Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Njolla e Pollock-ut

Njolla e Pollock-ut

Përmbi një kanavacë të madhe, gjysëm i shtrirë, e shpeshherë edhe gjysëm i zhveshur, në mes të ngjyrave dukej sikur po kërkonte gjënë më të shtrenjtë, tanimë të humbur. I humbur mes ngjyrash, kërkon me ngulm, jo përsosshmërinë e të pikturuarit, por shpirtin e trazuar artistik, i cili ngulmon në gjetjen e vetvetes. Ky është Jackson Pollock-u, i cilësuar si njëri ndër piktorët më të mirë të shekullit XX. Pollock-u, i cili tanimë kishte krijuar një rrymë të re të artit, që njihej si Action Painting, pra një teknikë dhe stil i të pikturuarit abstrakt, në të cilën ngjyra është e hedhur mbi kanavacë pa ndonjë precizitet, po ngrihej në skenën botërore të artit me një shpejtësi rapide. Kjo mënyrë e të pikturuarit ngjante me artin e hershëm tradicional kinez, si dhe me praktikimin e magjisë që bënin indianët e Amerikës. Njolla (Tachisme – kështu quhej në Francë kjo mënyrë e të bërit pikturë), ishte tendenca e rigjetjes së kohës së humbur. Njolla në pikturat e tij, është edhe njolla e shpirtit njerëzor, e që në kohën e Pollock-ut ky shpirt ishte trazuar tej mase.

Pra, Pollock-u nuk pikturonte ashtu siç realisht pikturonin artistët e tjerë. Ai e hedh ngjyrën, jo vetëm sa për ta hedhur, por ai vallëzon bashkë me të. Ky mishërim kaq i fuqishëm me ngjyrën e bën indiferent pothuajse ndaj çdo gjëje. Bota e tij ishte me bojra/t (sic). Përtej ngjyrave nuk shihte asgjë, prandaj çdo gjë e perceptonte në një larushi të pafundme. Hedhja e ngjyrës në kanavacë ishte si një derdhje shpirtërore. Pikturat e tij, që në shikim të parë duken si të çakërdisura, në fakt shprehin gjendjen shpirtërore të një artisti shpirt-trazuar. Ai me artin e tij po krijonte diçka origjinale, diçka që di t’i përkasë vetëm atij. Ashtu sikurse shkrimtari francez Maurice Blanchot që thoshte se: “Secili artist është i lidhur me një gabim me të cilin ka një intimitet të veçantë. E  gjithë origjina e artit është rrjedhojë e një faji të jashtzakonshëm, e gjithë puna është rrjedhojë e implementimit të origjinalitetit të këtij faji nga i cili vjen një plotni e rrezikshme dhe një dritë e re”, ishte pikërisht ajo që këtë po bënte Pollock-u, gabimin njerëzor nuk përpiqet që ta ndreqë, por ta vërë në spikamë në formën e tij më të pastërt, në një dritë të re.

Ky ekspresionizëm abstrakt në artin e Pollock-ut, që njihet si arti bashkëkohor, filloi të merrte përmasa. Sesi arti ia beh shihet mjaft qartë nga mënyra sesi Jackson Pollock-u krijon artin e tij. Ai nuk u nënshtrohet rregullave dhe shijeve të kohës. Pollock-u artin zyrtar e shihte me përçmim dhe nuk i pranonte rregullat e tij. Insiston të krijojë diçka ndryshe, diçka origjinale, diçka pothuajse të pamundshme që t’kopjohet. Me këtë mënyrë të të bërit art, Pollock-u po ndërtonte një rrymë të re dhe njëkohësisht po ndërtonte veten e tij. Mbase, edhe motoja e tij ishte se: “Të pikturuarit është vetëzbulim…, dhe se çdo artist i mirë pikturon atë çka ai është”. Për këtë, nëpërmes artit të tij Pollock-u shpreh gjendjen e tij të brendshme, shpreh egoizmin, ambiciozitetin e egër, dhunën, kokëfortësinë, shpirtligësinë, dashurinë, gjenialitetin, të gjitha këto forma karakteriale të personalitetit të tij, ai i shpreh nëpërmes hedhjes së ngjyrave në pikturat e tij. Arti i tij është jashtë kohës dhe jashtë hapësirës, sepse ai i përket diçkaje që vetëm ndjesitë e thella shpirtërore mund ta perceptojnë. Pikturat e tij asociojnë me rendin e trazuar kozmik dhe për këtë nga disa konsiderohej i çmendur, kurse për disa të tjerë qe vetëm një maniak pa dëme. Ai e perjetonte artin si një ndërmarrjeje serioze, njashtu siç shprehej edhe Oscar Wilde se: “Arti është e vetmja gjë serioze në botë. Dhe artisti është i vetmi person që nuk është serioz”. Pra, si një njeri joserioz që ishte, ai t’bërit art e kishte marrë me seriozitetin më të madh. Ai artin e përjetonte si një manifestim të lirisë, jo të një lirie kantiane, assesi, por të një lirie që ishte i çliruar nga çdo ide apo paragjykim që mund ta barrikadonte ose ta zhvendoste  në pozitën e inferioritetit. Për këtë ai vendos një standard të ri të të bërit art…, një art që dialogon vetë me ndjenjat pa frikën se do të moralizojë.

Mirëpo, është interesante të theksohet se edhe Pollock-u përfshihet nga zymtësia e viteve të ’50-ta. Në një botë që sapo kishte dalur nga një llahtari, siç ishte Lufta e Dytë Botërore, si dhe problemet dehumanizuese që e kishin kapluar njerëzimin në përgjithësi, e që kësaj gjendjeje nuk do t’i shpëtojë as Pollock-u, kishte filluar të krijohej një hendek brenda shpirtit të tij. Në tërë këtë zallamahi ai insiston për ta rigjetur kuptimin që nuk kishte ekzistuar pothuajse kurrë, kjo e dërgon atë në pozicionet ku tani nuk hidhen më bojrat në kanavacë, por hidhet alkooli në grykë. Jeta e tij merr një rrugëtim drejt së panjohurës, sepse problemet që i ishin shfaqur në jetë po e nxirrnin nga shtrati i lumturisë së munguar. Kështu, Pollock-u dalngadalë po bëhej pothuajse një përbindësh në raport me të tjerët, por edhe me vetveten. Shpirti i tij kishte përjetuar çarje të thellë, humbje të besimit në shpirtin njerëzor. Kushedi, ndoshta kjo gjendje, ky përjetim, kjo jetë e tillë ishte rrisku që i kanosej një artisti të tillë siç qe Pollock-u. Një jetë me plot ngjyra dhe miq përreth…, vetmitar çdoherë.

Pra, ai ishte një artist i madh, një gjeni kur kishte t’bënte më ngjyrat, por një i trishtuar, një vetmitar i pandreqshëm në jetën e përditshme. Njeriu që bëri kthesë në artin e të pikturuarit, tanimë kishte marrë kthesën edhe në jetën e tij. U ngrit në piedestal falë punës dhe vullnetit, guximit dhe xhelozisë. Mirëpo, me një lehtësi të durueshme ai po binte ashtu sikur gjethja që shkëputet nga një trung që pothuajse kishte zënë rrënjë që në antikitet. Po shkëputej nga njerëzit, duke u lartësuar në pikturë. Andaj, arti i Pollock-ut përmban një origjinalitet, sepse burimin e ka tek ndjenjat e tij, nga skutat e errëta të shpirtit të tij. Tërë ato ngjyra tingujsh qoftë ngazëllyes apo trishtues që dalin nga labirinthet e shpirtit të tij, tanimë kishin marrë forma abstrakte në koloritin e papërsëritshëm të të shprehurit në pikturë. Rrugëtimi i artit të tij është edhe rrugëtimi i shpirtit të tij. Pollock-u thoshte se “Piktura ka një jetë të veten”, prandaj pjesë e kësaj jete të pikturës është edhe vetë jeta e tij.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.