Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Disinfo

Kur fëmijët shndërrohen në instrument propagande

Gjatë periudhave zgjedhore gjithnjë e më shpesh po përdoren fëmijët në aktivitetet dhe materialet promovuese të partive politike. Fotografitë dhe videot me të mitur fillimisht publikohen nga partitë politike në rrjetet sociale e më pas shpërndahen gjerësisht edhe nga mediat, duke rritur dukshëm ekspozimin e tyre në hapësirën publike.

Rasti i fundit që nxiti reagime të shumta është përdorimi i një vajze në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri. Aktiviteti elektoral ku mori pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u shoqërua me një skenë që ngre shqetësime serioze për mënyrën se si politika po i përdorë fëmijët. Një vajzë e mitur, para syve të Kurtit recitoi një poezi që përmbante sulme ndaj opozitës dhe lavdërime për liderin e partisë.

Shprehje si “ju vraft Zoti”, “ju vraft Allahu” dhe etiketime si “kriminela” hyjnë në domentin e gjuhës së urrejtjes dhe për më tepër promovohen nga një fëmijë. Po aq shqetësuese u cilësuan thirrjet e përsëritura si “Albin baba”, si shprehje e adhurimit ndaj një figure politike. Kur këto fjalë vendosen në gojën e një fëmije dhe transmetohen para qindra qytetarëve, mesazhi që përcillet është edhe më shqetësues.

Pas ankesës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5,100 euro për përfshirjen dhe keqpërdorimin e të miturës në kuadër të aktiviteteve të fushatës zgjedhore.

Në tubimet e LDK-së “folën” edhe fëmijët

Nga analiza e tubimeve të partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit, del se fëmijët u përdoren edhe nga partitë tjera.

Në tubimet dhe aktivitetet e LDK-së në disa raste janë shfaqur edhe fëmijët. Gjatë një tubimi në Viti në kuadër të fushatës ”Hajde Folim“ nga Lumir Abdixhiku e Vjosa Osmani, një vajzë e mitur, del në skenë ku para mikrofonit thotë se ”nga mosha 3 vjeҫare kam qenë një fanse e jotja”.

Gjatë një tubimi politik të Bedri Hamzës nga radhët e PDK-së, në afërsi të hapësirës ku po zhvillohej fushata politike janë parë disa fëmijë në prapaskenë. Bedri Hamza theksoi se për asnjë  ҫmim nuk i përdori fëmijët për qëllime politike.

Gjithashtu fëmijët u panë edhe në materialet promovouese të AAK-së.

Organizata për mbrojtjen e fëmijëve kanë reaguar ndaj këtij fenomeni. Sipas KOMF, përfshirja e fëmijëve në fushata politike përbënë shkelje të të drejtave të tyre.

“KOMF u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të respektojnë të drejtat e fëmijëve dhe të shmangin çdo formë të përfshirjes së tyre në aktivitetet e fushatës zgjedhore. Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, cenon mirëqenien e tyre dhe nuk është në interesin më të mirë të fëmijës”.

KOMF u ka bërë thirrje mediave që mbulojnë procesin zgjedhor të luajnë rol aktiv në monitorimin e respektimit të të drejtave të fëmijëve gjatë fushatës dhe të raportojnë rastet e përfshirjes së tyre për qëllime politike, duke garantuar në çdo rast mbrojtjen e identitetit, privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës.

Mediat duhet të shmangin publikimin e fytyrave dhe identitetit të fëmijëve

Edhe pse përmbajtjet me fëmijë publikohen fillimisht nga subjektet politike, mediat shpesh e riprodhojnë dhe e amplifikojnë pa analizuar ndikimin që mund të ketë te fëmijët e përfshirë. Kjo bën që imazhet dhe videot e tyre të arrijnë një audiencë shumë më të madhe.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias ka kërkuar kujdes në raportimin e rasteve ku përfshihen fëmijët në kontekst politik, duke shmangur publikimin e fytyrës dhe identitetit të tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për situata ku fëmijët mund të jenë keqpërdorur në fushata zgjedhore.

“I lus mediat mos me postu ftyren dhe mos me zbulu identitetin e vajzës së keqpërdorur në fushatën e VV-së. Ajo ka me i’a pa sherrin tash dhe ka me i’a pa sherrin në të ardhmen! Gjithmonë kanë me bullizu për atë paraqitje”, ka shkruar ajo.

Fëmijët nuk janë aktorë politikë dhe në shumicën e rasteve nuk kanë mundësi të kuptojnë plotësisht pasojat e përfshirjes së tyre në përmbajtjet me karakter politik.

According to Demokracisë në Veprim (DnV), janë evidentuar raste të përdorimit të fëmijëve në aktivitete zgjedhore, për të cilat janë dorëzuar ankesa në PZAP.

Rregullat për zhvillimin e fushatës zgjedhore, të miratuara nga KQZ-ja, ndalojnë përfshirjen e fëmijëve në aktivitetet dhe materialet propaganduese të subjekteve politike gjatë periudhës zyrtare të fushatës.

Shkeljet e këtyre rregullave trajtohen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili mund të shqiptojë masa ndëshkuese ndaj subjekteve politike. Megjithatë, këto rregulla vlejnë për periudhën zyrtare të fushatës, ndërsa aktivitetet e zhvilluara para fillimit të saj nuk i nënshtrohen të njëjtit regjim mbikëqyrjeje dhe sanksionimi.

According to Rregullativës Zgjedhore, “asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore”.

Nëse konstatohet shkelje e këtyre rregullave, ankesa mund të bëhet nga qytetarët apo partitë, pas raportimeve mediatike. PZAP i shqyrton rastet dhe mund të shqiptojë gjoba financiare për subjektin politik, të cilat në varësi të seriozitetit të shkeljes dhe përsëritjes mund të shkojnë në dhjetëra mijëra euro.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.