Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shoqëritë e ndara dhe konfliktet e ngrira: një perspektivë që Kosova duhet të shmangë me çdo kusht

Konfliktet e ngrira kanë ndikim shkatërrues dhe janë një realitet në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë Evropën. Si koncept, konflikti i ngrirë u prezantua në fjalorin ndërkombëtar në vitet e ’90-ta dhe i referohet situatave midis paqes dhe luftës. Do të thotë megjithëse luftimi aktiv dhe ka përfunduar, konflikti nuk është zgjidhur plotësisht. Në hulumtime, konflikti i ngrirë shpesh është i lidhur me konflikte të zgjatura etnopolitike, si për shembull rasti i Nagorno-Karabakh midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Shoqëritë me konflikte të ngrira jetojnë në frikë të përhershme të potencialit për ri-përshkallëzimin e konfliktit. Shpesh nuk duhet shumë për të ndezur një situatë konfliktuale, që mund të përhapet.

Një studim rasti interesant i konfliktit të ngrirë etnopolitik përfshin Transnistrinë në Moldavi. Rreth 29 vjet më parë, në fillim të viteve ’90-ta, pas shpalljes së pavarësisë nga Moldavia dhe luftës civile që pasoi, një rrip toke përtej lumit Dniester u nda nga pjesa tjetër e vendit. Prej tre dekadash tani në Transnistria rreth gjysmë milioni njerëz jetojnë në një realitet të ndryshëm nga pjesa tjetër e vendit që zyrtarisht i përket, nga pikëpamja ndërkombëtare. Autoritetet transnistriane kërkojnë në mënyrë aktive bashkimin me Rusinë dhe si territor konsiderohet një muze i gjallë i kohës së Bashkimit Sovjetik.

Aspekti interesant i çështjes së Transnistrisë është se përpjekjet për ta ri-integruar atë me pjesën tjetër të Moldavisë duhet të marrin parasysh gjithashtu faktin se tre dekada të një ndarje de fakto dhe një jetë në një realitet tjetër kanë rezultuar me një me një dallim, që është e vështirë të shkrihet me pjesën tjetër të vendit, që ka shkuar në një drejtim tjetër. Moldavia që kërkon integrim Evropian dhe Trasninistria që kërkon bashkim me Rusinë. Brezat e rinj që kurrë nuk kanë qenë pjesë e një Transnistria që ishte pjesë e Moldavisë po marrin formë. Në këtë kontekst, ka mësime të rëndësishme që duhet nxjerrë nga Kosova në trajtimin e rajonit të vet që ka jetuar kryesisht në një realitet të veçantë nga pjesa tjetër e vendit për afro dy dekada, me gjithë arritjet modeste në kuadër të Dialogut të Brukselit.

Zgjatja e zgjidhjes së çështjes së veriut do të çojë vetëm në çimentimin e mëtejshëm të status quo-s dhe të konfliktit të ngrirë. Shumica e zgjidhjeve drejt veriut të Kosovës janë demonizuar aq shumë sa shpesh na mbetet të presim që mungesa e zgjidhjes të jetë zgjidhje. Por fakti është se nuk është ashtu. Fakt është po ashtu se asnjë marrëveshje ekzistuese dhe kompromiset që Kosova tashmë ka pranuar nga proceset ndërkombëtare nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur çështjen e veriut të Kosovës. Nëse ajo pjesë do të integrohet me pjesën tjetër të vendit, duhen ndërmarrë veprime të guximshme dhe vendimtare në frymën e ndarjes së pushtetit, marrjen në konsideratë të qytetarëve aktualë të asaj pjese të vendit dhe realitetin në të cilin ata kanë qenë të detyruar të jetojnë nga politika e Beogradit.

Sidoqoftë, në një Kosovë ku procesi i shtetndërtimit/konsolidimit po dominohet gjithnjë e më shumë nga liderë populistë, duket se ata do të kenë më shumë sukses të shtyjnë më tej veriun dhe ta mbajnë të zgjidhur status quo-n për Kosovën, sesa të flasim hapur dhe të vërtetën me qytetarët për opsionet e dhimbshme dhe të kufizuara në dispozicion për një zgjidhje. Gjendja e fragmentuar gjeopolitike që është konsoliduar në veriun e Kosovës, ka krijuar qëndrime të ndryshme ndaj asaj që mund të konsiderohet si një zgjidhje e qëndrueshme.

Ndërsa ekzistojnë dallime të qarta, midis bashkësisë ndërkombëtare dhe gjithashtu brenda Kosovës në lidhje me të ardhmen e veriut të Kosovës, kemi edhe ngjashmëri të rëndësishme. Shumica në Kosovë duket se pajtohen që ne nuk jemi në rrugën e duhur dhe se mbajtja e status quo-s vetëm do ta përkeqësojë situatën në vend. Ka zhgënjime të përbashkëta midis qytetarëve të veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës. Alternativë ndaj mungesës së një zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës do të ishte vazhdimi i një shoqërie të ndarë në Kosovë pa perspektivë evropiane. Në Irlandën e Veriut, të ashtuquajturat mure të paqes ose vijat e paqes vazhdojnë të mbrojnë status quo-n dhe të mbajnë ndarjen. Qasja për zgjidhjen e çështjes në veri duhet të mendohet larg qasjes binare gjeopolitike që mbizotëron në të menduarit aktual. Në këtë kuptim, elita politike shqiptare duhet të fillojë ta shohë veriun jo vetëm përmes elitave politike lokale atje.

Qytetarët në veri të Kosovës, e kuptojnë se bashkimi me Serbinë në praktikë do të thotë zbritjen e statusit dhe rëndësisë së tyre. Ata gjithashtu duhet të pranojnë që integrimi i plotë me pjesën tjetër të Kosovës nuk mund të vijë në dëm të shumicës shqiptare dhe funksionalitetit të shtetit.

Çfarë është e qartë është se dhjetë vjet angazhim për zgjidhjen e konfliktit nga ana e Bashkimit Evropian (BE), kanë qenë në të vërtetë qasje të menaxhimit të konfliktit. Ndërsa progres i rëndësishëm që është arritur në kuadrin e Dialogut të Brukselit nuk mund të mohohet, ky përparim ka qenë shumë i ngadaltë dhe është kryesisht një imitim, pasi të gjithë e kuptojnë që çdo gjë që është arritur në veri mund të zhbëhet me një telefonatë nga Beogradi brenda pak orësh. Ne nuk mund të lejojmë që pasiguria të vazhdojë dhe kriteri themelorë për zgjidhje duhet të jetë që të kemi një zgjidhje të qëndrueshme jo vetëm për veriun, por edhe në raportin Kosovë-Serbi. Është e qartë se kjo tani synohet të gjendet në ri-paketimin e propozimit për asociacionin e komunave me shumicën serbe dhe një lloj statusi të veçantë për veriun.

Shumica shqiptare në Kosovë nuk duhet të ketë frikë, në fakt duhet të mbështesë zgjerimin e kompetencave në fushën kulturore dhe arsimore për komunitetin serb në Kosovë. Sidoqoftë, çdo marrëveshje tjetër që tejkalon këtë koncept të ndarjes së pushtetit do të antagonizojë dhe përkeqësojë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë dhe nuk mund të çojë në zgjidhje të qëndrueshme. Sfidat në horizont për procesin e shtetndërtimit/konsolidimit të Kosovës si dhe problemet e përbashkëta të qytetarëve nuk duhet se do të mund ti bashkojnë ‘armiqtë’ e elitës politike në Kosovë dhe ky në vetvete është një element serioz për të faktuar se si po paketohet zgjidhja për veriun e Kosovës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.