Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Portalet: Disidencë apo dekadencë

Ilustrimi nga Big Eye.

Në pyetjen e Sbunker se nëse mediat online e kanë ndryshuar komunikimin publik duhet përgjigjur jo vetëm për përbërjen dhe efektin e ‘lajmeve‘ por edhe për periudhën para se lajmi të bëhet lajm. Pra, duhet parë dhe analizuar informata, gazetari, konteksti politik, ekonomik e kulturor si dhe mundësia teknologjike për ta plasuar po atë lajm.

Pyetja fundamentale është pse ka nevojë për këtë formë të informimit, pse kjo formë e komunikimit gjeneron klikime dhe pse gazetarët punojnë punë të tillë? Mediat sociale edhe portalet në Kosovë tashmë janë pjesë e pandarë e komunikimit publik si dhe zhvillimit të gazetarisë. Padyshim se teknologjia ka ndikim edhe në kualitetin dhe etikën në rrafshin praktik të të bërit gazetari. Duhet pranuar se shumica e përgjigjeve në rubrikën ‘Përballja’ ishin opinione pak më të sofistikuara të përdoruesve dhe drejtuesve të këtyre mediave.

Debati për portalet në Kosovë kryesisht po zhvillohet në dy rrafshe: nga perspektiva e konsumuesit të lajmeve dhe nga perspektiva e analizës së kualitetit të lajmit të plasuar në këto mediume. Mungesa e analizës së prodhimit të lajmit si dhe mungesa e analizës së kontekstit të themelimit dhe veprimit të këtij lloji të mediave e lë të mangët këtë debat të cilit edhe ashtu i mungon vërtetësia e deklarimeve. Funksionimi i portaleve në Kosovë nuk është shfaqje e një personi por ndërmarrje e disa personave me vendimmarrje se cili lajm plasohet dhe si bëhet ai plasim. Pra, ka mendim strategjik prapa lajmeve që botohen.

Diskursi i deritanishëm i analizimit të portaleve, disi e lë të nënkuptojmë se gjithkush i urren portalet, nuk dëshirojmë ti lexojmë dhe se nuk na pëlqejnë titujt pompoz dhe mashtrues. Gjithashtu diskutimi i deritanishëm na paraqet, ani pse në mënyrë mjaft implicite, një person prapa ekranit që gjithsesi tenton ta mashtrojë lexuesin me qëllim të keq. Realiteti qëndron se portalet lexohen nga një masë e konsiderueshme audiencës në Kosovë dhe kjo nuk është për tu neglizhuar.

Për të analizuar trendin e mediave online duhet parë se pse ka nevojë për media të tilla. Shumica e përdoruesve të telefonave mobil përdorin edhe internetin në telefona, dhe, medoemos kjo përbën rast biznesi. Nëse e shohim fenomenin nga perspektiva e ofertës dhe kërkesës, atëherë kërkesa për lajme ekziston së bashku me infrastrukturë dhe oferta përgjigjet në këtë kërkesë duke ofruar lajmin „në dorë“.

Për ta elaboruar pak më tutje dhe për ta parë nga perspektiva e punonjësve të portaleve duhet ditur edhe arsyen pse këto portale funksionojnë në mënyrë semi-legale dhe pse shumë prej tyre as që iu dihen pronarët. E tërë bota po përballet me zhvillimin teknologjik dhe është sfiduar nga zhvillimi i hovshëm i botës virtuale duke përfshirë edhe mediat. Së fundit edhe gazeta prestigjioze New York Times ka bërë marrëveshje me Facebook të distribuojë lajmet në platformën që ofron ky medium social. Sfidë mbetet privatësia dhe cilësia e lajmeve. Për pjesën e parë, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për të krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore si dhe rregullimin e këtij tregu ndërsa për pjesën e dytë, tregu rregullohet vetë, brenda-për-brenda.

Faktori njeri, pra gazetarët, janë faktori numër një që ka mundësuar një fenomen të tillë. Trendi i bllogjeve në BE dhe Amerikë pothuajse tani është shterur si flluskë sapuni. Edhe gjigandi Google mbylli platformën Reader duke mos parë përfitime dhe pasues. Por arsyeja e vetme e mbajtjes së bllogjeve nga gazetarët është sepse aty mund të publikojnë lajme të cilat nuk janë “tamam lajme” në kuptimin e strukturës, verifikimit të burimeve, qasjes, këndvështrimi, objektiviteti, balancimi edhe shumë e shumë faktorëve tjerë që përbëjnë një lajm klasik.

Në parim, bllogjet si paraardhëse të portaleve, janë njëfarë dekadence e gazetarisë të monopolizuar nga biznesi dhe mungesa e lirisë së bashku me censurën dhe autocensurën që ka gazetaria kosovare e pasluftës. Pas bisedave me disa pronarë dhe gazetar të portaleve në Kosovë, konkluzioni është se shumica ishin në njëfarë forme disidentë, sepse nuk e gjetën veten të sigurt në mediat ekzistuese. Njëri ishte kërcënuar nga pronari, një tjetër ishte sulmuar kur kërkoj rrogën dhe i treti nuk pa rrugë tjetër pos të krijoj një portal pasi që ishte i pakënaqur me pronësinë e gazetës. Tjerët e panë mundësinë biznesore për të krijuar portale të specializuara në fusha të caktuara dhe gjetën audiencën për të cilën nuk mendojnë televizioni, radio apo gazetat.

Presioni struktural, që vjen nga pronarët e mediave në Kosovë, por edhe nga mungesa e komunikimit të mirëfilltë të elitave politike me gazetarin dhe qytetarin, sot ka krijuar gazetarin dekadent i cili tanimë po refuzon të verifikoj një informacion nga dy-tri burime të ndryshme, po refuzon të mbledhë një lajm me informacione të verifikuara nga më shumë burime të pavarura, dhe, në vend se të prodhoj përbërje cilësore, po zgjedh mënyrën më të lehtë të mundshme duke i shërbyer “lajmin më interesant” lexuesit mesatar në telefonin e mençur.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.