Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Si po i gdhend nacionalizmi të rinjtë e Kinës

Ata po ndjehen më mbrojtës së kurrë për arritjet e vendit

Yan’an – qyteti 2 milionësh i minatorëve në provincën Shaanxi, nuk tërheq vëmendjen e turistëve. Megjithatë, gati 50 milionë kinezë vijnë këtu çdo vit përgjatë shtegut “të turizmit të kuq” të Kinës. Zonat historike të kësaj ane janë mes njëqind e cave të tilla që kanë mbirë me qëllim të festimit të së kaluarës komuniste. Yan’an ka qenë bastion i komunistëve nën Mao Zedong-un gjatë kohës së luftës prej 1937 deri pak para se ta merrnin pushtetin më 1949. Atëbotë, shumë të rinj ia mësynë Yan’an-it për t’iu bashkuar kauzës së Mao-s. Sot, ata ende vërshojnë qytetin.

Gati gjysma e udhëtimëve të turizmit të kuq bëhet nga kinezët nën 30 vjeç, thotë Ctrip, firma më e madhe e udhëtimeve në Kinë. Anëtarët e rinj të partisë shkojnë në Yan’an për të vizituar shpellat ku Mao bënte planet. Ata mbarojnë me zotime të ringjallura komuniste ose interpretime të zhurmshme të “Lindja është e kuqe.” Studentët përfundojnë lëndë obligative mbi historinë e partisë dhe ideologjinë, përfshi edhe kalimin e një nate në shpellë. Veshin me gëzim uniforma të kopjuara ushtarake ngjyrë blu dhe kapela me yll të kuq, e çanta me fytyrë të Mao-s të printuara në to.

Qing Wenhui, udhërrëfyese 23 vjeçare, thotë se shumë kinezë “preken thellë” nga vizita e tyre. Ata e pyesin lidhur me mundimet që kishte pasur Mao (ajo di se si të mos i vëjë veshin pyetjeve rreth të dashurave të tij). Një vizitë nëpër shpella dhe një vështrim i shpejtë i vaskës së drunjtë të Mao-s frymëzojnë më shumë se librat shkollorë, thotë ajo. Një mësues i ri matematike thotë se ka ardhur për të kuptuar se “si u ngrit Partia Komuniste” nga këto kodra. “Kurrë mos harro prej nga ke nisur, apo jo?” thotë me nënqeshje, duke cituar matrën e Xi Jinping-ut.

Z. Xi dëshiron të përforcojë besimin në qeverisjen e partisë mes të rinjve. Ata nuk ndjejnë lidhjen emocionale me të, sikundër prindërit e tyre. Ata nuk kanë njohur as kuptojnë varfërinë ekstreme. Shteti nuk ka kontroll mbi jetët e tyre, sikundër kishte për prindërit e tyre, kur vendet e punës, shkollimi, strehimi dhe kujdesi shëndetësor zbatoheshin nga danwei (njësitë e punës) që i mbikëqyrnin për çfaërdo shenje të mosbindjes. Katër nga pesë studentë janë anëtarë të Lidhjes së të Rinjve Komunistë, të cilës mund t’i bashkohesh në moshën 14 vjeçare dhe e cila shërben si trampolinë për anëtarësinë në parti në moshën 18 vjeçare. Sidoqoftë, shumica e sheh këtë thjesht si mënyrë për të forcuar CV-në. Kërkohet shpesh në vendet e punës në firmat e shtetit e në qeveri. Themeluesit e startup-ëve i bashkohen partisë për të treguar korrektësi politike (Jack Ma i Alibaba-s, një ndërmarrës që frymëzon shumë të rinj, është anëtar).

Më 2019, Z. Xi tha se partia duhej të “bënte për vete një numër të madh të rinjsh” për të bërë të mundur që kauza e saj kalon “nga brezi në brez”. Partia është përpjekur ta bëjë këtë duke rrënjosur patriotizmin në shkolla, duke kultivuar joshje tek të rinjtë online dhe duke shtuar cenzurën. Si pasojë, kemi një brez të rinjsh që konsumon në masë të madhe pop kulturën dhe modën e huaj, e megjithatë ndjehet më mbrojtës se kurrë ndaj arritjeve të Kinës. Plot prej tyre derdhin lekë për mallra të importuara. Por shumë prej tyre shfaqin patriotizmin duke mbathur brende lokale, cilësia e të cilëve po përmirësohet shpejt, që prej mbathjeve sportive Li-Nang, brend i ish gjimnastit oplimpik, deri te buzëkuqet nga firma e kozmetikës Perfect Diary.

Kjo ia bën qejfin Z. Xi, i cila ka inkurajuar të rinjtë që të tregojnë se krenaria kombëtare “nuk është thjesht parrullë”. Pyesni të rinjtë çfarë mendojnë për ballinat e propagandës që shihen çdoku, dhe shumë prej tyre kapsallitin sytë. Gjithsesi, njëra fjali kumbon: se komunistët shpëtuan Kinën nga një “shkekull poshtërimi” në duart e fuqive të huaja që filloi me luftën e Opiumit më 1839. Vetëm duke i bërë ballë Perëndimit, thotë porosia, Kina mund të ngritet sërish.

Kinezët e rinj shpesh përkrahin bojkotet ndaj firmave dhe ekipeve të huaja sportive që e ofendojnë Kinën. Shkeljet e tilla, si psh hartat e Kinës që përjashtojnë Tajvanin ose që e paraqesin Hong Kongun si rajon të ndarë. Më 2019, shumë shtëpi mode u kritikuan aq ashpër saqë hashtagu “#LuxuryBrandsApologyDay u bë viral në platformën kineze Weibo. Zemërimi shpërtheu kur Daryl Morey, manaxheri i ekipit të NBA Houston Rockets, shkroi një tweet në përkrahje të protestuesve prodemokratikë në Hong Kong. Kundërpërgjigjja i kushtoi NBA-së humbje prej $400 milionë. Televizioni shtetëror nuk transmetoi lojërat e saj për një vit të plotë.

Pothuajse të gjithë kinezët kundërshtojnë pavarësinë e Tajvanit dhe Hong Kongut. Prapëseprapë, rreth 500 milionë tifozët kinezë të NBA-së u gjetën në mëdyshje: duke dashur të mbrojnë sovranitetin e vendit, por të mërzitur për mungesën e ndeshjeve. Shpesh është e vështirë të thuhet nëse presioni për bojkot vjen nga qytetarët apo zëdhënësit e partisë. Në tetor, një sulm i një medie shtetërore kundër BTS, grup i famshëm i K-pop muzikës, për shkak të një ofendimi për rolin e Kinës në luftën koreane dështoi, meqë mediat larguan pa zhurmë artikujt që godisnin BTS-në. Kjo nënkupton se mediat e drejtuara nga partia duan të tregojnë se janë të afërta me të rinjtë.

Një tjetër taktikë është që partia të paraqitet si hip. “Socializmi është goxha kull” është emision për jetën e Z. Xi. Këngët rap i thurin lavde partisë. Gjithashtu, partia mundohet ta përdorë zhargonin e adoleshentëve. Për të moshuarit, Kina është “mëmëdheu”; për fëmijet e tyre është Zhong gege, ose “baca Kinë” – që nënkupton se ajo duhet të dashurohet pa bërë zë. Marrëdhënia mes partisë dhe netizenëve (qytetarëve të internetit) paramendohet si ajo mes idhullit dhe fansit, duke nxitur një lidhje të re emocionale me të rinjtë, thotë Liu Shih-Diing i Universitetit të Makaut.

Lindja është rozë

Thirrjet e tilla shoqërohen gjithashtu me metoda më të mbrapshta. Me t’u ngritur Z. Xi në pushtet, zyrtarët u thirrën në takime sekrete për një letër të partisë të titulluar “Dokumenti Numër Nëntë”. Urdhëresa ndalonte shkollat që të mësonin shtatë koncepte perëndimore, sikurse demokracia kushtetuese, vlerat universale, shoqëria civile dhe shtypi i lirë. Kjo kishte ndikim të madh mbi universitetet si qendra të aktivizmit studentor dhe debatit politik.

Merrni për shembull dallimin e madh në përvojë mes studentëve të lindur në vitet ’90 dhe atyre të lindur në vitet ’80. Kur u lançua Weibo më 2009, liria e fjalës lulëzoi. Por pas zhurmës së shkaktuar nga përplasja vdekjeprurëse e trenit më 2011, censuruesit shtypën fjalën e lirë. Fang Kecheng, ish gazetar i cili studioi në Universitetin e Pekinit në vitet 2004-10, thotë se “kujtesa e brezit të tij” është ajo e shkëmbimit të klipeve të ndaluara të protestave të Tiananmenit më 1989. Të tjerët kujtojnë përvojën e surfimit në Google, dokumentarët e huaj në YouTube dhe bisedat në Facebook. Prej vitit 2010, në Kinë nuk lejohet qasja në këto uebfaqe. Askush që është lindur pas vitit 1992 nuk mund të përdorë Google-in, i cili u largua nga Kina pas refuzimit që të filtrojë makinën e saj kërkuese – edhe pse shumë prej të intervistuarve thanë se përdorin rrjete virtuale private për të qasur Instagramin, Facebookun dhe Twitterin. Që prej 2015, shumë universitete kanë krijuar departamente për mbikëqyrjen e mendimit politik të profesorëve. Studentët e vitit të parë të nja 30 e ca universiteteve, tash marrin lëndë obligative mbi Mendimin e Xi Jinping-ut, përkrah lëndëve të kahershme mbi Marx-in dhe Mao-n.

Kur të kenë mbërritur në universitet, studentët do të jenë mbrumosur me edukimin patriotik për shumë vite shkollë. Kjo u intensifikua pas Tiananmenit, të cilin liderët e partisë e panë si dështim të indoktrinimit. Theks edhe më i madh u vu mbi poshtërimin e Kinës në të kaluarën nga të huajt. Më 2004, librat e ri shkollorë të politikës për shkollat e mesme synonin formimin e një  “botëkuptimi të kohës”. Një studim i botuar në Journal of Political Economy më 2017, gjeti se studentët kishin filluar të kishin mendime më të mira për regjimin, dhe më pak të mira për demokracinë dhe tregjet e lira.

Një tjetër taktikë e partisë është manipulimi i diskutimit online. Jennifer Pan nga Universiteti i Stanfordit tregon se llogaritë e mediave sociale të kontrolluara nga qeveria publikojnë po aq ‘clickbaits’ sa edhe llogaritë e njerëzve të famshëm. Censuruesit lejojnë bisedat rreth temave për të cilat mendojnë se shumica e netizenëve do të jenë në anën e qeverisë, thotë Yiqing Xu nga Stanfordi, dhe kështu i japin fund argumenteve të zjarrta që mund të nxehin njerezit. Kjo metodë e mençur është duke i dhënë përshtypjen e rreme shumë të rinjve se hapësira kibernetike e Kinës po bëhet më pak, e jo më shumë, kufizuese.

Shteti gjithashtu duartroket blogerët me ndikim, të cilët përsërisin parullat e partisë (ata të cilët “shkruajnë vepra me energji positive”). Mes atyre që lavdërohenn është një grup i quajtur xiao fenhong, ose “rozet e vogla”, që duket te jenë kryesisht gra të reja. Një marifet për tërheqjen e vëmendjes ishte bombardimi i faqes së Facebook-ut të skeptikes kineze Tsai Ing-een me komente negative, pas përzgjedhjes së saj presidente e Tajvanit më 2016. Fushatat e presionit të netizenëve në Weibo për të mbyllur llogaritë që publikojnë pikëpamje disidentësh po shumëzohen.

Netizenët ende gjejnë mënyra për të shfaqur mospajtim. Pas vendosjes së ligjit të sigurisë kombëtare në Hong Kong nga qeveria qendrore në qershor 2020, librat e shkruar rreth kësaj ngjarjeje morën breshëri vlerësimesh me një yll në uebfaqen Douban. Vitin e kaluar, një garues në spektaklin “Rap për rininë” publikoi një akrostik në Weibo dhe akuzoi institucionin mbikëqyrës të mediave kineze për censurim të tekstit që dënonte ngacmimin seksual. Por me rritjen e zërave shovinistë, është e vështirë të gjenden diskutime të mirëfillta politike online. Netizenët vetëcensurohen, ose nuk flasin fare. Yaqui Wang nga Human Rights Watch, e lindur në vitet ’80, thotë se të rinjtë nuk kanë më qasje te intelektualët publikë kinezë sikurse avokatët dhe aktivistët që e frymëzuan. Shumica janë persekutuar ose u është mbyllur goja.

Shumëçka shfaqin të rinjtë është patriotizëm performativ, ngaqë është më e lehtë dhe më e sigurt të mbash anën e të fortit. Në një studim të vitit 2015, Huang Haifeng nga Universiteti i Kalifornisë, argumentonte se propaganda mund të frenojë mosbindjen duke demonstruar fuqinë e shtetit. Në një test të edukimit patriotik, ai gjeti se studentët që kishin rezultatet më të mira jo vetëm që ishin prej më kritikëve ndaj regjimit privatisht, por gjithashtu edhe me më së paku gjasa për të shprehur mosbindjen publikisht. Sensi i komunitetit, nevoja për të shfryrë dhe dëshira për të protestuar, janë pjesë e përzierjes. Sidoqë të jetë, mes kinezëve të rinj vërehet një përkeqësim në përceptimin e botës së jashtme.

***

Artikulli origjinal në The Economist

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.