Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Liberalët në barrikada

Foto nga William Warby.

Nga Austria, Franca dhe Shtetet e Bashkuara e deri në Poloni, Filipine dhe Peru, populistët joliberalë janë në ngritje e sipër. Disa fajësojnë globalizimin e pakontrolluar; të tjerë fajësojnë pabarazinë e të ardhurave; të tjerë akoma fajësojnë elitat e pakapshme të cilave thjesht nuk e kuptojnë.

Shpjegime të tilla – sado të prekshme që të mund të jenë – nuk ia qëllojnë poentës më të rëndësishme. Problemi është politik, jo vetëm ekonomik. Demokracia liberale është arritja më e madhe politike e njerëzimit. Megjithatë, demokratët liberalë në mbarë botën ngurrojnë të dalin hapur me argumente për të. Prandaj nuk është çudi që ata janë duke e humbur betejën për zemrat dhe mendjet e qytetarëve.

Problemi është larg nga të qenit i ri. Në fakt, ai qëndron në vetë rrënjët e liberalizmit. Syçelë ndaj censurës apo shtypjes, mendimtarët liberalë shumë shpesh kanë treguar neutralitet morale: ata nuk avokojnë një tërësi të caktuar vlerash, apo një përkufizim të veçantë të asaj që përbën jetë të mirë. Një shoqëri liberale – pothuajse me përkufizim – u mundëson qytetarëve të saj të jetojnë çfarëdo jete që dëshirojnë, për aq kohë sa palët e treta nuk pësojnë asgjë të keqe.

Problemi është se politika kudo është aristoteliane: ka të bëjë me virtytin. Amerikanët kanë arsye që i referohen presidencës së tyre si një hapësirë tribune. Kur politikanët avokojnë një tërësi të veçantë vlerash – ose virtytesh – votuesit dëgjojnë.

Kjo mund të bëhet në mënyrë të ngathtë, sikur kishte ndodhur kur John Kerry kishte pranuara nominimin e Partisë Demokrate, në vitin 2004, me një fjalim ku fjala ‘vlerë’ ose ‘vlera’ përsëritej 32 herë. Por ai gjithashtu mund të bëhet në formën e një autoriteti madhështor, sikur kishte ndodhur kur Robert F. Kennedy Jr. kishteqortuar amerikanët se kishin hequr dorë nga “përsosmëria personale dhe vlerat e komunitetit duke u dhënë thjesht pas akumulimit të gjërave materiale.” PBB, kishte shtuar ai në mënyrë të paharrueshme, “mat gjithçka (…), përveç asaj që e bën jetën të vlefshme.”

Filozofët, nga John Stuart Mill te John Rawls te Martha Nussbaum, janë përpjekur të gjejnë një mënyrë për të dalë nga vorbulla plot dilema e liberalizmit. Do të ishte diskriminuese dhe joliberale të promovosh, e aq më pak të imponosh, vlerat e një grupi të veçantë, qoftë ai fetar apo tjetër. Por, qeveritë dhe liderët politikë mund dhe duhet të mbrojnë vlerat e përbashkëta – atë që Raëls e ka quajtur “konsensus të mbivendosur” – që e përcaktojnë një shoqëri liberale. Duke përkujtuar ditëlindjen e Martin Luther King Jr, për shembull, ShBA nënvizon dhe në të njëjtën kohë i rithekson përkushtimin e saj ndaj idealit të përbashkët të barazisë racore.

Ishte vetë Kingu ai që ndoshta kishte dhënë shembullin më të mirë të pasionit me të cilin idealet e tilla mund (dhe duhet) të mbrohen. Ka shumë pak si ai. Populistët si Donald Trump dhe udhëheqësja e Frontit Nacional të Francës, Marine Le Pen, kanë shfrytëzuar pasionin në shërbim të një politike të frikës dhe urrejtjes. Nga ana tjetër, demokratët liberalë, që të gjithë produkte të iluminizmit, avokojnë idealet e tyre politike – të vlerësojnë arsyen njerëzore mbi emocionet bazike – me një ton që më së miri u përshtatet tubimeve të vogla e të buta.

Ky përbën problem serioz. “T’ua japësh hapësirën e formësimit të emocioneve forcave anti-liberale”, shkruan Nussbaum, “u jep atyre një avantazh të madh në zemrat e njerëzve dhe rrezikon t’i bëjë njerëzit të mendojnë për vlerat liberale si diçka të vakët dhe të mërzitshme.”

Arsyeja dhe emocioni, siç na tregojnë studiues të sistemit nervor si Steven Pinker, janë dy anët e së njëjtës medaljeje mendore. Po kështu, linguisti kognitiv George Lakoff, duke u bazuar në studimet e psikologut Drew Westen, ka arritur në përfundimin se “emocioni është si qendror ashtu edhe legjitim në të bindurit politik. Përdorimi i tij nuk përbën një lloj apeli të paligjshëm për mungesë arsyeje, siç do të pretendonte mendimi iluminist. Emocionet e duhura janë racionale.”

Kingu e kishte kuptuar këtë fare mirë kur kishte shpallur ‘ëndrrën’ e tij për një shoqëri në të cilën fëmijët e tij “nuk do të gjykoheshin sipas ngjyrës së lëkurës, por sipas përmbajtjes së karakterit të tyre.”

Në ditët e sotme, Presidenti amerikan Barack Obama është i vetmi udhëheqës liberal demokratik i cili flet gjuhën e vlerave dhe virtytit. Obama shpesh kritikohet se është i ftohtë dhe i përmbajtur, por megjithatë nuk ka asnjë si ai në promovimin e kapacitetit për të jetuar së bashku në paqe dhe respekt të ndërsjellë si virtyti më i admirueshëm liberalë nga të gjithë.

“Secili prej nesh ka besime të thella”, kishte thënë ai në fjalimin e fitores së tij në vitin 2012. “Dhe kur kalojmë nëpër kohë të vështira, kur marrim vendime të mëdha si një vend, kjo domosdo nxit pasione, nxit polemika”, gjë që ai e ka quajtur “shenjë të lirisë sonë.” E megjithatë, “përkundër të gjitha dallimeve tona, shumica prej nesh i kemi të përbashkëta shpresa të caktuara për të ardhmen e Amerikës… Ne besojmë në një Amerikë bujare, në një Amerikë që kujdeset, në një Amerikë tolerante të hapur për ëndrrat e një bije emigranti që studion në shkollat tona dhe zotohet para flamurit tonë.”

Kjo fjali e fundit tregon se Obama është i vetëdijshëm për sfidën tjetër të cilën demokracitë liberale duhet ta tejkalojnë: të formësojnë një ne të besueshme. Edhe këtu, shembulli i populistëve tregon shumë. Populistët e krahut të djathtë si Trump përfshihen në politikën e identitetit. Populistët e krahut të majtë si Bernie Sanders angazhohen në politikën e të ardhurave. Qofshin ata eksportuesit kinezë, emigrantët meksikanë, terroristët e supozuar islamikë, ose bankierët lakmitarë të Ëall Streetit, “ekziston”, siç ka theksuar kohët e fundit Dani Rodrik i Harvardit, “një ‘tjetër’ i qartë kundrejt të cilit mund të drejtohet zemërimi”

Demokratët liberalë duhet ta bëjnë të qartë se nuk na shpie askund duke fajësuar të tjerët, dhe se marrja përsipër e përgjegjësisë së përbashkët është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët më të mirë. Natyrisht, reformat ekonomike dhe politike që zvogëlojnë pabarazinë e të ardhurave dhe të pushtetit janë të domosdoshme, si për hir të vet atyre ashtu edhe për të bërë thirrjen në sakrificën e përbashkët të besueshme. Megjithatë, është po aq e domosdoshme bindja morale, i shprehur me pasion, se “e bija e emigrantit që studion në shkollat ??tona” është pjesëtare e përnjëmendtë, me të drejta të plota, e kësaj të përbashkëte të quajtur ne.

Asnjë organizatë shoqërore dhe politike në historinë njerëzore nuk i është afruar sa demokracia liberale realizimit të idealit të mundësive të barabarta për të gjithë. Akoma nuk e kemi arritur. Por kemi bërë një rrugë të gjatë, dhe duke iu përmbajtur vlerave liberal-demokratike do të shkojmë akoma më afër këtij ideali. Asnjë xhihadist apo fanatik, asnjë Trump apo Le Pen, asnjë Chavez, Maduro, apo Putin, nuk duhet të lejohet ta shkatërrojë këtë ëndërr të mundshme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.