Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Lamtumirë, futboll!

Lidhjes sime me futbollin i erdhi fundi. Unë nuk jam më tifoz i Arsenalit. Nuk jam as tifoz i futbollit. Gjithçka mbaroi nga një rezonim i beftë në fëmijërinë time, më saktë, në mënyrën sesi kisha rënë në dashuri. E gjithë kjo, derisa Arsenali po vuante nga Manchester City në derbin e djeshëm. Pse i meritoj unë gjithë këto vuajtje? – ishte pyetja që i shtrova vetes.

Isha vetëm tetë vjeç. Po haja darkë me motrën time të vogël. Kishim qenë tepër të uritur dhe mami na e kishte shërbyer pasulin të pazier. Televizori ishte përballë nesh. Ai rrinte gjithë kohën i lëshuar sa për të mbytur qetësinë dhe vetminë. Kësaj here po e shfaqte një ndeshje futbolli. Po e shihja me kurreshtje. Edhe më herët kisha parë futboll, por pa vëmendje, nuk i dija as rregullat. Vërejta se rregullat mësoheshin lehtë, mjaftonte të ndëgjoje komentuesin. Po ashtu, m’u dukën mjaft mirë dy portat me rrjeta ku duhej të futej topi. E gjithë ajo fushë në të cilën vraponin lojtarët.

Komentuesi tha se po luanin Arsenal dhe Liverpool. Ishte finalja e kupës FA. Arsenali po luante më mirë dhe shënoi gol. U bëra me Arsenalin. Pastaj Liverpooli barazoi, e ktheu rezultatin dhe e fitoi lojën, dhe unë u bëra me Liverpoolin. Por, kushedi pse, Arsenalin e memorizova më mirë. Dhe, kur më pyeste ndokush se me kënd isha, përgjigjja ime ishte: jam me Arsenalin. Pa e ditur mirë sesa e rëndësishme ishte ajo përgjigje. Kështu, krejt rastësisht, u ngjiz një dashuri për një klub futbolli. I përcillja vazhdimisht ndeshjet e klubit tim të zemrës. Arsenali u bë pjesë e identitetit tim. Të kishe ekip të zemrës nënkuptonte të zgjatoje komunikimin me të tjerët. Të bëheshe si të tjerët. Të konformoheshe e përshtateshe. Dhe, si Dino-ja i Moravias, edhe unë u përpoqa ta bëja të njëjtën gjë, pavetdijshëm. Sepse në thelb, isha i ndryshëm, i largët, i huaj, me shprehi të çuditshme. Futbolli ishte si një urë e përbashkët, ku unë bëhesha një me të tjerët.

Arsenali ishte si një kartë identiteti. Kur fitonte ky klub, identiteti im bëhej fitues. Kur humbte, edhe unë ndihesha humbës. Dhe meqë isha një vetmitar edhe si fëmijë, pa shokë e pa vëllezër, me një motër që po orientohej kah lodrat dhe atë që shoqëria e ka konstruktuar si botë femërore, identiteti im si tifoz i Arsenalit ishte forcuar tepër shumë. Të tillë më njihnin të gjithë ata që më njihnin. Nuk dinin ndonjë gjë tjetër për mua, veç përkatësive. Djali i dikujt, nipi i dikujt, nxënësi i dikujt dhe tifoz i dikujt. Kjo e fundit iu interesonte më së shumti bashkëmoshatarëve. Djegnin thumbat që i drejtonin kah unë kur Arsenali humbte ndërkohë më kënaqte krenaria në rast të fitores.

Fare lehtë mund të isha bërë tifoz i Liverpoolit, Manchester United-it apo Barcelonës. Por pavetdijshëm dhe rastësisht, u bëra tifoz i Arsenalit. Tifozët e futbollit janë dëshmia më e mirë e kotësisë dhe absurditetit të dashurisë si ndjenjë, e romanticizmit. Prandaj, neveritem nga letërsia romantike, nga kinematografia romantike, nga njerëzit dhe fjalët romantike. Dashuria për klubin e futbollit, është evidente, nuk ishte dashuri për atë klub futbolli por dashuri për vetveten. Në thelb egoiste. Po kështu, admirimi e dashuria për Nirvanan, Leos Janaçekun, Jean Sibeliusin, Eric Satien, nuk është dashuri e dlirë për ta apo muzikën e tyre, por dashuri për veten, vetminë dhe identitetin tim.

Edhe dashuria për një njeri tjetër, është në fakt dashuri për vetveten. Asgjë më shumë.

Dhe futbolli, që tashmë është bërë një opium mjaft i efektshëm për trishtimin dhe zbrazëtinë e njerëzve, kohët e fundit po e shterron vetveten. Unë nuk besoj që këto fjalë të cilat po i shkruaj, janë vetëm të miat. Këto fjalë, janë në fakt mendimet e shumë tifozëve të futbollit gjithandej botës. Qoftë edhe si mendime të paqërueshme, të mjegullta, të paqarta.

Futbolli nuk është më shumë se një lojë – pavarësisht që, me shtimin e pabesueshëm të popullaritetit po e përjeton edhe kompleksin e limiteve të tij, pra kompleksin e të qenit thjesht ai që është. Identiteti përcaktohet nga ndarja me gjithçka që nuk është pjesë e tij (Hegeli). Futbolli e ka pasuar veten edhe në tipe të caktuara kulturore, pra është shtrirë përtej shtratit të natyrshëm. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Thelbi i tij mbetet te loja, te fusha e blertë, te rezultatet e numrat. Barcelona për shembull, sllogan të saj komercial e ka pohimin: “Më shumë se një klub”. Sepse e vuan fatin e të qenit, thjesht një klub.

Kjo përpjekje për të shtrirë vetveten jashtë vetvetes, është iluzore. E ngjashme me përpjekjen e moçme të rrëfimeve fetare të cilat e ndërtuan konceptin e përjetësisë dhe botës së përtejme sepse e vuanin fatin njerëzor të kufishëm, me vdekje, vuajtje e sëmundje.

Është e trishtë, tmerrueshëm e trishtë të shohësh një lojtar që fiton qindra miliona euro, dhe mashtron me taksa për më tepër (Messi). Është e trishtë t’i shohësh duke i marrë gjithë ato para, vetëm sepse luan futboll. E trishtë të shohësh gjithë ato trukime, kurdisje, dallavere, korrupsion vetëm e vetëm sepse, ne, ish-fëmijët e trishtë të kësaj kohe, e shikojmë dhe mashtrohemi me të. E trishtë të shohësh krerët e dy federatave më të forta të futbollit në botë, të dënuar për mashtrime. Është vetëm një lojë. Sapo të del jashtë lojës, bëhet mashtrim.

Është po ashtu trishtueshëm i çmendur llafi i tifozëve të futbollit për numrat e ekipeve të tyre. Për madhësinë e fallusit të tyre. Kush ka më shumë tituj, më shumë fitore, më shumë gola e më shumë pasime. Kush ka bile, më shumë tifozë e më shumë para. Ndonjëherë në ato llafe, ndodhte të përsëriteshin si në çmendinë të njëjtat gjëra, të njëjtat argumente, të njëjtat fjalë. Ndonjëherë më kapte paniku nga ajo çmenduri. Si ka mundësi njeriu të shpenzojë aq shumë kohë, duke u marrë me numra që nuk thonë asgjë. Me statistika të kota që dështojnë të japin kuptim. Ishte e njësojtë si të numëroje e krahasoje lehjet e qenëve apo mjaullimat e macave dhe t’i përflisje pafundësisht ato. Të organizoje debate, për numrin e atyre lehjeve, për mënyrën sesi u bënë ato lehje. E kështu me radhë.

Embrioni i këtij rezonimi ndodhet në finalen e Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Paris. Arsenali po ndeshej me Barcelonën. Po fitonte 1 me 0 dhe po luante më mirë. Pritej të shënonte edhe golin e dytë. Por befas, ndjenja të çuditshme më kishin trazuar: ndjenja se, ishte vetëm një sport, se ishte i kotë e i pakuptimtë. Edhe nëse Arsenali do ta fitonte Ligën e Kampionëve, kjo nuk do ta ndryshonte as kursin e jetës sime, e as të botës.

Duke qenë antiromantik unë jam edhe antifutboll. Nuk më pëlqejnë vargonjtë e ndjenjave me të cilët lidhen tifozët e futbollit. Duke qenë tifozë futbolli, ata nuk vlejnë më shumë se tifozët figurantë në një ndeshje futbolli në PlayStation, ta zëmë. Brohorasin kur shënon ekipi i tyre, heshtin kur pëson. Komandohen si me joystick apo telekomandë. Dhe kënaqen në gjithë atë nënshtrim. I harxhojnë, ndoshta qindra orë në vit duke shikuar futboll.

Epo, unë nuk jam më pjesë e kësaj çmendurie. Zemrës, veç sherrin ia sheh. Romanticizmi ka lindur bashkë me kapitalizmin. Dhe i shërben vetëm atij.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.