Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Varri – tregim i shkurtër nga novela Marlboroja e Sarajevës

A e din pse njerëzit kurrë nuk varrosen në lugina? Të gjitha varrezat e vërteta janë në ndonjë kodër mbi qytet, se kur të ngjitesh aty lart për të pushuar sytë apo në shëtitje prej mezarit në mezar, e shfleton albumin e fotografive të nëndheshme, duke ecur nëpër barin e gjatë dhe takon dikend të panjohur ndërsa ai interesohet për tregimin jetësor të rahmetlsë së panjohur – që të mund të thuash dhe me gisht të tregosh rrugën e tij nëpër mahalla dhe çarshi, prej shitoreve në pijetore, e drejt deri te varreza. Ngjitesh kështu në Alifakovcë, takon të themi, le të jetë një italian, i cili ka ndëgjuar se si ka jetuar, të themi Rasimi, ndërsa ti i thua, Rasimi ka lindur në Kovaçe, i tregon me gisht dhe njeri e di, shkollën e ka kryer aty pranë asaj ure dhe i tregon Dërvenijën, kur i bëri shtatëmbëdhjetë u dashurua në të bukrën Mara që jetonte në Bjellavë, dhe Bjellava shihet nga Alifakovci, por i ati nuk deshi ta jepte, kështu ajo iku prej shtëpie, natën u shfaq në derën e Marës, tre muaj u fshehën në lagjen Illixhë, e Illixha është ajo aty që menxi shihet prej mjegullës, por prap se prap shihet, i ati e gjeti dhe e luti të kthehet në Kovaçe, Rasimi tha se pa Marën nuk kthehet, kur baba e pa që e ka përnime, e mori Rasimin dhe Marën në Kovaçe, por ajo nuk guxonte të dilte nga shtëpia e as të dinte kush nga kojshitë e saj për të, natën kur shpirti ia lypke, Rasimi e çonte te shkëmbinjtë prapa kazermës Jajce, nga aty, kur iu rahatojshin sytë, e shihte Bjellavën, ose veç mendonte se e shihte, dhe pastaj qante, zgjati kjo nja një vjet, gjersa i ati i të rinjëve nuk e ndërtoi shtëpinë në Bistrikë, e aty është Bistrika, e sheh Birrarinë, xhaminë dhe një copë të qytetit, Rasimi dhe Mara u shpërngulën në shtëpi, u shpall martesa, dhe tamam kur u mendua se jeta do të vërtetojë dashurinë vdiq Mara, e varrosën mbi Shirokaçë, ajo aty është Shirokaça, mezarin e ka pak të ndarë prej tjerëve se askush se dinte nëse Mara mbeti Marë apo u bë Marë, të themi Mejrema, se Rasimin ashtu të çmendur prej pikëllimit nuk mund të pyesnin, nuk fliste asgjë, të gjitha mahallat prej Kovaçës e deri te Shirokaçë ishin fajtore për vdekjen e saj, e shiti shtëpinë dhe u shpëngul në Vrbanje, ajo aty është Vërbanja, ku axha kishte furrë, natën piqte bukën, e ditën vajtonte, njerëzit thonin që Ethemi i vjetër nuk ka nevojë më ta krypos bukën, mjaftonin lotët e Rasimit, kur ia nisi lufta e dytë Rasimi u lajmërua në komandën kryesore të ustashëve, atje e ke aty poshtë Miljaçkës, para lagjes Skenderija, shiko aty ku janë ato dy plepa, u lajmërua si ustash, menjëherë fitoi një gradë, qytetit ecte me sy të skuqur, të gjithë i frikësonte ani se nuk dihej se kujt ia kishte bërë një të keqe, e kur parizanët hynë në qytet menjëherë Rasimin e burgosën në podrumin e Landes bankës, ajo është aty, deshën ta pushkatonin, por si prej qiellit të hapur, u shfaq Salamon Finci, tregëtari nga Bjellava, i cili për tre ditë resht mundohej të bindëte do komesarë, se ustasha Rasimi pesë familje jevreje e nxuri prej belasë dhe i dërgoi në Mostar, tutje italianëve, duke besuar në fund Fincit e gjykuan Rasimin, ashtu sa për sy e faqe, me tre muaj burg, që e shërbeu, ja atje, nën këmbët e atij pylli mbi lagjen Skenderija, e kur u paraqit përsëri vazhdoi me avaz të njëjtë, ditën vajtonte, natën kryposte brumin, kur një ditë e gjetën me kokë mbi magje, tërë natë ishte ra i vdekur, në brum i kishte mbetur përshtypja e fytyrës, atëherë e kthyen në shtëpi të babës në Kovaçe dhe e varrosën këtu, nën barin në të cilën qëndron. Gjithë jetën nga ky vend mund t’a shohësh dhe t’a shkoqësh. Vetëm hajnat, fëmijët dhe ata që fshehin diçka varrosen në lugina. Në lugina prej jetës nuk mbetet kurgjë se kurgjë prej luginës nuk shihet.

Njëherë kështu, deri sa ia hapja varrin Salem Biqakçiut, që e kishte rok snajperi në avli të shtëpisë, erdhi një gazetarë amerikan, kish ndëgju se gjatë kam qenë në Kaliforni, që kam pa botë me sy, që di gjuhë e njerëz, e tash ja përsëri punoj si varrëmihës, kishte kujtuar i shkreti që unë mund të tregoj se çka i ka i kishte gjetur njerëzit në Sarajevë. Tue varros ashtu, ai tue nejt e tue pyt, po më thotë që i intereson gjithçka, e unë pastaj po e pyes – gjithçka për të gjallët apo për të vdekurit, e ai po më thotë – edhe për këta edhe për ata, e unë i them se për të vdekurit dhe për të gjallët nuk mund të flitet në të njëjtën kohë se të vdekurit kanë jetë pas vetes, ndërsa të gjallët nuk dijnë se çka i pret tutje dhe me çka akoma mundem me e prish e shkatëru jetën që kanë jetuar, të gjallët e kanë më vështirë, i them, se kush e di se ku kanë me pas mezarin, në luginë apo në kodrinë, dhe a do të kujtojë kush se si kanë kaluar kësaj dynjaje, të gëzuar a të mrrolur.

Po më pyet mua amerikani çka është ky far dynjalluku, unë po e kqyri, përnime nuk po mundem me gjetë naj fjalë angleze, po qeshem e po i them – kjo është, gazetari im, diçka sikur: all over the world. Dikujt all over the world është prej Bashçarshisë e deri te Marijindvori, e dikujt rreth e rrotull botës. ndërsa i lumtur, si edhe i pikëlluar mund të jetë edhe njëri edhe tjetri. Po e tund ai kokën, po shoh që nuk ka haber çka jamë duke i thënë, as që kjo bash po i intereson, por për mua gjithqysh mirë, po më konda që kam me kend me fol sa jam duke gropouar. Po më pyt ai mua a më dhimset që tre herë kalova botën e përfundova në Sarajevën e rrethuar, ndërsa unë po i them nuk kam përfunduar këtu por këtu kam le dhe Zoti na rrujtë ta kisha lënë kokën dikah tjetër, askush nuk kishte me më përmend askujt nuk kisha mu iu dhimtë, e pos kësaj as varrezat në botë, veçmas ato në Amerikë, nuk janë si të Sarajevës, renditen të vdekurit si ushtarët në rend, të gjithë me guri të njëjtë, si me i pas dal shpirti prej shtanc makinës.

Po e tund kokën amerikani ende, unë i them mos ma nxen për të madhe nëse kam thanë diçka të keq për atdheun e tij, ndërsa ai pastaj, budalla, më pyt nëse jam i gatshëm tash me vdek. U kujtova unë, po i them, ka njëqind mënyra për me mbet i gjallë dhe të gjitha i kam për qefi, secila më kujton në lezet e gëzim, askush më i lumtur se unë kur i iki granatës, e pastaj të vdekurve të mi, në vendin më të mirë me pamje më të mirë ia hapi varret dhe e di se edhe ata sikur unë kanë bërë lavd jetës dhe se vdekja i ka ikur sikur kuglla e fliperit pasi që ke fituar njëqind herë nga njëqind pikë, ke mujt hala, por, çe, të ka ik. Jeta vlen veç kur e din sa e ke, vdekja përndryshe të gjen të papregaditur, as që din që ke jetuar, as nëse ke vlejtë vetes e të tjerëve, gruaja dhe fëmijët të vajtojnë se e dijnë që pa mend i ke shpenzuar vitet, si pula pa kry që nuk din me cof as kur t’ia këpusësh kokën.

Po më pyet amerikani çka ka ndryshuar në fytyrat e njerëzve, e unë i them që nuk di, por e kam vërejtur edhe vet, disi më janë zbukuruar dhe janë më solemne, e ai pastaj më pyet pse po vriten nëse janë aq solemne. Po shoh unë se atij po i mungon tema për tekstin e vet, e nuk po mundet me shkrujt se veç po e din se si ka me i dal. Po i them me kqyr më pak ftyrat e njerëzve nëse nuk i kupton, le ta kqyr sendet, si unë kur kam shku në Amerikë e kam kqyr reklamat e neonit dhe kam përfundu se ku kam ardhë. I nxjeri nga xhepi cigaret, e sheh këto, po i them, këto janë cigare që prodhohen në Sarajevë, a e din pse paketën e ka krejt të bardhë, me hamendje më shikon, e bardhë është se nuk kan ku me i shtyp mbishkrimet të paketës. Ti ke me përfundu se ne jemi të mjerë për gjynah se as në cigare nuk shkruan kurgjë, ke me përfundu kështu se nuk din me kqyr. E marr unë me hap këtë paketë, e di që nga mbrenda nuk është i bardhë, por mund të jetë mbështjellësi i rrotulluar i sapunit të fëmijëve, mund të jetë copa e pllakatit të kino-shfaqjes, mund të jetë copë e reklamës për këpucë. Edhe mua më intereson çka ka mbrenda, gjithmonë e shikoj dhe befasohem, i intereson edhe amerikanit, ani se nuk ka lidhje ky se çka jam tue ba. E hapi unë paketën dhe veç sa nuk pakem. Nga mbrendia më del mbështjellësi i Marlboros, asaj së vjetrës së Sarajevës, habitet amerikani, unë shajta, nuk dita çka me i thanë ma shumë. Çkado që i them ka me mendu që, ashtu si është, qe milet budalla, ia kthej letrën e mbështjedhësit mbrapshtë, le ta sheh se çfarë cigare kemi ble. Si i kan paketat e cigareve mbrapshtë, ashtu edhe sende tjera i kan mbrapsht, edhe ato që folin, edhe ato që mendojnë, edhe ato që bëjnë. U bëra pishman unë krejt çka fola me amerikanin, së paku që nuk i thashë që ne jemi popull i pafat dhe i paarmatosur në të cilën gjuajnë çetnikët e krisur dhe që prej këtij babsuzlluku krejt kemi lujt menç. Ai do të shruante kështu, ndërsa unë as para vetes e as para tij nuk do të dukesha si i marrë.

Në Amerikë njerëzit lëshohen me lift në varre, prandaj të gjitha i kanë ashtu. Po ta sulmonin çetnikët Pittsburh-un apo ndonjë qytet tjetër, ata të gjithë së bashku do të lëshoheshin me lift nën tokë. As që do ta dini se çfarë zavalli i ka gjetë e as cka kanë lanë aty lartë. Kur i shikon gjithë ato reklama me nga 10 metra nuk mund ta di njeri se çka është Malboroja e Sarajevës* e çka nuk është, qysh ke me dijtë se çfarë zori e ka qu nën dhe rahmetli Rasimin, as pse i kë shpëtu jevrejtë, as pse Salmon Finci e ka shpëtu ate, se çka u bë me brumin me fytyrë të tij, në furrën e rahmetli Ethemit në Vërbanjë, e cila shihet nga cilado varrezë që e kërkon.

——

*Marlboroja e Sarajevës – cigarja të cilën ekspertët e Philip Morris-it e përshtatën shijes së duhanxhinjëve boshnjak, pasi që, thojnë, si në raste tjera, kanë hulumtuar karakteristikat e kuzhinës lokale. Kjo është arsyeja që Marlboroja dallon nga vendi në vend dhe prej prodhimit në prodhim, e që shpesh duhanxhinjtë i befason për së keqi ndonjë Marlboro e huaj. Bashkëpunëtorët e Phillip Morriss-it kanë qenë jashtzakonishtë të kënaqur me prodhimin e vet të Sarajevës, dhe e kanë konsideruar se duhani i saj, i cili rritet në rrethinën e Gradaçacit dhe Orashjes, ka njërën prej bllendeve më të mira të duhanit në përgjithësi.

Përktheu: Jeton Jagxhiu

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.