Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Një sinjal nga Athina për rikonsiderimin e qasjes

Intensifikimi i raporteve të Kosovës me njohësit implicitë pahtëson një perspektivë të çmuar për bashkëpunim në fusha sektoriale. Mbi të gjitha, kjo mund të përdoret si fazë fillestare për forcimin e besimit të ndërsjellë. Kësisoj, raportet me njohësit implicitë duhet të jenë një komponentë shumë më dinamike e politikës së jashtme kosovare me dy synime bazë: kthimin e sa më shumë shteteve mosnjohëse në njohës implicitë, pas kësaj kthimin e njohësve implicitë në njohës formal.

Në fillim të muajit tetor Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë. Edhe pse nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Greqia ka investuar në krijimin e raporteve solide dypalëshe, duke përkrahur më shumë se një herë aplikimet e Kosovës në mekanizma shumëpalësh, gjithashtu duke avancuar me hapjen e Zyrës Ekonomike të Kosovës në Athinë në vitin 2019. Në vitin 2018 ish-Ministri i Jashtëm Nikos Kotsias gjithashtu kishte vizituar Kosovën, prandaj qasja e Greqisë ndaj Kosovës më shumë sesa pasojë e një qeverie të caktuar apo e diplomacisë personale, rrjedh nga një politikë afatgjatë.

Në vështrim të përgjithshëm, përafrimi Kosovë-Greqi paraqet një moment interesant diplomatik për Kosovën dhe relacionet e saj të jashtme. Kjo hapje diplomatike dërgon një sërë sinjalesh tek lojtarë të ndryshëm, pra ka kapacitet të reflektojë në disa nivele njëkohësisht.

Në planin rajonal, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, raportet me shtetet e rajonit kanë qenë një aspekt qenësor për relacionet e jashtme të Kosovës. Për shkak të ndërveprimit që gjeografia domosdoshmërisht e imponon, perspektivës së integrimit në BE, por edhe për shkak të asaj sesi reflekton mbi shtetet e rajoneve më të largëta, për Kosovën është vitale që qëndrimet e Serbisë ndaj shtetësisë së saj të mos kenë përkrahje rajonale. Edhe pse jo plotësisht, në masë të madhe një gjë e tillë është arritur, për faktin se Kosova është njohur dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve të Ballkanit nga viti 2008.

Vizita e fundit e Ministrit të Jashtëm grek Dendias ishte një hap në drejtim të hapjes diplomatike nga ana e Athinës, që ka filluar këtu e disa vite më parë. Parë nga një kënd më i gjerë, për Kosovën kjo vizitë mund të shërbejë edhe si thirrje që të drejtojë kompasin e politikës së jashtme jashtë procesit negociator me Serbinë. Vitet e fundit politika e jashtme e Kosovës – ashtu sikur edhe zhvillimet e brendshme politike – janë kufizuar në masë të madhe në dinamikat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Përqendrimi i Kosovës në procesin dialogues të lehtësuar nga Brukseli është i kuptueshëm, megjithatë baraspeshimi me objektiva të tjera diplomatike është po aq i rëndësishëm.

Ta zëmë, rishtazi fokusi në shtetet mosnjohëse të BE-së në nuk ka marrë vëmendjen që kishte në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë. Nëse krahasohet me vitet e para të passhpalljes së pavarësisë, qëndrimi publik i Spanjës dhe Rumanisë ndaj Kosovës lëre që nuk është zbutur -madje nuk është arritur të mbahet as status quo – por është ashpërsuar. Sa i përket Sllovakisë dhe Qipros nuk ka pasur ndonjë përparim që vlen të përmendet. Një sërë faktorësh mund të kenë ndikuar në këtë situatë, sikundër performanca e dobët e misionit diplomatik të Kosovës, dinamikat e politikës së brendshme në këto shtete dhe shfrytëzimi i dialogut mes Kosovës e Serbisë nga to si arsyetim për të adaptuar një qasje “prit dhe shiko”.

Në krahun tjetër, rëndësia e raporteve me shtetet mosnjohëse të BE-së vazhdon të ketë peshë të veçantë për Kosovën, sidomos për shkak të aspiratës për pranim në këtë strukturë. Në këtë dimension, përafrimi me Greqinë përmes ngjarjeve si vizita e Ministrit të Jashtëm grek në Prishtinë, mund të reflektojnë edhe në raportet e Kosovës me katër shtetet e tjera. Thënë shkurt, përmirësimi i relacioneve me Athinën mund të shfrytëzohet strategjikisht.

Përpos vëmendjes për pesëshen mosnjohëse, ekzistojnë gjithashtu trajektore të tjera që mund të konsiderohen nga politika e jashtme e Kosovës për të diversifikuar qasjen. Në kuadër të përpjekjeve bilaterale Kosova mund gjithashtu t’i kushtojë vëmendje të shtuar kategorisë së njohësve implicitë, pra shteteve që janë të gatshme për ndërveprim, por pa njohje formale. Greqia paraqet një rast që mund të konsiderohet si njohëse implicite, pasi gradualisht ka investuar në krijimin e një bashkëpunimi solid në disa fusha, duke përfshirë ekonominë.

Një numër shtetesh tjera që shtrihen në rajone e kontinente të ndryshme bien brenda kësaj kategorie, andaj mundësi të tilla jo vetëm që duhen shfrytëzuar maksimalisht nga misioni diplomatik i Kosovës kur ato ekzistojnë, por duhet synuar krijimin e tyre. Intensifikimi i raporteve të Kosovës me njohësit implicitë pahtëson një perspektivë të çmuar për bashkëpunim në fusha sektoriale. Mbi të gjitha, kjo mund të përdoret si fazë fillestare për forcimin e besimit të ndërsjellë. Kësisoj, raportet me njohësit implicitë duhet të jenë një komponentë shumë më dinamike e politikës së jashtme kosovare me dy synime bazë: kthimin e sa më shumë shteteve mosnjohëse në njohës implicitë, pas kësaj kthimin e njohësve implicitë në njohës formal.

Më tutje, përafrimi i Kosovës me Greqinë ndërlidhet edhe me një nga arsyetimet kryesore të shteteve për mosnjohje. Mbi 30 shtete të OKB-së kanë dhënë shenja se hezitimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës rezulton nga droja se ky akt mund të përdoret si precedent nga grupe të ndryshme etnike brenda territorit të tyre. Ndër të tjera, mosnjohja e Kosovës nga anëtaret e BE-së është në masë të madhe pasojë e relacioneve të këtyre shteteve me territoret e tyre autonome ose minoritetet. Bazuar në këtë, ndërveprimi diplomatik dhe njohja nga shtete që janë duke u përballur me situata të ngjashme – sikur rasti i Greqisë, e cila është e kujdesshme për pasojat e veprimeve të saj në kontestin mes Qipros dhe Qipron Veriore – mund të ketë efekt pozitiv për narracionin e Kosovës. Përafrimi me Greqinë i mundëson Kosovës të përforcojë tutje argumentin se shpallja e pavarësisë së saj qëndron brenda kornizave të ligjit ndërkombëtar si rast sui generis, rrjedhimisht është e papërsëritshme në kontekste tjera secesioniste.

Për ta përmbledhur, vizita e Ministrit të Jashtëm të Greqisë në Prishtinë, në kuadër të përafrimit afatgjatë diplomatik mes Kosovës dhe Greqisë, rikonfirmon se një qasje proaktive e fokusuar në raportet dypalëshe me shtetet mosnjohëse, mund të shfrytëzohet për përmirësimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Në rastin konkret, përafrimi me Greqinë është i rëndësishëm në disa plane. Ky përafrim mund të ndikojë drejtpërdrejt relacionet e Kosovës me shtetet mosnjohëse të BE-së, si dhe pozicionin e saj në nivelin rajonal. Po ashtu, kjo hapje diplomatike mund t’i hyjë në punë Kosovës për të përforcuar argumentin se shpallja e pavarësisë së saj është rast i veçantë që nuk mund të përsëritet në kontekste të tjera. Në pëgjithësi, kjo vizitë gjithashtu ofron material për të rimenduar qasjen e Kosovës në relacionet e saj të jashtme duke diversifikuar më tepër qasjen e veprimit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.