Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Ftesë për me dalë mendsh

Fëmija që i ra muri mbi trupin e vogël nuk ishte viktimë e nji fatkeqësie. Sepse, fatkeqësitë ndodhin të paprituna, janë jashtë kontrollit të njeriut. Vijnë pa paralajmërim. Ky fëmijë, vdiq prej budallakisë tonë dhe injorancës e arrogancës së politikanëve tanë. E budallakia, injoranca dhe arroganca janë paralajmëruesit ma të mirë të nji krimi.

Ky fëmijë u vra. Njerëz, këtu ka ndodhë nji vrasje. Këtë fëmijë e vrau kryetari i Komunës së Prizrenit, ministri i Kulturës dhe ministri i Mjedisit. E na populli, na që ia vumë lulet mbi vorr me lotë e statuse nëpër Facebook; na që ndjemë me nanën e këtij fëmiu; na që ndjemë dhimbjen e asaj grueje; na që u gëzuem që hala jemi njerëz masi që ndjemë kaq shum; na jemi përgjegjësit ma të mëdhenj, sepse falë neve mas gjithë atyne vujtjeve shekullore, këtu hala emërtohen injorantët në krye të detyrës si ministra e drejtora komune.

Sepse, na hala po vuejmë për krenari kuq e zi; po mashtrohemi mas flamurave; na hala po vuejmë për me u ndi të mëdhenj dhe përgjegjësinë tonë intelektuale ndaj bindjeve tona kombëtare (çkado që quejmë komb), na po e maskojmë me komplekse të njeriut të vogël se “e meritojna me u gëzue, se na ka mungue kuq e zi, e asht normale tash me u tranue, se kemi vujtë me shekuj e tash jemi të barabartë me të tjerët në nji fushë….”.

Të barabartë! Ata jetojnë si njerëz. Na, jo!

Deka e Xhenetës, nuk asht për me u habitë. Prandaj, as trishtimin nuk po ua kuptoj njerëzve, sepse çka nuk të habitë, vështirë asht me të trishtue. Edhepse nuk besoj në Zot, po më krijohet nji bindje që edhepse nuk ekziston Zoti, për neve shqiptarëve nji ekziston patjetër, e asht tue na mbrojtë. Përndryshe, nuk asht e kuptueshme qysh neve nuk na desin bile kah nji fëmijë në ditë, prej mureve që rrëzohen, kerreve që fluturojnë dhe ajrit që thithim.

Unë muj me thanë që ia kuptoj dhimbjen nanës së Xhenetës, por kisha me rrejtë. Sepse, e vërteta asht, që ajo e ka jetën e saj, unë temen. Ajo humbi nji fëmijë, unë jo. Ajo ka me ndje dhimbjen për vite me radhë, unë mas nji jave shkoj në deti. E vërteta asht gjithashtu, që fëmija i saj asht veç nji emën për mu. E vërteta asht, se empatia jem nuk e ngjallë Xhenetën, dhe me këtë popull injorant, e vërtetë asht gjithashtu, që ndjenjat e mia nuk kanë me parandalue dekën e nji fëmije tjetër, me e ditë që mentë më dalin. Tjetërçka asht sikur të kishim me dalë mendsh bashkë. Por deri atëherë, muret kanë me u rrëzue mbi trupat e tyne të vegjël, sikur që po ndërtohen çdo ditë mure me i ngulfatë shpirtat e tyne të pastër.

Fundi i fundit, Xheneta nuk ishte evlad i Hashim Thaçit, a i Isa Mustafës, a i Kadri Veselit, a i Kujtim Shalës, a i Ferid Aganit, a i Ramadan Mujës, a i Bedri Bytyqit,  a i ndonji zoti tjetër. Xheneta ishte evlad i nji njeriu (sigurisht me bisht) që s’ka kulm mi krye, dhe jo evlad i nji zoti.  Prandaj, deka e saj asht lajm, por nuk çon peshë, deka e saj mlohet me dhe, deka e saj ban kuota të mira në televizor, deka e saj na mundëson me u tregue njerëzor publikisht me naj status ultra të mençun e të ndjeshëm, deka e saj ka me u harrue hala pa iu rrit therrat mbi vorr. Po, po therrat, e aty këtu naj lule bozhuri që rritet egërsisht.

Vorret tona janë me therra. Me therra asht edhe e drejta jonë për nji jetë ku fëmijën nuk na e nxen muri i nji shtëpie të vjetër historike, që “asnjiherë në 100 vitet e fundit s’ka qenë ma e mirëmbajtun dhe mbikëqyrun…”!

Mue jetën, deka e Xhenetës nuk ka me ma ndryshue. As ty. Lajmet zavendësohen me lajme tjera çdo ditë. Pse a mos po harxhohen tragjeditë a? Stina asht e re. Në daç me ndryshue najsen, dil rrëzoje zotin që po të man lidhë si qenin. Nashta nuk je tue pa, por gjurmët e zingjirit i ke në fyt dhe e ndjen qysh po ta nalin frymën, sa herë që të vjen nji vrull me u ba njeri.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.