Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Soji i saj

Poezia “Soji i saj” e Anne Sexton është shembull që ilustron llojin e poezisë që poetja mjeshtëronte: poezinë rrëfyese me elemente atipike e shpesh edhe kontroverse. Tema qendrore në  këtë poezi të Anne është ajo vetë: pra soji i një gruaje si ajo, këtu e paraqitur nga tri pikëvështrime të ndryshme, dhe përvojat e saj përkatëse në raport me të ashtu-quajturat norma së të qenurit grua. Poetja këtu ilustron një grua jo të rëndomtë, sjell një grua ndryshe, dhe vështirësitë që ajo has teksa jeton në lëkurën e sojit të saj. Fillimisht, vërehet që secili varg hyrës i të tri strofave të poezisë fillon (apo mbaron) me fjalën “unë.” Ky është një element i fuqishëm i poezisë rrëfyese, ngaqë fundja, Anne Sexton këtu s’bën gjë tjetër pos që ilustron jetën e saj zhveshur nga zbukurimet. Në vijim, në secilën strofë poetja flet nga një perspektivë ndryshe, mirëpo që të gjitha të ndërtuara përbrenda përvojës të saj si grua në këtë botë, ku ajo mbetet një e përjashtuar nga shoqëria, një grua ndryshe, e pra e linçuar si pasojë e mospërshtatjes me rolin që ajo kushtimisht do duhej të kishte. Pra, në secilën nga strofat, Anne Sexton është një pjesë e unit të saj, dhe identifikohet jo me gruan, por me një imazh siç i jep shoqëria asaj.

Në strofën e parë, poetja identifikohet me shtrigën. Ajo i falet natës, ëndërron ligësinë, endet shtëpi mbi shtëpi, e si e tillë ajo s’para ngjason me një “grua të denjë,” ngaqë kjo e fundit pritet të jetë e butë, e çiltër, e dëgjueshme. Soji i saj, në mospërputhje me këto tipare, është pra një shtrigë. Në strofën e dytë, poetja shpërfaq dështimin për tu identifikuar me rolin e saj si nënë dhe bashkëshorte, si shtëpiake. Ajo paraqet tentimet e saj për të krijuar një shtëpi për familjen e saj, të cilët i identifikon figurativisht me krimba e karanxhollë, ashtu siç e identifikon shtëpinë me shpellë. Ajo mundohet, por nuk ia del, ngaqë soji i saj është asgjë veçse një e keqkuptuar rrënjësisht. Ajo mbetet një e “dështuar” në rolin që sipas shoqërisë, i takon ta ketë.

Në strofën e fundit, poetja identifikohet me një lavire, kur me duar të zhveshura përshëndet fshatrat teksa është duke u dërguar në çmendinë, ngaqë soji i saj ashtu dënohet (këtu ajo na jep një kuptim të dyfishtë; në një anë identifikohet me sëmundjen e saj, por poashtu tregon edhe paragjykimet ndaj saj si pasojë e kësaj të parës). Mbi të gjitha, në strofën e fundit, Anne Sexton fuqishëm ilustron se si një grua si ajo digjet për së gjalli siç digjeshin ato që merreshin për shtriga moti kohë, kur “zjarret e [shoqërisë] kofshët [ia] kafshojnë” dhe torturohet për vdekje nga mjete torturuese duke e detyruar që të rrëfehet, teksa “brinjët e [saja] thyhen ku rrotët [e tyre] ngecin, pra.” Kjo ngaqë soji i saj është i papranueshëm në këtë botë, e në fund, soji i saj mbetet me asgjë tjetër përpos dinjitetit që merr nga vdekja. Soji i saj është jo konform gruas së rëndomtë, është e “panatyrshme” por me një aftësi poaq të panatyrshme për t’i qëndruar pas të vërtetës brenda saj, dhe për ta rrëfyer atë. Përfundimisht, ajo vdes me dinjitetin e mbrojtjes të gruas si soji i saj.
Soji i saj

Unë kam dalur, shtrigë e xhindosur
e pashqitur ajrit të zezë, trimëreshë në natë;
duke ëndërruar ligësinë, jam endur e plandosur
mbi shtëpi të rëndomta, ditë më ditë nga lart:
e vetmuar, dymbëdhjetë gishtërore, e luajtur mëndësh.
Një grua e tillë s’është gjithaq grua rendesh.
Unë kam qenë soji i saj.

Shpella të ngrohta nëpër pyje kam gjetur unë,
mbushur i kam me tiganë, skalitje, rafte boll,
dollapë, mëndafshe, të tjera gjëra shumë,
kam shtruar darka për krimba e karanxhollë:
duke rënkuar, çrregullimet duke vënë në rend.
Një grua e tillë është përhera e keqkuptuar,
Unë kam qenë soji i saj.

Unë jam vozitur në karrocën tënde, drejtues,
me duar të zhveshura kam përshëndetur fshatrat tek kalojnë,
duke mësuar udhët e fundit të ndritshme, mbijetues
ku zjarret e tua akoma kofshët mi kafshojnë
dhe brinjët e mija thyhen ky rrotët tua ngecin, pra
një grua e tillë të vdes turp nuk ka.
Unë kam qenë soji i saj.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.