për shembull, nëse një familje mesatare në Kosovë ka paguar 40 euro faturë për energji elektrike, me tarifat e reja në fuqi do të paguajë 46.44 euro.
Me gjithë protestat e kundërshtitë e shumta, Qeveria Kurti vendosi të heshtë, duke e rënduar edhe më shumë gjendjen socio-ekonomike në Kosovë. Për të dalë nga kjo situatë, është e domosdoshme të merren disa vendime urgjente.
Qeveria hesht, me gjithë protestat kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike u kundërshtua nga qytetarët dhe shoqëria civile, përmes organizimit të protestave. Gjithashtu, presidentja Vjosa Osmani e kundërshtoi këtë vendim, ndërsa Avokati i Popullit requested pezullimin e vendimit.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka kundërshtuar këtë vendim. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka propozuar ZRRE-së që të mos e rrisë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kWh në muaj, por kjo dëmton familjet që shpenzojnë mbi 800 kWh, si dhe bizneset e vogla e të mesme që preken nga kostoja e energjisë.
Ndërsa, partia që udhëheq me Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje, identifikohet si parti ideologjikisht e majtë, botëkuptime që mbështeten në drejtësi sociale dhe ekonomike.
Mbi këtë premisë të drejtësisë sociale, Albin Kurti si opozitar thoshte se “qytetarët paguajnë shtrenjtë për rrymë, pasi flemë mbi qymyr”, por pasi erdhi në pushtet e ndryshoi mendimin diametralisht – tani deklaronte se “aq lirë ka qenë rryma, sa qytetarët nuk e kanë ditur sa po paguajnë.”
Shtrenjtimi i energjisë elektrike do të ketë efekt zinxhiror në ekonomi
Rritja faturore është zinxhirore për shumicën e produkteve dhe shërbimeve që marrin qytetarët. Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka paralajmëruar se këto tarifa të energjisë elektrike do të ulin standardin jetësor në Kosovë, pasojë e kostos së shtuar të sipërmarrjeve dhe rritjes rrjedhimore të çmimeve.
Me fjalë të tjera, efekti i rritjes së çmimit të energjisë elektrike do të ketë pasoja të mëdha sepse qytetarët do të paguajnë më shumë edhe për produkte e shërbime të tjera, rrjedhimisht duke u rënduar edhe më shumë gjendja e tyre socio-ekonomike.
Ende pa arritur faturat e para me rritje, disa biznese vetëm se kanë nisur me shtrenjtimin e produkteve. Për shembull, në shumë furra, një bukë, nga 50 centë është shtrenjtuar në 60 centë. Në këtë rast, 10 centë mund të mos duken shumë, mirëpo në përqindje kjo përkthehet në rritje të çmimit për 20%.
Përvoja tregon se kur fillon rritja e çmimit të produkteve bazë si buka, rritja e çmimeve ndodh edhe te shumica e produkteve dhe shërbimeve, gjë që shkakton inflacion në ekonominë vendore.
Çfarë hapash ka ndërmarrë Qeveria?
Qeveria e Kosovës veçse kishte miratuar një ligj për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë, gjë që ishte kundërshtuar nga opozita për shkak se bizneset në Kosovë operojnë në rrethana të ndryshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, e cila e kishte shpallur këtë ligj si antikushtetues.
Që nga ajo kohë, sa herë që pushteti merr kritika për çmimet e larta të produkteve bazë në treg, fajin e hedh kah LDK-ja për shkak se nuk pranoi një ligj në kundërshtim me Kushtetutën. Por, LVV-ja nuk ka ndërmarrë asnjë politikë konform ligjeve në fuqi për të frenuar këtë hov çmimesh në treg.
Megjithatë, ndryshimet e fundit në treg nuk kanë të bëjnë me inflacion të importuar, por lidhen kryesisht me sektorin e energjisë si kompetencë ekzekutive e Qeverisë së Kosovës, e cila nuk ndërmori asnjë hap për ta parandaluar vendimin për rritjen e faturave të energjisë elektrike.
Si mund të tejkalohet ky problem?
Së pari, ZRRE-ja duhet ta anulojë vendimin për ndryshimet tarifore, konform kërkesës së presidentes, Avokatit të Popullit, shoqërisë civile, e qytetarëve në përgjithësi.
Së dyti, Autoriteti i Konkurrencës duhet të ndëshkojë bizneset të cilat kanë ngritur çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre në mënyrë artificiale në treg.
Së treti, Qeveria duhet të ofrojë një strategji praktike për menaxhim dhe transformim të sistemit energjetik, duke ruajtur stabilitetin buxhetor e politikat për mbrojtjen e mjedisit.
Së katërti, Prokuroria duhet të iniciojë një hetim, sepse furnizimi, faturimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike janë të rëndësisë kombëtare dhe duhen shikuar me prioritet.






























































