Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Leninizmi është stalinizëm

Në Kosovë, në veçanti, dhe në mesin e së majtës, në përgjithësi, ekziston një prirje e leximit të botës përmes thjerrave leniniste. Një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdon me zell që të aplikojë dioptrinë leniniste në konceptualizimin, interpretimin dhe artikulimin e shoqërisë, politikës dhe ekonomisë. Madje, maja e kompasit leninist vazhdon të penetrojë edhe në logjikën dhe strukturën organizative të jo vetëm lëvizjeve të ekstremit të majtë, por edhe tek ato më të moderuara. Figura e Leninit vazhdon edhe sot të zërë një vend të rëndësishëm në modelimin e partive të majta dhe në paradigmën e tyre mbi transformimet e mëdha shoqërore. Ky kultivim i leninizmit nuk është diçka e re.

Në shekullin e kaluar, të gjitha regjimet komuniste e kanë pasur leninizmin shtyllë të fuqishme në ideologjinë e tyre zyrtare. Këtë gjë sidomos e ka bërë Bashkimi Sovjetik (BS). Në veçanti Stalini u thirr në leninizëm derisa arsyetonte brutalitetin e tij mbi elemente të caktuara në shoqërinë sovjetike. Çështja është: përveç arsyetimit formal, a kishin bazë reale në leninizëm krimet e tij? Për këtë duhet të analizohen disa prej fushatave të tij më të ashpra. Le të fillojmë me krimet e tij mbi fshatarësinë në territorin e BS-së. Një nga fushatat më të egra të Stalinit ishte ajo e kolektivizimit të dhunshëm të sektorit bujqësor që dominohej nga fshatarësia. Në vitin 1928 Stalini kishte filluar implementimin e Planit Pesë-Vjeçar (PPV).

Ky plan parashihte zëvëndësimin e Politikës së Re Ekonomike (PRE) të instaluar nga Lenini. PRE-ja synonte të fuqizonte ekonominë ruse që ishte zhytur në krizë pas luftës civile. Kjo politikë lejoi ekzistencën e ndërmarrjeve private me më pak se 20 punëtorë. E hyrë në fuqi në vitin 1921, kjo reformë krijoi një taksë të ulët për produktet bujqësore dhe u lejonte fshatarëve të ruajnë tepricën e prodhimit dhe ta shesin atë në treg të lirë. Në vitin 1928 prodhimtaria kishte arritur nivelin e para revolucionit Bolshevik dhe fshatarët ishin pasuruar përsëri. Kur Lenini e propozoi PRE-në, shumica e bolshevikëve e kritikuan atë veprim si reaksionar sepse e shihnin si koncesion ndaj fshatarëve (kulakëve).

Lenini premtoi se kjo politikë ishte e përkohshme dhe sapo shteti të merrte veten, ajo do të hiqej. Pas vdekjes së Leninit, kundërshtimet vazhduan, me Leon Trotskyn në krye të tyre. Ai mendonte se çdo element i ekonomisë duhet të kontrollohet nga shteti. Ndërkohë që PRE-ja e pamundësonte këtë për shkak që fshatarët po forcoheshin gjithnjë e më shumë në tregun e lirë. Kundërshtarët e PRE-së u quajtën “E majta”. Ata besonin se forcimi i vazhdueshëm i fshatarëve po e bënte revolucionin të panevojshëm. Pyetja e tyre ishte: “pse duhej të bënim revolucion, nëse pas tij do t’i lejonim kulakët të bëheshin përsëri të pasur?” Përkrahësit e PRE-së argumentonin se pasurimi i fshatarëve ishte i domosdoshëm për shkak që kjo nënkuptonte më shumë prodhim bujqësor, për të cilin kishte nevojë shteti. Në krye të tyre ishte Bukharini dhe ky grup u quajt “e djathta”, për shkak se mbronte politikat e tregut të lirë, qoftë edhe përkohësisht.

Fillimisht, në mes tyre qëndronte Stalini që ishte më neutral. Më pas ai u rreshtua me Bukharinin për të eliminuar Trotskyn nga loja. Pasi Trotsky u përjashtua nga partia, Stalini adoptoi pozicionin e Trotskyt dhe vendosi të shtetëzojë secilin nivel të ekonomisë sovjete. Kjo e përplasi me Bukharinin, të cilin poashtu e përjashtoi nga partia. Në momentin që Stalini hoqi nga rruga të gjitha pengesat politike, ai filloi procesin e kolektivizimit. Kolektivizimi nënkuponte konfrontim të madh mes policisë sovjetike, e njohur atëherë si OGPU, dhe fshatarësisë.

Duke e parashikuar përplasjen e egër, Stalini kishte urdhëruar zhvendosjen më masive ushtarako-policore në histori të shtetit. Përpjekja për të ndërtuar socializmin, thoshte Stalini, do të ishte sikur “ngritja e oqeanit”. Sulmi i vrazhdë i makinerisë shtetërore mbi një grup të njerëzve që nuk kishte bërë asnjë krim ishte mbështetur me propadandë vulgare. Në dhjetor të vitit 1929 ai deklaroi se “kulakët” do të “likuidoheshin si klasë”. Një poster nën titullin “Ne do t’i shkatërrojmë kulakët si klasë” portretizoi një kulak nën rrotët e traktorit, një tjetër kulak si majmun që mbledh drithëra dhe një të tretë që thith qumësht direkt nga gjiri i lopës. Stalini udhëhoqi një kampanjë dehumanizuese mbi fshatarët sovjetë.

Ai transformoi tregun në plan, fermerët në skllavë dhe djerrinat e Siberisë dhe Kazakistanit në zinxhir të kampeve të përqendrimit. Historiani i Evropës Lindore, Timothy Snyder, në librin e tij “Tokat e gjakut”, shkruan se politikat e Stalinit vranë dhjetra e mijëra njerëz përmes ekzekutimeve, qindra e mijëra përmes lodhjes në punën e detyruar dhe përmes urisë sistematike mori jetën e miliona njerëzve.

Këtë fakt leninistët e sotëm e interpretojnë si thjesht oportunizëm të diktaturave për të justifikuar veprimet e tyre të egra. Në këtë mënyrë, ata lënë të kuptohet që praktikat totalitare pas vdekjes së Leninit nuk janë vazhdimësi e leninizmit, por rezultate të diktatorëve që udhëhoqën pas tij. Megjithatë, e vërteta është ndryshe. Ky kultivim i leninizmit nga aparatet komuniste nuk mund të interpretohet si thjesht shpërdorim i opusit teorik dhe i trashëgimisë politike të Leninit. Nëse shikohet thellë historia, shihet që leninizmi nuk ka luajtur thjesht rol instrumental në justifikimin e krimeve të diktaturave komuniste. Përkundrazi, leninizmi ishte element intrinsik i teorisë dhe i praktikës diktatoriale sovjete. Leninizmi ka qenë arche-ja e veprimeve të infrastrukturës sovjetike. Leninizmi ishte principi themelor që organizonte sjelljen e regjimit sovjetik edhe pas vdekjes së tij. Sulmet brutale mbi sektorë të ndryshëm të shoqërisë sovjete nuk ishin të orkestruara nga zyrtarë solipsistë në një mjedis ku politika funksionon thjesht vetëm përmes rregullave formale të privuara nga çdo ideologji. E kundërta vlen: aparatura sovjete kishte një “shpirt objektiv” që furnizonte ideologjikisht rregullat formale të burokracisë sovjete. Ky “shpirt objektiv” ishte leninizmi.

I pari vend ku mund të detektohet roli substancial i leninizmit është tek raporti asimetrik mes partisë dhe shoqërisë që dogma leniniste ideonte para revolucionit dhe të cilin kishte filluar ta ndërtonte gjatë dhe pas revolucionit. Lenini e shihte shoqërinë ruse, përfshirë klasën punëtore, si një grumbull njerëzish që duhej të udhëhiqeshin nga partia e tij pararojë. Ekipi revolucionar i Leninit e kishte licensuar veten me misionin mesianik të shthurjes së strukturës primordiale të shoqërisë ruse dhe ndërtimit të besojmave dhe lojaliteteve të reja. Kjo parti synonte të realizonte doktrinën e shëlbimit komunist të kësaj bote: shoqërinë pa klasa.

Në fjalët e Leninit, partia e mendonte veten si “arsyeja, nderi dhe ndërgjegja e e asaj epoke… i vetmi garancion për çlirimin e klasës punëtore”. Kjo parti, që ishte motori i asimetrisë, vendosi të krijonte institucione politike që të materializonte këtë synim. Kjo asimetri barte në vete një faktorizim të skajshëm të partisë dhe një desubjektivizim të shoqërisë që duhej emancipuar. Kjo për shkak që, sipas doktrinës leniniste, e gjithë vetëdija e shoqërisë ishte e koncentruar në partinë e Leninit, ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërisë ishte djerrinë intelektuale. Edhe pse në gjuhën zyrtare paraqitej si projekt poshtë-lart, leninizmi ishte një projekt lart-poshtë, me partinë që u printe masave.

Pasi kishte formuar një parti me vullnet të fortë dhe disiplinë të lartë, atij i duhej të merrte në dorë shtetin dhe të realizonte premtimet e revolucionit. Në njërin nga tekstet e tij, Lenini shkruan se “fuqia e shtetit është çështja bazike e revolucionit”. Fiksimi me shtetin e fortë vinte nga frika e Leninit se mos projektin e tij do ta gjente fati i Komunës së Parisit, projekti tjetër komunist, që kishte mbijetuar për afër 60 ditë. Lenini nuk donte që kjo të përsëritej. Që të menaxhohej kaosi post-revolucionar, duhej një aparaturë e fortë burokratike. Alain Badiou shkruan se me Revolucionin Bolshevik fillon “sekuenca e dytë e hipotezës komuniste”. Kjo sekuencë, përveç që synonte riaranzhimin e shoqërisë ruse në linja me ideologjinë marksiste-leniniste, preokupohej shumë edhe me konsolidimin e mjaftueshëm të forcës për të shtypur agjentët kundërrevolucionarë. Këtë Lenini e kishte arritur dhe kishte vallëzuar në borë kur diktatura e tij kishte mbijetuar një ditë më gjatë se Komuna e Parisit. Kjo u arrit me një çmim të lartë, por kjo ishte brenga më e vogël e Leninit me shokë.

Shtypjen Lenini do ta bënte në mënyrën më brutale të mundshme dhe do të arsyetonte gjithçka deri në fund. Jeta njerëzore ishte shumë e vogël përballë thirrjeve të komunizmit. Bashkëluftëtari i tij i famshëm, Trotsky, shkruante për dilemat morale, taktike dhe strategjike të revolucionarëve. Në tekstin e tij “Terrorizmi dhe Komunizmi” Trotsky favorizon taktikat kundrejt jetës së njerëzve dhe deklaron se bolshevikët “kurrë nuk kanë qenë të dhënë pas moralit kantian që shenjtëron jetën e njeriut”. Lenini e përkrahte këtë qasje dhe kjo vërehet në disa tekste të tij, si p. sh. në një letër, ku shkruan se “kulakët (fshatarët e pasur) duhet të shtypen pa mëshirë sepse këtë e kërkon revolucioni”. Lenini shkruan aty se bolshevikët duhet të japin shembull përmes varjeve publike të 100 kulakëve, të pasurve, gjakthithësve; t’u publikohen emrat dhe t’u konfiskohet pasuria”. Ai shton se “kjo duhet të bëhet në mënyrë që njerëzit tjerë të tmerrohen dhe ta dinë se çfarë i pret nëse revoltohen kundër bolshevikëve”.

Instrumentet më të rëndësishme të fabrikës leniniste për eksterminim, “Gjykata e Popullit”, “Tribunalet Revolucionare” dhe “Cheka” (Komisariati për shtypjen e kundërrevolucionarëve), dënuan dhe vranë me dhjetëra-mijëra njerëz dhe krijuan kampe të përqendrimit dhe të punës së dhunshme. Këto institucione që ishin pjesë e shtetit që do të shtypte kundërrevolucionarët ishin formuar nga Lenini dhe partia e tij. Ato ishin në shërbim të politikave të Leninit që synonin ndërtimin e një shoqërie të re dhe të purifikuar nga “helmet” e rendit të vjetër. Për të legjitimuar këto fushata, ai përdorte shprehjet më të rënda për armiqtë e tij, përfshirë edhe metafora biologjike dhe çnjerëzore, si: bisha, merimanga, shushunja, insekte, horra, vampirë dhe bënte thirrje për vdekjen e tyre. Kjo gramatikë e dhunës shpërfaq ëndrrën e tij eskatologjike të krijimit të një “trupi shoqëror të sterilizuar nga viruset borgjeze”. Makineria leniniste e kontrollit dhe e terrorit duhej të funksiononte si një ndërmarrje higjienike që sistematikisht planifikon dhe bën dezinfektimin e shoqërisë.

Përveç dhunës drejtuar armiqve jashtë partisë, Lenini ishte i fokusuar edhe në problemet e organizatës me disiplinën. Kjo mund të vërehet sidomos në tekstin e tij “Ç’të bëjmë?”, ku artikulon çështjen e partisë homogjene dhe të centralizuar. Koncepti i tij i partisë së centralizuar me kuadro të disiplinuar përbënte modelin organizativ dhe ideologjik të një kishe të re, të pajisur me monopol hierokratik të ekskomunikimit të anëtarëve që devijojnë. Modeli i tij i partisë kërkonte teori, strategji dhe taktika strikte në mënyrë që të mirëmbahej kohezioni i brendshëm. Ata që nuk u përmbaheshin linjave të partisë, eliminoheshin nga partia sepse e pengonin ndërtimin e kohezionit. Sipas Leninit, partia bëhet më e fortë kur eliminohen anëtarët që shkelin linjat e saj. Në tekstin e tij “Kriza në Parti”, Lenini shkruan se “partia po dridhet nga ethet. A është kjo sëmundje e pranishme vetëm në shtresat e larta të Partisë në Moskë, apo e përhapur në gjithë organizatën? Si mund të imunizohemi që të parandalohet kthimi i vazhdueshëm i saj?” Pluralizmi për të ishte sëmundje që kërkonte ndërhyrje kirurgjike. Lenini kështu krijoi një parti me disiplinë të hekurt, duke ndëshkuar këdo që nuk pajtohej me të.

Në anën tjetër, politikat e tij po e njësonin vazhdimisht partinë me institucionet sovjetike. Mbi 80% e partisë ishte akomoduar në institucione. Gradualisht, një parti e militantëve ishte shndërruar në një makineri që kontrollonte çdo aferë shtetërore. Në gjithë këtë rrugëtim, Lenini nuk ishte i vetëm. Krahu i tij i djathtë ishte Stalini, që ishte një karakter shumë i përshtatshëm për etosin e partisë. Stalini ishte figurë kyçe në diktaturën e Leninit. Së bashku me Leninin, Trotskyn dhe Sverdlovin, ai ishte pjesë e katërshes joformale në krye të diktaturës sovjete. Trotsky dhe ai ishin të vetmit njerëz që kishin qasje në letrat e Leninit pa procedura formale. Stalini ishte përkrahës i praktikave bolshevike të terrorit që nga fillimi. Për shembull, ai bashkë me Leninin nënshkruan një dekret për mbylljen e gazetave opozitare.

Se Stalini ishte njeri i afërt i Leninit, tregon edhe fakti që ai ishte udhëheqës i seancave të komitetit që draftoi kushtetutën sovjetike. Ai ishte përkrahës i madh i formimit të Chekas dhe terrorit që ajo kreu. Lenini e emëroi Stalinin në krye të ushtrisë bolshevike sapo grupet tjera në Rusi u rebeluan dhe filloi lufta civile më 1918. Aty ai ekzekutoi pa gjyq shumë prej njerëzve që i konsideronte kundërrevolucionarë, brenda dhe jashtë partisë. Leninit kjo gjë nuk i pengoi. Përkundrazi, Stalini ishte dekoruar me medalje nderi. Në Kongresin e 11-të të Partisë më 1922, Lenini nominoi dhe ndihmoi Stalinin që të zgjidhej Sekretar Gjeneral të Partisë. Pak para vdekjes së tij, Lenini në testamentin e tij shkruante se Stalini ishte një udhëheqës i keq dhe i rrezikshëm për të ardhmen e Partisë.

Gjykim i drejtë, por jorelevant. Dëmi tani ishte bërë. Lenini veçse e kishte lejuar dhe përkrahur ngritjen e Stalinit. Disa dyshime të vogla në ditët e fundit të jetës nuk mund të zhbënin punën e bërë me vite. Për më tepër, nuk ishte shumë e rëndësishme se kush do të ishte pasardhësi i Leninit. Trotsky ishte edhe më i ashpër se Stalini kur bëhej fjalë për PRE-në. Trotsky kërkonte sulm masiv mbi kulakët që i shihte si pengesë drejt komunizmit. Vetëm një variant mund të sillte më pak dhunë: nëse do të braktisej projekti i komunizmit dhe të lejohej pasurimi i mëtejshëm i fshatarëve. Por me këtë rast do të hiqej dorë vullnetarisht nga revolucioni. Diçka që kishte pak gjasa të ndodhte në BS-në e ndërtuar mbi marksizëm-leninizëm.

Idetë e Leninit mbi dhunën, diktaturën, terrorin, centralizmin, hierarkinë dhe lidershipin ishin elemente të rëndësishme në mendimin e Stalinit. Mes tjerash, Lenini i la Stalinit në dorë instrumentet terrorizuese. Chekan, kampet e punës së dhunshme, shtetin njëpartiak, median mono-ideologjike, arbitraritetin e legalizuar administrativ, ndalimin e zgjedhjeve të lira, ndalimin e fraksioneve brenda partisë, nënshtrimin e unioneve të punëtorëve: të gjitha këto Stalini i trashëgoi nga Lenini. Stalini vetëm i kishte profesionalizuar. I kishte bërë më efikase dhe më brutale. Gjithçka që kishte bërë Lenini, Stalini do ta bënte të njëjtën, por më mirë. Për krimet e tij nuk ka nevojë shumë komente. Sa u përket numrave, Stalini është fitimtar, por për arsye se Lenini (i) nuk qeverisi aq gjatë sa Stalini dhe (ii) kishte burokraci, polici e ushtri më të dobët se Stalini. Leninizmi ishte stalinizëm i pakonsoliduar. Prandaj ishte më i varfër në rezultate.

Diktatura e Partisë Bolshevike asnjëherë nuk realizoi premtimin komunist të zhdukjes së shtetit. Përkundrazi, ajo solli më shumë shtet. Formoi një vrimë të zezë që do të përpinte miliona jetë. Lenini ndërtoi një burokraci që legjitimoi dhe praktikoi terrorin, që normalizoi dhe rutinizoi ndëshkimet më brutale për të gjithë opozitarët brenda dhe jashtë partisë. Të tjerët, me në krye Stalinin, ndoqën këtë rrugë dhe e përsosën atë. Shkurt, siç mund ta shohim këtu, mes Leninit dhe Stalinit ka një vazhdimësi ideologjike, institucionale, organizative dhe shoqërore. Argumenti që Stalini ishte karakter më i vrazhdë se Lenini mund të jetë i vërtetë, por më të rëndësishme se profili i tyre psikologjik është ideologjia, doktrina organizative dhe kushtetuta e institucioneve me të cilat është qeverisur Bashkimi Sovjetik nga Lenini e te Stalini. Është e vërtetë që rrethana të reja ishin krijuar pas ardhjes së Stalinit në krye të Bashkimit Sovjetik, por vazhdimësia dhe ngjashmëria mes leninizmit dhe stalinizmit është më e madhe sesa shkëputja dhe dallimet mes tyre. Leninizmi ishte logosi dhe gjeneza e komunizmit sovjetik, ndërkohë që stalinizmi ishte vetëm një variacion i leninizmit.

E ndërkohë, shumë të majtë sot mbyllin sytë përballë fakteve dhe pohojnë se Lenini nuk ka përgjegjësi për bëmat e Stalinit. Kjo përpjekje për të rehabilituar është mbetje doktrinare e regjimeve komuniste dhe socialiste, e përcjellë dhe e mveshur me finesa nga ideologët leninistë. Përpjekjet e tilla duhet të goditen dhe demantohen me fakte dhe argumente racionale. E majta, nëse vërtet dëshiron t’i çlirojë potencialet progresive, duhet të angazhohet në një projekt teorik të dekonstruktimit të aporive të diktaturave. E leninizmi është pjesë konstitutive e këtyre aporive. Nëse vërtet synon që të krijojë shtigje emancipuese, ajo duhet të ndalojë riprodhimin e dogmës leniniste përmes apologjive dhe shtrembërimeve të fakteve historike në mënyrë që të mbajë gjallë projekte monstruoze. Leninizmi duhet të braktiset. Sepse është stalinizëm në inkubator.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.