38 gradë Celsius në Kosovë. Zjarret kanë kapluar shumë vende në Evropë. Borë në Rio Grande do Sul të Brazilit pas 64 vjetësh. Këto e shumë ngjarje të tjera, që mund të mos duken se kanë lidhje në shikim të parë, janë simptoma të një krize që mbase nuk e kemi marrë shumë seriozisht.
Në tetor të vitit të kaluar, një ekspeditë prej rreth 300 ekspertësh nga 20 vende të botës u kthyen në Bremerhaven të Gjermanisë, pas një qëndrimi 389-ditor në Polin Verior. Të dhënat që zënë 150 terabytes dhe 1000 mostrat e akullit që morën do të kërkojnë rreth dy vjet për t’u analizuar, por konkluzat e tyre të para nga ajo që kanë parë atje janë shqetësuese – duket se ngrohja globale e ka arritur pikën ku nuk ka kthim prapa.
Kriza klimatike ekziston. Mbase nuk e kemi vërejtur për shkak të problemeve “më madhore” që ka pasur shteti ynë, Kosova. Mbase sepse nuk mund të bëjmë diçka për ta ngadalësuar hovin e frikshëm të saj, se nuk bëhet fjalë për ta ndalur tërësisht. Por, ajo është duke na prekur si asnjëherë më parë.
Atë mund ta ndiejmë më shumë tani, por ajo ka filluar të bëhet problem qysh në fillimet e industrializimit. Në historinë ekonomike të botës kjo është pika kur fillon hovi i rritjes ekonomike. Madje, krejt ky proces në një paraqitje grafike duket si një shkop i hokejit, ku pas shumë shekujsh pothuajse stagnim, brenda pak vitesh fillon një kthesë e shpejtë përpjetë, që karakterizon një rritje të paprecedentë ekonomike.
Mbase zhvillimi i asaj që në fillim më shumë njihej si ngrohje globale nuk duket si shkop i hokejit, por zhvillimi i saj – e shndërrimi në një krizë klimatike po ashtu – duket të jetë gjithnjë e më i pakrahasueshëm me një pikë të kohës paraindustriale. Kështu, përderisa zhvillimi ekonomik që solli kapitalizmi është i pakrahasueshëm me sistemet ekonomike para tij, duket se edhe dëmi nga kriza klimatike si eksternalitet negativ i tij do të jetë i pakrahasueshëm.
“Ajo që borgjezia prodhon, mbi të gjitha, janë varrmihësit e saj”, thoshin Marksi e Engelsi më 1848, tash kur ishte kryer vetëm Revolucioni i Parë Industrial. Tani që po kalojmë në Revolucionin e Katërt Industrial dhe po ballafaqohemi me krizën më serioze të njerëzimit, atë klimatike, mund ta kuptojmë më mirë saktësinë dhe pasaktësinë e një parashikimi të tillë. Saktësia ishte se kapitalizmi do të prodhonte varrmihës, por pasaktësia ishte se nuk bëhet fjalë tashmë vetëm për një sistem ekonomik. Bëhet fjalë për Tokën.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për “varrmihësit” e klasës së lartë. Madje, ironikisht, këta të fundit mund të kenë më së shumti gjasa të shpëtojnë, nëse ekspeditat e tyre në hapësirë rezultojnë me krijimin e kushteve për jetesë në një planet tjetër. Tentimet e vazhdueshme të Elon Musk për të gjetur mundësi për jetë në një planet tjetër, apo aventurat disaminutëshe por miliardëshe të Jeff Bezos në hapësirë mund të jenë sinjale të po kësaj – shpëtimit nga ajo që soji i tyre ka ndihmuar shumë që të krijohet.