Ekskurs mbi vullnetin e lirë në filozofinë e Immanuel Kant-it
Që në fillim të seksionit të parë të librit të tij, Themelimi i zakoneve shoqërore, Kant-i tregon se: “(…) vullneti i mirë duket si kushti themelor për ta bërë një qenie të denjë për lumturi” (f. 170). Me këtë Kant-i mëton të tregojë se vullneti është element shumë i rëndësishëm në jetën tonë. Vullneti i lirë si një paradigmë e subjektocentrizmit, sipas Kant-it, është i mundshëm vetëm atëherë kur ndërhyrjet eksternale janë të pamundura. Për këtë ai themeloi edhe ligjin etik universal, ku veprimi mund edhe të shndërrohet në një rregull të përgjithshëm.
Insistimi i Kant-it në atë se këto veprime janë a priori dhe ku vetëm nëpërmes ratios mund të shpjegohen, etikës i dha një dimension matafizik. Etika metafizike kantiane është domeni a priori racional, dhe në vazhdën e kësaj maksime: “Vepro vetëm sipas asaj maksime, të cilën ti mund ta duash, në të njëjtën kohë, të kthehet në ligj moral”, është rrjedhojë e këtij diskursi. Ky është momenti i fundamentimit të etikës metafizike kantiane, që me premisat e saj universaliste e ndërron tërësisht qasjen parakantiane, ku etika ishte dimension i jashtëm. Nëse është vulneti i mirë, siç pohon Kant-i, domosdo edhe rezultati i një veprimi do të jetë i mirë. Për këtë ai thoshte se: “Është e pamundur të mendohet në botë e, në përgjithësi, edhe jashtë saj, diçka që mund të konsiderohet si e mirë pa kufizime, me përjashtim vetëm, të vullnetit të mirë” (I. Kant, Themelimi i zakoneve shoqërore). Sipas këtij konstatimi, d.m.th., për logjikën e zakonshme mund të konsiderohen të mira, p. sh., veprimet të cilat na sjellin lumturinë e çastit, mirëpo, ato për moralin normativ kantian janë veprime që për bazë kanë ‘simpatinë’ dhe jo ‘detyrën’.
Ideja kryesore e Kant-it në këtë drejtim është se thelbi i veprimeve të mira morale janë a priori dhe jo a posteriori. Andaj, në terma kantianë i bie që një veprim i mirë është atëherë kur nuk e paragjykon finalitetin, por kur parimisht dhe racionalisht veprimi bëhet mbi bazën e detyrës. Veprimi që bëhet mbi bazën e ego-s, nuk mund të themi se është veprim i mirë, edhe nëse aty vepron vullneti i mirë, sepse me këtë rast nuk do të kishim një vullnet të lirë për të vepruar lirshëm, pa interferime nga jashtë që vullneti i mirë do t’kishte mundësi ta realizonte vetveten. Kant-i është i mendimit se: “Vullneti i mirë si i tillë është jo për atë që ai shkakton apo kryen dhe as sepse është i dobishëm në arritjen e disa qëllimeve të caktuara, por vetëm se përmban vullnetin, i cili është i mirë në vetvete” (ibid.). Megjithëse, të kundërtën e Kant-it, e mendonte Leibniz-i. Sipas Leibniz-it për të qenë vullneti i lirë, ai duhet të ketë edhe mundësinë apo hapësirën të gabojë. Sipas Leibniz-it mungesa e gabimit e suspendon praninë e një vullneti të lirë. Për Leibniz-in është kontradiktë logjike nëse ekziston vullneti i lirë, e që i njëjti t’mos ketë mundësinë e gabimit.
Mirëpo, për Kant-in mendja është origjina e koncepteve dhe parimeve a priori, e të cilat me ngjizjen e tyre mundësohet njohja jonë dhe vullneti po ashtu. Ai mendjen e shtresëzon në dy kategori; në mendjen teorike dhe në atë praktike, dhe në këtë rast është mendja praktike, e cila është autonome, që vullnetin e lirë do ta vendosë a priori në predispozitat e imperativit kategorik. Është mendja praktike e cila dimensionin e mendjes teorike e zhvendos në rrafshin praktik, e që pastaj përmes kësaj të shpjegohen edhe konceptet antinomike. Për të qenë një veprim i mirë, që do t’mund të bëhej normë universale, për Kant-in është kyçe domosdoshmëria e automomisë së të vepruarit të subjektit. Andaj, ai shprehet: “Parim i autonomisë është, pra: mos zgjidh përveçse në mënyrë që maksimat, nga të cilat frymëzohet zgjedhja, të jenë, në të njëjtën kohë, të përfshira në vullnet si një ligj universal” (ibid.).
Është ky moment që etika metafizike e Kant-it i dha vullnetit karakterin e autonomisë, e cila vetvetes i jep fuqinë e ligjit. Kant-i refuzon themelimin e vlerës morale në çfarëdo ndjenje si parimi i lumturisë së përgjithshme. Sipas tij, ndjenjat e simpatisë, të lumturisë së përgjithshme e të tjera, mund të bazohen vetëm në të dhënat përvojësore, për të cilat është e domosdoshme llojllojshmëria e pafundme e të menduarit. Në bazë të mendimeve të tilla nuk mund të krijohen rregullat etike universale. Vlerat morale nuk do të duhej të vareshin nga objekti real i veprimit, as nga forcat e fuqisë fizike që të realizohet objekti. Kjo vlerë mund të gjendet vetëm në parimin e vetvullnetit. Andaj objekti i vërtetë i vlerësimit moral është vullneti i mirë, por jo i mirë sipas asaj çka shkakton ose arrin, por ekskluzivisht me dashjen e kulluar a priori, domethënë, e të mirës në vetvete. Çfarëdo interferimi nga jashtë për të arritur qëllimin është heteronomi, është diçka e huaj, ligjësi që na privon nga përgjegjësia, të cilën si qenie racionale duhet ta kemi. Vetëm atëherë, konsideron Kant-i, kur të jemi të lirë nga çdo autoritet, kur të krijojmë vendime dhe të zgjedhim detyra, mund ta meritojmë aprovimin moral. Duke theksuar detyrën si të vetmen formë në të cilën është e mundur veprimtaria morale, Kant-i e radikalizon rolin e etikës. Jo për shkak të mëshirës, dashurisë, prirjes, por për shkak ekskluzivisht të detyrës mund të kryhen ekskluzivisht veprat morale. Sipas tij, ndjenja e detyrës përkthehet në respekt ose ndjenjë morale, e vetmja ndjenjë jo e nxitur nga një përfytyrim empirik, por nga përfytyrimi a priori i ligjit moral.
Kant-i, pikërisht për këtë, mendon se moraliteti është kushti i vetëm që qeniet racionale të mund të jenë qëllim në vevete dhe që të mund t’i përkasin mbretërisë së qëllimeve. Ai mendon se dinjiteti si karakteristikë morale dhe humane mund të përcaktohet vetëm nga po këto kondita. Për këtë “(…) autonomia është, pra, themeli i dinjitetit të natyrës njerëzore, e të çdo qenie racionale” (I. Kant, Kritika e gjykimit). Gjithë kjo duhet ta ketë si pjesë inerente edhe lirinë.
Lirisë si koncept, por edhe si dimension, Kant-i i bëri një trajtim shumë të veçantë dhe skematik. Çdo qenie racionale po nuk u bazua në idenë e lirisë, e shumta që do të arrijë do të jetë një imperativ hipotetik, ku ne për veprimet tona do të kemi si qëllim finalitetin dhe assesi si qëllimësi të jetë e mira me predispozita universale. Po qe se subjekti nuk do të ketë liri në veprimet e veta, atëherë do të jetë e pamundur që ato veprime të merren si rregulla apo parime morale me karakter normativ universal. Ai pohon se: “…vullneti i qenieve racionale mund të jetë një vullnet i saj vetjak vetëm nën idenë e lirisë dhe kjo duhet t’i atribuohet, nën aspektin praktik të gjitha qenieve racionale” (ibid.). Për këtë Kant-i shpjegon se pse liria është dimensioni fundamental për veprimtarinë e subjektit. Liria është një ide që i përket realitetit objektv dhe si e tillë është e pakapshme me anë të intuitës. Liria është dimension metafizik dhe si e tillë mund të kuptohet vetëm nëpërmes arsyes që është e vetëdijshme për veçoritë e saj. Në këtë kuptim, “…koncepti i lirisë nuk mund të përfytyrojë ndonjë fenomen, por vetëm sendin në vetvete që nuk është dhënë në intutë” (G. Deleuxe, Filozofia kritike e Kantit).
Liria duhet të pranohet ashtu siç është dhe si e tillë ajo është postulati i parë moral. Për Kant-in, postulati i dytë moral është pavdekësia. Rruga e arsyetimit, nga e cila Kant-i u nis për të përkufizuar pavdekësinë, fillon me konceptin e tij për të mirën supreme. Megjithëse, virtyti është një e mirë supreme, ne si qenie racionale jemi plotësisht të kënaqur vetëm kur arrihet një paralelizëm midis virtytit dhe lumturisë. Kant-i këmbëngul, se ligji moral na drejton të veprojmë në një mënyrë, jo që të bëhemi të lumtur, por që veprimet tona të jenë të drejta. Në qoftë se ne do të jemi në kufijtë e përvojës njerëzore të kësaj bote, do të duket e pamundur të arrihet e mira supreme në tërë plotëninë e saj. Ndërkohë që ligji moral na kërkon që të shkojmë drejt së mirës supreme dhe kjo nënkupton një progres të papërcaktuar drejt këtij ideali. Univesi moral, po ashtu qeniet racionale i detyron që ta përkufizojnë ekzistencën e Zotit, si bazë për lidhjen e domosdoshme që duhet të vendoset midis virtytit dhe lumturisë. Përderisa ne, të nisur nga koncepti i së mirës supreme arrijmë në përfundimin, se virtyti dhe lumturia duhet të shkojnë së bashku, duhet të përkufizojmë; “ekzistencën e një shkaku për të gjithë natyrën në të cilën përfshihet baza e kësaj lidhjeje dhe pikërisht harmonia e plotë ndërmjet lumturisë dhe moralit” (I. Kant, Kritika e mendjes së kulluar). Sipas kësaj është moralisht e domosdoshme të pohojmë ekzistencën e Zotit.
Kjo nuk do të thotë që nuk mund të kemi moral pa besim, sepse Kant-i tashmë ka treguar që, një njeri mund t’i dallojë detyrat e tij morale pa njohur idenë e Zotit, dhe që ai duhet t’i bindet ligjit thjesht për respekt të ligjit, për hir të detyrës. Apo siç thoshte edhe stoiku Epikteti kur ju drejtohej zotave; “Ju mund t’i vëni pranga këmbës time, por as vetë Zeusi nuk mund të ma marrë më të mirën, vullnetin tim të lirë”. Prandaj, Kant-i, pohon se: “Përmes idesë të së mirës supreme si një objekt dhe qëllim final i arsyes së pastër praktike, ligjet morale na çojnë drejt besimit, që do të thotë t’i njohësh të gjitha detyrat si urdhra të shenjtë dhe jo si detyrime, që duken jo si urdhra të vullnetit të huaj, por si ligje themelore, që mbajnë lirinë në vetvete, të cilët duhet parë nën komandën e një qenieje supreme, sepse ajo është e vetmja që është e përsosur moralisht dhe në të njëjtën kohë me një vullnet të plotfuqishëm, nëpërmjet të cilit ne shpresojmë të fitojmë të mirën supreme, të cilën ligji moral e bën atë detyrën tonë dhe objekt të sjelljeve tona” (ibid.).
Prandaj, metafizika e zakoneve, apo liria etike metafizike mund të burojë, jo nga ndonjë autoritet i jashtëm, por nga arsyeja natyrore. Racionaliteti a priori është kushti i vetëm dhe përfundimtar, i cili mundëson që një veprim të jetë moral, por gjithnjë duke pasur si bazament lirinë dhe vullnetin e mirë. Pa këto predispozita veprimi mund edhe të jetë i moralshëm, por assesi nuk mund të shndërrohet në një rregull moral më karakter universal. Për këtë morali kantian është një zgjatim i lirisë dhe si i tillë është edhe bazament i rëndësishëm në veprimtarinë njerëzore. Ajo çka neve na bën subjekt (individum) është racionaliteti ynë, dhe të jesh subjekt, apo qenie racionale, nënkupton një qëllim në vetvete. Po ta parafrazojmë Kant-in, kusht i pavarësisë së vullnetit të mirë është liria, e cila është kushti i lumturisë së çdo individi.