Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dehja nga pushteti

Në një shoqëri sikur e jona ku kemi krizë të thellë të identitetit, legjitimimi i formave të stërkequra identitare, por edhe manipulimi si formë, është më se i pranishëm. Në një rast të tillë (siç jemi ne), arratisja nga vetvetja është rruga më e lehtë. Kjo arratisje është e përmasës së përgjithshme dhe në gjithçka. Krejt kjo pastaj na e derivon një situatë absurde ku nuk e kemi të qartë se çfarë duam dhe çfarë duhet. Nivelin e dëshirave e përziejmë me nivelin e nevojave që kemi. Kjo tregon se sa konfuzë jemi si shoqëri, sepse pikërisht për faktin se kriza idntitare sjell edhe krizën e legjitimitetit, pra, edhe konfuzitet gjithandej. Kjo qasje në psikanalizë konsiderohet si skizofreni. Pra, në një formë të tillë edhe shoqëria jonë mund të konsiderohet si ‘shoqëri skizofrenike’. Përgjithësisht oscilojmë në mes të nacionalizmit, socializmit, të djathtës ekstreme, domethënë një shpërfytyrim i llojit të vet.

Ndërsa klasa politike e ka shpërfaqjen më të kristaltë të këtij shpërfytyrimi karakterial. Është aq e dehur nga pushteti dhe për pushtet saqë janë në gjendje që të rrënojnë çdo gjë që është krijuar deri më tani. Ky gjest skizofrenik i tyre bartet dhe është bartur edhe tek shoqëria në përgjithësi. Kontestimi i çdo gjëje na ka sjellë në situatën e defunksionalizimit të shtetit dhe kontaminimin e komunikimit të ndërsjellë. Kjo paralizë mendore ka sjellë paralizimin e shtetit. Kjo mendësi po ashtu po tenton të sjellë një mentalitet polarizues, ose je me ‘ne’, ose je kundër nesh. Një mendësi e tillë i përket atyre strukturave ideologjike që si mjet subversiv të ndikimit në shoqëri e kanë dhunën. Krejt kjo e kapërthen konstruktin social në një ngërrç mental dhe krijon oazë të kontaminuar mendore.

Për këtë ky mentalitet dhunues për shoqërinë tonë është bërë pothuajse pragu i patejkalueshëm. Një vetëkurthim i tillë na ka sjellë në pikën e atillë ku jemi në gjendje që të përdorim çdo mjet për të arritur një copë pushtet. Keqpërdorimi i qëllimshëm qoftë i politikanit, qoftë i nëpunësit administrativ, i gazetarit, i studentit, i mësuesit, i biznesmenit, i priftit, i hoxhës, etj., është bërë thembra e Akilit për funksionimin normal të shoqërisë sonë. Secili (pothuajse secili), nga pozicioni që kemi edhe abuzojmë. Një mendësi e tillë ka krijuar një shoqëri emfatike, që përditë e më shumë po shkon drejt rrënimit. Dalja në pah e lloj-lloj ideje, e ideologjie si politike ashtu edhe religjioze, është duke krijuar një armiqësi të heshtur brenda shoqërisë.

Kalbja e strukturave politike përditë e më shumë po sjell në jetë forma të ndryshme të abuzimit, saqë keqpërdorimi i sferës publike është bërë rregull i pashkruar. Secila sferë e shoqërisë është pothuajse në kolaps total, për shkak të pamundësisë së lëvizjes së mendimit përpara. Keqpërdorimi me fjalën e lirë ka krijuar kakofoni shoqërore, kurse domonstrimi për çështje më interes ka kaluar në banalitet, jo për shkak të kërkeses (që shpeshëherë edhe kjo është idioteske), por për shkak të metodës.

Krejt kjo e shtron nevojën urgjente që të reflektojmë mbi atë se mbi ç’bazë duhet ta rregullojmë jetën shoqërore në përgjithësi, sepse siç edhe po vërejmë kjo nuk është rruga që duhet ndjekur. Krijimi i një baze të shëndoshë shtron nevojën e domosdoshme të një sinqeriteti reciprok. Shtendosja nga mendësitë e mbrapshta është kushti elementar. Duhet që urgjentisht të heqim dorë nga ideja se ne jemi shpëtimi për të tjerët. Ideja e mesianizmit është shkatrrimtare për një shoqëri, mbase kjo historikisht është dëshmuar. Shtetndërtimi nuk bëhet duke u rrëmbyer pas heronjëve të momentit, por nga puna e përditshme e secilit. Forma më rezultative e ndërtimit të shtetit është gradualitetit.

Shteti në ditët e sotme është një ndërmarrje komplekse që nuk rregullohet me një “kaçavidë”, e as me një të rënë sheshit. Vetëm injorantët mendojnë dhe besojnë se mund ta rregullojnë gjendjen duke rrënuar çdo gjë, sepse kanë për ta ndërtuar më mirë se ç’ishte. Në ditët e sotshme nuk konsiderohet shoqëri serioze dhe gjithashtu nuk njihen si politikanë seriozë ata që mendojnë se zgjidhje janë metodat revolucionare.

Një mentaliteti i tillë është i prirë të krijojë vetëm katrahura. Andaj, politika të tilla të papërgjegjshme verbërohen nga pushteti dhe nuk çajnë kokën për rrënimin e shtetit. Për këtë klasa ‘jonë’ politike, pothuajse në përgjithësi, është klasë antishtet, s’paku veprimet e tyre e lënë një shije të tillë. Mbajtja apo marrja e pushtetit pa përfillur qoftë edhe rregullat minimale të demokracisë, është treguesi i karakterit të tyre rrënues. Me një ritëm të tillë destruktiv ngrehina jonë që kemi ndërtuar (bashkë me ndihmën e të tjerëve), do t’na zërë një ditë.

Prandaj, shoqëritë e përgjegjshme, elitat politike të përgjegjshme po ashtu, bëjnë gjithë ç’është e mundur për t’i shmangur këto forma retrograde. Edhe përkundër mundit, edhë përkundër problemeve që dalin në rrugëtimin e shtetndërtimit, shoqëritë me karakter të fortë që nuk u nënshtrohen kërkesave joshëse të politikanëve shpirtpezmatuar dhe aventurierë, ia dalin mbanë. Këto shoqëri mbërrijnë në një pikë të atillë duke u përpjekur çdo ditë, duke e dhënë maksiumin nga vetja e tyre. Pra, duhet të synojmë që të prodhojmë elita politike që nuk yshten nga pasioni i stërkequr me çdo kusht për mbajtje ose marrje të pushtetit. Parti të tilla shoqëria duhet të dijë t’i nxjerrë jashtë lojës. Është e vërtetë maksima weberiane se: “Partitë politike synojnë pushtetin”, por ato gjithsesi sot duhet t’u nënshtrohen normativitetit demokratik. Përgjegjshmëria është elementi kyç në demokraci, e cila në shoqërinë tonë është në deficit. Prandaj, kjo papërgjegjshmëri kolektive duhet çrrënjosur nga mesi ynë, përndryshe do të vuajmë edhe më për shkak të kryeneçësisë.

Duhet kuptuar se nderi, besa dhe morali në përgjithësi i takojnë rregullave tradicionale dhe kanunore, por që në shtetet ku pretendohet rregulli demokratik është ligji ajo instanca e fundme rregullative e marrëdhënieve ndërshoqërore. Për këtë pushteti tek ne duhet përceptuar jo si qëllim për eleminimin e tjetrit, por si një mundësi nëpërmes të cilit mund të bëjmë ndryshime në të mirë të shoqërisë. Një qasje e tillë tregon racionalitet, që është minimumi i domosdoshëm i një elite politike. Pa një dominim të racionalitetit është pothuajse e kotë që të kemi një zhvillim të shëndoshë, sepse mungesa e racionalitetit hap mundësinë e krijimit të aventurave politike të llojllojshme që sjellin vetëm probleme. Zhvillimi i botës perëndimore i përket një qasjeje të tillë, ku argumentimi i arsyeshëm ka qenë çdoherë i praanishëm. Ikja nga një formë e tillë, është ngarendje nëpër ujëra politike të zymta.

Prandaj, e gjithë kjo e shtron nevojën e domosdoshme që të reflektojmë edhe përkundër pakënaqësive që kemi dhe mund të kemi, që ta rrisim sensin e reflektimit racional. Duhet që mos t’u japim shansin e dytë politikanëve të korruptuar, por gjithashtu mos t’ia japim as shansin e parë atyre që mendojnë se duhet ndërtuar diçka krejt e re, sepse çdo gjë që është ndërtuar është gabim. Penalizimi nga ana e shoqërisë të këtyre lloj mendësive është akti i një shoqërie të emancipuar, e cila nuk toleron që të jetë pjesë e një fushe ku ekzistojnë vetëm dy zgjedhje të tilla. Fuqia e një shoqërie nuk matet me zgjidhjen definitive të problemeve, por me mundësinë e krijimit të alternativave si zgjedhje të mundshme. Andaj, shoqëria jonë që të bëhet një shoqëri prodhuese e alternativave duhet që s’pari të bëhemi një shoqëri e mirëfilltë, një shoqëri ku së pari e respekton vetveten.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.