Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Një film i madh me miza

Një nga teoricienet më të fashmëm të kulturës, Susan Sontag, në esenë e saj, kundër intepretimit flet se si intepretimi është shkatërrim i artit. Ajo deri diku edhe mund të ketë të drejtë, por ka disa vepra arti që edhe pasi i lexon apo pasi i sheh, nuk të lënë të qetë, të nxisin që të mendosh mbi to, të nxisin të i intepretosh. Një vepër e tillë që të nxitë ta interpretosh është edhe filmi “Zënia e mizave” (Hunting Flies) i Izer Aliut.

Pas disa filmave të shkurtër, shumë të suksesshëm, ku Izer Aliu tregoi se është një rrëfimtar me talent, ai realizoi edhe filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë (feature film) të titulluar “Zënia e mizave” ku vetëm se e vulosë talentin e tij të jashtëzakonshëm si krijues filmi.

Filmi i tij është i vendosur në një ambient rural (diku në Maqedoni) dhe që në fillim dëgjojmë zukamën e mizave e cila do të na pëcjellë deri në fund të filmit, zukamë kjo që shëndërrohet në lajtmotiv. Fshatrat që përmenden në film kanë toponime të çuditshme; njëri quhet Toka, e tjetri Ora që do të thotë se ngjarja ndodhë diku në planetin tonë, domethënë mund të ndodhë kudo dhe në një kohë që mund të jetë secila kohë pasi që personazhet orën e konsiderojnë veç si rekuizitë apo stoli, por kohën nuk e masin, nuk e vlerësojnë. Dy fshatrat kanë një shkollë të përbashkët, ku përmes nxënësve të fshatit Tokë bartet rrëfimi në fshatin Orë duke u ngushtuar në ambientet e shkollës ku edhe mandej do të zhvillohet krejt ky tregim që shtjellohet brenda një ditë. Duke përjashtuar epilogun që ndodhë në një ditë tjetër.

Që në fillim regjisori/skenaristi Aliu na tregon se mes dy fshatrave ka armiqësi, që si duket më vonë ka nisur për shkaqe të dallimeve politike që kanë ato, e këtë e kuptojmë edhe më mirë pasi na shfaqet edhe mësuesi i shqetësuar, Ganiu (Burhan Amidi), i cili pasi ka marrë vesh se Qeveria e re ka emëruar drejtor të ri në shkollë, ai do ta humbë vendin e punës dhe do të zëvendësohet nga ndonjë mësues i partisë së drejtorit. Tipike ballkanike kjo, kur partia në pushtet i linçon ata që kanë votuar kundër saj, apo nuk kanë votuar fare, siç është rasti i mësuesit Gani, i cili nga frika së do të humbase punën mundohet të gjejë një zgjidhje, që ta ruajë vendin  e punës, duke u munduar që të qëndrojë i paanshëm. Por këtu nuk pi ujë paanësia. Këtu nëse nuk je me ne, je kundër nesh.

Drama e mësuesit shpesh shkakton të qeshura, por në esencë është tragjike. Mënyra se si ai sillet në raport me drejtorin dhe me “kolegun” që do t’ia zë vendin e punës e që i rri tan kohës aty përreth si shpatë e Demokleut, e bën mësuesin Gani që të duket komik dhe tragjik në të njëjtën kohë. Dhe ky tragjikomizëm vjen gradualisht duke u zhvilluar, duke u rritur që krejt në fund mësuesi të shndërrohet në një personazh tragjik. Një tragjizëm biblik pasi që fati i tij mund të krahasohet me atë të Jezusit, që mundohet të bëjë mirë, të shërojë njerëzimin por gozhdohet në kryq si bandit. Edhe mësuesin Gani e “gozhdojnë” nxënësit me shqelma e grushta deri sa e përgjakin. Ciceroni ka thënë: “qëllimi i edukimit është që qytetarët të çlirohen nga tirania e së tashmes”, por fshatarët e Tokës dhe Orës nuk duan që të çlirohen nga zingjirët e injorancës të cilët ata i adhurojnë dhe sakrifica e një njeriu idealist si ajo e mësuesit Gani, është sakrificë e kotë.

Rrëfimi zhvillohet ngadalë por pa u bërë monoton, pasi që çdo skenë është e mbështjellur me humor të krijuar pa pikë sforcimi. Madje lirisht mund të thuhet se mënyra se si Aliu, si skenarist, i zhvillon personazhet e tij, është një shembull i shkëlqyer dhe natyrisht që mandej nuk e ka të vështirë që si regjisor t’i udhëheqë ata drejt krijimit final.

Temë e vogël

Shumica e regjisorëve evropianë, por edhe aziatik janë të fokusuar në trajtimin e “temave të vogla”, sepse shumica e tyre e dinë se koha e metarrëfimeve ka kaluar. Izer Aliu, edhe pse jeton e krijon në Norvegji, më shumë duket se është ndikuar nga regjisorët aziatik, sidomos atyre iranianë, afganë, izraelitë, etj. Aliu që në titull na  e bën me dije se do të merret me një temë të vogël, me miza, por me mjeshtrinë e tij prej rrëfimtari ai arrin të depërtojë aq thellë në temë sa që në fund të filmit e kuptojmë se mizat e tij (lexo idetë) ishin shumë të mëdha. Rrëfimi i tij i vendosur në një hapësirë të ngushtë, kryesisht në një shkollë, flet për një botë të gjerë. Flet për një univers njerëzish, marrëzia e të cilëve nuk ka skaj. Ai përmes një rrëfimi që në dukje është krejt realist, në mënyrë se si e përdorë detajin, mizanskenën, efektet e zërit,… thotë shumë.

Film minimalist

Përveç qasjes së thellë artistike, filmi “Zënia e mizave” paraqet një model të të bërit film. Izer Aliu me një skenar, nj kamerë, një mikrofon, dhe disa aktorë, shumica amatorë, bën një film të shkëlqyer. Ai, ndoshta nga pamundësia financiare, nuk ka përdorur në filmin e tij paisje teknike që do të mundësonin lëvizje të shumta të kamerës, por kuadrot e tij janë kryesisht statik, të gjatë nga disa minuta. Por kjo nuk e pengon atë që të rrëfejë bukur sepse ai ka bërë punën me skenar shumë mirë, mandej edhe me aktorët e tij dhe kamerën kudo që e vendosë, ajo rri mirë. Aliu nuk luan shumë me kamerë, ai i bën aktorët që të luajnë para kamerës dhe kjo është mjeshtria e tij regjisoriale. Madje ai arrin shumë bukur ta fsheh vetën e të mos duket si regjisor, sa që është e çuditshme si ia ka dalur, sidomos kur kihet parasysh se ekipi i aktorëve është i përbërë nga aktorë pa asnjë përvojë në film, përjashto Burhan Amidin i cili është aktor profesionist dhe i cili bën një intepretim të shkëlqyer në këtë film. Aktorët tjerë në këtë film janë shumica fëmijë, burra dhe vetëm një grua, që në këtë film vërtetojnë thënien se: “aktrimi është reagim”. Ata reagojnë në situatat që me mjeshtri ua ka krijuar regjisori. Ata vetëm përmbushin detyrat, por këto detyra i bëjnë aq mirë sa që krijojnë një lojë kolektive (ansambël) të shkëlqyer, dhe secili prej tyre është i tipizuar shumë mirë.

“Në të vërtetë unë mendoj se ka ndonjë arsye të gabuar për të dashur një statujë apo një pikturë… Ka arsye të gabuara për të mos e dashur një vepër arti.” shprehet E.H.Gombrich në librin e tij “Historia e artit”. Dhe vërtetë ai që nuk e do filmin “Zënia e mizave” duhet të ketë ndonjë ose më shumë arsye të gabuara, sepse ky film i realizuar nga një regjisor i ri por që ka mjeshtrinë e një veterani, e që dhuron knaqësi estetike, të bën për vete, të bën ta duash.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.