Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Çka tutje me FSK-në?

Vendimi i ngutshëm i Presidentit për ndryshimin e misionit dhe mandatit aktual të FSK-së nëpërmjet ligjit, duke mos u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, opozitën dhe partnerët ndërkombëtarë e dëmtoi procesin e transformimit të FSK-së. Ky veprim ngjalli një kundërshtim të paparë ndonjë herë, nga partnerët strategjik ndërkombëtarë (NATO dhe SHBA) rreth këtij procesi. Iniciativa e marrë nga presidenti duhet të shërbejë si mësim në të ardhmen se si të veprohet me kujdes drejt arritjes së qëllimit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në FAK, gjegjësisht ndryshimi i misionit aktual të FSK-së duhet të jetë ndër prioritetet kryesore për Qeverinë e re të Kosovës si dhe legjislativin. Mirëpo, ky proces nuk duhet të jetë i ngutshëm dhe nuk duhet të shërbejë për përfitime personale apo për agjenda të caktuara politike. Ky proces duhet të tentohet që fillimisht të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese (edhe pse kjo është shumë e vështirë për shkak të kundërshtimit nga deputetët serb në Parlamentin e Kosovës)  dhe në momentin e shterjes së të gjitha mundësive që procesi i transformimit të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, atëherë të shkohet me versionin e ndryshimit të ligjit aktual të FSK-së.

Procesi i ndryshimit të mandatit aktual të FSK-së apo transformimi i saj në FAK duhet të jetë proces gjithpërfshirës, transparent dhe në bashkëpunim me të gjitha partitë politike në Kosovë, partnerët strategjik ndërkombëtarë të Kosovës si dhe në komunikim të ngushtë me të gjitha komunitetet  pakicë në Kosovë, veçanërisht me komunitetin serb.

Qeveria e Kosovës, paralelisht me fillimin e transformimit të FSK-së, duhet t’i paraprijë zhvillimit të një dialogu me partnerët strategjik të Kosovës, veçanërisht me NATO-n, SHBA-në dhe aleatët tjerë. Krahas kësaj, duhet të ketë një përkushtim të veçantë me qytetarët dhe të rinjtë serb në Kosovë me qëllim që t’u tregohen mundësitë që iu ofron për ta FSK, apo në të ardhmen të FAK-u. Me synim të zhvillimit të debatit të hapur me komunitetet pakicë, përkatësisht atë serb, duhet të vizitohet çdo fshat dhe komunë me përbërje të përzier etnike në mënyrë që qytetarët serb, veçanërisht të rinjtë të njoftohen rreth mundësive që ofron FSK dhe transformimi i saj, siç janë: mundësitë për punësim, ngritja në karrierë, paga të mira, trajnim dhe edukim të mirë, si dhe mundësinë që e kanë t’u ofrojnë siguri Kosovës dhe komunitetit serb.

Dialogu me qytetarët serb duhet më shumë të fokusohet në mundësitë që i ofron FSK-ja ose ushtria e ardhshme e Kosovës dhe të mundohen që maksimalisht ta eliminojnë dialogun politik që mund të mbretërojë përgjatë procesit të ndryshimit të misionit dhe mandatit të FSK-së qoftë nga Beogradi apo nga Lista Serbe.

Institucionet e Kosovës duhet të mendojnë për një strategji për të bindur faktorin ndërkombëtar pse tani është momentumi i duhur për fillimin e  themelimi të Ushtrisë së Kosovës. Pra, partnerëve strategjik duhet t’u shpjegohen saktë argumentet pse duhet të themelohet ushtria. Argumenti i cili është përdorur deri më tani nga Kosova, se themelimi i ushtrisë është e drejtë e Kosovës nuk vlen, sepse në asnjë rrethanë partnerët tanë ndërkombëtarë nuk e kanë vënë në dyshim të drejtën e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj.  Argumenti kryesor në të cilin duhet të insistojë Qeveria e Kosovës rreth themelimit të ushtrisë së Kosovës është se institucionet e Kosovës tani më janë “pjekur” dhe janë të gatshme të marrin përgjegjësi shtesë ne fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë. Në këtë drejtim, kompetencat që  i ka aktualisht KFOR-i duhet që përmes një procesi gradual t’ju transferohen institucioneve vendore të sigurisë. Me këtë edhe do të përmbyllej arkitektura e sigurisë dhe e mbrojtjes, ndërsa do të ndikonte në zhvillimin e pronësisë vendore të sektorit të sigurisë.

Misioni aktual i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk ka ndonjë strategji dalëse për t’u tërhequr nga Kosova, pavarësisht përmirësimit të ambientit të sigurisë në Kosovë në njërën anë, si dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale të institucioneve lokale të sigurisë respektivisht FSK-së në anën tjetër. Edhe pse fjala është për raste të ndryshme në kontekst të situatës së sigurisë, do të mundohemi të bëjmë një krahasim të misioneve të NATO-s në Afganistan e Irak dhe misionit të KFOR-it në Kosovë. Misionet e NATO-s në këto dy të parat kishin një strategji dalëse, përkundër gjendjes jo edhe aq të mirë të sigurisë Afganistan dhe Irak. Ndërsa në rastin e Kosovës, edhe pse gjendja e sigurisë është shumë më e mirë se në Irak e Afganistan, KFOR-i ende nuk ka menduar një strategji konkrete të tërheqjes nga Kosova dhe transferimin e kompetencave në institucionet vendore. Misioni i KFOR nuk ka hartuar strategji dalëse nga Kosova për arsyetimin se NATO qasjes neutrale që NATO e ka ndaj statusit politik të Kosovës, si dhe mosnjohjes së saj nga 4 vende anëtare të NATO-s. Misioni i KFOR-it vepron në kuadër të rezolutës 1244, dhe e cila nuk e njeh realitetin politik në Kosovë.

Edhe Ministria e Jashtme e Kosovës (MPJ) duhet të jetë shumë më aktive që të bind shtetet anëtare të NATO-s dhe partnerët tjerë që të mbështetin përpjekjet e Kosovës për themelimin e ushtrisë së Kosovës, qoftë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese apo edhe ndryshimit të Ligjit aktual për FSK-në. Pra, vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerëve përkatës duhet t’u shpjegohet se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile dhe se institucionet e shtetit (përfshirë FSK-në) kanë kapacitetet e mjaftueshme për marrjen e kompetencave të mbrojtjes nga ana e KFOR-it, nëpërmjet një procesi gradual. MPJ-ja, nëpërmjet ambasadorëve dhe atasheve ushtarakë në misionet diplomatike jashtë vendit, duhet të aktivizohet në lobim drejt marrjes së mbështetjes ndërkombëtare në arritjen e këtij qëllimi.

Sfidat e sigurisë në nivel global, sidomos konfliktet në Lindjen e Mesme, kërcënimet nga terrorizmi, ISIS-i si, rritja e kërcënimit të Rusisë, ndikimi kësaj të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe konflikti në Ukrainë janë kërcënime më të mëdha me të cilat duhet të përballet NATO-ja. Argumente të tilla mund të përdoren nga Kosova si arsye për themelimin e ushtrisë së Kosovës si dhe “lirimin e NATO-s” që të përqendrohet në vendet dhe rajonet që ballafaqohen me kërcënime serioze të sigurisë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.