Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Shihemi te filmi

Shihemi te filmi

Të gjithë neve na ka ra me ndëgju shprehjen “shihemi te filmi” kur dikush nga më të vjetrit ka qenë tu e caktu vendtakimin me dikënd tjetër. Edhe pse tash i referohemi si “në kino” apo “te kinemaja”, shprehja e parë na len me kuptu për rëndësinë që kinemaja Jusuf Gërvalla (atëherë e njohur si Kino Rad) ka pasë më përpara si objekt fizik në rregullimin e hartës së qytetit dhe qarkullimit në të, poashtu edhe për rolin e saj si ndërtesë me funksion social për të sjellur njerëzit në të njejtin vend. Për shkak që kinemaja është frenkuentuar aq shpesh nga shumë njerëz, është kthyer në një ndër objektet më të identifikueshme të qytetit ku edhe më së lehti ka qenë me u taku, edhe vazhdon pas gjithë këtyne vjetëve me i bashku njerëzit edhe nëse nuk po takohen për me hy brenda në kinema me shiku filma, por vetëm për të vazhduar rrugën më tutje.

Por tragjedia e kësaj ndërtese që i sjell këta njerëz bashkë, është se është futur në procedurat e privatizimit nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit, dhe është drejtu kah fati i tjetërsimit. Me vendimin e Bordit të Drejtorëve të Agjensionit, me daten 30 janar është vendosur që procesi i likuidimit të kinemasë Jusuf Gërvalla ka filluar.

Kinemaja Jusuf Gërvalla është:

– një ndërtesë që gjendet në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore, që mbrohet nga institucionet e shtetit siç është Ministria e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit,

– një objekt që ka artefakte historike, kamera dhe projektorë që në kushte normale ishin dashtë të vendosen nëpër muze të filmit, dhe postera të filmave që prej viteve të 50-ta,

– një objekt që ka qenë ndër vendet më të frekuentuara nga gjeneratat e vjetra që prej kur ka fillu me shfaq program, sepse ka qenë ndër vendet e vetme ku janë mbajtur aktivitetet kulturore të qytetit,

– një objekt që nuk identifikohet vetëm si kinema, por edhe si teatër, e shtëpi e shumë aktorëve lokal ku i kanë mbajtë provat e tyre, dhe ku i kanë përjetu emocionet e shfaqjes së parë para familjarëve e shoqënisë së tyne,

– një objekt, skena e të cilit ka shërbyer për koncertet e muzikantëve të Pejës,

-një objekt qe i ka ofru (dhe vazhdon me i ofru) dhjetëra gjeneratave të shkollave fillore një skenë e një auditorium për me i mbajtë programet artistike të festave të Abetares, dhe ato të fundvitit shkollor,

– një objekt që daton nga viti 1950 me arkitekturë brutaliste, e që është restauruar shumë herë nga të huajt e nga vendorët për arsye të mbrojtjes nga prishja dhe dobësimi,

dhe megjithatë, kinemaja Jusuf Gërvalla, është një objekt që është futur në procesin e privatizimit!

Unë, para 16 viteve, kam recitu për herë të parë vjershë para publikut në skenën e kësaj kinemaje si pjesë e programit të klasës parashkollore. Sot, pas 7 viteve aktivizëm me Anibar për kulturën e qytetit tonë, një pjesë e madhe e të cilës ka shku për aktivizimin e kësaj kinemaje me program të plotë, më duhet me reagu dhe me u aktivizu në mbrojtje nga tjetërsimi të pokësaj skene, objekti i së cilës është njëri nga dy objektet e vetme të kulturës në qytetin tim! (Objekti tjetër është Teatri Profesional i Qytetit, gjithashtu inaktiv)

Në mungesë të hapësirave kulturore ku ne si festival dhe organizatë kemi dashtë me i zhvillu aktivitetet tona, jemi detyru për t’i improvizu plot 3 kinema të hapura nëpër qytet. Falë motivit dhe pasionit të madh që Anibari ka si shoqëri dhe si lëvizje për të rregulluar gjendjen kulturore në qytet, ne për çdo vit i ndërtojmë dhe prap i ç’monotojmë këto kinema. Duke konsideru këtë fakt, akti i likuidimit të së vetmes kinema statike që veç e ka qyteti, një aset kulturor kaq të rëndësishem, është plotësisht e pakuptueshme dhe e papërgjegjshme. Në fund të fundit, në vitin 2017 nuk është edhe fakt aq impresiv që një qytet ka kinema, për shkak që është e pritshme që shkuarja në kinema të jetë aktivitet i jetës normale në qytete normale. Për shembull, Stambolli ka 256 kinema me gjithsej 36,763[1] ulëse, ku vetëm në vitin 2015 kanë shitur 60 milion e 470 mije e 430 [2] bileta të filmave që është numër trefish më i madh se numri total i banorëve të qytetit! Mirëpo për rastin e Pejës, mbijetesa e të vetmes kinema statike që nga viti 1950, duket se është fakt fare i parëndësishem.

Nuk ekziston asnjë mendjesi e shëndoshë që i hap dyert një procesi të likuidimit për një objekt me bagazh kaq të madh shoqëror, që shumë lehtë e shpejtë mundet me u shndërru në banesë, objekt zyresh, supermarket, apo varrezë e veturave të vjetra. A shitet shpirti i qytetit? Prej 2010, kinemaja është padiskutim “fabrika” e vetme kulturore e qytetit me anë të së cilës po shtyhen përpara vlerat kulturore e artistike. Mirëpo si duket ky proces injoron dhe nuk ka konsideratë as për memorien kolektive, as për kulturën, e aq më pak për trashëgiminë historike të prekshme që gjendet përbrenda ndërtesës.

Anibar po përkujdeset që të përcjellë procesin për së afërmi, dhe ka ndërmarrë disa hapa të veprimit që do të mundohen të parandalojnë zhvillimin e procesit të privatizimit të kinemasë, mirëpo duke e njohur fuqinë e këtij procesi, i cili po i anashkalon edhe vendimet e gjykatës që prona aktualisht i takon Komunës se Pejës, neve detyrohemi të rezistojmë si qytetarë aktiv dhe t’a përkrahim lëvizjen që kinemaja e qytetit me vazhdu me mbetë po e tij! Le të vazhdon të jetë pronë publike, le të përdoret nga komunitetet artistike, le të edukohemi e zhvillohemi aty, le ta shtojmë prodhimtarinë filmike e artistike prej aty, le ta kthejmë audiencën në këto karriga e t’ia kthejmë dinjitetin shoqërisë tonë dhe historisë së këtij objekti.

Kështu që ju ftoj sonte nga ora 19:00 në kinema, ku do j’u presim me një super program kualitativ vendor, që fillon me shfaqjen e dokumentarit Ferdonija nga regjisori pejan Gazmend Bajri, që vazhdon me reprizen e filmit HOME – fituesit të BAFTAs, dhe që përfundon me muzikë të bukur popullore nga Nezafete Shala dhe Melodia e Vjetër.

Jo vetëm sonte, por deri sa të vendoset që kinemaja i takon qytetit dhe vetëm tij, shihemi te filmi!

__________

[1] http://blog.milliyet.com.tr/sinema-ve-koltuk-sayimiz—/Blog/?BlogNo=146775

[2] http://www.egitimajansi.com/haber/2015te-kac-sinema-bileti-satildi-son-5-yilin-hasilati-haberi-47720h.html

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.