Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mesazhet e Lajçak

Vizita në Kosovë dhe Serbi e Emisarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Miroslav Lajçak, ka konfirmuar një moment të ri politik në këtë proces. Në përgjithësi, kjo vizitë e cila vjen si rezultat i përpjekjeve të BE-së për të shtuar intensitetin e veprimit, kishte dallime nga vizita e mëparshme në disa plane. Mesazhet në Prishtinë dhe në Beograd, të cilat kanë ngjashmëritë, por edhe dallimet e tyre, mund të përmblidhen në disa pika kryesore.

Normalizim, jo njohje

Një mesazh me rëndësi i dhënë në Prishtinë para nisjes së Lajçak për Beograd ka të bëjë me pritjet për marrëveshjen që potencialisht mund të nënshkruhet në muajt në vijim. Qeveria kosovare ka përsëritur në vazhdimësi kohët e fundit se qëllimi i vetëm nga dialogu është epilogu i njohjes reciproke. Megjithatë, Emisari Lajçak ishte i qartë në deklaratën se kufiri i mandatit të tij i vizatuar nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së, ndalet tek normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në esencë njohja formale -de jure- dhe normalizimi nuk janë dy procese domosdoshmërisht të lidhura apo ndërvarura, prandaj sa i përket BE-së është me rëndësi të arrihet kjo e dyta.

Një deklaratë e tillë kaq e qartë natyrisht se ka implikime në formësimin e ngjarjeve të procesit të dialogut në javët dhe muajt në vijim. Dihet mirëfilli se në planin politik, pa përkrahjen e BE-së, do të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që Kosova të ketë instrumentet e duhura për t’i bërë presion Serbisë për arritjen e kërkesës së saj, pra njohjen reciproke. Kjo sepse mediatori i dialogut, sikur vizita e Lajçak bëri të ditur, nuk bashkëndan të njëjtën urgjencë. Ndër të tjera kjo qasje mund të rrisë sentimentin brenda klasës politike, por edhe qytetarëve kosovarë, se qasja e BE-së ndaj dy shteteve si lehtësues është asimetrike.

Statusi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të negociohet në Bruksel

Sikur u cek kalimthi, në javët dhe muajt e fundit Kryeministri i Kosovës ka deklaruar se Kosova nuk dëshiron të diskutojë me Serbinë për aspekte përmabjtësore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi që Kosova ulet për të biseduar vetëm për njohjen reciproke. Në lidhje me këtë pikë, Emisari Lajçak ofroi mesazhe të ndara në Prishtinë dhe Beograd, sintetizimi i të cilave mund të qartësojë pozicionin e BE-së.

Në Prishtinë Lajçak deklaroi se pa themelimin e AKSHS nuk mund të ketë marrëveshje finale, pra për BE-në zbatimi i kësaj pike është parakusht i marrëveshjes potenciale mes dy shteteve. Emisari Lajçak gjithashtu deklaroi se zbatimi i kësaj pike duhet të bëhet në bazë të tre dokumenteve: dokumentit të nënshkruar në vitin 2013, dokumentit të nënshkruar në vitin 2015 dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me përputhshmërinë e AKSHS me frymën e Kushtetutës, në vitin 2015. Megjithatë, pala kosovare ende nuk ka themeluar draftin e statutit me komptencat e AKSHS, as nuk ka definuar statusin juridik. Prandaj pyetja pasuese, ndoshta edhe kryesore, është se si dhe kush do ta rregullojë funksionimin e këtij organizmi.

Në përgjigjet e dhëna në Beograd Emisari Lajçak ofroi pritshmëritë e BE-së mbi këtë pikë, duke deklaruar se zbatimi i AKSHS nuk është aspekt që diskutohet, prandaj në takimet e ardhshme mbetet të diskutohet për fazat pasuese. Rrjedhimisht, si hap i radhës nevojitet të bisedohet për statusin që ky entitet do ta ketë. Më e rëndësishmja, ky përfundim sipas Lajçak duhet të arrihet përmes bisedimeve të dy shteteve në Bruksel.

Në përgjithësi, mesazhet e Lajçak në Prishtinë dhe Beograd Lajçak sa i përket AKSHS kishin dallime të vërejtshme. Në Prishtinë theksi i mesazhit të Lajçak ishte mbi zbatimin e obligimit për AKSHS-në, përmes termeve më të përgjithshme. Në anën tjetër, në Beograd theksi i mesazhit ishte mënyra konkrete e zbatimit të kësaj pike, pra përmes diskutimit të statusit juridik, rrjedhimisht kompetencave të AKSHS, nga të dy shtetet në tavolinën e Brukselit. Duhet cekur se në Kosovë është kundërshtuar ideja e diskutimit të statusit të këtij entiteti me Serbinë në dialog, kësisoj qëndrimet e institucioneve dhe opozitës kosovare aktualisht janë në shpërputhje të plotë me pozicionin e BE-së.

Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshohet për AKSHS

Në konferencën për media në Beograd Lajçak shkoi edhe një hap më tej, duke deklaruar se jo vetëm që statusi i AKSHS duhet të diskutohet mes dy shteteve në Bruksel, por zbatimi i kësaj pike mund të kërkojë ndryshime kushtetuese në Kosovë. Duke u përgjigjur për përshtypjet që kishte fituar në Prishtinë mbi zbatimin e AKSHS Emisari Lajçak deklaroi: “E dyta – çështja e Kushetutës: është logjike që Kushtetuta duhet të ndryshohet. Për më shumë, askush [sqarim: në Prishtinë] nuk ka thënë se është e pamundur”. Megjithatë, duhet cekur se asnjë nga zyrtarët institucionalë apo figurat politike në Kosovë nuk ka deklaruar diçka të ngjashme në deklarata publike.

Pavarësisht kësaj, mesazhi i përçuar nga Lajçak ishte i drejtpërdrejtë: BE-ja pret gatishmërinë e Kosovës për të diskutuar me Serbinë themelimin e një bashkësie me kompetenca të gjera, duke përfshirë aspekte qeverisëse që nuk janë të parapara nga Kushtetuta e Kosovës aktualisht. Në thelb, mesazhi i Lajçak nënkupton se rendi kushtetues në Kosovë duhet t’i përshtatet themelimit dhe funksionimit të AKSHS-së dhe jo e kundërta. Si nëntekst mund edhe të zbërthehet si vijon: aq sa dialogu është në funksion të Kosovës, po aq Kosova është në funksion të dialogut.

Afati është pranvera

Fiasko e BE si fasilitatore e dialogut në vitin 2018 prodhoi pasoja negative për staturën diplomatike të BE-së në dy shtetet dialoguese, por edhe më gjerë. Ndër të tjera, ky dështim shkaktoi përfshirjen e shteteve anëtare si Gjermania dhe Franca në kuadër të përpjekjeve evropiane për ringjalljen e dialogut, por gjithashtu edhe përfshirjen amerikane në një proces të ndarë negociator, që kulminoi me nënshkrimet e Washingtonit muajin e kaluar. Shija e dështimit të vitit 2018 duket se ka zgjuar BE-në nga gjumi, duke injektuar një urgjencë më serioze në procesin e dialogut që mund të vërehet në muajt e fundit.

Mesazhi i Lajçak në Prishtinë dhe Beograd në raport me kohëzgjatjen e procesit ishte në linjën e njëjtë: marrëveshja duhet të arrihet në muajt në vijim, por procesi nuk ka nevojë për nguti apo data fikse. Lajçak mori zyrtarisht detyrën si Emisari i Posaçëm i BE nga Këshilli i Ministrave me 3 prill 2020 me një mandat fillestar prej 12 muajsh. Si rezultat, është e pritshme që aktiviteti dhe përpjekjet e Lajçak në muajt e ardhshëm të intensifikohen gjithnjë e më tepër, për të mundësuar paraqitjen e arritjeve konkrete para shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, me të përfunduar mandatin 1 vjeçar, pra në fillim të prillit të vitit të ardhshëm.

Presioni është mbi Kosovën

Në përgjithësi, nga deklarimet publike të Lajçak në të dy shtetet, vërehet se themelimi dhe funksionalizimi i Asociacionit konsiderohet si çështja më e ndjeshme e kësaj faze të bisedimeve. Kjo mund të konfirmohet edhe nga minutat e shpenzuar nga Lajçak duke diskutuar këtë pikë në konferencat për shtyp në Prishtinë dhe Beograd. Duke ditur se zbatimi i kësaj pike mund të ketë implikime për rendin kushtetues dhe nivelet e qeverisjes në Kosovë, presioni për zgjidhjen e kësaj nyje bie në radhë të parë mbi Kosovën.

Sipas Lajçak pozicioni i BE është i qartë: Kosova duhet ta themelojë dhe funksionalizojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në pajtim me zotimet e nënshkruara, i cili duhet të jetë i diskutuar dhe i pranuar nga Brukseli dhe Beogradi. Vetë fakti se konferenca për media në Beograd u përdor nga Lajçak për të nënvizuar atë çka pritet nga Kosova, nënkupton se trysnia për të ardhmen e procesit të dialogut bie mbi këtë të fundit.

Në anën tjetër, mesazhi i Lajçak për Serbinë është dukshëm më i ngushtë, rrjedhimisht me kërkesa më të vogla. Nga konferenca e përbashkët për media mes Emisarit Lajçak dhe Presidentit serb Vuçiq mund të vërehet se kërkesat konkrete për Serbinë nga ana e BE-së në këtë fazë përqëndrohen, por edhe kufizohen në pjesëmarrjen e palës serbe në proces, në vazhdën e përpjekjeve për ‘të arritur normalizim’. Mungesa e kërkesave konkrete -gjithsesi kushtëzimeve- nga ana e Emisarit Lajçak për Presidentin Vuçiç, shërben si tregues i pozicionit të favorshëm të palës serbe në këtë proces.

Në këtë dimension, i takon klasës politike në Kosovë të menaxhojë këtë situatë me finesë, në një mënyrë që nuk cenon funksionimin efektiv të qeverisjes brenda Kosovës në plan afatmesëm dhe afatgjatë, por në të njëjtën kohë nuk e shndërron Kosovën në bllokuese të procesit të dialogut. Të gjitha indikacionet nga mesazhet e Lajçak bëjnë të ditur se Kosova po hyn në një fazë delikate në raportet me BE-në, si pasojë e AKSHS. Mënyra se si Kosova do të manovrojë përmes kësaj trysnie do të jetë përcaktuese për fazat e ardhshme të dialogut, por gjithashtu do të reflektojë edhe në aspekte të tjera të relacioneve të Kosovës me aktorët e jashtëm. Sa i përket Beogradit, synimi dhe skenari ideal është i qartë: zgjerimi i terrenit për lojë përmes bllokimit të procesit të dialogut, por i shkaktuar nga barrikadimi i Kosovës ndaj kërkesave të aleatëve të saj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.