Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Republika K.

Republika K.

***

Kjo republikë e lënë nën mëshirën e humanizmit të pafat dhe e braktisur gati përfundimisht, neve nuk na pëlqen ta themi këtë gjë, nga arsyeja e shëndoshë që buron nga logjika e njeriut, është një gërmadhë e shqetësimit. Kjo republikë e kafshuar nëpër trupin e saj nga hienat politike që shpërndajnë mishin e saj në drejtim të militantëve të rinj e të persekutuar shpirtërisht e mendërisht nga ideologji të çfarëdoshme, është një dhomë e pajetueshme, një fushë e madhe e gjakut që bërtet. Kjo republikë e dinjitetit të deformuar, që i jep të drejtën e gabuar dhe gabimin e së drejtës, të gjithë qytetarëve të saj duke ngashnjyer njërin kundër tjetrit apo tjetrin kundër njërit, është masa e harbutërisë sonë të mjerë. Kjo republikë e mbushur me subjekte politike që përdhunojnë qytetarët e saj nëse nuk i përkasin njërës apo tjetrës, është një domosdoshmëri fund e krye përbuzëse, tallëse dhe e dhunshme.

Kjo republikë që shfrytëzon plagët e veta, është një kafshë e frikshme. Që nuk ka asnjë synim tjetër pos asaj që kanë të gjitha kafshët. Instinktin e egër. Mbijetesën. Dhe rrjedhimisht thonjtë në fytin e sojit tjetër. Që nëse nuk mendon si ne, e meriton këtë flakje tutje në esencën e poshtërimit dhe thelbin e së padobishmes. Kjo republikë e sunduar nga matrapazët e lumtur dhe me asgjësimin e të gjitha mundësive të reja, është një kthim i pamundshëm metafizik mbi atë se kush jemi ne, zhytur kaq thellë në strategjinë e eliminimit kundër secilit që është tjetri.

***

Në këtë situatë të përgjithshme politike, ku pamundësia për të qenë njeri normal është gati e paekzistueshme, na mbetet sall ta zhysim kokën në kashtën e kalbur të realitetit, në mënyrë që të mbijetojmë nga metamorfozat e çuditshme ideologjike, që vlojnë në trurin e secilit njeri, ndëshkuar të gjallërojnë në këtë atdhe të frikshëm. Nuk më vjen keq ta them se simpatitë e mia për prijësit e shumtë të këtij vendi, janë fashitur dhe hedhur në kontejnerin e pesimizmit të skajshëm. Jam kundër të gjithë skenës politike në këtë vend. Mbase ky është i vetmi revolucion i panevojshëm. I njëmendtë. Dhe i duhur. Nuk jam me asnjërin dhe të gjithë pa asnjë përjashtim i shoh përgjegjës për gjendjen tonë të përbashkët, si një mikro shoqëri e kompleksuar, në vorbullën e ngjarjeve kudo në botë. Tërësisht të pandërgjegjshëm ndaj grigjës së deleve të humbura në oborrin e tyre. Kjo skenë e kapitalizmit të egër politik, ku nuk ka asnjë konsideratë ndaj virtytit njerëzor, ku qytetarin e tij e zhveshë nga çdo parim i shëndoshë, është në shërbim të vetvetes dhe rrjedhimisht sunduesit, nuk ka gjasë të dallojnë nga njëri tjetri. Ata thjesht janë të ndryshëm brenda së njëjtës ide. Brenda së njëjtës sjellje dhe brenda së njëjtës qeverisje.

***

Kamyja, mendon se çdo brez, padyshim, kujton se i bie të rikrijojë botën. Ai mendon se brezi i tij nuk ishte që ta rikrijonte por ta ndihmonte që të mos shpërbëhej. Tani nëse më lejoni, të marr shembullin e tij e për më shumë se kaq ta shënjestroj brezin tim këndej pari, atëherë më duhet ta them se ne kemi nevojë që më shumë se kurrë ta rikrijojmë veten tonë. Shoqëria jonë e ndërlidhur me politikën, e ka prishur thjeshtësinë e çiltër të saj. Sipas Kamysë mungesa e karakterit sjellë metodën. Ne vuajmë nga shumëllojshmëria e metodave, që bëjnë mrekulli dhe unë banoj në njërin nga vendet ku ligësia është institucion kombëtar.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.