Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Kaini, njeriu i fundit

Zoti është një lojtari i keq. Ai i vendos rregullat dhe i prish ato varësisht nga tekat e tij. Ai është i pa alibi për veprimet që bën, thjesht është një vrasës sa i tmerrshëm po aq gjakftohtë me ata që vetë i krijoi. Ekzaltimi i tij mbërrin kulmin nëpërmes mizorive që ua shkakaton atyre. Ky Zot është i lig, prandaj është edhe vrasës i pjellës së vet. Kështu paraqitet Zoti në librin e fundit të shkrimtarit José Saramago, Kaini. Në këtë libër Saramago rishkruan historinë biblike, një përmbysje e tërësishme e Dhjatës së Vjetër.

Për Saramago-n, Kaini është historia e njerëzimit, dhe siç e vërejmë në të gjithë krijimtarin e tij letrare, Saramago ishte një nga ata autorë shumë të shqetësuar me gjendjen e njerëzimit. Nëpërmes personazhit Kaini, ai na e përshkruan këtë gjendje. Lufta e përhershme e njeriut për mbijetesë, e përzier me ndjenjën e braktisjes apo të mospasjes kurrë një bashkëudhëtar besnik paraqitet mjaft mirë në këtë libër. Pra, Kaini i Saramago-s është njeriu i cili edhe përkundër fuqisë dhe ligësisë së Zotit, ai prapëseprapë nuk heq dorë. Kaini është vrasës po aq sa Zoti, por përkundër Zotit, Kaini nuk e përligj vrasjen e tij ashtu siç bën Zoti. I dënuar për të qenë pelegrin që nuk është në kërkim të Zotit, por në kërkim të shijimit të një momenti në jetë, që nuk kërkon prehje e as paqe të përhershme, por një qetësi shpirtërore momentale, e që për shkak të kësaj kërkese kaq minore në dukje, por shumë e papërballueshme për Zotin koprrac, ai do të vuajë deri në amshim.

Vrasja e Abelit nga Kaini nuk ishte pse vërtet ky i fundit ishte një kriminel i lindur, por ishte zilia e tij e nxitur nga ky Zot përçarës që e bëri ta vrasë vëllain e tij. Për Saramago-n Kaini po luante në skenarin e Zotit. Beteja e Kainit është beteja e përhershme e njeriut me Zotin, prandaj në këtë pikë Kaini i Saramago-s është i gjithë njerëzimi, sikur që i gjithë njerëzimi është lozë e Kainit.

Kopshti i Edenit, ky gjyq i madh i universit, parajsa prej së cilës burojnë të gjitha vuajtjet biblike, për Saramago-n është zanafilla e burimit të mjerimit njerëzor. Shpurja në botën e hiçit të Adamit dhe Evës nga ana e Zotit, për shkak të ngrënies së frutit nga pema e njohjes, është pasqyrim i mendjes së krimbur të Zotit. Sprovat nga më të mundishme që vijnë njëpasnjë për ta sfiduar njeriun, në fakt janë dënime të mbështjellura me smirën e Zotit. Këtë Kaini i Saramago-s e kupton dhe pikërisht për këtë i kundërvihet atij. Kur Zoti e akuzon Kainin për vrasjen e vëllait të tij Abelit dhe që pastaj e dënon me bredhje të pambarim, Kaini i kundërvihet me kundërakuzë: “Ç’i bëre vëllait, pyeti ai, dhe Kaini iu përgjigj me një tjetër pyetje, Mos isha gjë roje i vëllait tim, Ti e vrave, Është e vërtetë, por fajtor i parë je ti… (…) Unë doja të të vija në sprovë, E kush je ti që do të vësh në provë atë që ke krijuar vet, Unë jam zoti, sovran i të gjitha gjërave, Dhe i gjithë qenieve, do të thoshe ti, por jo i imi dhe as i lirisë sime, I lirisë për të vrarë, Vetë ti u tregove i lirë kur më le të vrisja Abelin, kur e kishe në dorë ta shmangje vrasjen….”

Si në këtë diskutim edhe në shumë të tjera brenda librit, Saramago na e paraqet në mënyrë të zhveshur luftën e përhershme të mosbesimit të njeriut ndaj Zotit dhe anasjelltas. Mirëpo, Zoti nuk do të çante fort kokë nëse Kaini e kishte vrarë vetëm Abelin, por jo, ishte pikërisht e kundërta, sepse me vrasjen e Abelit, Kaini kishte vrarë idenë e njeriut të mirë ashtu siç Zoti kishte dëshiruar. Rebelimi i Kainit nuk është pse Zoti vret, sjell katastrofa të tmerrshme. Jo, ai rebelohet për faktin se Zoti nuk është i sinqertë në ndërmarrjet e tij. Grykësia e tij për të vrarë në emër të sprovës e tejkalon çdo kufi. Të vendosësh në zjarr fëmijët e Sodomës në emër të sprovës, kjo për Kainin është thjesht një grykësi, një etje e pangopur për gjak. Komplekset e shumta, Zoti i fsheh nëpërmes dënimit që i bën njeriut.

Gjithë këtij raporti, tërë kësaj gjendje të krijuar nga Zoti, Kaini në fund do t’i dalë përballë planit të tij. Pasi që Zoti kishte vendosur që ta shfaroste njerëzimin, këtë krijesë të ligë siç e quante ai, e që vetë e kishte krijuar; vendos që Noahn me familje të tij ta fusë në një barkë, që kur të ndodhë përmbytja apokaliptike këta të shpëtojnë dhe të jenë njeriu i ri në tokën e djegur. Mirëpo, Kaini krejt rastësisht gjendet në çastin e fundit, por të duhur në zonën ku Noah po ndërtonte barkën dhe që kjo rastësi tregon se Zoti nuk është i plotfuqishëm (sic). Thuhet se rasti është mbret i botës, e siç e dimë një mbretëri nuk mund ta udhëheqin dy mbretër. Zoti kishte një plan që njeriun e ri që e përfaqësonte Noah me familjen e tij, ta bënte zotërues të vetëm të tokës, mbi idenë se kjo do të jetë fara e njeriut të urtë dhe të ndëshkueshëm. Pra, Zoti dëshironte që krijesa e tij të ishte kokëulur, i nënshtrueshëm, por kishte harruar se brenda barkës kishte futur krimbin, ashtu siç futet krimbi brenda një molle të shëndoshë. Pasi që barka kishte ndaluar në limanin e fundit dhe pasi që ditët e zeza për njerëzimin kishin marrë fund, hapet porta e madhe e barkës, shpëtimtares së njerëzimit, del i vetëm prej saj Kaini. Për çudi Zoti është i habitur kur sheh përpara tij krijesën e tij të vetme të gjallë. Këtu Saramago në njëfarë forme e paraqet luftën e përjetshme mes Zotit dhe Njeriut. Pra, sipas Saramago-s Kaini është shpëtimtar i njeriut, i atij njeriu që nuk dorëzohet, që nuk pranon të nënshtrohet dhe mbi të gjitha i atij njeriu që e pranon se mund të jetë i keq e edhe vrasës, por asnjëherë njeri i nënshtruar dhe i lig.

Prandaj, libri Kaini, më shumë se libër, është një revoltë që shpreh padëgjueshmërinë e njeriut, jo të atij njeriu të mirë, që jeton brenda moralit kanonik, por i njeriut që i thyen rregullat, atij që për asnjë çast nuk frikësohet as nga e shkuara, e aq më pak nga e ardhmja, sepse ai është i brengosur me të tashmen. Kështu, Saramago nëpërmes personazhit të Kainit na fut në një botë të të menduarit që edhe sot e kësaj dite paraqet një domosdoshmëri. Njeriu sot kalon në mes të dikotomisë të së mirës dhe së keqës, kurse Kaini i Saramago-s është kapërcim i kësaj dikotomie. Ai është përtej së mirës dhe së keqës, është njeriu që jeton i mishnuar me hiçin.

Fuqia e këtij njeriu është fuqia e tejkalimit të konstruksioneve të paravendosura. Çdo përpjekje/veprim i tij nuk ka tendencën e universalizimit, por është (ri)rreshtim i përhershëm në botën e njëjtë. Gjithçka është tani, asgjë përherë, motoja e Saramago-s që na e përcjell përmes librit Kaini. Prandaj, kjo edhe e (ri)thekson shqetësimin e autorit për gjendjen njerëzore, për brishtësinë e saj. Kështu që, Saramago nuk është antireligjioz, ai është më shumë se kaq, është antidogmë dhe Kaini është shëmbëlltyra e cila na përfaqëson. Romani Kaini nuk është vetëm një rrëfenjë e adaptuar biblike, por është një shprehje e tronditjes njerëzore karshi vetes dhe asaj që na rrethon.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.