Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pse tërheqja e 10% të Trustit është politikë e gabuar dhe cila mund të jetë një alternativë?

Pas gjashtë tentimeve të dështuara për ta kaluar Projektligjin e Rimbëkëmbjes Ekonomike, Qeveria Hoti arriti ta kalojë në parim në tentimin e shtatë. Nuk e di nëse kemi patur edhe një shembull tjetër ku një Qeveri ka tentuar kaq shumë herë dhe ka dështuar. Megjithatë ajo do të tentojë sërish.

Pjesë e këtij projektligji është edhe mundësia që qytetarët t’i tërheqin deri në 10% të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale – Trusti. Madje, për ta kuptuar sesa qendrore është kjo politikë në këtë projektligj mjafton t’i përcjellim mediat që shpesh i referohen si “ligji që mundëson tërheqjen e 10%-shit”.

Pavarësisht se kjo politikë mund të duket si zgjidhje nga qytetarët që janë aq shumë në nevojë për para, po i rikujtoj disa argumente se pse kjo është politikë e gabuar:

1. Papërgjegjshmëria e Qeverisë. Masat parandaluese janë vënë nga Qeveria, rrjedhimisht është detyrë e saj qe t’u ndihmojë qytetarëve e jo ta bartë barrën e përgjegjësisë që ka ajo tek kursimet e qytetarëve.

2. Pabarazia mes punëtorëve. Tërheqja e këtyre mjeteve nënkupton rritje të pabarazisë më së paku katër nivele: të punësuar vs. të papunësuar, ekonomia formale vs. ekonomia joformale, sektori publik vs. sektori privat, dhe punëtorët me paga të larta vs. punëtorët me paga të ulëta.

Një gjë e tillë vërehet nga një tabelë që Trusti ka publikuar me bilancin e kontribuesve dhe vargjet e shumave që ata posedojnë sipas datës 30.09.2020. Me pak artimetikë mund të shohim sesa e pabarabartë është politika e tërheqjes së 10% brenda vetë kontribuesve, e lërë më mes tyre dhe atyre që janë të papunë, ose mes tyre dhe atyre në ekonominë joformale.

Duke qenë se Trusti ka publikuar vargje (si p.sh. mbi 1,000 deri 5,000), atëherë llogaritë mund t’i bëjmë në tre skenarë bazuar: a) në limitin e ulët (p.sh. 1,000), b) shumën në mes (p.sh. 3,000) dhe c) limitin e lartë (p.sh. 5,000). Me këtë metodë e përjashtojmë 2% të kontribuesve, meqë nuk e dimë shumën në mes apo limitin e lartë. Dhe, supozojmë se të gjithë do ta tërheqin shumën e njëjtë – pra, qoftë limitin e poshtëm (skenari A), shumën në mes (skenari B), ose limitin e lartë (skenari C). Në të tri rastet mund të vërejmë se mbi 50% e vlerës që do të tërhiqet do të shkojë tek 17.9% e kontribuesve (114,528 kontribues) më të pasur dhe pjesa e mbetur për 80.1% e kontribuesve më të varfër (511,792).

Skenarët janë si në vijim:

a. Nëse të gjithë kontribuesit tërheqin limitin e ulët, shuma totale që do të tërhiqej nga Trusti do të ishte rreth 101.2 milionë euro. Prej tyre, 77.7% do të shkojë për 17.9% kontribuesit më të pasur, ndërsa 80.1% kontribuesit më të varfër do të marrin vetëm 22.3% të vlerës së tërhequr.

b. Nëse të gjithë kontribuesit tërheqin vlerën në mes të vargut, shuma totale që do të tërhiqej nga Trusti do të ishte rreth 185.8 milionë euro. Prej tyre, 62.5% do të shkojë për 17.9% kontribuesit më të pasur, ndërsa 80.1% kontribuesit më të varfër do të marrin vetëm 37.5% të vlerës së tërhequr. Duke marrë parasysh shumën totale që do të tërhiqej, e cila është më e afërta me 10% të shumës totale që është aktualisht në Trust, ky skenar duket më i mundshmi.

c. Nëse të gjithë kontribuesit tërheqin limitin e lartë, shuma totale që do të tërhiqej nga Trusti do të ishte rreth 274.7 milionë euro. Prej tyre, 56.4% e gjithë vlerës do të shkojë për 17.9% kontribuesit më të pasur, ndërsa 80.1% kontribuesit më të varfër do të marrin 43.6%. Duke marrë parasysh shumën totale që do të tërhiqej në këtë skenar, e cila e kalon 10% e shumës totale që është aktualisht në Trust, ky skenar duket më pak i mundshëm.

3. Kostoja sociale me e madhe se përfitimi individual. Përderisa 10% e Trustit, që është përmendur të jetë rreth 200 milionë euro, do të përbënte shumë të konsiderueshme për zvogëlimin e Trustit, përfitimi individual do të ishte tejet i vogël për shumicën. Nëse i referohemi tabelës së Trustit, e shohim se 16.3% e kontribuesve do të mund të tërhiqnin maksimalisht 10 euro. Nëse iu referohemi skenarëve të mëhershëm, i bie se në skenarin A gjysma e kontribuesve do të merrnin mesatarisht 10 euro, në skenarin B mesatarisht 35 euro, dhe në skenarin C mesatarisht 234 euro. Sërish, në bazë të shumës totale që do të tërhiqej nga Trusti, skenari C është më pak i mundshëm. Gjithashtu, kjo politikë nuk do të kishte qëndrueshmëri meqë tërheqja bëhet vetëm njëherë.

4. Ndikimi i drejtpërdrejtë në ekonomi është i vogël: edhe nëse e tërë shuma e mundshme do të tërhiqej dhe do të shpenzohej brenda ekonomisë sonë, ajo do të ishte vetëm sa 2.8% e Bruto Produktit Vendor (BPV). Ndërsa, përkundër intervenimve të bëra deri tani, pritjet për rënien ekonomike këtë vit janë 7.5% nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe 8.8% nga Banka Botërore.

5. Cenimi i sigurisë për të ardhmen: natyra obligative e kontributdhënies e shpjegon domosdoshmërinë e këtyre mjeteve për të ardhmen. Prekja e kursimeve pensionale e cenon rrjetën mbrojtëse të domosdoshme atëherë kur nuk mund të punohet më për shkak të ndonjë lëndimi, moshe, etj. Gjithashtu, kjo masë do të përbënte precedent për ndërhyrjen e mundshme në fond nga kjo apo qeveritë e tjera në të ardhmen. Madje edhe më herët. Nuk është larg mendësh që në fushatën e ardhshme zgjedhore partitë politike ta bëjnë një “garë drejt majes” ku secila premton mundësimin e tërheqjes së një përqindjeje më të lartë nga Trusti.

Cilat mund të jetë një alternativë?

Shumica e këtyre argumenteve janë dhënë edhe nga kritikë të tjerë të kësaj politike. Megjithatë, ajo që nuk kemi dëgjuar është ndonjë alternativë që del jashtë kontureve të kësaj politike. Pra, që nuk e sheh zgjidhjen përmes mjeteve të Trustit dhe që mëton t’i adresojë problemet e lartpërmendura.

Një alternativë ndaj kësaj politike është kreditimi i ekonomive familjare. Formula do t’ishte konceptualisht e thjeshtë: sektori bankar është mjaft likuid, i kapitalizuar mirë, dhe profitabil, ndërsa ekonomia reale është në nevojë për para. Qeveria do ta mundësonte krijimin e një kanali përmes së cilës do të rrjedhnin mjetet.

Konkretisht, do t’mund të krijohej një dritare e veçantë për garantimin e kredive personale, ku do ofroheshin kredi deri në 500 euro, me një vit periudhë të mospagimit (i.e. grace period), një vit afat për kthim, 7% normë efektive të interesit (të mbuluara 100% nga Qeveria), dhe 1% shpenzime administrative (të mbuluara 100% nga Qeveria). Qeveria do t’i garantonte këto kredi 100%.

Nëse e marrim 50%-shin më të varfër që është aktualisht në grup si indikacion i madhësisë së target grupit që Qeveria synon ta ndihmojë (në vend të tërheqjes së 10% nga Trusti), atëherë do t’duhej llogaritur për maksimum 320 mijë kredi.

Me këtë politikë, do të mund të futeshin në qarkullim nga bankat tek ekonomia reale maksimumi 160 milionë euro. Kostoja e interesit dhe e shpenzimeve administrative për Qeverinë do t’ishte maksimumi 11.2 milionë dhe 1.6 milionë euro respektivisht.

Në rast se asnjë kredi nuk do të kthehej, kostoja totale për Qeverinë do t’ishte 172.8 milionë euro. Dhe, meqë periudha e mospagimit dhe koha maksimale për kthimin e kredisë do t’ishin nga një vit respektivisht, kostoja vjetore për Qeverinë, në rastin më të keq, do t’ishte 86.4 milionë euro gjatë dy viteve të ardhshme.

Për ta zvogëluar mundësinë e një skenari të tillë, dhe në mënyrë që kjo politikë të kishte sukses, do t’duheshin dizajnuar kritere që në të njëjtën kohë synojnë maksimizimin e ndihmës dhe minimizimin e rrezikut. Natyrisht se kjo është një sfidë meqë shpesh ata që kanë më së shumti nevojë për para në këtë kohë do të kenë më së paku mundësi për kthimin e tyre.

Por, në rast të moskthimit të kredisë, varësisht nga situata e financave publike pas dy viteve, Qeveria do t’mund ose t’ua falte borxhin ose ta faturonte atë gradualisht përmes shërbimeve që i ofrojnë ndërmarrjet publike.

Ndërsa kriteret do t’mund të krijoheshin duke i përjashtuar disa grupe si p.sh. të punësuarit në sektorin publik (ose së paku ata që kanë paga më të larta), pronarët e bizneseve (të cilët janë ndihmuar dhe mund të ndihmohen me masa tjera), kufizim të numrit të kredive brenda një ekonomie familjare, duke i afirmuar gratë, rininë, dhe grupet e margjinalizuara përmes kuotave, etj. Gjithmonë duke e patur parasysh që kjo politikë nuk synon t’i zgjidhë të gjitha problemet e shkaktuara nga kriza, por ta zëvendësojë politikën e mundësimit të tërheqejes së 10% nga Trusti.

Cilat nga pesë argumentet e idenfikuara si probleme të politikës së mundësimit të tërheqjes së 10% nga Trusti do t’i adresonte një politikë e tillë e kreditimit?

1. Përgjegjësinë e merr Qeveria. Të parën plotësisht sepse Qeveria do ta merrte barrën. Është e qartë se financat publike që ajo menaxhon janë të qytetarëve, por koha është thelbësore në këtë situatë. Ndërhyrja e Qeverisë në kohë më të këqija, kthimi i qytetarëve në kohë më të mira.

2. Qasje e barabartë mes punëtorëve. Të dytën plotësisht sepse maksimumi që do t’mund të tërhiqej do t’ishte i barabartë për të gjithë. Dhe, kriteret që do t’vendoseshin, qoftë përjashtuese qoftë afirmative, do t’mund ta adresonin ndonjë pabarazi eventuale.

3. Kostoja sociale më e vogël, përfitimi individual më i madh. Pra, mjetet nuk do të merreshin nga Trusti por nga depozitat aktuale bankare, vlera e përgjithshme do t’ishte më e vogël, dhe ato do të ktheheshin. Ndërsa përfitimi individual në vend se të ishte 10, 35, apo 234 euro, do t’mund t’ishte 500 euro. Ndonëse as kjo politikë nuk do t’kishte qëndrueshmëri sepse kredia do t’mund të merrej njëherë, shuma do t’ishte më e madhe dhe do të merrej për nevojat e caktuara që mund të kenë qytetarët – për dallim nga Trusti ku mjetet mund të merren sepse janë aty.

4. Ndikimi i drejtpërdrejtë në ekonomi do t’ishte i përafërt. Nëse e krahasojmë shumën me BPV-në si indikacion të ndikimit të drejtpërdrejtë në ekonomi, atëherë e shohim se ai është i përafërt. Nëse 10% e vlerës së Trustit do t’i injektonte 200 milionë euro në ekonomi, kjo do t’ishte rreth 2.8% e BPV, ndërsa kjo politikë e kreditimit do t’ishte rreth 2.4%. Pra, ndikimi në të dy rastet do t’ishte i vogël, por jo me ndonjë dallim të madh mes tyre.

5. Moscenimi i sigurisë për të ardhmen. Kursimet pensionale nuk do të zvogëloheshin. Gjithashtu, do të shmangej precedenti ku Qeveria ndërhyn në fond në këtë mënyrë dhe, gjithashtu, mundësia e përdorjes së këtij precedenti si premtim në fushatat zgjedhore.

Megjithatë, përkundër këtij argumentimi se kjo politikë e kreditimit të ekonomive familjare do t’i adresonte shumicën e kundërargumenteve ndaj mundësimit të tërheqjes së 10% të Trustit, duhet pranuar se një politkë e tillë ka pak gjasë të implementohet nga kjo Qeveri. Gjasat janë shumë më të mëdha që ajo ta kalojë ligjin në lexim të dytë, dhe t’ua mundësojë qytetarëve tërheqjen e 10% të kursimeve të tyre nga Trusti.

Pastaj, pak më vonë, do të kuptohen gabimet e një politike të tillë, sepse do të përjetohen. Por, le të dihet që ka patur alternativë, që ka alternativa. Kjo ishte një.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.