Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Martesa: historia e një trekëndëshi dashurie

Qëkur kam dashur të shkruaj për filmin e Blertës Zeqirit, Martesa (2017), dhe tani që filmi u shfaq gjatë javës së kulturës bashkëkohore kosovare te Tulla në Tiranë mendova se është momenti i duhur. Bëhet fjalë për dramën e një trekëndëshi dashurie të luajtur nga Adriana Matoshi (Anita), Alban Ukaj (Bekimi) dhe Genc Salihu (Noli). Anita dhe Bekimi janë një çift në përgatitje të dasmës së tyre kur Noli, shoku i Bekimit, kthehet nga Franca krejt papritur për të krijuar turbullime në marrëdhëniet e çiftit.

E gjithë historia zhvillohet me traumën e luftës në prapavijë: regjisorja Blerta Zeqiri ka vendosur të hapë filmin me një skenë ku njerëzit presin trupat e zhvarrosur të të dashurve që humbën vite më parë. Kjo skenë shërben pikërisht për të na kujtuar se, në jetën e përditshme, tragjedia e luftës është vazhdimisht e pranishme, duke përcaktuar çdo moment të madh apo të vogël të jetës: njerëzit dashurohen, fejohen, martohen, argumentojnë dhe ndahen, vazhdojnë jetët e tyre, hanë darkë me të afërmit, gjithmonë me këtë gjemb në zemër që asgjë nuk mund ta tresë –  vështrimi i gjatë i Anitës kah rruga ku pritet të arrijnë trupat tregon pikërisht nevojën personale dhe shoqërore për ta mbyllur këtë kapitull, sakaq në fytyrën e Adrianës shkëlqen drita e shpresës që nuk shuhet kurrë.

Në përgjithësi filmi është xhiruar në stil dokumentari dhe dialogët janë të thjeshtë dhe të kthjellët. Stili i kamerës në çdo skenë, qoftë një skenë plot emocione ose një skenë e rëndomtë, ndihet natyral dhe spontan, duke ndjekur detajet e vogla dhe gjestet e thjeshta: skena ku Anita provon fustanin e nuses, skena ku Noli dhe Bekimi duke qenë në fillim të njohjes së tyre lozin videolojëra së bashku dhe skena e darkës ku Bekimi dhe Anita janë në tavolinë me të afërmit e Bekimit. Kamera i afrohet aq pranë sa na bën pothuajse ta ndiejmë dorën e Anitës mbi jakën e fustanit, apo dorën e Nolit mbi supet e Bekimit, apo ta shijojmë darkën që Zana ua shërben të gjithëve.

Më kujtohet së në review e Hollywood Reporter-it për filmin, thuhet se ajo skena e darkës është e lodhshme, sepse asgjë nuk ndodh dhe të gjithë i thonë njëri-tjetrit se sa shumë duhet të hanë. Për ata që nuk janë të njohur me traditat apo zakonet tona, edhe mund të duket e lodhshme. Por ne e dimë se ky në fakt është një realitet për shqiptarët. Ajo skenë ka aq shumë kuptim sa çdo skenë tjetër, sepse pa dialog të strukturuar tregon se si për shembull gruaja është në këmbë duke u shërbyer të gjithëve në tavolinë siç është zakoni në vendin tonë; se si i mirëpresim të ftuarit dhe si mund t’i bezdisim ata duke këmbëngulur të hanë dhe pak. Gjithsesi, jo të gjithë  mund të vlerësojnë detaje të vogla si kjo, sepse vërtet arti i filmit është një gjuhë universale, por pa njohurinë e kulturës tonë kjo gjuhë shpeshherë është e pakuptueshme për disa audienca.

Sido që të jetë, mund të vlerësojmë sinqeritetin me të cilin trajtohet një temë kaq komplekse dhe e kundërshtueshme si biseksualiteti. Bekimi është një personazh tragjik bashkëkohor, i hutuar dhe i humbur midis nevojës së tij për të ndjekur orientimin e tij seksual që ende është një tabu në shoqërinë tonë, dhe detyrës së tij për t’i ndjekur normat shoqërore të heteroseksualitetit. Ky personazh u flet shumë individeve me një orientim seksual tjetër nga ai që konsiderohet si ‘normë’. Pra, personazhi i tij bart në mënyrë metaforike gjithë presionin shoqëror ndaj individit biseksual, gjë që shpjegon dhe përcakton edhe sjelljen e tij të përmbajtur dhe të rezervuar që është në kontradiktë të plotë me sjelljen e Nolit, i cili tregohet më i pasionuar dhe i gatshëm të veprojë sipas asaj që i dikton zemra.

Genc Salihu i përkushtohet dhe i jep shumë personalitet rolit të tij duke përjetuar dramën e brendshme me një intensitet të guximshëm dhe të admirueshëm dhe kjo ndoshta e bën atë të vetmin personazh mjaft të kompletuar, ndërsa personazhet e tjera që rrethojnë Bekimin, Anitën, dhe Nolin janë të sheshtë. Sa për Bekimin, ai ende ngelet një figurë ose shumë komplekse për t’u portretizuar, ose tepër e vështirë për ta deshifruar, dhe stili monoton i Alban Ukajt nuk ndihmon për t’iu afruar, sepse duket sikur ai nuk i jep në plotni veten personazhit të tij.  Në fakt, Bekimi dhe Noli përjetojnë dramën e situatës së tyre në mënyrë krejt të ndryshme – mbase kjo ndërlidhet me ambientin shoqëror që rrethon dy personazhet: njëri jeton në një vend evropian, tjetri në një vend ballkanik.

Skena ku ata të dy janë në momente intime është e bukur dhe prekëse, sepse është një prelud për fatin e marrëdhënies së tyre. Dhe është përdorur në ngjashmëri absolute me skenën intime të Bekimit me Anitën, mbase duke shpresuar të tregojë bukurinë e dashurisë në të gjitha format e saj – këtu vlen të thuhet se filmi trajton dy çiftet me një vëmendje të barabartë, na jep flashbacks për të na treguar prapavijën e tyre dhe jep mundësinë të na tregojnë fytyrat e tyre në momente personale. Por, fatkeqësisht, Bekimi arin në prag të të qenët gënjeshtar, mashtrues, e jobesnik dhe kjo e dëmton balancën që regjia përpiqet të mbajë midis të qenët njeri i drejtë dhe njeri i vërtetë me vetveten.

Anita gradualisht zbehet nga historia, në mënyrë që marrëdhënia e dy djemve të zhvillohet aq sa t’u japë personazheve thellësi për t’i kuptuar më mirë. Fleshbek (flashback) është një mjet i dobishëm në këtë aspekt, por në rastin e parë që u përdor, kalimi nga koha digetike (koha e historisë) në kohën e fleshbekut ngjau krejt papritur, pa shenja. Vetëm kur dëgjojmë emrin e Anitës, e cila tani është një vajzë e re, e kuptojmë se kjo është një kohë tjetër në tregimin të historisë. Gjithashtu, edhe aktrimi i dy aktoreve qe amatoresk. Shohim një Anitë në moshën e re, e cila pi duhanin fshehurazi, dhe kur e ëma e gjen në dhomë, e vëren. Por, dialogu i tyre nuk ndihet aspak natyral.

Të kthehemi përsëri te Bekimi, ndoshta instiktivisht e falim për sjelljen e tij të pandershme gjatë filmit, edhe pse përfundimisht ai vendos të bëjë ‘të drejtën’ sipas kushteve të vendit dhe kohës, duke e tradhtuar kështu edhe Nolin, edhe ndjenjat e tij të vërteta. Filmi përfundon me ndarjen e dy djemve, jo me martesën e Bekimit dhe Anitës – gjë që sugjeron në mënyrë implicite se në një shoqëri ku imponohet një normë e vetme marrëdhëniesh seksuale, nuk ka fund të lumtur për askënd. Dhe këtu qëndron mesazhi qendror i filmit: si mund të ecin përpara shoqëritë moderne – dhe Kosova përpiqet të jetë një shoqëri e tillë – duke qenë ende të zhytura në tradita shekullore e të kapura me kokëfortësi pas tyre?

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.