Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Mes talljes dhe votës: pse kandidatët për anëtarë të kuvendeve komunale në Kosovë duhet të merren seriozisht

Foto nga: Shutterstock

Deri në vitin 2023, paga bazë e anëtarëve të kuvendit komunal (asamblistit) ishte vetëm 220 euro. Për vite me radhë, paga e ulët e ka bërë pothuajse të pamundshme që subjektet politike të rekrutojnë individë adekuatë dhe me arritje profesionale, personale e akademike për ta përfaqësuar vullnetin qytetar në kuvende komunale. 

Subjektet politike janë detyruar vazhdimisht t‘i ulin kriteret për kandidatët e tyre. Për pasojë, shumë prej tyre kanë kandiduar sa për sy e faqe, pa ndonjë platformë konkrete dhe vetëm sa për të plotësuar numrin e listave.

Prandaj, në çdo palë zgjedhje lokale në Kosovë është bërë trend të dëgjohen shaka dhe kritika për kandidatët e subjekteve politike për kuvendet komunale.

Pas vitit 2023, paga për anëtarët e kuvendeve komunale ka arritur deri në 630. Kjo gjë ka përmirësuar sadopak cilësinë e listave zgjedhore të subjekteve politike, duke shtyrë mjaft qytetarë ta konsiderojnë seriozisht ftesën e subjekteve politike për të hyrë në lista zgjedhore. 

Megjithatë, talljet e vazhdueshme të qytetarëve për këta kandidatë nuk kanë të ndalur edhe në vitin 2025. Nëpër internet qarkullojnë video and skeqe humoristike të cilat i përqeshin kandidatët si njerëz të dështuar që nuk kanë arritur asgjë në jetë e tash kandidojnë për kuvende komunale. 

E vërteta është se këta kandidatë që tallen në fushatë zgjedhore, nesër mund të vendosin për projekte konkrete në komunat e tyre. Roli i anëtarëve të kuvendeve komunale është thelbësor për zhvillimin lokal dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve nëpër komuna. 

Votimi i tyre ndikon drejtpërsëdrejti në shumë procese që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, nga miratimi i buxhetit komunal, planet urbane e deri te vendimet për zhvillimin ekonomik. 

Ata janë zëri i lagjeve dhe fshatrave në kuvende komunale dhe mund të përdorin zërin e tyre për mbrojtjen e mjedisit, përdorimin e pronave publike, apo politikat për arsimin fillor dhe shëndetin primar.

Anëtarët e kuvendeve komunale që qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me komunitetet e tyre luajnë rol kyç në artikulimin e nevojave të banorëve dhe sigurojnë që ato të merren seriozisht në vendimmarrjen komunale.

Kur janë pjesë e koalicionit qeverisës në komuna, anëtarët e kuvendeve komunale kanë edhe më shumë ndikim në mënyrën si shpërndahet buxheti. Ata mund të jenë arsyeja pse një rrugë riparohet, një park ndërtohet apo një rrjet kanalizimi përmirësohet.

Po ashtu, ata mbikëqyrin edhe punën e ndërmarrjeve publike. Nëse kompania publike dështon të pastrojë borën dimrit, apo ka neglizhenca në mirëmbajtjen e infrastrukturës, janë anëtarët e kuvendit komunal që e ngrenë zërin në dhe kërkojnë përgjegjësi dhe nxisin zgjidhje. 

Edhe kur janë pjesë e opozitës, ata kanë mjetet dhe hapësirën për të ushtruar kontroll demokratik në komuna. Ata mund të ngrenë zë për çështje të paprioritizuara dhe të kërkojnë transparencë e llogaridhënie. Ata kanë të drejtë, ndër të tjerash, të iniciojnë propozime, kërkojnë raportime apo të ngrenë pyetje parlamentare lokale, duke ndikuar edhe në mbikëqyrjen e komunës.

Duke marrë parasysh këta faktorë, është shumë e rëndësishme që këta individë të merren seriozisht dhe të votohen persona adekuatë, të cilët kanë njohuri dhe duan të punojnë për të mirën e qytetarëve në komunat ku kandidojnë.

Për shkak se komunat në Kosovë janë të vogla, shpesh ndodh që ndonjë kandidat për kuvend komunal të jetë ndonjë shok, i afërm e koleg që kërkon votën në bazë të njoftësisë personale. Por, votuesit duhet të kenë parasysh impaktin që mund të ketë një anëtarë i kuvendit komunal në lagje e fshat, dhe një votë për një të afërm i cili nuk ka përvojë do të mund të ndikonte që lagjja e tij të mbetet e papërfaqësuar në kuvendin komunal.

Prandaj, kandidatët për anëtarët e kuvendeve komunale sivjet nuk duhet të shihen si figura komike apo simbolike, por si ura lidhëse mes qytetarëve dhe qeverisjes lokale. Mbi të gjitha, qytetarë duhet t’i votojnë ata kandidatë që përfaqësojnë diçka konkrete dhe kanë njohuri për t’i përfaqësuar ata në mënyrë të denjë.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.