Përdorimi i ekranit të dytë (second-screening) nënkupton përdorimin e dy ose më shumë pajisjeve teknologjike në të njëjtën kohë. Kjo ndodh zakonisht kur gjatë shikimit të televizorit, paralelisht përdoret edhe një pajisje tjetër teknologjike, si: telefoni, laptopi, apo tableti.
Ndikimi i përdorimit të ekranit të dyfishtë paralel përbën rrezik serioz për mirëqenien psikologjike. Sot, njerëzit veçse përdorin pajisjet teknologjike me orë të tëra, duke u bombarduar me përmbajtje digjitale.
Për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fëmijët nga 8-12 vjeç kalojnë mesatarisht rreth 6 orë në ditë duke konsumuar përmbajtje digjitale. Ndërsa në Bashkimin Europian, fëmijët e moshës 10-19 vjeç kalojnë rreth 3 orë duke parë përmbajtje digjitale.
Këto të dhëna dëshmojnë rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që përmbajtjet digjitale kanë marrë në jetën e përditshme, një rol që pritet të vazhdojë të zgjerohet, si në kohëzgjatje, ashtu edhe në larmi përdorimi.
Por, përtej stërpërdorimit të përmbajtjeve digjitale, përdorimi i dy pajisjeve apo ekranit të dytë, e çon këtë problem në një nivel tjetër.
Të dhënat tregojnë se 77% e personave që jetojnë vetëm pranojnë se përdorin telefonin ndërkohë që shikojnë televizorin, ndërsa rreth një e treta e tyre deklarojnë se e bëjnë këtë për t’u ndier më pak të vetmuar.
Kjo sugjeron se përdorimi paralel i pajisjeve nuk është thjesht një zakon i lidhur me argëtimin, por edhe një strategji sociale për të kompensuar mungesën e ndërveprimit të drejtpërdrejtë.
Po ashtu, kalimi i shpejtë nga një përmbajtje në tjetrën, sidomos kur njëri ekran përfshin rrjete sociale, komente apo reagime të menjëhershme, nxit krahasimin social të vazhdueshëm dhe frikën e përjashtimit, apo frikën se po humb përvoja apo ngjarje që të tjerët po i përjetojnë (FOMO).
E gjithë kjo krijon presion për të qenë vazhdimisht i pranishëm, i përditësuar dhe i vlerësuar nga të tjerët në rrjete sociale.
Për më tepër, përdorimi i dy pajisjeve teknologjike njëkohësisht e bën më të vështirë shmangien e shpërqendrimeve, ruajtjen e përqendrimit dhe kontrollin e veprimeve impulsive.
Kur individi angazhohet në disa aktivitete njëkohësisht, vëmendja zhvendoset vazhdimisht nga një stimul te tjetri. Angazhimi paralel me disa ekrane mund ta riformësojë trurin që të kërkojë gjithnjë e më shumë stimulim, duke ulur gradualisht aftësinë për t’u përqendruar në një detyrë të vetme.
Kjo mënyrë e kryerjes së disa veprimeve paralelisht (multitasking) mund të dobësojë gjithashtu aftësinë për të filtruar informacionin e parëndësishëm, duke çuar në ulje të hapësirës së vëmendjes dhe në një fenomen të njohur si as a “vëmendje e pjesshme e vazhdueshme” slogans.
Në këtë gjendje, mendja mbetet e shpërndarë mes disa burimeve informacioni, pa qenë plotësisht e përqendruar në asnjërën prej tyre.
Një pasojë tjetër serioze lidhet me rritjen e nivelit të depresionit dhe ankthit social. Ekspozimi i shpeshtë ndaj imazheve të caktuara dhe reagimeve të menjëhershme online ul vetëbesimin e individit dhe rrit ndjenjën e vetmisë, duke përforcuar ankthin dhe simptomat e depresionit.
Gjithashtu, përdorimi i dy ekraneve në mënyrë paralele lidhet me kohëzgjatje më të shkurtër të gjumit dhe vështirësive për të fjetur gjatë natës.
Kjo gjë është më e theksuar sidomos në rastin e fëmijëve dhe adoleshentëve gjatë kohës sa janë në shkollë. Si rezultat, ky problem pastaj thellohet dhe ka pasoja të tjera, duke ndikuar negativisht në shëndetin fizik, si dhe kualitetin e mësimmarrjes.
Për këto arsye, është e rëndësishme që përdorimi paralel i disa ekraneve të shmanget, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët, të cilët janë në faza të ndjeshme të zhvillimit njohës dhe emocional.
Në vend të kësaj, është më e shëndetshme të inkurajohen aktivitete në natyrë, si: ecja, sporti, apo lojërat në ambiente të hapura.
Këto forma angazhimi kontribuojnë në përmirësimin e humorit, rritjen e përqendrimit dhe zhvillimin e marrëdhënieve sociale më të qëndrueshme, duke ofruar një ekuilibër më të shëndetshëm mes jetës digjitale dhe asaj reale.






























































