Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mungesa e mirëqenies cenon lirinë

Mungesa e mirëqenies cenon lirinë

Kushtetuta e Kosovës, si çdo kushtetutë e një vendi demokratik, hapësirë të veçantë u jep të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke i cilësuar ato si shtylla të pandashme, të patjetërsueshme dhe të pacenueshme të Republikës së Kosovës. Të njëjtat parashihen të garantohen dhe mbrohen me të gjitha instrumentet në dispozicion të shtetit. Në aspektin normativ, pra në atë kushtetues, jemi të lirë dhe me plot të drejta. Por, a mjafton kjo? A kanë kuptim këto parime kushtetuese në një situatë të rënduar socio-ekonomike?

Para se t’i jap përgjigje kësaj pyetje, është e nevojshme që së bashku me lexuesin e vëmendshëm ta bëjmë një shëtitje tek parametrat kryesor socio-ekonomik. Sipas statistikave zyrtare, bruto prodhimi vendor për kokë banori (të gjitha produktet dhe shërbimet që realizohen brenda një viti për kokë banori) është përafërsisht 3,560 dollarë amerikan, më i ulët se në Shqipëri (3,945), Bosnjë dhe Hercegovinë (4,249), Maqedoni (4,842) dhe Serbi (5,235). Niveli i papunësisë në Kosovë është rreth 33 për qind. Tek të rinjtë e moshës prej 18-24 vjeç situata është edhe me e rënduar – papunësia shkon gati në 58 për qind. Edhe tek ky indikator qëndrojmë më së keqi krahas vendeve të regjionit.  Varfëria, për më shumë, është në margjina të njëjta, e mbërrin 30 përqindëshin; ndërsa varfëria e skajshme shkon deri në 17 për qind. Thënë ndryshe, janë 30 për qind e kosovarëve që jetojnë me më pak se 1.42 cent në ditë, ndërsa 17 për qind me më pak se 94 cent.

Kjo fotografi shpërfaq peripecitë ekzistenciale të kosovarëve. Të jetuarit nën presionin e sigurimit të kushteve bazike të jetesës e vendosë në pikëpyetje të gjithë legjitimitetin e sistemit ligjor, politik dhe social, përshirë edhe të drejtat dhe liritë themelore, pavarësisht se ato janë të garantuara me kushtetutë. Mungesa e mirëqenies socio-ekonomike, madje, është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut. Prej prizmit kushtetues, qytetari tipik i Kosovës mund ta ketë të garantuar të drejtën e zgjedhjes (në përgjithësi, jo vetëm në kuptimin politik), por çfarë kuptimi ka kjo e drejtë vis-a-vi  kufizimeve të skajshme financiare; mund ta ketë të drejtën e martesës dhe familjes, por sa e lehtë është kjo kur çdo ditë jetohet nën ankthin e sigurimit të kushteve bazike për fëmijët; mund ta ketë të drejtën e punës, të shkencës, të integritetit personal dhe një serë të drejtash tjera, por të gjitha këto janë vështirë të realizueshme në mungesë të një kategorie esenciale siç është mirëqenia.

Shkrimtari i mirënjohur francez, Albert Kamy, mungesën e mirëqenies e krahason me tirani, pra e vendosë në ekuivalencë me cenimin e lirisë që buron nga aktet normative në sisteme diktatoriale. Të mos keqkuptohem, nuk them që në kontekstin tonë këto të dyja janë të barasvlershme. Por, gjithsesi se një version modern i cenimit të lirisë dhe i drejtave fondamentale po dominon tek ne. Burim i këtij versioni, për dallim, është varfëria.

Ithtarët e anarkisë mund të thonë që krijimi i mirëqenies i takon vet qytetarit. Është iluzive, megjithatë, t’i atribuohet qytetarit përgjegjësia kryesore për mirëqenien e tij kur kihet parasysh që shumë kufizime i ka të parapërcaktuara. Ekonomisti, Xhefri Saks, këtë dukuri e përkufizon duke e quajtur kurth të varfërisë. Sipas tij, individi është i ngujuar në varfëri për shkak të faktorëve të jashtëm që e riprodhojnë vetveten ndër gjenerata, përfshirë këtu: qasjen e kufizuar në financa, sistemin jo-cilësor arsimor, shëndetësinë fragjile, infrastrukturën jo-adekuate, qeverinë e korruptuar etj. Thënë këtë, nuk mund të pritet nga individi përgjegjësi në mungesë të variablave që do t’i mundësonin asaj/atij të dalë nga kurthi i varfërisë.

Për të qenë një qytetar sadopak i lirë (megjithëse kjo është relative), është e domosdoshme t’i garantohet një minimum resursesh të cilat mund t’i kombinojë dhe përdorë në funksion të jetës së tij. Një minimum resursesh të cilat thjesht e bëjnë atë të aftë të guxojë t’i ndjekë qëllimet subjektive jetësore.  Kur qytetari e ka barkun plot, është i shëndoshë dhe me nivel të kënaqshëm të arsimit – sa për t’i nënvizuar disa nga variablat kryesore të mirëqenies, ajo/ai mund të krijojë, të shprehet lirshëm, të veprojë paanshëm politikisht, të zgjedhë profesionin, të lëvizë, të jetojë jetën e ëndrrave – thjesht të jetë i lirë. Mund të vendosë edhe të jetë dembel dhe të mos bëjë asgjë, përderisa vendosë ashtu të jetë, pa kufizime qe burojnë nga grilat e varfërisë.

Demokracia, rendi kushtetues dhe në përgjithësi liria kolektive (çlirimi nga okupimi), megjithëse të rëndësishme, nuk sjellin me automatizëm liri individuale dhe valorizim të të drejtave themelore. Duke pasur këtë në mendje, sugjeroj që i gjithë spektri politik, si bartës kryesor të shtetit, duhet t’i japin rol parësor sigurimit të një mirëqenie minimale. E drejta e mirëqenies madje mund të shndërrohet edhe në kategori juridike. Me të nuk duhet të bëhet kompromis. Është parakusht për të qenë i lirë.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.