Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Paaftësia e lidershipit kosovar për t’i lexuar ndryshimet globale

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, sistemi ndërkombëtar përjetoi një transformim rrënjësor. Nga një strukturë bipolare katërdekadëshe mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, rendi ndërkombëtar u transformua në një rend unipolar të dominuar nga vetëm një superfuqi botërore: SHBA-ja.

Polariteti në marrëdhënie ndërkombëtare tregon mënyrën se si shpërndahet fuqia midis shteteve. Fuqia nënkupton fuqinë ushtarake, ekonomike, teknologjike, si dhe madhësinë e territorit dhe popullsisë. Një sistem mund të jetë unipolar (i dominuar nga një fuqi globale), bipolar (ndarja e fuqisë globale në dy fuqi kryesore), apo multipolar (me disa fuqi globale).

Bota tani po shkon drejt një sistemi multipolar të dominuar nga fuqi dhe interesa të ndryshëm gjeopolitikë. Me uljen e fuqisë perëndimore, Kosovës i duhet të navigojë në rrethana shumë më të vështira për t’i arritur objektivat shtetërorë për njohje ndërkombëtare dhe konsolidim të shtetit.

Lidershipi kosovar në vitet ‘90 dhe 2000 arriti t’i lexojë suksesshëm rrethanat politike globale për t’i realizuar aspiratat e Kosovës për liri dhe pavarësi. Lidershipi politik i tanishëm nuk duket se e ka aftësinë dhe njohurinë e duhur për ta bërë një gjë të tillë, duke rrezikuar seriozisht aleancat kyçe dhe njëkohësisht të ardhmen e vendit. 

Unipolarizmi amerikan ishte mundësi e artë që Rugova, Thaçi dhe Haradinaj e lexuan suksesshëm

Ishte ky kontekst ndërkombëtar që favorizoi Kosovën atë botë të zhytur në diskriminim sistemik dhe konflikt. Ngritja e SHBA-së ndikoi fuqishëm në përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi, duke e bërë të mundur ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe më pas projektin e shtetndërtimit, i cili solli pavarësinë më 2008. 

Pa atë rend liberal dhe sistem unipolar të udhëhequr nga SHBA-ja, është shumë e vështirë të imagjinohet se Kosova do t’i arrinte të gjithë objektivat e vet për liri dhe pavarësi. Leximi i drejtë i polaritetit ndërkombëtar në momente të rëndësishme historike ishte element jetik që e bëri të mundur suksesin e lidershipit kosovar.

Ibrahim Rugova herët e kishte kuptuar se në një botë unipolare të dominuar nga SHBA-ja, mbështetja e Uashingtonit ishte kusht i domosdoshëm për Kosovën. Rugova e vendosi çështjen e Kosovës brenda logjikës diskursive të demokracisë liberale, lirive dhe të drejtave të njeriut, dhe e harmonizoi strategjinë e tij politike me arkitekturën e rendit liberal që udhëhiqej nga SHBA-ja. Në çdo mundësi që kishte, ai e theksonte faktin se Kosova e pavarur duhet të jetë e integruar në BE dhe NATO, dhe në miqësi të përhershme me SHBA-në.

After the incident, Hashim Thaçi e kishte të qartë se bota ende po dominohej nga unipolariteti amerikan dhe vazhdimisht koordinohej me partnerët ndërkombëtarë për përpjekjet për shpalljen e pavarësisë. Thaçi e kishte kuptuar qartë se pavarësia mund të realizohej vetëm nëse harmonizohej me vizionin e SHBA-së dhe BE-së.

Vite më vonë, Ramush Haradinaj, gjatë procesit për transformimin e FSK-së në ushtri më 2018, e kuptoi se në kontekstin e një bote që po lëvizte drejt multipolaritetit, Kosova nuk mund të vepronte jashtë kornizës së NATO-s dhe SHBA-së, duke e lidhur projektin e ushtrisë me standardet dhe pritshmëritë e aleatëve perëndimorë. Gjithashtu, Haradinaj e kuptoi se Kosova duhet të vepronte shpejt për të arritur formimin e ushtrisë dhe koordinoi të gjithë hapat me aleatët perëndimorë.

E ardhmja drejt një sistemi multipolar dhe implikimet për Kosovën

Ngritja e shteteve si Rusia, Kina, India dhe të tjera, filloi ta lëkundë stabilitetin e rendit unipolar të dominuar nga SHBA-ja. Në të njëjtën kohë, luftërat në Irak e Afganistan, krizat financiare dhe rivaliteti mes interesave gjeopolitikë ndikuan që ndikimi i SHBA-së të ulej. 

Ky fenomen po vazhdon edhe sot, gjë që nënkupton se bota po kalon nga unipolariteti drejt një rendi multipolar. Ky transformim i polaritetit ndërkombëtar ka implikime të drejtpërdrejta për Kosovën, vend ende i panjohur plotësisht dhe jashtë mekanizmave ndërkombëtarë si NATO, BE-ja dhe Kombet e Bashkuara.

Por, në vend se të lexohen saktë zhvillimet ndërkombëtare dhe të koordinohen vendimet dhe thellohen marrëdhëniet me vendet aleate, lidershipi i tanishëm po e bën të kundërtën. Gjatë pesë viteve të fundit, Qeveria Kurti ka marrë një mori vendimesh unilaterale dhe të pakoordinuara, të cilat kanë acaruar raportet Kosovë-SHBA.

Rasti më eklatant ishte pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA, një platformë e krijuar për të thelluar marrëdhëniet bilaterale dhe për të përfshirë departamente kyçe amerikane në fusha si energjia, mbrojtja dhe tregtia. Ky pezullim përbën shuplakën më fortë që SHBA-ja i ka dhënë kësaj qeverie.

Kosova e vitit 2025 është një vend i izoluar dhe në stangim. Sanksionet e BE-së ende mbeten në fuqi, ndërsa suspendimi i dialogut strategjik tregon për acarim serioz të raporteve me SHBA-në. Kjo përbën pikën më të ulët të raporteve me aleatët që nga vitet ‘90.

Problemi është se zyrtarët në Qeverinë Kurti nuk e kanë as bazën teorike dhe as përvojën praktike për të naviguar në këtë rend të ri botëror. Të formuar në një periudhë ku Kosova ishte përfituese e drejtpërdrejtë e hegjemonisë amerikane, ata operojnë ende me logjikën e “momentit unipolar”, pa e kuptuar se interesat e SHBA-së kanë pësuar ndryshime.

Moskuptimi i interesave të rinj amerikanë, sidomos kundrejt Europës dhe rajonit, e ka shndërruar Kosovën në një pengesë për interesat e Uashingtonit në këtë hapësirë, duke e perceptuar Qeverinë Kurti si rrezik për paqe dhe stabilitet.

Rendi i ri multipolar kërkon strategji të re. Në këtë konfigurim të polaritetit, vendet e vogla si Kosova duhet të gjejnë mënyra për të maksimizuar sigurinë dhe legjitimitetin e tyre, jo t’i cenojnë ato. 

Për Kosovën kjo nënkupton forcimin e pozicionit përmes integrimit euroatlantik, por edhe zhvillimin e kapaciteteve të brendshme që e bëjnë atë një partner të vlefshëm, të parashikueshëm për aleatët, si dhe të besueshëm.

Në fund të fundit, siguria dhe stabiliteti i Kosovës mbeten thellësisht të varura nga angazhimi i SHBA-së, andaj humbja e sinkronisë me prioritetet amerikane do të shkaktonte pasoja të drejtpërdrejta për pozitën ndërkombëtare dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.