Shoqëria shqiptare, kudo ku jeton, por sidomos në Shqipëri, ka një problem të madh me bashkëjetesën dhe tolerimin e krimit. Shkaktarët e nivelit të lartë të krimit janë shumë duke variuar nga dobësia e institucioneve shtetërore, varfëria dhe mungesa e mundësive ekonomike për të rinjtë, kultura e pandëshkueshmërisë nga ligji e deri tek mentaliteti që e favorizon apo e toleron krimin. Mirëpo duhet pranuar se kultura jonë sot është një ndër shkaktarët kryesor, sepse jo vetëm që nuk e dënon krimin, por e toleron dhe në njëfarë mënyre e inkurajon. Kjo pasi këtë përfshirje masive në krim shqiptarët e kanë jo vetëm në vendlindje, por edhe në emigracion, ku shteti ligjor e kushtet sociale nuk lënë hapësirë për t’u ankuar.
Miti kryesor, që e justifikon këtë indiferencë apo bashkëjetesë me krimin mes shqiptarëve, është iluzioni se paratë e krimit, pavarësisht se janë të pista, e ndihmojnë ekonominë. Për këtë arsye, këta kriminelë apo “djem të shkathët”, siç është shpesh eufemizmi për ta, shikohen si shpëtimtarë të ekonomisë shqiptare apo rrugëdalje nga varfëria. E vërteta është krejt ndryshe! Këto para të pista, jo vetëm që nuk e ndihmojnë ekonominë dhe të ardhmen tonë, por e pengojnë dhe e groposin atë. Vendosa ta shkruaj këtë shkrim, pikërisht se jam lodhur së dëgjuari të njëjtin avaz të përsëritur nga njerëz të ndryshëm, kështu që herës tjetër që më hapet e njëjta temë thjesht do iu dërgoj këtë artikull.
Bashkëjetesa me krimin
Ne të folurën e përditshme në Shqipëri ose Kosovë, dominon një magjepsje ndaj personazheve të krimit dhe një pjesë e mirë e shoqërisë, përfshi këtu njerëz të famshëm e politikanë, mezi presin që të rrinë në prani të këtyre “të fortëve”. Tavolinat e kafeneve shqiptare janë të tejmbushura me biseda që bëhen tërë zili e admirim për bëmat e kriminelëve shqiptarë, duke nxjerrë në pah burrërinë, krenarinë, forcën apo dinakërinë. Janë të shumtë ata që krekosen e lëvdohen duke thënë se këtu prostitucionin e kontrollojnë shqiptarët, aty e bëjnë ligjin shqiptarët, atje dominojnë trafikun e drogës bashkëpatriotët tanë etj. Për mos të folur pastaj për justifikimin më banal që përdoret i tipit “dikush duhet ta bëj atë punë kështu që më mirë ata se dikush tjetër”. Shprehja mandej që të bën për të vjellë e të nxjerr zorrët në grykë për nga përmasat e injorancës dhe naivitetit është se “krim ka kudo, edhe Amerika u zhvillua prej krimit, ja shiko Al Capone”.
Një ndër legjendat urbane që qarkullon më shumë e që thuhet gjithë krenari, është që, mafia e Italisë është nisur nga arbëreshët. Kjo gjë është tërësisht e pavërtetë, madje arbëreshët tanë si ata të Horës së Arbëreshëve në Siçili, duke qenë nën autoritetin e papës por të traditës ortodokse historikisht as që japin e marrin me fshatra fqinje katolikë si Korleone që konsiderohet epiqendër e Mafias. Në fakt rasti, i jugut të Italisë , të infektuar nga mafia, është dëshmia më e qartë se krimi masiv, kurrsesi nuk sjell begati e zhvillim. Përkundrazi, sjell mjerim, prapambetje e emigracion.
Bashkëjetesën e rehatshme me krimin e dëshmon edhe mentaliteti ynë që nuk dënon banditët por nënçmon ata që denoncojnë, dëshmojnë apo raportojnë krimin duke i konsideruar “spiunë”. Janë të paktë ata që e konsiderojnë denoncimin e krimit si një akt të përgjegjësisë së qytetarit që meriton të lavdërohet. Ata që vjedhin, trafikojnë apo korruptohen konsiderohen si të shkathët, të zgjuar, të zotë, ndërsa ata që nuk përfitojnë nga mundësitë konsiderohen leshko, apo budallenj ose thjesht frikacakë.
Po ashtu këtë bashkëfajësi apo indiferencë ndaj krimit e tregon edhe lehtësia me të cilën blihen apo përdoren sendet e vjedhura mes shqiptarëve. Është me të vërtetë për të qarë hallin kur shihet se ka boll njerëz të pasur që edhe pse ua lejon xhepi, do të preferonin të blinin diçka të vjedhur e të lirë përpara diçkaje të blerë ligjshëm. Këtë dimension e ilustron më së miri rasti tragjikomik i ish-ministrit socialist të rendit, Spartak Poçi, i cili u kthye në kufi nga Greqia sepse udhëtonte me një makinë të vjedhur në perëndim.
Nëse shoqëria jonë do ta dënonte krimin e jo ta glorifikonte atë, me siguri niveli i krimit tek ne do të ishte shumë më i ulët se sa e kemi sot. Pothuaj të gjithë keqbërësit shqiptarë kanë prindër, vellezër, motra, kushërinj apo miq, të cilët, jo vetëm që nuk kanë mbajtur qëndrim moral qortues, por e kanë toleruar e madje inkurajuar veprimtarinë e tyre të paligjshme. Familjarët i kanë fërkuar duart kur djemtë refugjatë sillnin para apo sende të grabitura me bollëk nga emigracioni. Ata në njëfarë mënyre janë justifikuar me argumentin se “shqiptarët bëjnë çfarë bëjnë andej por në Shqipëri janë djem të mirë” ose thënë popullorçe “çunat tanë nuk përmjerin atje ku hanë e ku jetojnë”. Mirëpo shumë shpejt tymin që bënin jashtë shtëpisë “djemtë e shkathët” e sollën dhe në shtëpi, gjë që u pa më së miri në vitin 1997 por edhe po shihet dita ditës me përplasjet mes bandave.
Së pari njëherë duhet pasur kurajo e sinqeritet e duhet të thënë thënë që niveli i kriminalizimit mes shqiptarëve, sidomos atyre të shtetit amë, është i përmasave të jashtëzakonshme. Një ndër mënyrat për ta dëshmuar këtë fakt të hidhur është numri i të burgosurve. Kështu duhet vënë në dukje se brenda Bashkimit Evropian, shtetasit e Republikës së Shqipërisë ndodhen në krye të renditjes së të burgosurve që vijnë nga vendet jashtekomunitare. Vendin e parë e zë Maroku me 11 706 të burgosur, pastaj vendin e dytë e zë Shqipëria me 5722, dhe të tretin me 4798 të burgosur e kap Turqia. Kuptohet nëse përllogaritja bëhet për të burgosur për kokë banori, Shqipëria e kapërcen edhe Marokun. Autoritetet shqipare raportojnë se në Greqi janë 1655 shtetas shqiptar të dënuar apo paraburgosur. në Itali janë 1600 shtetas shqiptar të burgosur nga të cilët 100 janë të paraburgosur. në Gjermani janë 768 shtetas shqiptar të burgosur ndërsa në Angli janë 762 shtetas shqiptar të dënuar apo paraburgosur.
Përpos të burgosurve jashtë vendit, janë të shumtë ata që janë të burgosur edhe brenda vendit. Organizata Botërore e Burgjeve dhe Kombeve të Bashkuara, në Evropë përllogaritet që të jenë diku tek 1.5 milionë të burgosur nga të cilët më shumë se 600 mijë janë në Rusi. Shqipëria ka 5447 të burgosur, që përbëjnë rreth 0.2% të popullsisë duke pasur përqindjen më të madhe në rajonin e Evropës Juglindore. Maqedonia i ka rreth 3000 të burgosur dhe normë 0.15%.= ndërsa Serbia ka rreth 10 000 të burgosur dhe normë 0.11% të popullsisë. Shtetet me më pak të burgosur në Evropë janë Islanda (131 – 0.04%), Qipro (654 – 0.06%) dhe Suedia (5630 – 0.06%).
Dëmi ekonomik i krimit
Dëmin më të madh në ekonomi, krimi e bën duke minuar institucionet që mundësojnë lulëzimin e ekonomisë. Një ndër librat me ndikimin më të madh të viteve të fundit, është “Përse dështojnë kombet” me autorë Acemoglu dhe Robinson. Ata nëpërmjet 15 kapitujve të librit të tyre përpiqen që të nxjerrin në pah burimin e prosperitetit. Ata rrëzojnë me raste konkrete shumë nga perceptimet dominuese që theksojnë rëndësinë e gjeografisë, klimës, kulturës, fesë apo burimeve natyrore. Teza e tyre kryesore është se vendet zhvillohen kur kanë institucione ekonomike dhe politike gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese. Sipas tezës së tyre vetëm një sistem demokratik pluralist që garanton sundimin e ligjit mund të sjellë begati ekonomike.
Faktikisht krimi i zhvilluar në Shqipëri rrënon pikërisht këto dy shtylla të zhvillimit ekonomik. Jo vetëm që ka sjellë një tumor malinj në sistemin e drejtësisë dhe rendit por tanimë ka lëshuar metastaza vdekjeprurëse edhe në sistemin e demokracisë. Më përpara në Shqipëri kriminelët u paguanin rryshfete politiknëve për të siguruar ndonjë favor apo imunitet. Politikanët i rekrutuan ata e i përdorën si instrumenta elektoralë. Mirëpo në vijim “djemtë e shkathët” i anashkaluan politikanët dhe ua zunë vendin në parlament duke u bërë vetë politikanë e duke e kalbur në nivel kapilar sistemin tonë të demokracisë.
Po ashtu, krimi dëmton edhe një shtyllë tjetër të zhvillimit ekonomik, që është konkurrenca. Egziston një lidhje e fortë shkak pasojë mes nivelit të konkurrencës në ekonomi dhe rritjes së ekonomisë pasi konkurrenca vendos presion mbi firmat për të rritur efikasitetin e tyre, nxjerr nga tregu firmat që janë më pak produktive si dhe detyron firmat që të jenë novatore duke sjellë produkte e shërbime të reja. Konkurrenca e lirë dhe e ndershme rrit edhe mirëqënien e cilësinë e jetës së individit pasi i detyron sipërmarrësit që të rrisin cilësinë e shërbimeve apo mallrave apo ulin çmimin e tyre për të mbajtur konsumatorin të kënaqur Kur kanë të bëjnë me konkurrencën, biznesmenët që i kanë bërë paratë nëpërmjet krimit, e kanë forcën e zakonit prej përvojës kriminale që të përdorin dhunën, kanosjen, presionin ose mashtrimin. Po ashtu kanë tendencën dhe praktikën që të shkelin ligjin dhe që të godasin konkurruesit duke paguar rryshfete në administratë për të shmangur rregulla, standarde apo kushte specifike. Për me tepër duke korruptuar zyrtarë që iu tolerojnë evazionin fiskal apo kontrabandën si dhe nëpërmjet presionit apo rryshfeteve këta janë të parët që sigurojnë tenderat publik në mënyrë të pamerituar. Të gjitha këto elemente iu japin këtyre biznesmenëve një avantazh të krahasuar përkundrejt biznesmenëve të ndershëm dhe i privojnë qytetarët nga përfitimet që vijnë natyrshëm prej konkurrencës së lirë dhe të ndershme.
Një ndër dëmet më të mëdha që bëjnë paratë e pista të hedhura në investime është efekti dumping me të cilin shkatërrojnë konkurrencën e ndershme. Shumë individë që kanë para të shumta që burojnë nga aktivitete të paligjshme, bëjnë investime në sektorë të ndryshëm vetëm që të kamuflojnë aktivitetet e tyre të dyshimta ose që të pastrojnë paratë e pista, pa e vrarë mendjen për fitimin nga këto biznese. Ata shpesh janë të gatshëm që t’i operojnë këto biznese edhe me humbje apo duke ofruar shërbime apo produkte nën kosto, gjë që e bën të pamundur që të konkurrohen nga biznese të ndershme që jetojnë me të ardhurat që vijnë prej fitimit të biznesit ejo burime të dyta. Për rrjedhojë kjo konkurrencë e pandershme shkakton dumping e nxjerr nga loja aktorët e ndershëm ekonomik në vend duke e kalbëzuar akoma më shumë ekonominë në vend.
Një tjetër dëm i madh është inflacioni. Qytetarët kane iluzionin se paratë e shumta të ardhura nga krimi ndihmojnë ekonominë duke qarkulluar, mirëpo nuk e kuptojnë se si pasojë e tyre jeta shtrenjtohet në mënyrë të paarsyeshme duke ua rënduar xhepi. Këta që i bëjnë paratë në sasi të mëdha pa djersitur shumë edhe i harxhojnë paratë në mënyrë moskokëçarëse duke shkaktuar inflacion. Rasti më klasik ilustrativ është inflacionimi që iu bëhet banesave në Tiranë duke rritur çmimet në atë nivel, sa për një çift të ri që bën punë të ndershme e bën të papërballueshme çmimin e një banese.
Një tjetër dëm që na shkaktohet është edhe njollosja e imazhit tonë ndërkombëtar. Ekonomistë të shumtë mendojnë se imazhi ndërkombëtar sot ka ndikim të drejtpërdrejtë tek zhvillimi ekonomik pasi në varësi të tij tërhiqen ose largohen turistët dhe investitorët. Po ashtu ndikon në suksesin që ka eksportimi i shërbimeve apo prodhimeve të një vendin. Pesha politike e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, mundësia jonë për të bërë marrëveshje ndërkombëtare ekonomike të favorshme, përpjekja për të gjetur tregje të reja apo burime të reja të lëndës së parë, varen drejtpërdrejtë nga imazhi i vendit. Për mos të folur pastaj për trajtimin e shtetasve shqiptarë kur udhëtojnë. Sa herë që udhëtojmë jashtë shtetit e ndihemi të diskriminuar, të përçmuar apo ballafaqohemi me mungesë mirësjellje, dyshim apo paragjykim duhet të mendojmë se ajo gjë nuk është krejt rastësore, por ka arsye objektive përse na ndodh. Fajin duhet ta gjejmë nëpërmjet pasqyrës, tek “djemtë e shkathët” që na rrethojnë e të lehtësia me të cilën bashkëjetojmë me ta.
Në këtë aspekt bie në sy një tjetër perceptim i gabuar me shqiptarin tipik që konsideron biznesmen këdo që është i pasur dhe nuk e bën dot dallimin mes pasanikut (atij që ka para) dhe sipërmarësit (atij që bën para). Në epokën moderne të financës ku jetojmë sot më shumë rëndësi ka shpirti i iniciativës e aftësia menaxheriale sepse paratë i ka banka e cila është e gatshme që t’i japi kredi kujtdo që ka ditur të hartojë një projekt që ka shanse të larta suksesi. Nuk është rastësi që në Shqipëri sot është ndërtuar një kastë e tëra biznesmenësh pa aftësi të menaxhimit të biznesit, që i kanë gjasat larta që të falimentojnë në momentin e parë që iu ndalen paratë e pista apo favorizimet nga qeveria.
Kuptohet që për t’u bërë kriminel i suksesshëm e i pasur nuk kërkohet arsim apo përvojë profesionale por thjesht kërkohet guxim, forcë, mungesë skrupujsh, dinakëri e mizori, veçori këto që nuk pijnë ujë në menaxhimin e biznesit. Prandaj kur paratë janë masivisht të përqendruara në duart e kriminelëve, kuptohet që për shkak të përgatitjes së tyre mediokre edhe investimet e tyre do të jetë në sektorë mediokër të ekonomisë dhe rezultati do jetë i keq për mbarë ekonominë. Ata nuk din ta bëjnë një biznes, po që se nuk kanë prurjen e vazhdueshme të parave të pista gjasat janë që të falimentojnë menjëherë . Prirja e tyre është që të investojnë në biznese të thjeshta , që nuk kërkojnë aftësi të mëdha menaxheriale, duke imituar shpesh njëri tjetrin. Të tilla biznese janë kafenetë, restorantet, hotelet, ndërtimet , pikat e karburantit, bastoret etj. Pra kjo prirje bën që një pjesë e mirë e kapitalit të ekonomisë të përqendrohet në dy tre lloj biznesesh ndëkrohë që neglizhohen sektorë të tjerë që kanë potencial më të madh zhvillimi. Kjo nga njëra anë shkakton një kosto të madhe oportune për ekonominë (sikurse është varrosja e miliarda eurove në ndërtimine dhjetëra mijëra apartamenteve në bregdet ) e nga ana tjetër shkakton fluska të rrezikshme ekonomike sikurse është ajo e ndërtimit të cilat rrezikojnë të infektojnë të gjithë ekonominë.
Një nga sektorët më të preferuar nga banditët shqiptarë për të hedhur paratë e pista është bar-restoranti. Ky lloj biznesi i thjeshtë e bën shumë të lehtë pastrimin e parave dhe nuk kërkon shumë tru për t’u administruar. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm. Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë çka na bën të parët në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, duke lënë prapa Spanjën që ka një bar-kafe për 169 banorë.
Kur flitet për koston e krimit, Organizata Botërore e Shëndetësisë bën një dallim mes kostove direkte dhe kostove indirekte të krimit. Me kosto direkte përshkruhet vlera e të mirave apo shërbimeve të përdorura për të parandaluar krimin ose për të trajtuar viktimat apo shkaktarët e krimit. Kur flitet për individë apo biznese llogaritet impakti i drejtpërdrejtë që vjen prej humbjes së produktivitetit për shkak të lëndimit, plagosjes apo vdekjes, pagesat që paguhen si haraç, kostot e riparimit apo zëvendësimit të pronës së dëmtuar, kostot e shërbimeve shëndetësore, kostot për shërbimet juridike, kostot e siguracioneve etj. Mirëpo individët dhe bizneset paguajnë edhe në mënyrë indirekte duke shpenzuar në masa parandaluese duke paguar për sisteme alarmi apo polici private, duke paguar haraç, duke pësuar trauma psikologjike nëse janë viktima të krimit etj. Qeveritë gjithashtu kanë kosto të mëdha sepse krimi shton shërbimet shëndetësore, shpenzimet për policinë dhe drejtësinë, për sistemin e burgjeve etj. Kështu qeveria në vend që të investojë në arsim apo infrastrukturë që ndihmojnë rritjen ekonomike, detyrohen të harxhojnë më shumë para në sektorë jo-produktiv si siguria, policia, shërbimet shëndetësore etj.
Për të krijuar një ide më të qartë të kostos së burgjeve, duhet përmendur një raporti i hartuar në vitin 2017 nga zyra e OSBE-së dhe Drejtoria e Burgjeve. Sipas tij një i burgosur i kushton buxhetit të Republikës së Shqipërisë nga 369 euro deri në 1380 euro në muaj në varësi të kategorive. Kështu një i paraburgosur ka kosto ditore 14.63 euro, një i burgosur që ka marrë dënimin e formës së prerëi kushton shtetit 12.3 euro në ditë ndërsa një i dënuar me probleme shëndetrësore i kushton shtetit 46.23 euro në ditë.
Studiues të ndryshëm janë orvatur që të bëjnë një përllogaritje të të gjitha këtyre kostove për vende të ndryshme. Indeksi i Paqes i Meksikës nxjerr se se kostoja e dhunës për ekonominë e Meksikës gjatë vitit 2015 ka qenë përafërsisht 13% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (rreth 134 USD) ose rreth 1105 USD për person. Por kostoja e krimit është e rëndë jo vetëm për vendet ku krimi është duke hedhur valle si Meksika, por edhe për vende të zhvilluara. Kështu për shembull studiuesit llogarisin se kostoja e krimit në Hollandë në vitin 2005 ka qenë diku tek 20.2 miliardë euro ndërsa në Britani varion nga 30 deri në 50 miliardë euro në varësi të vitit.
Mirëpo fatura e krimit për shoqërinë, vjen edhe në formë jo-monetare që është e vështirë të llogaritet numerikisht. Këtu duhet patur parasysh ndikimi në kapitalin social, në pjesëmarrjen e krahut të punës në tregun e punës, në emigracion apo zhvendosjen e popullsisë, në uljen e cilësisë së jetës etj. Po ashtu qytetarët evitojnë aktivitetet apo lokacionet që perceptohen prej tyre si të rrezikshme. Si pasojë e rrezikut shumë qytetarë detyrohen të largohen dhe kjo zhvendosje ka një kosto të sajën të madhe jo vetëm financiare por edhe emocionale Viti 1997 në Shqipëri ka qenë pa dyshim viti me nivelin më të lartë të migrimit të brendshëm në vend gjatë tranzicionit.
Shtimi i krimit sjell edhe masivizimin e të droguarve që dëmton ofertën në tregun e punës. Të qenurit prodhues masiv i hashashit dhe korridor i trafikut të drogave të rënda ka bërë gjithashtu që rinia të ketë një qasje më të lehtë tek drogat duke i siguruar me çmimin më të lirë dhe për rrjedhojë duke i konsumuar më masivisht. Për pasojë kemi një rritje të konsumit vendas të drogës në Shqipëri. Revista “The Economist” në prill të këtij viti raportonte listën e vendeve që konsumojnë më shumë kokainë e kryeson Shqipëria ku 2.5% e popullsisë është përdorues i kësaj droge.
Cilësia e burimeve njerëzore, të rinjtë duke parë kriminelët e pasuruar shpejtë me makina e veshje luksoze, humbasin respektin për arsimin dhe nuk e shohin më shkollën si rrugën që çon drejt prosperitetit. Rinia shqiptare duke u joshur nga makinat e shtrenjta dhe stili ekstravagant i cubave e banditëve e ka të vështirë që të zgjedhi të sigurojë të ardhmen nëpërmjet durimit, këmbënguljes, punës së ndershme e shkollimit. Për ta krimi paraqet një mundësi reale joshëse për t’u bërë shumë i pasur shpejtë pa djersitur anipse me shumë risk.
Prania e lartë e krimit ka gjithashtu një dimension gjinor sepse sjell një kosto të shtuar për gratë e vajzat të cilat konsiderohen më të kërcënuara nga shoqëria e për rrjedhoj privohen nga shumë aktivitete shoqërore që familjarët e tyre i konsiderojnë të rrezikshme. Pikërisht se mendohen më të ekspozuara ndaj krimit, vajzat hiqen para kohe nga shkolla, nuk iu lejohet të frekuentojnë ambiente të ndryshme, të udhëtojnë apo të punësohen dhe familja shndërrohet për to shpesh në një burg. Prania e lartë e krimit gërryen besimin dhe respektin tek institucionet e proceset si dhe i dekurajon prej angazhimit në jetën politike e proceset demokratike. Madje mund ti çoj që të gjejnë zgjidhje alternative për t’u ballafaquar me kërcënimin që sjell krimi duke shkuar drejt vetëgjyqësisë, armatosjes apo edhe braktisjes së vendit.
Lista e dëmeve që i shkaktohen shoqërisë në përgjithësi dhe ekonomisë në veçanti, është shumë më e gjatë dhe e detajuar dhe një artikull nuk ka shans që ta shpjegojë mjaftueshëm. Mirëpo ka ardhur koha, që përveç përpjekjeve për të forcuar institucionet e rendit dhe ligjit, të reflektojmë e ndryshohemi përbrenda vetë si shoqëri. Ne kemi nevojë për një përmbysje të mirëfilltë në kulturën tonë për sa i përket lidhjes që kemi me krimin si shoqëri dhe për t’i parë kriminelët e shumtë që njohim e që na rrethojnë, jo si heronj, por si shkaktarë e fajtorë të drejtpërdrejtë të varfërisë, papunësisë, prapambetjes, njollosjes së atdheut tonë, infrastrukturës së shkatërruar, cilësisë së ulët të shërbimeve publike, institucioneve jofunksionale e shumë problemeve të tjera që hasim çdo ditë. Nëse nuk i ndëshkojmë ne moralisht kriminelët, nëse nuk i ndëshkon shteti ata ligjërisht, atëherë ndëshkohet mbarë shoqëria, e bashkë me shoqërinë ndëshkohet secili nga ne.